E enjte, 28.03.2024, 09:08 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Një nderim i merituar

E marte, 06.06.2017, 05:47 PM


NJË NDERIM I MERITUAR: PRESIDENTI NISHANI DEKORON ISH-SENATORIN BOB DOLE

Nga Frank Shkreli

Të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë ish-senatorin republikan  të Shteteve të Bashkuara dhe mikun e madh të kombit shqiptar, Z. Robert Dole.

Senatori Dole, një burrë shteti amerikan me një përvojë të gjatë në politikën e mbrendshme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe me vonë një mik i madh i shqiptarëve, ishte zgjedhur në Kongresin amerikan në vitin 1960 nga shteti Kansas dhe më pastaj në vitin 1968 u zgjodh senator nga i njëjti shtet.  Fillimisht, ai fitoi nam në politikën amerikane si Kryetar i Komisionit Kombëtar të Partisë Republikane, nga viti 1971-1972.   Në vitin 1976, Presidenti Xherald Ford e zgjedhë për nën-president të tij dhe në vitin 1984 Senatori Dole zgjidhet Udhëheqës i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar kështu mandatin më të gjatë në këtë detyrë, në historinë e kombit si udhëheqës republikan.  Ai dha dorëheqjen nga Senati duke iu përveshur fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Pas humbjes ndaj kandidatit demokrat Bill Clinton ai tërhiqet nga politika, por fati e deshti që megjithse ishin kundërshtarë politikë, Bob Dole dhe Bill Clinton punuan së bashku në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Në mirënjohje për veprimtarinë e tij në mbështetje të shqiptarëve, sidomos Kosovës, në një ceremoni të veçantë të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi ish-Senatorin Dole me dekoratën më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahsin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.  Në portalin e Presidentit Nishani thuhet se kryetari I shtetoit shqiptar, gjëndej në Uashington në kuadër të një vizite pune, gjatë së cilës, “Në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, Kreu i Shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin:

“Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, që përmbledhë shumë mirë veprimtarinë e Senatorit Dole, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve, Presidenti Nishani shprehu, kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës së (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “Për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”

Në vijim Kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.”

“Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës”, i ka thënë Presidenti Nishani, Z. Dole.

“Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!”, ka deklaruar udhëheqsi shqiptar duke spikatur meritat e këtij burri të madh amerikan dhe mik i shqiptarëve.

Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

Shumë i emocionuar, Senatori Dole – i cili kishte shërbyer  me vite edhe si Ambasador nderi i Presidentit historik të Kosovës në Uashington, Dr. Ibrahim Rugova dhe si përfaqsues i interesave të Kosovës në kryeqytetin amerikan -- e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se, “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetdijshëm se në rolin e tij si ambasador nderi i Presidentit Rugova në Uashington, Senatori Dole,  ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratat amerikane, republikane dhe demokrate, në favor të Kosovës. Zoti Dole  citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë gjatë ceremonisë se “Ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë”.

Pas largimit nga Senati, Z. Bob Dole ka shërbyer në detyra të larta në jetën private dhe është nderuar me një numër dekoratash kombëtare dhe ndërkombëtare.  Në vitin 2005, kur shërbeja si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,(KKSHA) vendosëm që Senatorin Dole ta dekoronim me çmimin e rëndësishëm, “Hands of Hope”, “Duartë e Shpresës”, së bashku me Dr. Elez Biberaj, të cilit iu dorëzua dekorata për “Arritje Jetësore”.  Dekoratën e KKSHA-së ia dorëzoi Senatorit Dole, aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mbështetës i fortë i Senatorit Dole për dekada, Z. Xhim Xhema, për angazhimin e tij ndaj idealeve që rrjedhin nga të drejtat e pandryshueshme dhe sovrane të individit dhe të cilat duhet të jenë pjesë e njl shoqërie që qeveriset dhe drejtohet nga idealet e një demorkacie të stilit amerikan.

 

Me këtë rast të dekorimit të tij nga udhëheqsi më i lartë i shtetit shqiptar, falendëroj Senatorin Dole edhe për ndihmën dhe këshillat që ai dhe bashkpuntorët e tij më kanë dhënë mua personalisht dhe KKSHA-së gjatë periudhës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Zyra e tij ishte gjithmonë e hapur për ne.  Për këtë i jam shumë mirënjohës Senatorit Dole dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Njëkohsisht i shprehi edhe falënderimet edhe Presidentit Bujar Nishani për dekorimin e këtij miku të madh të kombit shqiptar, shumë të merituar, si mbështetës dhe luftëtar për të drejtat e shqiptarëve kudo.

Foto nga portal i Presidentit të Shqipërisë

 

Me Senatorin Robert Dole në darkën me rastin e dekorimit të Senatorit nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, 2005

 

Duke paraqitur miqët e nderit në darkën e dekorimit të  Senatorit Dole dhe Dr. Biberaj nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Ameirkan, Nju Jork, 2005



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora