E enjte, 18.04.2024, 05:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Vargje të frymëzuara nga hojet e zemrës

E premte, 09.06.2017, 07:24 PM


Mbresa nga një vepër poetike me vargje të frymëzuara nga hojet e zemrës...

Nga Tefik Selimi

Ky shkrim bën fjalë për veprën e tretë “Nektarët e një mërgimtari” të Shefik Arifit, autor nga Breznica e Bujanocit. Autori jeton në diasporë (Zvicër).Vitin e kaluar, ky autor botoi dy vepra të tjera poetike: “Dallgët e jetës” dhe “Lotët e mallit”. Këto dy vepra të tij, janë të përafërta me trajtimin e temave e motive të tjera me veprën e fundit, të cilat motive janë aktuale dhe fort të prekshme për kohën kur po e jetojmë.

Shefik Ariti (1973), autor, nuk mund të largohet nga tema shoqërore, si nga malli për kohën e kaluar, mërgimin e tema të tjera, të lidhur me jetën e tij. Por, edhe motivi i dashurisë është mjaft prezent në veprën e tij në fjalë. Zatën, këto tema i kanë trajtuar dhe poetët tjerë, të cilat tema janë thelbësore për jetën e njeriut.

Pra, fjala e autorit e shprehur artistikisht në veprën në fjalë, ngërthen në vete etjen dhe mallin për vendlindjen, të parët e tij, prindërit, miqtë, dashurinë, jetën, natyrën, fushat, malet e të tjera.  Poezia e kësaj vepre poetike është shpërthim spontan dhe shumë natyrshëm për ato motive nga vjen ky autor breznicas. Andaj, tek kjo vepër e autorit ndeshemi vargje të “natyrshme”, por të bukura dhe shumë joshëse për të gjithë lexuesit. Këtu, në vepër, mbizotëron elementi elegjiak për ato portrete e për mallin e jetës së kaluar të një kohe përjetuese.

Poezitë lirike të Shefik Arifit “rrëfejnë” ngajrje të dhimbshme të jetës së autorit. Aty ka edhe dramca të një kohe të kaluar. Perzonashet janë qytetarët e vendlindjes së tij, të cilët e jetojnë jetën me skamje e me bjerrje kohe. Por, poeti asnjëherë nuk largohet nga jeta e tyre, sepse edhe vetë e ka përjetuar atë jetë të “idhtë” të kësaj pjese të trollit shqiptar. Këtu, në vargjet artistike hetohet reflektimi i dashurisë së autorit ndaj prindërve, të cilët e kanë kaluar jetën me krajata të zymta jete. E, djali i tyre poet, tash mërgimtar, i është kthyer sy e veshë vendlindjes. Si ka shtuar një studues, vendlindja, si do që të jetë, ajo është vendlindje. Vendlindja është ngrohtësia shpirtërore e njeriut.

Duke i lexuar vargjet e kësaj vepre poetike, lexuesi e shijon një vokabular të pasur të temave të trajtuara. Ja si tingëllojnë titujt e poezive: barinjtë, këtu kam lindur, fshati im, këngët, po mbeta i vetmuar, aromë shtëpie, tingujt e shpirtit, pse nuk u bëra këngë, fluturo në vendin tim, moj luginë të qofsha falë,  botë e padrejtë, të mirën e gëdhenda në gurë, pse më braktisën, jam nga Presheva, lugina kërkon, hallet të plakin para kohe, mall, nostalgji, kujtesa për fëmijërinë, mikpritja po vdes, lotët e zogjëve shtegëtarë, rreze dielli në atdhe, kush ma heq mallin, kur jeta të neveritet, në dhe të huaj, shtëpia e  braktisur, babai im, jetimi, nëna, kurbeti na ndau, mërgimin s’e deshëm kurrë, mërgimi plagë e vjetër, të isha zog shetgëtar etj.

Të gjitha këtovargje poetike të Sh. Arifit janë me motiv shoqëror nga jeta e përjetuar e mërgimtarit. Janë vargje prekëse dhe, në vete, kanë “dozë” të dhimbjes. Kjo e mundon autorin e veprës, i cili, edhe në veprat e para, këto motive i ka të trajtuara artistikish. Pra, nga këto “halle”, jete, autori nuk mund të shlirohet, sepse, ajo kohë i mungon, e cila i ka lënë vërragë të rënda dhe nuk hiqet lehtë. Por, edhe motivet tjera janë të pranishme të veprën e tij ”Nektarët e një mërgimtari” të autorit në fjalë. Këto janë vlera të qiltërta arstitike të Shefik Arifit, të cilat i ka shpfërfaqur në veprën në fjalë. Janë këto frymëzime të dala nga thellësia e zemrës së tij të plasur dhe të mbushur me rrënkime për vendlindjen, për jetën e rëndë të kaluar të tij e të shumë familjarëve e bashkëvendasve të vet.

Vepra në fjalë e autorit ngërthen në vete vlerat mjaft të kapshme të artit poetik, të cilat e rrëfejnë dhe e pasqyrojnë jetën jo vetëm të autorit të veprës, por edhe të masës së gjerë të kësaj ane. Vargjet e kësaj vepre lexohen me ëndje nga të gjithë. Secili, që e ka pasur një rrugëtim të tillë, ai nuk mund të mos derdhi lotë për vuajtjet dhe skamjet e popullit të këasj ane të autorit në fjalë.

Ja si tingëllojnë vargje të kësaj vepre, bie fjala, tek poezia, “Këtu kam lindur”, autori shton: “Nga do që shkoj e them me krenari/ Ky është vend ku kam jetuar si fëmijë/ E kujtoj si më të bukurin në botë/ Kam mall për te, vargjet i shkruaj me lot”(f.11). Apo: “Këtu kam lindur këtu dua të vdes”(po aty). Autori i këndon vendlindjes, vendit ku ka lerë dhe ku dëshiron edhe sot të vdesë. Pasi gjendet poeti larg vendlindjes, ai qahet nga malli për vendin ku ka jetuar. Ja si ia thotë: “Fluturo o pëllumb e shko në vendin tim/ Nisu ti shpejt e fluturo pa pushim/ Fluturo mbi luginën time, ku kam lerë/ Që përherë në shpirt e kam ndjerë” (f.41).

Këto vargje ta përkujtojnë vargjet e Filip Shirokës, poet i Rilindjes sonë kombëtare, i cili ka jetuar larg atdheut në Bejrut të Libanit. Po kështu, një rrënkim dhe një mall poeti e shpreh tek poezia “Fluturo o pëllumb”, në të cilën vërehet malli i autorit për të dërguar mesazhe për paqë e për shpresë në çdo cep të atdheut. Ja si ia thotë në vargje: “Fluturo gjithëkund ku derdhet loti/ Dërgo atje mesazhe paqeje nga Zoti/ Shpërndaje shpresën në çdo cep përsëri/ Atje mbetet për njeriun më e madhja pasuri”(f.74).

Apo, në poezinë “Kurbeti na ndau”, poeti, shton: “Lotët na rrjedhin si një krua/ Malli për njëri-tjetrin nuk u shua/ A nuk ishim ne miq të vërtetë?/ Por, humbëm , humbëm në kurbet”!(f.133). Apo tek poezia me titull “Mërgimin se deshëm kurrë”, autori shton: “Në shpindë  na peshon si gur/ Mërgimin s’e deshëm kurrë(f.142). Kjo është fakt. Skamja, mjerimi, popullin e detyroi të marrë rrugën e mërgimit, duke u tretur larg e më larg atdheut.

Tek poezia “Mërgimi plagë e vjetër”, autori qahet nga malli për prindërit e tyre, të cilët, kur e përcjellin, ata rrënkojnë e qajnë për këtë rrugëtim jo të mirë të birit të tyre. Poeti shton: “Të rinjtë e të rejat largohen si valët e  detit/ Me lot në sy marrin rrugën e kurbetit/ I lënë prindërit duke qarë me duar në gji/ Luten mos na harroni, o fëmijët e mi” (f.150). Tek kjo vepër janë edhe disa poezi me këtë motiv shoqëror.

Motivi tjetër në veprën në fjalë është edhe i dashurisë. Poeti, Sh. Arifi nuk ka mundur t’i ik kësaj “plage” të zemrës, sepse, jeta nuk ka vetëm brenga, por ajo ka edhe “shije” tjetër. Ky motiv është mjaft i trajtuar dhe të duket se poeti herë “hidhërohet” me të dashurën e herë takohen dhe vazhdojnë jetën e tyre me dashje platonike.

Nuk ka njeri pa dashuri. Dashuria e “relakson” njeriun. E bën “tjetër” nga të tjerët. Dashuria shpërfaqet shumë lehtë. Aty-për aty. Tek poeti i veprës në fjalë, kjo dashuri është njomake, e qiltërt dhe e këndshme. Ai në poezinë “Të dua”, shton: “Me të parë zemra ime u shkri/ Thash këtë dua ta kem për grua/ Aty e kuptova çfarë quhet dashuria/ Kur në puthjen e parë më the të dua” (f.57). Por, kur nga një herë e dashura e harron, poeti shton:  “Nga malli për ty më janë errur edhe sytë/ Shumë vite që s’jemi parë...” (f.79). Poeti shton: “Më merr malli për ata të bukurit sy/ Dje e dashur në ëndërr të pash ty (f.107).

Këto vargje të poetit ia rrisin vlerën artistike të veprës, sepse ato e ngrisin lart jo vetëm poetizimin e artit të tij, por edhe shpërfaqjen e tij nga brenda. Pra, në brendësi të veprës ka vargje joshëse për  dashurinë platonike, por ka edhe “halle” tjera, si malli për shtëpinë dhe pirndërit, për vendlindjen, ku, nga këto rrënkime, buron loti i përligjur i shpirtit të pasur e të denjë  të njeriut tonë.

Edhe Çano Nora, redaktore e kësaj vepre, pos tjerash ka shtuar: “... autori na vjen me poezi të shkruara bukur, të frymëzuara e të startuara nga hojet e zemrës me ndjenjë, frymëzim e me mjaft element të statistikës poetike të trajtuara me kujdes e me “merak”(f.7). Vepra e Sh. Arifit “Nektarët e një mërgimtari” është një tufë poezish lirike, të cilat nuk do ta zhgënjejë lexuesin artdashës, por do ta gëzojë e do ta joshin për këtë paraqitje estetike e artistike me veprën në fjalë. Vepra ka 268 faqe. E botoi ShB - Pika 5/A në Gjilan.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora