E shtune, 20.04.2024, 06:06 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: Fragmente nga revolta e Spaçit

E hene, 01.09.2008, 07:50 PM


Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''

At Zef Pllumi

FRAGMENTE NGA REVOLTA E SPAÇIT

Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllavëve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjene të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.
Shokët që takova ma e treguen kështu revoltën e Spaçi:
Me 21 maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Atje u bashkuen me të tjerë të dënuem, që n’atë kohë ishin të lirë dhe luejshin domino e shah ose shëtitshin në tarracë. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullore nga Pali, hine në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: „A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!“ Mbas asaj thirrje dëshprimi u çue në kambë Paulin Vata i ndjekun nga Pavllo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin.
Mbas nji gjysë ore hini në kamp oficeri operativ, Fejzi Liço i shoqnuem nga 4-5 policë t’urgjencës. Por tashma të burgosunit ishin të bashkuem kundra dhunës policore. Në nji përleshje të vogël, që u fillue nga komanda, mbetën të rrahun policët dhe oficeri operativ dhe kur grupi i të dënuemve i përzuni deri te dera, oficeri i kërcënoi se ky veprim do të lahej vetëm me gjak. N’atë ças „virusi“ i lirisë pushtoi të gjithë skllavët e minierës së Spaçit, që u lidhën ngusht rreth herojve të fitores së parë. Mbrenda orës kampi ishte rrethue me pesëfishin e rojeve të zakonshme, ndërsa të burgosunit u ngjitën në tarracën e fjetores, katër katëse, dhe atje ngritën flamurin kombëtar, pa hyllin e kuq të komunizmit, të cilin e punoi piktori matjan Mersin Vlashi. Të gjithë bashkë filluen me këndue Hymnin e Flamurit, si dhe kangë të vjetra patriotike. Mbas çdo kange brohoritshin të madhe për nji „Shqipni të lirë e demokratike” shoqnue me “Urra!” të vazhdueshme. Ndërkaq ai grup i fitores së parë mbi dhunën e komandës ishte shndrrue, pothuej, si nji farë komiteti drejtues. U mendue prej tyne me dërgue nji delegacion për me u marrë vesht me komandën dhe me paraqitë kërkesat e ligjëshme të të burgosunve. Për këtë zgjodhën dy persona, të cilët mendohej se respektoheshin si nga komanda, po ashtu edhe nga të dënuemit. Ata ishin Paulin Vata dhe inxhinjer Koço Papa. Të dy u avitën te dera kryesore e kampit, u folën rojeve e u thanë se ishin ngarkue me mision nga të burgosunit. Erdh komisari, i cili nuk pranoi me folë me delegacionin, por u tha se „kjo çështje nuk ishte më e komandës, por e Ministrisë së Brendshme”.
Në të vërtetë, mbas ndonji ore, nga tarraca e fjetores të burgosunit panë se në oborrin e komandës kishte ardhë Drejtori i Përgjithshëm i Kampeve. Ai lëvizte aty plot nervozizëm, tue projektue krime masive. Kampi i të burgosunve të Spaçit që n’atë ças mbeti i izoluem, i pa furnizuem nga çdo ushqim dhe ujë. Në këtë kohë nji i burgosun ordiner që e kishin sjellë aty thirri:
- Të sulmojmë dyqanin se aty kemi miell, sheqer e voj me bollëk.
Kurrkush nuk e ndigjoi për mos me përlye idealin politik kombëtar.
Dita e 22 majit, në kampin e skllavëve të minierës së Spaçit, kje ditë e lirisë. Pamvarsisht se nuk kishin bukë, ujë e as ushqime dhe se çdo rast vazhdonte t’avancohej rrethimi me mjete të randa ushtarake, si tanke etj. Këtë operacion e drejtonte vetë zv.ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu. Helikopterat fluturojshn mbi krenat e skllavëve të lirë, të cilët, në këtë kohë përpiqeshin, pa krime, me asgjesue spiunazhin e komandës. Njerz të tillë ishin të njoftun prej gjithkuj. Në përgjithësi e gjithë „zyra teknike“ dhe gjithë „mbrapavija“ përbahej nga njerëz të komandës. Kishte edhe përjashtime, sidomos në „Këshillin e gjanë të Riedukimit“ në të cilin shtijshin disa njerëz të nderuem e të ndershëm, që mos të thohej se ishin të gjithë spiunë. Në përgjithësi, „brigadierat“ e punës në minierën e Spaçit, kishin dy detyra kryesore, së pari me shkatrrue moralin e të rijve dhe së dyti me rekrutue spiuj të komandës.
N’atë kohë, ndër burgje e kampe, kishte shumë çam të cilët, pak a shumë, tregojshin se midis dy luftave botnore në Greqi u vendos diktatura e Metaksait. Kur ky u ba kryeministër thirri Ministrin e Mbrendshëm dhe i tha: due që me çdo kusht të përgjohen të gjithë njerëzit e politikës greke. Ministri iu përgjegj se nuk kishte mundësi dhe për këtë paraqiti dorëheqjen. Atëhere Metaksai thirri shefin e përgjithshëm të policisë dhe i tregoi planin e vet. Sherifi, si njeri shumë praktik që ishte, i tha: „Unë e realizoj këtë plan, por që ta dijsh mirë, për këtë do të rekrutoj të gjithë homoseksualët e Greqisë. Vetëm ata mund të pranojnë këtë shërbim i cili refuzohet nga çdo njeri i ndershëm.
Fabula ishte kjo: Në Shqipninë e Enver Hoxhës, Sigurimi I Shtetit, të parën detyrë kishte korruptimin moral perms homoseksualizmit dhe mbas tij vinte robnia shpirtnore.
Në minierën e Spaçit ishin të përmendun për këto punë Abaz Ceka, Loli Diamanti e shumë të tjerë të poshtër. Vetëm Zoti i din punët e tyne e nuk mund gjykoj për ta, por namin e kishin të keq.
Tash, nga presionet e të burgosunve, n’atë gjendje të jashtzakonshme, ata i pranuen gabimet, premtuen edhe shpërblimin. Gjithshkafja kot.
Më datën 23 maj 1973 u hapën dyert e Kampit të Spaçit dhe hine mbrendë me tërbim rreth treqind nga ata qentë e tërbuem të forcave speciale, njerëz të hunit e të litarit, të stërvitun me kujdes për krimet ma të zeza që i duheshin tiranisë. Mbas tyne hini Feçorr Shehu i shoqnuem nga autoritete të Drejtorisë së Kampeve e Burgjeve. Mbajti nji fjalim të shkurtë të nxjerrun nga palca e ideologjisë enveriane. Pa dalë mirë nga dera filloi terrori madh. Çdo i burgosun, që hinte ndër duer të tyne, fillonte ulurimat e tmerrshme. Në përgjithsi ishin disa policë të Komandës së Spaçit që shenojshin se cili i burgosun duhej rrahë e cili duhej kursye. Megjithkëta shumë u torturuen kot së koti, mbasi policët, tue mos i njoftë mirë, u jepshin nji emën për nji tjetër. Kështu ata e shtruen në dru Zef Ashtën deri sa i thanë: “Po ti more prift I m…. ç’na mejtove neve kur I nxite zagarët e vegjël kundra Partisë?” Atëherë Zefi u kthye e u tha: „Jeni gabim, se un nuk jam prift.“ “Nuk je prift ti? Katolik?” “Jo, jo, kurr nuk e pranoj. I burgosun jam, edhe nga Shkodra jam, por jo kurr prift katolik. Jam Zef Ashta. Cilin kërkoni ju?“ „Priftin Zef Pllumi“, - i thanë. “Ai nuk ashtu këtu, por në nji kamp tjetër. Nuk e dij se ku ndodhet.“
Me kaq mbaroi filmi. Nuk e rrahën ma.
Ndërkaq Sigurimi ishte krejt i mobilizuem me të gjitha forcat e veta të jashtzakonshme për me shtypë „Revoltën e papritun“.
Në tarracën e fjetores ku ishte ngritë flamuri kombëtar, pa hyllin e kuq të komunizmit, qëndruen të fundit vetë katër herojt. Kur aty hypën „forcat e jashtzakonshme“ të Feçorr Shehut, ata nuk u dorëzuen, por të katërt u hodhën poshtë nga të katër anët e tarracës. Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj. U pushkatuen atë mbasdite të 23 majit 1973. Vdekje, vetëm vdekje. N’atë vend, që nuk dihet se ku, u pushkatuen katë heroj. Sigurisht, diku në Mirditë. Dekreti i Feçorr Shehut e shpalli atë pushkatim si nji fitore, ndërsa ishte humbja ma e madhe e demokracisë shqiptare, mbas njizet vjetë tiranie mizore.
Mbas asaj dite kampi i minierës së Spaçit u kthye në vendin e terroit ma të madh të gjithë Shqipnisë. Që n’e nesre filluen proceset hetimore me tortura të cilat përfunduen me denimin e 80 vetëve, të cilët mandej i deportuen nëpër burgje e kampe të tjera.
Po thuej vjet për vjet aty u sajuen, nga Sigurimi i Shtetit, gjyqe për gjoja „grupe t’organizuara për përmbysje të pushtetit me dhunë“, të cilat përfundojshin me pushkatime të njerëzve të pafajshëm, siç ishin Xhelal Koprencka, artisti Fadil Kokomani, ish oficeri Vangjel Lezha e shumë të tjerë. Që n’atë datë Sigurimi i Shtetit me organizmat e tyne „prokuroritë” dhe “gjykatat” filloi çpikjen e re me vumjen në zbatim të dënimit të dytë e të tretë, tue ia shtue ato dënimit të parë. Ky sistem terrorizimi vazhdoi për shumë vjet tue perfshi të gjitha burgjet e kampet e Shqipnisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora