E premte, 19.04.2024, 06:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Aleko Likaj: Faik Ballanca, shkrimtari realist

E marte, 30.05.2017, 06:43 PM


Faik Ballanca, shkrimtari realist i tregimit shqiptar

Nga Aleko LIKAJ

Në historinë e shkurtër të tregimit shqiptar të këtyre 50-60 viteve të fundit, Faik Ballanca, pa diskutim zë dhe ka një vend të veçantë nderi, që gjithësesi do ta konsideroja në këtë rast, si një homazh që i ka bërë atij vepra e shkruar që ka lënë pas. Dhe rezonanca ndjehet. Madje, si në ditën kur u shkruajtën e u botuan ato, edhe pse kanë kaluar tashmë afro katër dekada. Të përmbledhura në katër vëllime, si “Rrëmbimi” - 1970, “Mbasdite të lagura”- 1971, “Letra anonime” – 1973 “Pritësit e rrufeve” – 1975, plot 45 tregime, janë tashmë pasuria që na la ky prozator i talentuar të shkruara në harkun e një dhjetëvjeçari të vetëm. Përveçse ai shkroi edhe novela e një roman me temë nga realiteti i atyre viteve. Gjithashtu Ballanca njohu edhe botime të tjera si “Tregime të zgjedhura” – 1976, “Perëndia e shtëpisë”. Edhe kjo e fundit është një përmbledhje me tregime të zgjedhura, botuar në Prishtinë më 1985.

Po kush ishte në fakt shkrimtari Faik Ballanca me një moshë aso kohe krejtesisht të re nga krijuesit e tjerë, si Shuteriqi, Pasko, Gjata, Musaraj, Prifti, Andoni, ... qe shkruanin tregimin shqiptar?.

I lindur në një familje intelektualesh në kryeqytet, me origjinë nga Dibra e Madhe, ai studjoi për gazetari, e menjëherë filloi të punojë në organet më të rëndësishme letrare të asaj kohe, si gazetar e redaktor, tek “ Zëri i Rinisë ” e revista “ Nëntori”. Miqtë e tij të afërt kujtojnë se Faiku filloi që të botonte që në moshën 17 vjeçare, e talenti i tij spikati dukshëm në atë periudhe. Shkrimtari e poeti Rolan Gjoza, thotë se Faik Ballanca ishte jo tolerant me kashtën që botonin gazetat dhe revistat; i paafrueshëm, i zymtë, nervoz, i pakënaqur, nuk të afrohej, po të jepte një grimë miqësi po t'i aviteshe. Të mos harojmë se, në këtë periudhë tregimi shqiptar sapo kishte hyrë në rrugën e krijimit të fizionomisë së vet, nën një trusni të pashoqe me recetat politike te diktatures qe meshiroheshin tek realizmi socialist.

Por Ballanca nuk u bë asnjëherë përçues i kësaj vije e ryme që kishte zene per gryke gjithe letrat e artin tone te asaj kohe. Sepse ndjehej krejt ndryshëm brenda shpirtit e botës së tij. Ftohtësia dhe vetmia i jepte krah. Kishte një lloj kujdesje ndaj të tjerëve, kolegëve dhe ambjentit letrar që e rrethonte. Kjo mbase e ka shpëtuar tregimtarin e ri nga ambicjet dhe sulmet dashakeqe që gjithësesi nuk kanë munguar asnjëherë, por që nuk e kanë tronditur, deri në atë masë sa të ishte viktima e rradhës. Mëvetësia u bë kësisoj barkë shpëtimi. Kishte jetën e tij dhe nuk dëshëronte tu binte në qafë tê tjerëve. Ai ishte dhe mbeti një shkrimtar realist, në kufijte e së cilës u ndje zot. Kjo dallohet dukshëm jo vetëm tek struktura e tregimit të tij, i cili nuk kishte ngarkesë politike, dhe nuk përfshinte direktivat në formë fushate që jepte partia, sepse ai parapëlqente te “natyrshmen e të zakonshmen në letërsi”, por edhe tek krijimi e përzgjedhja që u bënte personazheve të tij. Këta të fundit asnjëherë nuk i gjen në tregimet e Faik Ballancës si “lej-fen” që recitojnë, por vijnë nga një galeri e pasur dhe e larmishme. Ata janë njerëz të thjeshtë e të zakonshëm që vijnë nga realiteti apo figura të njohura, apo të panjohura që vijnë nga e kaluara historike. Për të arritur pikërisht këtë, realizmin, ai do të shkonte e do të zbriste pa asnjë “urdhër partie”, ashtu siç ndodhi më vonë në kohë fushatash politike me shkrimtarët e tjerë, në një realitet që kërkonte ta njihte e ta zhbironte, për ta pasur pastaj në sfondin e krijitarisë se vet. Per më shume se tre muaj ai u gjet në malësitë e Leklit të Tepelenës, në stane midis barrinjve, dhe e jetoi jetën mes halleve e shqetësimeve të këtyre njerëzve të thjeshtë, të cilët i bëri edhe personazhë në roman dhe në disa tregime të kohës, me një thjeshtësi të habitshme, duke na i sjell krejtësisht të besueshëm në veprën e tij. Ky ishte zëri i ndërgjegjes dhe botkuptimi për të shkruar një art krejt realist.

