E shtune, 20.04.2024, 07:56 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Si u diskriminuan fëmijët shqiptarë

E premte, 02.06.2017, 09:40 PM


SI U DISKRIMINUAN FËMIJËT SHQIPTARË ME SHTESAT FËMINORE

Shkruan Adil FETAHU

Diskriminimi fillonte që nga lindja

Pushteti okupues serb ka zbatuar ndaj shqiptareve format dhe metodat më të vrazhda, por edhe ato më perfide të diskriminimit, në çdo fushë të jetës e të punës, madje duke mos kursyer asnjë kategori, as moshë as gjini. Diskriminim u bë edhe ndaj fëmijëve. Bile, diskriminimi i fëmijëve fillonte që nga lindja dhe regjistrimi në librat e gjendjes civile. Sepse, të gjithë emrat që përmbanin ndonjë nga shkronjat:  dh, ë, rr, th, y, x,  kur shkruheshin me alfabetin e çirilicës, i cili nuk i ka këto shkronja, deformoheshin, nuk tingllonte shqip, dhe pastaj shkaktonin telashe me dokumentet personale. Ndërkaq, në realizimin e të drejtave dhe interesave të parapara me ligjet në fuqi, shqiptarët pengoheshin në mënyra e me metoda të ndryshme byrokratike nga administrata dhe nëpunësit serbë.

E drejta në shtesa fëminore

Në sistemin e ndihmave sociale që u jep shteti kategorive të caktuara të popullsisë, rëndësi të veçantë kishin shtesat fëminore, si për nga numri i shfrytëzuesve, ashtu për nga shuma e mjeteve financiare. Shtesat fëminore ishin obligim ligjor, ishte e drejtë e caktuar me ligj; ajo nuk ishte lëmoshë as vullnet i mirë apo humanizëm i shtetit.Secila republikë dhe krahinë autonome kishte pavarësinë ligjore për rregullimin e kësaj fushe, varësisht nga kushtet dhe mundësitë e veta. Në funksionimin e sistemit social, shtesat fëminore kishin përparësi, sepse ishte obligim i shtetit për kujdesin ndaj fëmijëve, që të krijonte kushte për jetesë, zhvillim psikofizik dhe përmbushje të kushteve përafërsisht të njëjta të të gjithë fëmijëve, dhe ndihmë familjeve për rritjen e fëmijëve dhe stimulim për reproduksion të popullsisë. Ligji përcaktonte kushtet dhe kriteret për realizimin e të drejtës në shtesa fëminore, varësisht nga gjendja ekonomike e familjes ( censusi i caktuar nga të ardhurat personale dhe të hyra nga burime tjera), numri i fëmijëve dhe mosha e tyre. Shfrytëzues ishin punëtorët, pensionistët dhe personat e përfshirë me sigurimet sociale. Se sa kishin peshë shtesat feminore për buxhetin e familjes, sidomos të atyre familjeve me më shumë fëmijë, tregon fakti se shumëkush e tëhuajsonte tokën, për të fituar kushtet e censusit për shtesa fëminore. Shtesat fëminore paguheshin në emër të njërit prind, të kujdestarit ose të ushqyesit të fëmijëve. Shuma e shtesave varej nga numri i fëmijëve, deri në 11 fëmijë, të moshës së caktuar; deri në moshën 19 vjeçare nëse fëmijët ishin nxënës të rregullt, madje edhe deri në moshën 26 vjeçare nëse ishin studentë të rregullt. Dikur ishte një praktikë, që kur një çift bashkëshortor të lindte fëmiun e 11, kryetari i shtetit, Josip Broz Tito bëhej kumbar i atij fëmiu dhe asaj familje, ashtu që dërgonte emisarin e tij me dhurata për atë familje; ka pasur familje shqiptare në Kosovë që kishin Titon kumbar.

Si u ndërprenë shtesat fëminore shqiptarëve në vitet 1990-1992

Sistemi i sigurimeve sociale ishte i rregulluar me ligje dhe organizuar me strukturë të caktuar të administratës,  të ashtuquajtura bashkësi vetëqeverisëse e interesit (BVI) për mbrojtjen sociale të fëmijëve Si  çdo njësi federale, edhe Kosova e kishte BVI-në e vet,  të cilën u pushtuesi serb futi  nën masa të dhunshme më 27 dhjetor 1990. Menjëherë pas zbatimit të masave të dhunshme, filloi procesi i diskriminimit të fëmijëve shqiptarë, duke i privuar nga e drejta dhe ndërprerë pagesën e shtesave fëminore dhe çdo formë tjetër të ndihmës për fëmijët, madje duke i përjashtuar prej lokaleve të kopshteve, çerdheve të fëmijëve, prej objekteve të shkollave e të fakulteteve. Kështu, derisa në fund të vitit 1990, ishin 80128 shfrytëzues të shtesave fëminore, për 307749 fëmijë, më 31 dhjetor 1991 numri i shfrytëzuesve të shtesave fëminore ishte 67202, me 236331 fëmijë, ndërsa më 31 dhjetor 1992, numri i shfrytëzuesve ra në 18205 shfrytëzues,  me gjithsejt 33743 fëmijë! Ja tabela e përgjithshme për tri vitet (1990-1992):

Viti                Numri i shfrytëzuesve       Numri i fëmijëve

31.12.1990               80128                          307749

31.12.1991               67202                         236.331

31.12.1992               18205                            33743

Mbrenda dy vjetëve (1991, 1992) shtesat feminore iu ndërprenë 274006 fëmijëve, vetëm se ishin të nacionalitetit shqiptar.

Në gusht të vitit 1992, Kuvendi i Serbisë miratoi ligjin “unik” të mbrojtjes së fëmijëve, me të cilin edhe “ligjërisht” fëmijët shqiptarë i privoi nga shtesat fëminore, duke zbatuar ekskluzivitet social në baza nacionale, gjë që ishte i papranueshëm sipas Rezolutës për luftë kundër ekskluzivitetit social, të Këshillit të Ministrave të BE-së, të vitit 1989.  Sipas  ligjit serb, shtesat fëminore mund të paguheshin vetëm për tre fëmijët e parë  dhe vetëm deri në moshën 7-vjeçe. Fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore, mbi moshën 7-vjeçe, nuk u paguheshin shtesat fëminore, me arsyetimin se ata nuk po vijojnë mësimin sipas sistemit dhe programit arsimor të Serbisë. Kështu, me një qarkore administrative, iu ndërprenë shtesat fëminore të gjithë nxënësve shqiptarë. E njëjta masë përfshiu edhe 8929 studentë të rregullt.  Ja pasqyra tabelare e numrit të shfrytëzuesve dhe numrit të fëmijëve që gëzonin shtesat fëminore në vitin 1991 dhe 1992, sipas komunave të Kosovës:

31.12.1991                                    31.12.1992

Komuna                  Nr.shfrytëzuesve Nr. i fëmijëve    Nr.shfrytëzuesve Nr.fëmijëve

Deçan                           1004                     5165                    341                     349

Dragash                          839                     2947                    457                             1149

Gjakovë                        3968                   15386                     731                             1346

Gllogofc                         1637                    8508                     390                                        780

Gjilan                              1700                   6355                    1350                           2943

Istog                                1336                   5176                      526                             574

Kaçanik                           2240                    8189                         2                                         6

Klinë                                1120                    6010                      207                                      434

Kamenicë                        1020                     3095                      296                                    937

Mitrovicë                         3332                   16535                    3110               5281

Leposaviq                          117                        331                        76                174

Lipjan                                885                       3027                      229                384

Rahavec                          1184                       4094                        134               304

Pejë                                 4049                     10543                       2311             2741

Podjevë                           1803                       9650                         139               238

Prishtinë                        11528                     49934                        3351                 6867

Prizren                              6461                     13088                         845             1919

Serbicë/Skenderaj           1327                        7438                        256               2999

Suharekë                          1320                        5724                        168                 321

Ferizaj                              2172                       11395                      1734               4212

Viti                                     886                          3379                        132                 297

Vushtrri                            1318                          5666                          61                   96

Malishevë                        1062                           4330                          -                        -

Zubinpotok                          40                             242                           99                 133

Shtërpcë                              10                             226                           199                 412

Obiliq * )                                  -                                 -                           602                 632

Novobërdë                            -                                 -                                16                   19

Fushëkosovë                          -                                 -                              416                  841

Shtimje                                   -                                  -                               18                    29

Zveçan                                     -                                  -                                 9                     26

Gjithsejt:                         48987                    199363                              18205                33743

*) Komunat e reja e të vogla, nuk kanë pasur BVI-të e veta komunale, por të drejtat në shtesa fëminore i kanë shfrytëzuar te BVI-të e komunave të qendrave më të mëdha. Ndërkaq, me zbatimin e masave të dhunshme, ato shërbime janë centralizuar.

Gjendja aktuale me shtesat fëminore

Tash në Kosovë shtesa fëminore marrin një numër i vogël i fëmijëve, dhe atë vetëm fëmijët e familjeve që janë në asistencë sociale. Sipas Ligjit për Skemën e Ndihmës Sociale, Familja e përzgjedhur për skemën e ndihmës sociale, për çdo fëmi të moshës 0-18 vjeçe, realizon një përfitim financiar në formë të shtesës për fëmijë, me qëllim që nxitjes së arsimimit dhe përmirësimit të shëndetit.  Aktualisht, ajo shtesë fëminore në Kosovë është 5 (pesë) euro në muaj! Sa ka ndikim kjo shumë për të ndihmuar arsimimin apo shëndetin e fëmijës, mund ta merrni me mend.

Varfëria në Kosovë është (edhe) për shkak se nuk po ngopën të pasurit!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora