E enjte, 28.03.2024, 07:56 PM (GMT)

Kulturë

Lekë Mrijaj: Rrëfim ekskluziv me Dr. Pashk Gjonin

E shtune, 17.06.2017, 09:25 AM


Historia e Mirditës ka qenë dhe është një Besëlidhje Malësore me nderin, lirinë, besimin në Zot, në mbrojtje të atdheut e të familjes

(Rrëfim ekskluziv me Dr. Pashk Gjonin, ish - Kryetar i Këshillit të Qarkut të Lezhës 2011-2015)

Intervistoi Lekë MRIJAJ

Një rrëfim ekskluziv me Dr. Pashk Gjonin, ish - Kryetar i Këshillit të Qarkut të Lezhës i cili flet për historinë mirditore, shoqërinë moniste të asaj kohe e rënien e saj,  pikërisht në intervistën e zhvilluar ai përmend edhe zhvillimin e pluralizmit dhe të ekonomisë e shëndetësisë në vend e ngjarjet e tjera gjatë qeverisjes së tij ( 2011-2015 ) në Qarkun e Lezhës. Intervista në fjalë nuk ishte edhe aq e lehtë, sepse të realizosh një intervistë të tillë me një mirditor, mjek specialist të formuar e shumë praktik, me një nuhatje klinike të zhvilluar tamam nën betimin e Hipokratit, mjek human me aftësi gati mistike komunikuese me pacientët dhe një ish Kryetar të Këshillit të Qarkut të Lezhës, që ka një bagazh të madh të njohurive dhe i përgatitur në shumë fusha të dijes, ka se çka të thotë ndaj është e pakapshme që të i përmbledhësh të gjitha të dhënat përmes një interviste apo një përshkrimi të tërë portretit të tij human, intelektual e politik. Për mua si publicist i pavarur nga krahina shqiptare e Kosovës, vertetë ishte një privilegj paksa i veçantë pra të themi më konkret, që të bashkëbisedosh me një lider demokrat regjional e mantelbardhë të qetë e modest me një shërbim tipik natyral, i respektuar gjithandej në profesionin e specialistit të rryer të mjekësisë shqiptare në zonën mirditore e politikës së integruar pro evropiane demokratike shqiptare e përparimtare në të cilën ai e zhvillon dhe e përfaqëson me krenari e dinjitet. Karakteristikë e veçantë e theksuar e tij, është ndjenja e sinqertë e drejtperdrejtë, ndjenjë me mesazh konkret, gjykues por maksimalisht i afërt i ngrohtë e i dashur dhe gjithnjë e gjithmonë qëllim-mirë e në funksion të qytetarit, pacientit, tipik me virtyte të mira e në referim të së drejtës dhe të vërtetës gjithpërfshirëse.

Vijon intervista:

I nderuari Dr. Pashk Gjoni, është kënaqësi të bashkëbisedojmë me ju, njëherit që në fillim të këtij bashkëbisedimi ju falenderojmë për kohën tuaj të çmuar e të cilën na e kushtoni neve. A mund të elaboroni në pika te shkurtra se çfarë përjetoi Mirdita gjate sundimit komunist?

Dr. Pashk Gjoni: Historia e Mirditës nuk është thjeshtë shumatore ngjarjesh me bajraqe dhe bajraktare, para se gjithash ka qenë dhe është besëlidhje malësore me nderin, lirinë, besimin në Zot, në mbrojtje të atdheut dhe familjes. Mirdita ka një histori të veçantë, ajo është AND-ja e shqiptarëve, pikërisht vet palca e kombit, vendi më i pasur moralisht përfshirë edhe asetet natyrore, por më i varfëri ekonomikisht; më e afta në shtet formim dhe më e atakuara nga regjimi komunist; e fundit e pushtuar dhe e para e nën vlerësuar. Mirdita u çlirua ne vitin 1944; Mirdita u “çlirua” ne vitin 1954, e ky 10-vjeçar Mirditës i preu kokën, i dogji kullat, i shëmbi vitet dhe e goditi në palcë krahinën emër mirë. Mirdita humbi vlerat, traditat, besimin në Zot dhe ra në kurthin e djallit; e pranoi më vonesë komunizmin, u edukua me të dhe me plotë veshtirësi po shkëputet.

Regjimi mesjetar komunist i druhej një krahine si Mirdita për:

Orientimin e natyrshëm pro perëndimor,

Besimin fetar katolik të pa lëkundur,

Shërbimin e klerikëve si korifej të kulturës kombëtare,

Institucionet e vetëqeverisjes për disa shekuj,

Institucionin e pranuar nga të gjithë, Kapedanin e Gjomarkajve, si dhe bajraktarët dhe shtëpitë  e para.

Natyrisht këto faktorë u vlerësuan si pengesa serioze për vendosjen e pushtetit komunist sipas modelit të diktaturës së proletariatit. Me pretekstin e reformës administrative, vet Mirditës do t’i shkëputej gjysma e sipërfaqës dhe lokaliteteve të tëra të saj,  do të arnonin rrethe të tjera si Shkodra, Lezha, Puka, Kukësi, Mati dhe Dibra, duke bërë që Mirdita të kufizohej terësisht me vetvetën, gjë që vazhdon edhe aktualisht edhe në ditët e sotme. Kështu regjimi do ta kishte edhe më të lehtë survejimin, përndjekjen, persekutimin dhe përçarjen e komunitetit të saj aq kompakt deri atëherë. Mirdita ka numrin më të lartë të ekzekutuarve ndër vite, me gjyq dhe pa gjyq, mënyrës së trajtimit të kufomave dhe të burgosurve politik, të internuarve dhe të vdekurve në institucionet e krimit, numrin e varreve të humbura etj. Në fund të viteve ’60 ta, kur lufta kundër fesë arriti kulmet, pikërisht kur u vu dorë dhe u rrafshuan edhe kryqet në varrezat shekullore gjë të cilën se kanë kryer as hordhitë e huaja pushtuese. Ky fenomen anti njerëzor shpjegohet me faktin se diktaturat kanë frikë edhe nga varret e madje njëkohësisht edhe nga gurët që vihen në to, u vjen frika me e madhe. Përfundimisht prej kohësh është formuar mendimi se Mirdita, në raport me krahinat e tjera të kombit shqiptar, është goditur mesjetarisht me intensitet më të madh nga regjimi komunist.

Pas rënies se komunizmit ne Shqipëri, si ka qenë situata e zgjedhjeve në Qarkun Lezhë?

Dr. Pashk Gjoni: Pas rënies së sistemit komunist dhe hapjes së mundësive për zgjedhje të lira, edhe Qarku Lezhë ka përjetuar situatë normale të zhvillimit të zgjedhjeve të lira, e natyrisht në zgjedhjet e vitit 1992, ka pasur një triumf të forcave demokratike të opozitës (PD-së, PR-së, PSD-së) ndaj Partisë së Punës apo trashëgimtarës së Partisë Komuniste. Gjatë këtyre 25 viteve janë zhvilluar gjashtë raunde zgjedhjesh parlamentare nga të cilat, me përjashtim të vitit 1997, fituese e tyre ka qenë PD-ja me aleatët e saj. Në zgjedhjet e pushtetit vendor janë realizuar gjashtë raunde me ndarjen administrative të vitit 1992, dhe një raund sipas ndarjes së re administrative të miratuar në vitin 2015, ku bashkitë e komunat janë drejtuar nga përfaqesues të forcave të ndryshme politike si PD-ja, PS-ja, LSI-ja, PDK-ja. Që do thotë se gjatë 25 viteve ka një situatë më të përmirësuar të infrastrukturës dhe shërbimeve të tjera publike, dhe ka vend për përmirësime edhe më cilësore në shërbim të komunitetit.

Si e pritët besimin e strukturave të PD-së dhe Kryetarit Berisha në atë kohë, për të kandiduar për kreun e Qarkut të Lezhës?

Dr. Pashk Gjoni: Këtë besim e kam pritur më shumë respekt dhe përulje për rritjen e përgjegjësive qeverisëse në nivel rajonal, për një drejtim të suksesshëm dhe bashkëpunues me të gjitha nivelet e administrimit të qeverisjes vendore për përmirësimin e shërbimeve karshi komunitetit. Pavarësisht të nivelit të ulët të kompetencave ligjore të qarkut, përsëri ekzistonin mundësi koordinimi dhe bashkëpunimi në nivel horizontal me komuna dhe bashki dhe vertikalisht me institucionin e Prefektit dhe qeverisjen qendrore. Njëkohësisht sfidat e zhvillimeve rajonale do te mbeshtetëshin edhe nga programet e huaja si DLDP, RDP etj., të të cilat kërkonin rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe krijimin e strukturave rajonale si agjensitë e zhvillimit për programimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit rajonal, pikërisht në këtë kontekst shpresoj të kemi justifikuar sfidat e qeverisjes.

Dr. Pashku, sa ka ndikuar qeverisja në këtë kohë për banorët e Rajonit të Lezhës?

Dr. Pashk Gjoni: Qeverisja Rajonale, sipas ligjit shqiptar për qeverisjen vendore ka një rol të kufizuar, por ka instrumente dhe mekanizma koordinimi që po të zbatohen me përgjegjësi ofrojnë produkte cilësore në përmirësimin e qeverisjes në nivel rajonal të harmonizuar me politikat në nivel shtetëror. Qarqeve realisht ju mungojnë kompetencat e duhura për të përmbushur funksionet e tyre, të cilat në disa raste janë akoma të paqarta ose të mbi vendosura me funksionet e institucioneve vendore. Por, kështu burimet e financimit të këtij institucioni kushtëzojn në mënyrë të konsiderueshme zbatimin e funksioneve për zhvillimin rajonal.  Pavarësisht nga sa e potencuam më lartë gjatë qeverisjes katër vjeçare jemi përpjekur të ndikojmë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, urbane e rurale, si dhe infrastrukturën në fushën e sporteve. Ndaj janë realizuar këto projekte në infrastrukturë:

Sistemim asfaltim rruga e Kashnjetit në vlerë 1.5 milion euro,

Sistemim asfaltim rruga e Hotelit të Gjuetisë, 36 milion lekë,

Më tepër tek plani urbanistik-rregullator për Komunat Kolsh, Zejmen, Shënkoll, Milot dhe Fushë Kuqe.

Mbështetja financiare e ekipit të futbollit “Besëlidhja” të Lezhës.

Gjatë kësaj qeverisje është punuar me kompetencë profesionale në përmirësimin e strategjive të zhvillimit ekonomik në fusha të ndryshme duke finalizuar me një dokument strategjik “Paketa e masave dhe projekteve” për zbatimin dhe monitorimin e konceptit strategjik të zhvillimit rajonal, në një menaxhim territori dhe burimeve me qëllim rritjen e zhvillimit ekonomik në mënyrë të qëndrueshme.

Ky dokument tejet i rëndësishem do t’i shërbejë Qarkut Lezhë si:

Instrument që unifikon parashikimet e dokumenteve strategjike me potencialet e zhvillimit ekonomik në territorin ky institucion vet administron.

Plan veprimi mbi të cilin institucioni i Këshillit të Qarkut do të orientojë veprimtarinë e tij në vitet e ardhëshme.

Instrument për të monitoruar zbatimin e konceptit strategjik të zhvillimit rajonal.

Kush janë disa nga problemet më të cilat përballën banorët e Qarkut të Lezhës?

Dr. Pashk Gjoni: Problematikat në Qarkun e Lezhës janë të shumta ashtu siç janë dhe sfidat për zgjidhjen e tyre, gjë që kërkojnë një koordinim të vazhdueshëm ndërmjet aktorëve vendore dhe nivelit te qeverisjes qendrore duke synuar përmirësimin e jetës së banorëve të rajonit. Rajoni i Lezhës është i vendosur në Verilindje te Shqipërisë me popullësi prej 221 217 banorë dhe përbëhet nga tre rrethe, Lezhë, Kurbin e Mirditë. Ka një pozicion gjeografik në afërsi të rrugëve kryesore të transportit që lidhin Veriun me Jugun, Lindjen me Perëndimin si dhe afërsia me portet kryesore të Durrësit dhe Shëngjinit e bën atë tërheqës dhe të shfrytëzueshëm lehtësisht jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe për vendet fqinje duke përfshirë Itali, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Greqi. Elemente potenciale për zhvillimin e rajonit janë gjithashtu resurset natyrore të ujit të pijshëm, linja hekurudhore që shtrihet deri në Malin e Zi, transporti ajror për shkak të afërsisë me aeroportin “Nënë Tereza” dhe atë të Gjadrit në të ardhmen. Lezha gjithashtu është ndër rajonet me potencial strategjik të dallueshëm, me pasuri natyrore dhe vlera kombëtare historike, arkeologjike e monumente kulture të cilat janë të shpërndara gjatë gjithë territorit. Rajoni i Lezhës në këto 25 vite ka ndryshime të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike, infrastrukturës rrugore urbane e rurale që kanë ndikuar në rritjen e zhvillimeve ekonomike lokale të cilat përballen me sfidat e rritjes së cilësisë së tyre. Vizioni strategjik “Lezha 2030” synon një rajon të zhvilluar turistik, që pasuron jetën dhe trashëgiminë unike historike e kulturore, me ekonomi konkuruese dhe biznes inovator, me lidhje të shpejta e zhvillim urban e mjedisor të qëndrueshëm, një rajon me komunitete dinamike, që frymëzojnë progres, dije të avancuara dhe mirëqenie për të gjithë. Ky vizion me qëllime e objektiva zhvillimore ambicioze do të realizohet nëpërmjet programeve dhe projekteve konkrete në fushën e turizmit, zhvillimit ekonomik dhe biznesit, zhvillimit të planifikuar urban dhe në infrastrukturë, mjedis dhe shërbim publik, arsim e kulturë, si dhe nëpërmjet një qeverisje rajonale efiçente dhe të hapur.

Çfarë do të veçonit nga përvoja 4 vjeçare e mandatit tuaj?

Dr. Pashk Gjoni: Në një analizë realiste të përvojës 4 vjeçare do të veçoja padyshim:

Programin për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP)

Bashkëpunimin me programet e zhvillimit rajonal për decentralizim dhe zhvillim lokal (Lezhë, Shkodër) me qëllim forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe komunave gjë që do kontribonte në përmirësimin e zhvillimit rajonal në Shqipërine e Veriut, si dhe reformën për decentralizim në nivel kombëtar.

Ky program ka forcuar kapacitetet e njësive të qeverisjes vendore në planifikimin strategjik dhe buxhetimin afatmesëm; në përmirësimin e shërbimeve lokale administrative dhe publike si dhe aplikimin e mekanizmave inovativ, informativ dhe komunikativ për rritjen e transparencës dhe aksesin më të lehtë të qytetarëve ndaj shërbimeve dhe informacionit cilësor.

Ky program mundësoi konkursin e praktikave më të mira në nivel vendor duke kontribuar në dialogun kombëtar mbi politikat, si dhe ka siguruar lidhje shkëmbime me programe e projekte të tjera me Këshillin e Evropës në mbështetje të decentralizimit dhe politikave rajonale të zhvillimit.

Programi për Zhvillim Ekonomik të Qëndrueshëm në Veri të Shqipërisë (RDP).

Ky program investoi rreth 2 milion euro në projekte zhvillimi për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sistemime dhe kanalizme të ujërave të zeza, në modernizimin e shërbimit të pastrimit, në mbështetjen e zhvillimit rural, në mbështetjen e turizmit malor etj. E veçanta në këtë bashkëpunim ndërmjet donatorëve dhe qarkut ishte rritja e rolit të Qarkut si instrument lider në financimin e projekteve të zhvillimit që në fund të fundit thellojnë procesin e decentralizimit të pushtetit vendor, për të garantuar në të ardhmen vazhdimësinë në këtë proces duke zbehur rolin e qeverisjes qendrore si përcaktuese e prioriteteve të pushtetit vendor. Gjithashtu ky program solli një përvojë shumë pozitive të bashkepunimit të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile të cilat asistuan në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe pushtetit vendor, dhe në fund te fundit duke e parë si një rrugë të efektshme bashkëpunimin për rritjen e performancës të bashkive dhe komunave në funksion të përmirësimit të shërbimeve karshi komunitetit.

Ky program solli edhe një produkt shumë të rëndësishëm për qeverisjen rajonale, mbështetjen për agjensitë e zhvillimit rajonal të krijuara nga qarku me ekspertizën e donatorëve të huaj bazuar në eksperiencat shumë pozitive të agjensive rajonale në Kroaci dhe në dy rajone të Prizrenit. Agjensia e Zhvillimit Rajonal Lezhë (LERDA) u themelua me vendimin e Këshillit të Qarkut Lezhë datë 20/ 03/ 2013 në përputhje me përçasjet evropiane për zhvillime rajonale. LERDA është krijuar si një organizatë jo-fitimprurëse bazuar në principet për nivel qeverisje më afër shtetasve, pavarësise lokale, bashkëpunimit dhe varësisë me qëllim kryesor hartimin dhe zbatimin e politikave rajonale të zhvillimit. Qëllimi i LERDA është të përmirësojë mirëqenien sociale dhe ekonomike të rajonit, standardet e jetesës për shtetasit nëpërmjet:

Mbështetjes dhe promovimit të punësimit dhe investimeve.

Ndërtimit dhe forcimit të partneritetit me donatorët.

Ndihmesës për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin ekonomik, social e mjedisor.

Në saje të përzgjedhjes së burimeve njerëzore me ekspert të huaj, LERDA ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme në fusha të ndryshme dhe po aplikon me sukses në programet IPA-CBC ndërkufitare me Malin e Zi, Kosovën, dhe në çdo thirrje për projekt-propozime nga ana e donatorëve.

Gjithashtu vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe kemi vendosur një ndër prioritetet edhe rritjen e mundësive të bashkëpunimit me rajonet partnere, që ka kulmuar me pranimin në Kongresin e Autoriteteve Evropiane Rajonale ku në saje të saj u bë i mundur prezantimi i Rajonit te Lezhës në ambientet e kësaj organizate me qendër në Bruksel, si dhe organizimi i një konference ndërkombëtare rajonale në Lezhë.

Binjakëzimet me rajonet homologe në vendet e Bashkimit Evropian kanë sjellë një marrëveshje bashkëpunimi të Qarkut Lezhë me rajonin Nysa në Poloni për promovimin e turizmit rajonal në fushën e arsimit, trashëgimisë kulturore, sportit dhe rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Nga kjo marrëveshje janë realizuar edhe partneritete të tjera midis Bashkisë Lezhë dhe Komunave Nysa dhe Otmuchow në Poloni të cilat dita ditës konsolidohen në saje të aktiviteteve të perbashkëta për të mundësuar mirëkuptimin dhe miqësinë dhe për të hequr paragjykimet që shpesh bëhën pengesë për bashkëpunimet ndërkombëtare në nivelet lokale dhe kombëtare. Megjithatë duhet tërhequr vëmendja se reforma administrative territoriale e miratuar në vitin 2015 nuk arriti t’i jepte vendin e duhur rolit të qarqeve në zhvillimin rajonal. Përkundrazi ky rol ka ardhur duke u dobësuar gjë që bie ndesh me kohezionin në politikat e BE në nivel rajonal dhe do të ndikojë negativisht sot dhe në perspektivë në përkeqësimin e shërbimeve karshi komuniteteve.

Cilat ishin raportet tuaja me partitë politike gjatë periudhës që ishit Kryetar i Qarkut Lezhë?

Dr. Pashk Gjoni: Qarku Lezhë duke qenë se krijohet bazuar në zgjedhjet në komuna e bashki përcjell një spektër të gjerë përfaqësimi politik në këshillin e tij. Në këtë kuadër është punuar me kujdes që vendimet e marra të mos jenë produkt i forcës së kartonit të shumicës, por i janë nënshtruar një debati të hapur për të ofruar vendime konsensuale në funksion të zhvillimeve rajonale. Në asnjë rast nuk është anashkaluar zbatimi i parimit të konsensusit në marrjen e vendimeve, gjë që i ka shërbyer uljes së toneve të luftës së ashpër politike në nivel lokal krahasuar me atë qendror. Natyrisht është meritë e përfaqësuesve të forcave politike që vënë interesat e komunitetit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj tyre mbi ato partiake.

Cili është angazhimi juaj profesional pas përfundimit të mandatit?

Dr. Pashk Gjoni: Aktualisht jam përfaqësues i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Lezhës dhe vazhdoj punën si Përgjegjës i Pavionit të Ortopedisë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Gjatë kësaj periudhe kam kryer disa specializime në Itali dhe spitalet rajonale të rrethit Nysa në Poloni për rritjen e nivelit profesional e shkencor.

Cilat janë  problemet me të cilat përballet Spitali i Lezhës dhe pacientët e tij?

Dr. Pashk Gjoni: Problemet kryesore me të cilat përballet ky spital është mungesa e fondeve që manifestohet në mungesën e ilaçeve, materialeve të mjekimit, ambienteve jo të përshtatshme për pacientët si dhe mungesën e vlerësimit të punës të personelit mjek, infermiere dhe strukturave mbështetëse. Mungesa e pajisjeve të teknologjisë bashkëkohore mbetet një ndër mangësitë kyçe për mbarëvajtjen e punës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit. Edhe pse në vitet e fundit janë bërë përpjekje për përmirësimin e teknologjisë akoma ka shumë për të bërë realisht për të arritur standardet e spitaleve të vendeve të BE. Unë si ortoped përballem rregullisht me mungesën e materialeve ortopedike, si dhe ato që nevojiten në traumatologji. Një ndër mangesitë themelore që ndikon në nivelin e shërbimeve mjekësore mbeten pagat diskriminuese që janë një problem kombëtar që kërkon zgjidhje imediate. Problematika e ngritur më sipër ka sjellë një emigrim masiv të bluzave te bardha drejt vendeve të BE, në kërkim të një pune dhe jetese dinjitoze.

Në Kosovë dhe Shqipëri janë hapur shumë spitale private dhe publike, a mund të keni një opinion për mënyrën e kontrollit të cilësisë së tyre?

Dr. Pashk Gjoni: Janë hapur shumë spitale private e njëkohësisht veprojnë edhe spitale që financohen nga shtetet respektive duke sjellë një rritje të cilësisë së shërbimeve spitalore, por gjithmonë kërkohet një monitorim i vazhdueshëm i cilësisë së specialistëve të huaj që ofrojnë shërbime në këto struktura. Rritja e financimeve për strukturat publike, rritje e cilësisë së shërbimeve në to, furnizimi siç duhet me medikamente e pajisje bashkëkohore do të sillnin një konkurencë me spitalet private gjë që do të ndikonte pozitivisht në uljen e kostove dhe rritjen e cilësisë së shërbimit dhe jo siç ndodh aktualisht ku spitalet private konkurojnë ndjeshëm spitalet publike.

Edhe pse mundësitë për bashkëpunim midis Tiranës dhe Prishtinës janë të mëdha, në praktikë shohim shumë pak komunikimin në nivelin shëndetësor ndërmjet dy vendeve. Pse ndodh kjo?

Dr. Pashk Gjoni: Nuk mund të flas për komunikimet midis ministrive përkatëse të shëndetësisë sepse nuk kam ndonjë informacion të saktë, por shkëmbimi i pacientëve është në nivel të kënaqshëm dhe shumë pacientë nga Kosova trajtohen në spitalet shqiptare publike apo private, gjë e cila ndodh edhe në repartin e ortopedisë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Gjithsesi ekzistojnë mundësi reale që ky nivel shkëmbimi të rritet në të ardhmen nga të dy shtetet bazuar në marrëveshje perkatëse.

Dr. Pashku, sigurisht se do të kishim edhe për shumë çka të flasim, por kësaj here, shpresojmë, që lexuesit tanë do të ndahen të kënaqur me këtë intervistë të zhvilluar. Ndaj ju dëshirojmë punë të mbarë dhe suksese në lëminë tuaj dhe në  sfera të tjera.  Faleminderit shumë  për kohën që ndatë për neve!

Dr. Pashk Gjoni: Ju lutem, kënaqësia ishte e imja!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora