E premte, 29.03.2024, 02:44 PM (GMT)

Kulturë

Myzafer Berberi: Meri Lalaj - Lasgushi në Poradec

E diele, 11.06.2017, 08:30 AM


Lasgush Poradeci në vështrimin psikologjik të shkrimtares Meri Lalaj

Nga Myzafer Berberi

Një libër me vlera tepër të veçanta i Meri Lalajt është monografia “Lasgushi në Poradec” (botimi 2003). Është një monografi e shkruar jo vetëm për vlerat krijuese, por edhe për ndjeshmërinë shpirtërore, për virtytet e larta, për ndjesitë e magjishme përtej njerëzores që mbartte liriku i madh Lasgush Poradeci.

Kur bëjmë studimin e një vepre na duhet të përqendrohemi së tepërmi në mënyrën dialektike të analizës, dhe pastaj, në interpretimin filozofik të saj. Të parën e gjeta të zhvilluar cilësisht nga Meri Lalaj te Lasgushi, të dytën rrjedhimisht e pata më të lehtë për ta bërë. Duke u marrë me jetën e Lasgushit është e vështirë të mos mbërthehesh në magjinë e shpirtit të tij lirik, në bukuritë dhe risitë e shquara poetike, sidoqoftë i vura vetes detyrë që të përqendrohesha në vlerat virtuoze shpirtërore e mendore të Lasgush Poradecit dhe të Meri Lalajt që ndërsillen te njëri-tjetri dhe që Meri futet thellë në psikologjinë e këtij poeti të madh. Psikologjia, në thelb, është pjesa më dritëdhënëse e filozofisë shkencore.

Nga mënyra e të shkruarit kjo monografi përngjan me një vepër epistolare duke na sjellë në kujtesë ideatorët e saj të parë; poetin gjerman Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832) me romanin “Die Leiden des Jungen Werther” (1774) (Brengat e Djaloshit), romancierin francez Pierre Choderlos Laclos (1741-1803) me romanin “Les Liaisons Dangereuses” (1872) (Rrezik i njohur) apo poetin gjerman Friedrich (J.Ch.) Holderlin (1770-1843) me veprën “Hyperion” (1797) e deri tek modernistët Mark Harris me veprën “Wake Up” (1959) (Zgjimi) dhe romancierin amerikan John S. Barth (1930 -) me “Letters” (1979).

Me një stil të veçantë, të shkruar bukur dhe me mjeshtëri artistike për t’u pasur zili, nëpërmjet episodeve, të portretizimeve mbresëlënëse, të dhuntive të tejskajshme, të thjeshtësisë, diturisë, me ndjeshmëri të mprehtë për marrëdhëniet miqësore me miqtë e letrave dhe miqtë e thjeshtë, mënyrën e jetesës, të veshjes dhe ushqimit, për elokuencën e shquar, dashurinë për atdheun dhe kombin për të gjitha vlerat njerëzore që spikasin te ky poet i madh, Meri Lalaj me mjeshtëri artistike dhe me vrojtime psikologjike të hollësishme na i paraqet të përshkruara në këtë libër. E gjithë psikologjia krijuese dhe ajo e mënyrës së jetës së Lasgush Poradecit na jepet me vërtetësi tërheqëse dhe na vjen në kujtesë portreti i tij i gjallë me të gjitha vlerat dhe virtytet e tij krijuese, shpirtërore dhe njerëzore.

Libri është shkruar bukur, me ndjenë të thellë dhe kulturë të gjerë, me gjuhë të pasur dhe të pastër, të cilat i japin lexuesit kënaqësi të veçantë. Në këtë libër, Meri Lalaj, ka përdorur stilin e ditaristes, i shkruar me dashuri, vërtetësi, me sinqeritet, me ndjesi të prekshme njerëzore dhe me qëndrime psikologjike. Janë të njohura veprat e karakterit ditarist si: ditari i vajzës së re hebraike Anne Frank (1929-1945), që pa tmerrin e torturave naziste gjermane dhe që u bë simbol i torturave dhe vuajtjeve nga nazizmi gjerman; libri ditaresk i shkrimtares angleze Fanny Burney (1752-1840), që u bë e shquar në ngjarjet e kohës së saj, si dhe ditari i jehonshëm plot dritë e mendim i shkrimtares skoceze Jane Baillie Carlyle-Welsh (1801-1886), një nga gratë që bëri më shumë jehonë në kohën e saj. Por te Meri Lalaj kemi një personazh ndryshe, një poet lirik të shquar dhe përkushtimin e saj filantropik ndaj tij dhe si i tillë libri i saj ka karakter tepër të veçantë dhe vlera tepër të larta njerëzore. “Mirësia është dituri” – thoshte Sokrati. Ky libër monografik i Meri Lalajt për nga mënyra e të shkruarit, kultura dhe përkushtimi përngjan me monografinë e shkrimtares angleze Antonia Susan Byatt (1936 -), që ka shkruar për romancieren filozofe irlandeze Jean Iris Murdoch (1919-1999), një monografi që la mbresa të forta në botën intelektuale.

Në këtë libër ka intimitet njerëzor të ndërsjelltë, i mbërthyer nga sinqeriteti dhe virtualiteti, që sjellin vlera dhe mesazhe të shquara njerëzore në kulturën shqiptare. Nëpërmjet intimitetit me Lasgushin, autorja e librit ka depërtuar thellë në botën shpirtërore, në psikologjinë dhe në mendimin e tij, zbulon tek ai vlera e virtyte të larta, të gatuara në thjeshtësinë e një bote shpirtërore të thellë dhe që ngrihen në shpërthime të fuqishme, në lirizmin e tij poetik. Lasgushi ndjen kënaqësi kur ia hap zemrën Meri Lalajt, e cila shkruan: “ duke qenë me mua më intim se kurrë, më tregoi .......”. Dhe që të kuptosh dhe të ndjesh botën shpirtërore të tjetrit do të thotë që të jesh edhe vetë i tillë. Lasgushi kishte krijuar besim të plotë te Meri, e porosiste për gjithçka intime që i duhej, ndaj herë pas here do t’i thoshte: “S’ka si ty”.

Duke lexuar këtë libër kuptojmë dhe bindemi se filozofia poetike e Lasgush Poradecit ka vlera të jashtëzakonshme. “Lasgushi është një enigmë, një mister brenda një misteri” – shkruan në parathënien e këtij libri  John Hodgson. Në këtë thellësi të magjishme dhe enigmatike krijohej, brumosej dhe shpërthente filozofia letrare e poetit. Ajo fillonte që nga subkoshienca e tij, zhvillohej në një vetëdije të pasur me dhunti të lindura që zienin përbrenda shpirtit të tij dhe që herë pas here shpërthenin me një koshiencë plot dritë. Kjo është një dhunti e magjishme dhe tepër e fuqishme e Lasgushit, që Meri Lalaj na e sjell me një pikëvështrim psikologjik frojdist, duke na bindur se vetëdija e poetit, por edhe e autores, në këto ndjesi janë vlera të rralla mendimesh. Ata mbështesin njëri-tjetrin, nxisin njëri-tjetrin në shpalosjen e vlerave shpirtërore dhe ideore.

Në këtë libër ka episode të përshkruara bukur dhe me ndjeshmëri, të natyrave të ndryshme, peizazhe të natyrës romantike të bukurisë mahnitëse të liqenit të Liknidës dhe mjediseve përreth, të ndërthurura me mjediset sociale, familjare etj, dhe në të gjitha mbizotëron njerëzorja, një ndjeshmëri shpirtërore që kalon përmasat e dashurisë , bëhet e tejskajshme, e magjishme. Në këtë magji të hyjnizuar nxiten dhe zhvillohen ndjesi të fuqishme shpirtërore, shfaqen krijimet eterike të poetit. “Edhe e panatyrshmja po ashtu është natyrë. Kush nuk e sheh atë në çdo gjë , nuk e sheh si duhet” – thoshte Johann W.Goethe.

Shtrati shpirtëror i Meri Lalajt do t’i krijonte Lasgushit lirinë e shpërthimeve, për të cilën ai kishte aq shumë nevojë. Lasgushi donte pranë vetes një femër që ta adhuronte, ta kuptonte e të mos e kundërshtonte, ai donte hapësirë të lirë për mendimet dhe shprehjet e tij, adhuronte një femër që të ishte e brishtë në shpirt , t’i nënshtrohej dhuntive të tij, dhe kjo, ishte Meri Lalaj, dashuria e së cilës për Lasgushin nuk është thjesht një flirt, por është tepër njerëzore, i kalon ndjesitë adhuruese, bëhet e magjishme. Ajo e kupton se ai përbrenda fsheh arsye të tjera që e brengosin dhe e mërzisin, prandaj gjithnjë e përpiktë i ndodhet pranë. Në praninë e Merit ai zien si një vullkan në prag shpërthimi. “Tek i madhi Lasgush unë shkoj pa druajtje, në çfarëdo kohe dhe bisedoj siç dua unë” – shkruan ajo. “O, Meri e gjithëgjendshme !” – shpreh kënaqësinë Lasgushi. Ata ishin gati pesëdhjetë vjet diferencë në moshë “por mirëkuptohemi sikur të ishim të dy gjimnazistë” “E adhuroj siç mund të adhurohen gjërat më të larta” – shkruan Meri. “Ti je hije e lehtë që, kur më vjen atje ku shkruaj unë, nuk më shqetëson, nuk m’i prish dhe nuk m’i largon mendimet” – i shprehej ai, dhe ajo vlerëson se: “Lasgushi është më i mençuri dhe më interesanti burrë që kam takuar në jetën time!”.

Në dashurinë e Merit për Lasgushin shohim dritëjetën e engjëllit, nga e cila ai merr jetë e fuqi, merr frymëzime të magjishme. Ai shfaqet përpara saj si një engjëll “me zë të ngadalshëm, gati qiellor, siç mund të jenë vetëm engjëjt ....... me zërin e tij të butë si mëndafsh ....... as lutës e as urdhërues” – shquante autorja. Meri është e pranishme në gjithçka në marrëdhëniet e tyre që nga më të thjeshtat e deri në përkushtimin e pafund, një fuqi e magjishme mendimi dhe shpirti e mbajnë pranë tij, pa e ndjerë as lodhjen e as kohën. “Dashuria dhe miqësia janë reciproke, ato japin aq sa mund të marrin nga njëra-tjetra” – thoshte H.Hercen. Në praninë e saj, nga sytë e Lasgushit çlirohet një energji eterike, sa e fuqishme e madhore aq dhe e magjishme. Në vlerësimin psikologjik shohim se kjo nuk është një dashuri ndjesish “ad libido”, ajo është tejet njerëzore dhe që ka intuitë, guxim, gjenialitet të shkëlqyer. Kjo mrekulli mund të ndodhë dhe mund të kuptohet vetëm nga njerëzit që zotërojnë dhunti të tilla, tek të gjithëditurit. Ajo shkruan se Lasgushin më tepër e ndjen sesa e shikon.

Shkrimtarja Meri Lalaj, në këtë monografi, nëpërmjet ngjarjeve, ka bërë portretizimet e thjeshta të Lasgushit të skalitura mjeshtërisht me kulturë e shije të lartë artistike, me dinjitet njerëzor që na kujtojnë krijimet e famshme të piktorëve të mëdhenj në simbolikat e “Poetit të varfër” të piktorit gjerman Carl Spitzweg (1808-1885) apo “Frymëzimi i poetit”  të piktorit francez Nicolas Poussin (1594-1665). Por që portretizimet e saj për Lasgushin në këtë libër janë shumë, shumë se i tillë ishte ai, Lasgushi. Me këtë vepër Meri Lalaj i ka ngritur Lasgushit një monument madhështor që flet i gjallë kudo dhe kurdoherë, në Shqipëri dhe jashtë saj. Episodet e përshkruara bukur ngacmojnë kërshërinë, por dhe që provojnë vërtetësinë dhe seriozitetin e kësaj vepre me ngarkesë psikologjike duke na kujtuar studimet e psikanalistit austriak Stefan Zweig (1881-1942) për Sigmund Freud-in, Edy Mary Baker-in, Stendalin, Tolstoin etj.

Megjithëse tërë jetën e kaloi në varfëri, Lasgushi mbeti besnik i një shije të hollë estetike në jetën e tij të përditshme. Njeri i thjeshtë, i heshtur, i butë, nderonte dhe nderohej, elokuent në të folur me fjalor poetik të brishtë, i qëndrueshëm në bindjet e tij, por edhe i stuhishëm në shpërthimet e tij poetike me një vokacion “therës” sikurse liriku i shquar francez Alphonse Lamartine (1790-1869). Dhe ja si oshëtin poeti ynë në një nga poezitë e tij:

 

.........................................

Djalëri,lart për liri!

Lart për Zonjën Shqipëtare!

Yll në ballë-e zjarr në gji,

Zjarr në gji për Shqipëri,

Digj-u!zemra djaloshare!

........................................

(Marshi i Djalërisë)

 

Ai e mbante veten krenar, dinjitar të panënshtruar nga dogmat politike. Njëherësh ai ishte “tekanjoz dhe kapriçioz” në bindjet e tija, nuk duronte falsitetin dhe hipokrizinë prandaj jetonte në mbretërinë e vet poetike pa i përfillur aspak vështirësitë e krijuara nga regjimi politik.“Personalja te Lasgushi është shkrirë në një art që e lë prapa individin”- shkruan autorja. Lasgushi është model i respektimit të vërtetësisë, prandaj tek ai shfaqen ndjesi revolte, “mëriçka e kapriço” si një reflektim i përpikmërisë së tij ndaj të vërtetës. Ato kanë në thellësi të botës shpirtërore e mendore ndjesi instinktive të pronësisë së tij koshiente.

Botëkuptimi i Lasgushit për lirinë ka hapësirat e ligjshmërisë filogjenetike dhe historike. “Njeriu lind i lirë dhe duhet të jetë i lirë” – shprehet ai. Njëherësh ai thekson dhe misionin e krijuesit në shoqëri, se fati i artistit është që të sakrifikojë veten për të lënë diçka pas, një motiv sublim që ai e ka hyjnizuar tek poezia “Vdekja e Nositit”. Ai e sheh dhe e gjykon botën nga vetvetja, nga virtytet njerëzore.

Lasgushi është atdhetar i shquar, i përkushtuar, krenar për qenien shqiptar. Ai është krenar me vetveten, të cilën e legjitimon me ndershmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj Atdheut. “Unë shkruaj, se dua ta rrëfej veten që jam shqiptar .......E dua shumë Atdheun  dhe vazhdoj të shkruaj për dashurinë e filozofinë” – thoshte ai. “Mirë se na erdhe në Shqipërinë tonë të bukur, të dashur, të dhembshur, në vendin më të bukur të botës” – i shprehej ai një mikut pogradecar të ardhur nga Amerika.

Lasgushi është poet kombëtar, i këndon kombit shqiptar, kishte një dashuri të pakufishme për Kosovën, e donte Shqipërinë të bashkuar. Në shpirt i gëlonte dashuria për të dhe me etje kërkonte lirinë e popullit kosovar. “Kosova është një vullkan që zien” – dhe kishte shpresë në shpërthimin e këtij vullkani, që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Si ai dhe Meri Lalaj ndiqnin me ankth e shpresë ngjarjet politike, protestat e studentëve të Prishtinës në vitin 1981, qëndrimin burrëror të rektores së këtij universiteti. I qante shpirti për Kosovën dhe Kosova nuk do të heshtte pa e nderuar. Ajo e përjetësoi me emra fëmijësh të quajtur “Lasgush”, që të trashëgonin për së gjalli emrin e tij te fëmijët e tyre. “Do të mbajë me respekt këtë emër të ndritshëm të kombit tonë” – i shkruante atij një kosovar nga Polonia. Kosova ia festonte atij ditëlindjet, do të bënte herë pas here botimin e veprave të  tij, do ta cilësonte atë me epitetin “Zog i Qiejve”.

Lasgushi kishte një dashuri të jashtëzakonshme për vendlindjen e tij, Pogradecin, një pjesë të çdo viti (fillim pranvere deri në fund vjeshte) e kalonte atje, te magjia e bukurisë përrallore. Atje gjente muzën romantike, ndjesitë e thella krijuese. Një dashuri që nuk iu sos gjithë jetën, prandaj përpara se të vdiste kërkoi: “Dua të shkoj të puth dheun e Poradecit, të vdes atje pranë varrit të nënës e të babait”.

Lasgushi është poeti lirik më i shquar i kombit tonë me vlera të mrekullueshme që do të mbeten ndër shekuj, siç kanë mbetur edhe pas 2500 vjetësh ato të poetëve të famshëm lirikë grekë Archilochus-it të Paros-it (680-640 p.e.r.); Bacchylides-it (shek 5 p.e.r.) apo të romakut Gaius Valerius Catullus (84-54 p.e.r.) *54. Poezitë lirike të Lasgush Poradecit janë margaritarë në kulturën kombëtare shqiptare , janë të barazvlefshme me ato të poetëve të shquar gjermanë Johann Christian Friedrich Holderlin (1770-1843); të Rainer Maria Rilke (1875-1926) apo të poetit lirik francez Paul Marie Verlaine (1844-1896), si dhe bashkëkohësit të tij shumë të suksesshëm lirikut amerikan Hal David (1921 -), lirikat e të cilëve vlerësohen si më të mirat në kombet e tyre.

Lasgushi ishte i përfshirë dhe jetonte gjithnjë në mbartësinë e emocioneve të forta dhe në magjinë e dashurisë, ai ishte shërbëtor i tyre. Dashuria e këtij poeti ishte e lidhur me natyrën, romantizmin dhe me bukurinë e magjishme të femrës, hiret, bukurinë, ndjesitë e së cilës ai i hyjnizon madhërishëm, duke i dhuruar botës njerëzore pasuri të mëdha shpirtërore e mendore. “Unë nuk kam shkruar shumë, por ato që kam shkruar i kam art magjie” – thoshte ai.

Të gjithë poetët e duan të bukurën, kjo është një dhunti instinktive e natyrës, por Lasgushi, si rrallëkush, mundi t’i jepte asaj vlera të brishta e ta ndërlidhte bukurinë femërore me dashurinë në mënyrë të magjishme, t’i jepte dashurisë vlera të një filozofie që buron nga shpirti e zhvillohet në eter. Dashuria e Lasgushit lidhet me “femëroren e përjetshme” të Goethes shkruan John Hodgson, kur poeti këndon atë që ai e quan “magji prej çupërie”. Si poet i ndjeshëm ndaj dhembjeve dhe fuqisë së dashurisë, Lasgushi kurrë nuk bie në plogështi, përkundrazi, magjia poetike e tij jep ndjesi të këndshme e jetësore, jep jetë magjie.

Lagushi kishte karakter të fortë e të fuqishëm, me mënyrën e vet ai nuk përfillte as bujën dhe as heshtjen. Periudhat e heshtjes tek ai nuk janë përgjumje, përkundrazi heshtja tek ai është një grumbullim energjish dhe mendimesh për të shfaqur një shpërthim të ri. Heshtja tek ai është një vullkan që zien në prag shpërthimi. “Heshtja” tek ai është një virtyt, një thesar i artë që shpërthen më pas në lirikat e magjishme që shndrisin si yje që xixëllojnë qiellin, prandaj ai është mjeshtër i përdorimit të heshtjes, gjatë së cilës shfaqet individualiteti dhe shpirti i tij i lirë.

Sigmund Freud (1856-1939) shkruante se: “ Me plot gojën mund të pohohet se e pavetëdijshmja është pjesa më vepruese e substancës tonë shpirtërore, ajo është faktori më i qenësishëm i tendosjes sonë të brendshme”. Ajo është si ajsbergu. Pavetëdija është e heshtur, ajo flet vetëm përmes shenjash dhe simbolesh e jo në gjuhën e vetëdijes. Kjo është një forcë që vepron, që i tregon, flet dhe krijon në ëndrrat tona, pra në muzën e poetit dhe prej saj vjen shndrimi i gjuhës së ëndrrave apo vegimeve në gjuhën e mendimit. Ëndrrat dhe vegimet janë domosdoshmëri e shpirtit poetik. Prandaj shumëkush i cilëson poetët të lindur, sepse tek ata vepron më ndjeshëm kjo formë e padukshme e materies. Poezia është një pjalm i paralindur në shpirt dhe që shpërthen më pas në nektarin e mendimit, ndaj nuk gaboj të them që poezia është lulëzim në botën shpirtërore të njerëzimit. Në fund të fundit forca krijuese e shpirtit njihet nga ne përmes ëndërrimeve të mëshiruara në vepra arti. “Ky është fluidi magjik i gjithësisë” – shkruan shkrimtari i shquar austriak Stefan Zweig (1881-1942). Të tilla thesare të padukshme të poetit tonë lirik, Lasgush Poradecit, i sjell në librin e saj shkrimtarja Meri Lalaj me një vështrim të brishtë psikologjik. Një Lasgush të heshtur, një heshtje që buis në prag shpërthimi. Një Lasgush “kapriçioz” që në thellësi të shpirtit ka revoltë për t’i dhënë të vërtetës dritë, femrës bukurinë me hire hyjnore, dashurisë magjinë e përhershme, për të dhënë fuqinë e një morali legjitim nga natyra në jetën qindra mijëra vjeçare të njeriut. Ja një nga grimcat margaritare të filozofisë së tij poetike:

 

.....................................

Se s’dashuronja-as un’ as ti,

Po dashuronte dashurija:

Një dashuri-një fshehtësi

M’e fshehur sesa fshehtësija.

( Ku shtrohet vala.......)

 

Lasgushi mbartte shijen e tij të hollë estetike. Kishte origjinalitetin e tij të thjeshtësisë në jetën e përditshme me përmbajtje estetike me vlera të traditës dhe që i jepnin kënaqësi të veçantë. “Estetika qëndron më lart se etika, ajo i përket një sfere më shpirtërore” – shkruante shkrimtari i shquar irlandez Oscar Wilde (1854-1900). Ndaj në marrëdhëniet me njerëzit Lasgushi ishte i thjeshtë, komunikues, i këndshëm në biseda dhe shumë i nderuar nga inteligjenca e kohës. Ai është gjithnjë pranë miqve të tij të fëmijërisë. Ai rrethohej e respektohej nga miq të shumtë të artit dhe të kulturës. Në fund të fundit ekzistenca e botës shoqërore përligjet vetëm si fenomen estetik. “Ma ka ënda ta shoh shkencën në këndvështrimin e artistit, kurse artin ta shoh në këndvështrimin e jetës” – shkruante filozofi gjerman Friedrich Wilhelm Nietzsche (1844-1900) . E gjithë poezia e Lasgushit është me vlera të larta estetike me po ato vlera si të poetit të shquar estetik anglez Herbert (Edward) Read (1893-1968). Prandaj me shumë të drejtë Meri Lalaj e cilëson atë si “mbret i estetikës”.

Poetët në përgjithësi kanë ndjesi, joshje të veçanta dhe janë tërheqës më shumë se të tjerët ndaj natyrës, botës së gjallë. E ndër ta më të jehonshmit kanë qenë poeti spanjoll nobelisti Juan Ramon Jimenez (1881-1958), i cili bëri bujë me vëllimet e tija poetike “Platero Y Yo” (1914) (Platero dhe unë), lirika që shkroi për gomarin dhe me “Sonetas Espirituates” (1916) dhe u vlerësua si një nga poetët më të mëdhenj të Spanjës. Gjithashtu në këtë drejtim i famshëm është dhe poeti lirik anglez Tim Rice (1944 -) që krahas vëllimeve lirike “Beauty and the Best” (1997) (Bukuroshja dhe bisha), “Evita” (1978) etj, ka bërë jehonë dhe me vëllimin poetik “Cricket” (1986) (Brumbulli). Tepër i veçantë dhe me shpirt madhështor është dhe liriku ynë Lasgush Poradeci me krijimin e tij të magjishëm dhe sakrilegj “Vdekja e Nositit”, ku me ndjesi mahnitëse dhe me art mjeshtëror ngre vetëmohimin për pasardhësit. Mik besnik deri në fundjet mbeti dhe qeni i tij “Cuci”, që nuk e la pa i shkruar himn poetik.

Me përshkrime të hollësishme, për mënyrën e thjeshtë të jetës së Lasgushit, autorja e librit na jep imtësira të cilat zbulojnë ndjesinë kalorësiake të tij. Në odiçkën apo “kullën” e tij, përveç librave të rrallë e me shumë vlerë, në mure varen shumë rripa, veshur me çorape leshi me gjalmë. Ai mban llastika dhe guriçka  për të gjuajtur zogj, qenin e tij besnik që nuk e ndan asnjëherë nga vetja etj, dukuri që tregojnë ndjesinë e tij të gjuetarit, të cilën e ka derdhur artistikisht në poezinë “Gjahtori”.

Sigurisht që ndjesia më brilante për muzën e poetëve është dashuria, ndaj të cilës ata kanë krijuar himnet më të magjishme. Dashuria është gjithëndjesimi më i përkryer i shpirtit njerëzor, që nuk ka kufij as në hapësirë dhe as në kohë. Dashuria dhe liria janë të drejtat më sublime për njeriun. Lasgush Poradeci është shquar për ndërlidhjen e bukurisë shpirtërore me hiret e magjishme të femrës, dhe në këtë, ai është një nga poetët më të rrallë dhe më të lartësuarit. Në këtë ndërthurje, me brishtësi poetike tepër të rrallë, ai ka një arritje të magjishme. Të veçanta kanë qenë për të adhurimet dhe frymëzimet ndaj mikeshave dhe bukurosheve të rralla; gjermanka (apo hollandezja) leshverdhë, ish studente bashkëkohëse me të; bukuroshja Ana; bukuroshja enigmatike Androniqi (Niqka) të cilës i kushtoi poemën “Kamadeva”: bukuroshja e rrallë me të cilën lidhi jetën Nafije Mema, mikja me bukuri tërheqëse të veçantë Frida. Në këtë dashuri femërore, në bukurinë e pashtershme të saj, Lasgushi i përkushtohet poezisë, ato janë muza magjike e frymëzimeve për të, e kështu për dashurinë ai ka shkruar art magjie.

Më e veçanta e tij, me botë të pasur dhe me bukuri shpirtërore, ku gjente lirinë e shpërthimeve që i gëlonin brenda shpirtit, ishte Meri Lalaj. “Miqësia me Lasgushin ka qenë ndoshta privilegji më i madh artistik i jetës sime” – shkruan ajo. Në miqësinë me të ajo zbulon vlera karakteresh që dritësohen herë pas here, por edhe në ndërlidhjet e tij me miq e poetë të ndryshëm, vlera muzash poetike, vlera diturie, vlera njerëzore. Ai mbetet për Meri Lalajn një burim i pashtershëm vlerash. Ata kanë midis tyre një miqësi intime, të çiltër, të hapur, të thjeshtë, pa lajka, duke mbetur miq të etshëm për njeri - tjetrin. Gjatë gjithë kohës në këtë miqësi, Meri Lalaj, është e mbërthyer në zbulimin e vlerave dhe vrojtimin psikologjik të karakterit të tij të fortë, në vlerat e tij krijuese dhe në vlerat e vërteta njerëzore. Lasgushi është poet i fuqishëm lirik, i hapësirave të tejskajshme. Në lirizmin e tij ai kërkon të gjejë dashurinë ideale, ndjenjësore e botëkuptimore. Poezia për dashurinë tek ai ka kuptimin e vërtetë të dëlirësisë me një filozofi frojdiste, fshehtësia e së cilës mbart diamante të pashtershme ndjenjash, në pakufi, ato janë të magjishme, hyjnore, i takojnë gjithësisë dhe që janë të mbartura në qenien njerëzore prej qindra mijëra vitesh. Dashuria është një botë e mistershme që nuk ka fund as në përmbajtje e as në larminitetin e saj. Ajo është si nektari i luleve në gjithësinë natyrore dhe se fuqia dhe e magjishmja e dashurisë qëndrojnë në vetë misterin e saj. Këto vlera filozofike i zbulon Meri te Lasgushi e njëherësh edhe vetë pronësohet në to. Kjo hapësirë botëkuptimore i bashkon të dy, prandaj edhe e duan shumë njëri-tjetrin.   Meri Lalaj është futur në botën shpirtërore të Lasgushit si një cherubim*, krijesë qiellore që i jep atij liri e mbrojtje parajse, me ndjesi të brishta që ia nxisin muzën, i japin jetë e dëlirësi, ia pasurojnë shpirtin me ndjesi të magjishme. Këtë gjë, Meri jo vetëm që e kupton, por e ndjen edhe vetë, gëzohet e lumturohet, i bën dhurata simbolike profetit të lirikës shqiptare. Bashkë me ato ajo i dhuron herë pas here trëndafilë, karafilë, lule të ndryshme dhe puthje. Meri është bërë pjesë e jetës së tij e frymëzimeve dhe e dëlirësisë për të shpërthyer. Meri zbulon te Lasgushi tingëllimë, jehonën hyjnore, virtyte të idealizuara në dashurinë me të, atij i shkreptijnë sytë, i vetëtijnë, i xixëllojnë si yje. Në mes tyre ka intimitet e dashuri të ngulitur thellë. Shkëmbejnë puthje të sinqerta shpirtërore që ngjasojnë si engjëllore. Lasgushi ndien domosdoshmërinë e pranisë së saj, ndaj herë pas here do t’i shprehej: “Ti je e mrekullueshme ....... Ti je mbi të gjitha”, “Sa e mirë, sa çlodhëse që je, dhe më del përpara në çastin e duhur.......”, “Jam skllavi yt!”. Në të gjitha ndjesitë e tyre mbizotërojnë ato të botës mendore e shpirtërore, në miqësinë e tyre nuk ka flirte. Kur Lasgushi ishte i sëmurë rëndë i thoshte: “Nuk e quaj se më erdhe, ndenje kaq pak!” Ajo i puth sytë që i ndritnin dhe duart akull të ftohta. “Sytë i ka shumë të bukur, si përherë sytë i nxjerrin xixa” – shkruante Meri. Ajo është futur thellë në psikologjinë e tij, gëzohet, madje lumturohet me vitalitetin e tij që i ngjason si një shkëmb i madh i rrahur nga erërat, e ndërkohë trishtohet shumë kur ky poet i madh vuan në varfëri, kur shpërthimet e tij poetike ndeshin në censurën politike, duke shkatërruar artin e madh lirik të tij. Ishte koha, – shkruan Meri, kur  “kokat e poetëve ishin prerë si kokat e shenjtorëve, e prapë ringjalleshin si shenjtorë”. Meri Lalaj e qetëson shpirtërisht edhe në mjerimin e tij të mbërthyer nga një mori hallesh e dhimbjesh për jetën dhe lirinë e krijimit. E megjithatë, ai me një vullnet të fuqishëm, sikurse romancieri francez Marcel Proust (1871-1922) në mes dhimbjesh e mjerim mbetet i kthjellët në mendime, shpalos botëkuptimin e tij për misionin e njeriut. “Artisti (si Nositi) sakrifikon vetveten për të lënë diçka pas. ....... Detyra e njeriut fisnik në këtë botë është që të lërë diçka pas” – shprehej ai. Lasgushi nuk e përfilli kurrë përndjekjen politike, e zhvleftësonte atë si një dukuri arkaike të dogmatizmit politik, e ironizonte dhe tallej me të. Ai nuk kishte nevojë për politikën, e kundërta , politika kishte nevojë për të.

Lagushi nuk i trembet dhe as nuk e pranon fatkeqësinë. Kur i vdes e shoqja ai revoltohet, ndërkohë shpërthen gjithë dashurinë që kishte për të, nuk pranonte të ndahej nga ajo, njëherësh në këto çaste pikëllimi ai shfaq forcën, karakterin e fuqishëm, mençurinë e tij.

Meri Lalaj nuk iu nda Lasgushit deri sa ai mbylli sytë. Dashurinë dhe respektin për të e përjetësoi duke e ruajtur jo vetëm në memorien e saj, por dhe duke shpalosur dhe nxjerrë në dritë të gjitha vlerat e tij virtuoze dhe krijuese, të një poeti lirik të madh të kombit tonë. Vështrimi psikologjik që ajo i bën virtyteve të larta të tij në këtë libër është një monument i gjallë dhe i përjetshëm që flet dhe do të flasë në të gjithë hapësirën shqiptare. Në kujtesën e gjithkujt do të tingëllojnë thëniet e Meri Lalajt se: “Te Lasgushi gjithçka tjetërsohej, se ai lëshonte dritë të argjendtë e vendi shndrinte e shkëlqente”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora