Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Amerikani

| E merkure, 31.05.2017, 06:33 PM |


"Amerikani"

Tregim nga Bashkim Saliasi

Ai sillej si amerikan i vërtetë. Madje, kohët e fundit bleu një makinë të markës amerikane, nga ato makinat që shërbejnë për udhëtime në xhungël. Në lagje mbahej rëndë dhe pasdite pasi çlodhej nga rruga e gjatë që bënte çdo ditë për në Maqedoni merrte fqinjin e vet, lante makinën mirë e mirë dhe dilnin në vendet piktoreske. Në kokë mbante një kapele të bardhë, zakon që i kishte mbetur që nga koha kur shërbente në ushtri në detyrën e oficerit. Pas prishjes së sistemit, i dal në lirim, ai kishte provuar emigracionin në Amerikën e largët duke paguar një qerre me lekë.

Ishte tip shumë popullor. Në politikë përshtatej shumë shpejtë dhe fliste me argumente bindëse për forcën politike që ai mbronte. Kuptohet nga pozicioni që kishte pasur në ushtri dhe detyra që kishte kryer anonte nga e majta dhe shpesh herë me fqinjin debatonin për pikëpamjet e tyre të ndryshme. I bashkonte vetëm interesi i shkuarjes në Amerikë dhe dhënia e truallit për pallat.

Një pasdite, kur po pinim kafen, ime shoqe m`u lut që të dilja dhe të takoja Liun, burrin e Renës, sepse a i kishte kërkuar disa herë që unë të takohesha dhe të pinim një kafe.

-         Më lerë rehat se jam lodhur, iu luta sime shoqe.

-         Po ti mor burrë mos përto se Renën e kemi kolege dhe ajo m`u lut që të takohesh me burrin e saj.

-         Po kush është ky Liu se unë nuk e njoh!

-         Ehu mor burrë, ai që na përshëndet kur psonisim në dyqanin e tij.

-         Mos është ai oficeri i liruar, ai që na mbahet rëndë si një  amerikan.

-         Po, po i  qafsh hallin atij, se merret me biznes dhe nuk i mungojnë paratë.

-         As s’ më thua moj grua, pse për shumë kohë këtë njeri unë  nuk e kam parë në lagje?

-         Po pse mor burrë nuk e di ti që ai për disa vjet ishte në Amerikë?

-         Nga ta di, kur nuk e njoh nga afër, por e përshëndes thjesht si të gjithë banorët e tjerë të lagjes. Nuk e ke pyetur Rënën se për çfarë do  të më takoj ky Liu?

-          Ai interesohet për të shkuar përsëri në Amerikë.

-         Po ç’lidhje ka me mua shkuarja e tij për në Amerikë?!

-        Ai ka marr vesh që djali ynë shkoj në Amerikë dhe do që të dijë se çfarë rruge ndoqi për t`u pajisur me vizë amerikane.

-         Po ti grua e di shumë mirë, që unë me atë punë nuk u mora fare. Djali aplikoj për një vizë studentore për përfitim eksperience dhe pas sorollatjesh të mëdha, duke paguar një qerre me lekë arriti të shkoj në Amerikë.

Pas këmbënguljes së sime shoqe, më në fund vendosa të takoj këtë amerikanin që në lagje mbahej rëndë dhe i ishte bërë mendja Amerikë.

U paraqita në dyqan në fund të rrugës dhe pasi u përshëndeta me të shoqen e tij, Renën i tregova arsyen e vizitës në lokalin e saj.

Prit pak sa ta lajmëroj, se ai ka ditë që kërkon të takoj dhe të të bisedoj me ty.

-Hair ishalla, - i them Renës.

Rena u kthye shpejtë në dyqan dhe amerikani nuk vonoj të vinte.

U përshëndetëm.

-Më prit dy minuta, - më tha Amerikani, nuk vonohem. –Nuk kaluan as dy minuta kur u hap porta e madhe dhe Liu nxori makinën në rrugë. Shpejtë më ftoj të hipi në makinë dhe pasi pyeti se si ia kaloja me punë dhe si i kisha hallet, u fut drejtë e në temë.

Makina ecte ngadalë dhe unë fillova t`i tregoj se unë nuk jam marr me dokumentet që përgatiti djali për të marrë vizën, por zyrat e fondacionit që merret me këtë punë i di dhe nuk përtoj të shoqëroj dhe të prezantoj me personin e duhur.

Kaq kërkoj prej teje se të tjerat i rregulloj vet.

Dolëm te lokal “Lavazhi” dhe pasi parkoj makinën u ulëm në tavolinë. Pasi porositi kafe dhe raki, ai  filloj të më tregoj vet se si kishte shkuar në Amerikë dhe kishte qëndruar atje disa vite. Foli e foli gjatë. Rrija dhe e dëgjoja dhe, më në fund kur m`u duk se u miqësuam guxova dhe i thashë:

-         More Liu, po ti ke prindërit shumë pleq, si do i lësh vetëm dhe të shkosh në Amerikë, kur ata vetëm ty të kanë!?

-         Unë, i dashur mik, kam jetën time dhe ata kanë jetën e tyre.

-         Po mirë po si do e marrësh gjithë familjen dhe të fluturosh për në Amerikë!?

-         I kam bërë gati lekët, por vetëm nuk po gjej rrugën e duhur se mua nuk më zë gjumi gjithë natën, vetëm atje e kam mendjen.

E lamë të takoheshim pas dy ditësh që unë ta çoja te personi që ndihmoj tim bir dhe mbase ai bënte diçka edhe për këtë qyqarin që i ishte bërë koka Amerikë. Rrugës për në shtëpi m`u kujtua Çalli, personazhi i librit me tregime i shkrimtarit Teodor Laço. Ky Çalli, që kishte qenë në Amerikë kishte ardhur me pushime në Shqipëri, por ç’e do, zuri lufta dhe u mbyllën kufijtë. Kështu që i mbeti pasaporta në xhep. Por, Çalli nuk i shpenzoi paratë kot më kot. Shtoi mallin e gjënë, fliste pak, ama për të tallur, të tallte në çdo kohë. Edhe ky amerikani i viteve 2000 ngjasonte me Çallin…

Kur arrita në shtëpi i tregova time shoqe se si e kishte hallin fqinji ynë. Gruaja më tha:

-        Po ndihmoje mor burrë për hatrin e Renës, ne atë e kemi kolege dhe ajo na respekton.

Nuk e zgjata, por pasi pash një filmin në TV shkova e rashë në gjumë. Nga mendja nuk më shqiteshin fjalët e Liut që më përsëriti disa herë:  “Ti i dashur mik, nuk arrin ta kuptosh se çdo të thotë Amerikë! Ajo është tokë e bekuar, e ka bekuar vet Zoti, e kupton apo jo?”

Nga gjumi më zgjoi ime shoqe. Isha bërë qull në djersë.

-         Çfarë të ka gjetur që qave në gjumë?- më pyeti  ajo e shqetësuar.

-         Pash një ëndërr të frikshme.

-         Ma trego,- nguli këmbë ajo.

-         Më lërë rehat, po bjerë e fli.

-         Po hë, mor burrë përse nuk e tregon të shkretën se lirohesh.

-         Desha s’ desh fillova t`ia tregoj ëndrrën që më tronditi aq shumë. Gjumi m`u largua dhe kohën tjetër lexova gati deri në mëngjes.

-         E mban mend atë ditë të zezë të ’97, - pyes gruan,- kur unë së bashku me kushëririn tënd u nisëm për në Durrës me shpresën se mbase gjenim ndonjë anije dhe shkonim në Itali?

-         Po e mbaj, e çlidhje ka Italia me ëndrrën që ti pe?

-         E po këtu qëndron bukuria. Atë ditë që shkuam në Durrës te teze e kushëririt tënd, tezen e tij e gjetëm në det duke mbledhur gur për të ndërtuar një dhomë që të strehonte “turistët” që do vinin nga Italia.

-         E shikon atë atje,- më foli kushëriri yt, - ajo është tezja e gruas sime. Sapo hodha sytë dhe shoh që tezen e mbërtheu një gjarpër i madh dhe e zhyti kokëposhtë në det. Unë dhe kushëriri yt vrapuam për ta shpëtuar tezen, por gjarpri, e lëshoj tezen dhe mua së bashku me kushëririn tënd na futi në nofullat e tij të fuqishme dhe gati të na mbështillte me trupin e tij të stërmadh. Në momentin që gjarpri rrotulloj bishtin, tezja kapi një gur dhe e qëlloj atë në kokë. Në atë moment mua më goditi fort me bishtin dhe unë bërtita në gjumë. Rrëmbyem tezen në krah dhe dolëm në breg. Ajo na çoj drejtë e në shtëpi. Atë natë dëgjuam lloje-lloje historish dhe unë së bashku me kushëririn tënd nuk e morëm më mundimin të kalojmë kufirin për të në emigracion... Nuk e kisha harruar Korfuzin, kur unë bashkë me shokun tim kaluam me dyshek detin Jon. Atë mbrëmje e kaluam te tezja e kushëririt të gruas dhe të nesërmen mora rrugën për në shtëpi për mos e marrë më mundimin të shkoj në emigracion, por ta ndërtoj jetën në vendin tim.

-          E gjithë kjo histori, o grua, lindi nga ai amerikani që kërkon të lërë familjen dhe prindërit dhe të shkoj përsëri në Amerikë.

-         Ime shoqe, pasi dëgjoi me    qetësi ëndrrën e frikshme më mbështeti kokën në gjoksin e saj dhe nuk vonoj shumë dhe filloj të grindet. Flinte e qetë, kurse unë mora romanin e lënë përgjysmë dhe fillova të lexoj. Afër mëngjesit kur ora kishte shkuar 6 e 35 minuta gruaja më tundi lehtë dhe më tregoj se isha vonë për në punë.

Ditët kaluan shpejtë dhe amerikani priste që ta shoqëroja për te sekseri. “Nuk kam lënë njeri pa pyetur. Ata që nisin turist për në Amerikë e Kanada, -vazhdonte të më tregonte ai rrugës kur po shkonim te sekseri, i cili mua më mori një thes me lekë dhe djalit tim iu deshën të punoj dy vjet nga gjashtëmbëdhjetë orë në ditë dhe pa asnjë ditë pushim pa me zor i lau lekët e rrugës...

Më në fund arritëm afër godinës ku gjendej zyra e “vampirëve” që mashtronin njerëzit dhe u “rripnin” lëkurën. Këtë fat donte të provonte dhe ky amerikani që kishte qenë emigrant dhe e kishte provuar se ç’ishte kurbeti.

Zotëria priste në zyrë. Pasi i prezantova u kërkova leje dhe u largova në korridor. Kur po ndahesha u thashë se këtu mbaron misioni im, tani vazhdoni vet dhe zgjidhini rrugët se si do veproni.

Kur doli nga zyra e sekserit dhe morëm rrugën për kthim e pyeta, po si do bësh që të marrësh gjithë familjen dhe të sigurosh gjithë ato lekë?

Kam vendosur të shesë shtëpinë dhe pleqtë i çoj në shtëpi me qira, të marr gruan dhe dy fëmijët dhe të iki nga sytë këmbët.

Nuk fola, por rashë në mendime. Rrija e pyesja veten se si erdhi kështu kjo kohë. Të parët tanë kanë shkruar shumë për emigracionin dhe populli ynë nuk vuri mend që s’vuri, por ky amerikani e kishte ndarë mendjen që, “O do shkonte në Amerikë, o rashë e vdiqa!”.

Kaluan dy vjet dhe prindërit i vdiqën. Shtëpinë e dha për pallat dhe nuk mori pak, por tetë hyrje dhe dyqane. Ndërtoj dhe një biznes në Rinas, por përsëri mendjen e kishte për në Amerikë.

Një ditë kisha dal me time shoqe për kafe dhe kur po ktheheshim takuam të shoqen e Liut. Pasi u përshëndetëm e pyeta se si ia kalonte Liu.

-Eh, ç’më pyesni, kam mbetur vetëm me fëmijët se ai ka një vit që ka shkuar në Amerikë nga Kanadaja, kurse ne mbetëm këtu.

-Më në fund ëndrrën e paska bërë realitet. Mos u mërzit,- e ngushëllova Renën,- se edhe ty nuk ka për të lënë pa të marrë.

-Po, mor po, ja që vitet kalojnë dhe ne kemi nevojë për njëri-tjetrin,- e mbylli bisedën fqinja jonë, e cila, edhe ajo mbetej me shpresë se një ditë do prekte Eldoradon…