Atij nuk i pëlqente rreshti.

Në përgjithësi personazhet në tregimet e Faik Ballancës janë njerëz që i hasim në rrugë, në punë, me hallet dhe problemet e tyre. Ata natyrisht, dashurojnë, vuajnë, gabojnë dhe vdesin, sepse mbi të gjitha, janë thjesht njerëz. Dhe autori nuk i paragjykon aspak, nuk i heretizon, por as nuk i himnizon personazhet. Kësisoj, ata nuk janë as edhe të përkryer, të pagabueshëm, shembullorë, siç gjenden rëndom në pjesën dërmuese të letërsisë së asaj kohe, sepse kështu nuk mund që t’i gjejmë as edhe në jetën tonë reale. Ballanca, arrin të zbulojë tipare ngadhnjyese të jetës, vlerën dhe kuptimin e saj.

Por le të kthehemi sërish tek gama e gjërë e temave dhe e motiveve të tregimeve të këtij autori, të cilat janë universale në veprën e tij, siç janë tema e fshatit, ajo e Luftës Nacionalçlirimtare, mbrojtja e kufirit, rindërtimi i vendit, emancipimi i femrës, shembja e paragjykymeve të vjetra, historia etj. Pa diskutim që të gjitha këto përbëjnë gamën tematike të krijimtarisë së Faik Ballancës. Por ajo që është e veçantë te tregimet e tij, është pozicioni që ka zgjedhë, pikëvështrimi, mënyra e trajtimit të këtyre temave, mënyra e ndërtimit të tregimit, gjuha dhe stili që përdor ky autor. Nga të gjitha këto aspekte, ai është dhe qëndron tepër larg konformizmit dhe skemave të realizmit socialist.

Faik Ballanca vizaton me “penel” mjeshtërisht realitetin dhe krejt ambjentin shqiptar te atyre viteve, me detaje krejtesisht te kursyera, që e bën kështu prozatorin e viteve 70 – të, të veçantë e të ndryshëm nga shkrimtarët bashkëkohës në fushën e tregimit shqiptar. Kjo duket edhe karakteret që na jep, tek natyra, që në tregimet e tij nuk ka thjesht një funksion dekorativ, por që është në funksion të vetë krijimit, si një metaforë e beftë dhe krejtësisht e fuqishme, e cila të kujton në strukturën e vet, linjën “ çehoviane” të të shkruarit, edhe pse autori parapëlqente shkrimtarë si; Tomas Mani, Kafka, Kamyja, Dostojevski etj.

Ballanca është tregimtari që shquhet për finesën e tij artistike, për një gjuhë figurative dhe për një frazë jo të ngarkuar. Rrëfimi i tij është e mbetet emocionant. Kjo ka bërë që tregimet e Faikut të lexohen sërish me ëndje, me të njëjtin emocion, sikurse janë shkruar e lexuar rreth katër dekada më parë. Do të kujtoj këtu me një lloj nostalgjizmi, tregimet “ Pritësi i rrufeve ”, “Mbama pak pallton çun” , apo “ Rrëmbimi” , “Letra anonime”... të cilat kujtdo mund që ti mbesë në kujtesë, për gjetjen interesante e forcën e madhe artistike, dhe e mesazheve po aq të fuqishme që përcjellin ato me të njëjtën dashuri për lexuesin sot, edhe pse vepra e këtij autori u përmbyll 33 vjet më parë, kur ai u nda tragjikisht nga jeta. Por ajo ka gjetur sërish jehonë tek një lexues tjetër e krejtësisht të ri, kryesisht në ribotime, si përmbledhja nën titullin “Mbama pak pallton, çun!”, tregime të zgjedhura, dhe e botuar më 2003, si dhe novela historike, “Kënga e fundit e Marko Boçarit” më 2002, tepër e pëlqyer, kur pa për herë të parë dritën e botimit në Tiranë, dhe që u prit jashtzakonisht mirë nga kritika e asaj kohe. Ndërkohë, që së shpejti do të ribotohet sërish romani, “Nomeja e largët ”, dhe ky, po kaq i vlerësuar si një arritje , jo vetëm për autorin e ri të asaj periudhe.

Në këto 20 vitet e fundit kur tek ne u rrëzuan gjithë barierat, e ku socrealizmi nuk është më ideologji zotëruese në art e letërsi, kuptohet qartë që; Faik Ballanca ka qenë dhe mbetet një shkrimtar i frymëzuar realist, një pararendës që i kishte këputur me kohë “zinxhirët”, për të qenë i lirë në lirinë e tij.

Ishte dhe mbetet edhe sot një shkrimtar i fuqishëm e thellsisht realist, që i bën nder letërsisë shqiptare.

Aleko LIKAJ http://aleko-likaj.blogspot.com/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora