E enjte, 25.04.2024, 11:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Sulmina: Lirika 'circe' e të shkruarit

E marte, 30.05.2017, 08:00 PM


Lirika "circe" e të shkruarit

Shënime për librin e ri të poetes Drita Lushi Sonata e Syve

Nga Shefqet Sulmina

Leximi i librit të ri poetik të poetes farmaciste, Drita Lushi ka qenë një cingli kureshtie që nga faqja e parë e deri në faqen e fundit për mua. E them që në fillim se magjia e saj në të shkruar i ngjan artit të Circes kur ishulli i saj vjen e pushtohet nga një grup detarësh me Odisenë në krye.

Një shi i lehtë bëhet përrua mbi mua”. Thotë poetesha në fillim të librit.

Unë nuk e kuptoj se ça duhej Odisesë që së bashku me shokët e tij do të shkelte nëpër lëndinat e ishullit të një gruaje?... Dashuria për tokë, etja për të pirë, etja për grua, lodhja nga deti? A ishte bëma e aventurave të Odisesë emblema e vërtetë e gjetjes në tërësi? Çfarë ishte Circe? Një mol, një Ishull, Një grua? Mos vallë në mendjen e Omerit ishte një gjysmë molle që kërkonte gjysmën tjetër të braktisur në emër të gjetjes?

Këtu fillon dëshira për të bërë një libër dhe për të lexuar një libër. Te gjithë e dimë se librat behën me letër, por nuk e dimë ënde si bëhet poetikisht një grua dhe një përrua. Unë besoj se poetesha Drita Lushi para se të bënte një libër, ka gjetur Odisenë e lodhur nga deti në lëndinat e saj prej gruaje. Vetëm se Odiseja i saj nuk i ngjanë Odisesë së Omerit, por Odisesë së sotëm dhe e sheh orë e çast përmes syve të poezisë së saj që mbajnë titullin e librit, “Sonata e syve”. Odisea i poetes është lexuesi. Të dy janë pushtues të përzjarrshëm si poetesha edhe lexuesi dhe ngjarja ndodh në një ishull të vogël sa një libër. Nga poezia “Shpirti” me të cilën hapet libri me dialogun e parë midis tyre Circia do ti tregoj menjëherë Odisesë shpirtin e saj dhe filozofinë e shpirtit.

Çudi me shpirtin!

Nuk sheh,

është miop,

s’të pyet,

papritur të thotë: “jo”

degdiset

vrapon,

Të jetojë dhe vdesë

tek ai që do.

Është e vërtetë, i thotë Odisea dhe i kujtohet kënga e sirenave, ndërsa pi gotën e parë me verë nga ishulli i  Circes. Circia vazhdon:

...në rruge shpirtra, pranverë dhe maj

D(r)ita zgjohet…

Shkumbini ngre oktavët

Pranvera lëkund me gjelb’rim edhe malet…!

Kjo është vendlindja, “ishulli” i saj... Në kokën e Odisesë, të lexuesit apo të një poeti, zbret Itaka e tij me konturët e saj. Vera në gotën e Odisesë bëhet më e dashur, por  një zë hyjnor duket sikur i flet atij: “iii ta ka me hile”, do të të mbaj në kopshtin e bukur të saj... Ndërkohë të tjerët miqtë e tij janë bërë “derra të nginjem” të Sokratit të vjetër. E harruan Itakën, u turren pas parasë dhe pushtetit... Circia jo. Madje as Odisea. Ajo kërkon të mbushi me dashuri, me burra dhe fëmijë ishullin e saj, për popullin e saj të grave.

Po rritet ime bije, thotë poetesha,

(e vogla ime e gjith’hershme!)

Përkundet, ëndrrave

Detit. Diellit,

Të fshehtave dhe të rejave,

... dhe vazhdon të tregoi për babanë e saj:

... Im atë, ishte një burrë i rrallë.|Ishte për mua, babë shok e vëlla…

Në kokën e Odisesë mbërrin Penelopa dhe Telemaku. Edhe Odisea është baba. Edhe ai ka fëmijë, një grua, një nënë.

Poetesha: Pallati ku banon ime më,|gumëzhinte dikur nga fëmijët|  tani thotë ajo,  Këmbehem në të rrallë me burra e gra, që vijnë të shohin në pallat pleq.

Odiseja vazhdon ta qëmtoj thellë në sy, por poetesha e inganon, kur shprehet:

Do të doja, të mbyllja sytë një moment,

dhe të shprehja një dëshirë…

por,

po e mbyll me kaq këtë letër…!

Natën e mirë!

Psikologjia Circe është kaq e ndjeshme përballë Odisesë së saj, i cili, gjendet i lodhur nga rruga e detit, sikurse lexuesi, prandaj poetesha i jep këtë kamomil...për të fjetur.

Odiseja vë buzën në gaz. Circia ndërron taktikë duke i thënë  edhe një poezi për mëngjesin ku ai do të zgjohet dhe mund të këtë dëshirën ta takoj:

Nëse ke vendosur të më

zgjosh mëngjeset me puthje,

e të më çelësh, çdo ditë të re…

Duhet, më parë…

Të më lësh… të fle….  më pas vjen poezia tjetër me titullin “Sonte dua ti përkas ndjenjës” që e bën Odisenë në një mbrëmje marramendëse, para kësaj gruaje plot ndjenja, plot zjarr dhe dëshira. Fjalët e saj janë pëshpërima erë dhe kanë një rrjedhë të qëllimshme për magjinë e saj. Ja si vazhdon:

Kur gishtërinjtë të formojnë

mes tyre, nota të dridhshme dashurie,

S’dua t’ia di më paskëtaj,

ç’do të këtë,

apo ç’diell do të ngrohë mbi ne.

Odisea tashmë ndjehet i dehur, i dehur ndjehet edhe lexuesi, por nuk janë të pirë, sepse asnjë burrë nuk është ndjerë i ngopur duke pirë një grua. E jo më një Circe. Mirëpo tani është vonë, sepse zjarri dhe afshi i një gruaje, ka shtrirë pushtetin në afshin dhe ndjenjat e tjetrit. Poezia e poetes vjen faqe pas faqe, lirikë pas lirike, duke zbuluar hiret e bukura të fjalës, të mendimit të saj dhe të filozofisë së saj. Poezia nuk përbëhet më vetëm nga mendime të forta dhe të shkëlqyera, ajo shndërrohet edhe më intime, më e nxehtë, më e këndshme. “ vjeshtën mund ta kthej

mbrapsht” i thotë Odisesë së lodhur, apo të një njeriu që trishtohet për ikjen e vjeshtës. Sepse ajo e di që në dashurinë midis njerëzve, nuk ka rëndësi koha, por intensiteti. Dhe këto gjëra i thotë plot mburrje, plot qeshje.

Ti, hiqesh i fortë,

sikur mendjen s’e vret;

sikur je i pathyeshëm…

i vendosur,

dukesh më shumë se burrë,

në ato ç’ka thua

Por, ja. .

ja që të mbahet pakëz goja,

kur flet me mua.

Libri është në poezi, por poetesha e ka kthyer në një “dialog” të shkëlqyer me “Odisenë “  e saj, sa të jep përshtypjen që këto poezi janë shkruar të gjitha për një mbrëmje, me yje, me pak zhurmë gjethesh të gjelbra  dhe me mëngjese që lindin.

Por,

do të të thosha,

që kam nisur të flas me gjestet e tua,

dhe shpesh përsëris ato që ti thua;

të të imitoj në zë, e në sy…

Por,

fjalë të mira, s’mund të të them ty.

Por,

mund të të them gjithashtu,

Që, teksa eci rrugëve të qytetit tim,

ku ka harta dëbore ende të pashkrirë,

dhe trotuare ende të ngrirë,

më ngatërrohen në hapa,

që në “ një… dy”…e deri në fund,

mendimet e çuditshme, për ty.

Por nëse ke vendosur, i thotë ajo Odisesë, (sepse Circia poetike e D.Lushit, është vetë liria dhe drita që u do njerëzve), duhet:

Të më duash vërtet (veç)mua,

Duhet të vish vetëm me një zemër!

Një zemër,

e cila ta këtë çdo dhomë të lirë,

të pastër e ajrosur mirë.

Dhe tek pragu e qark,

Të mos këtë askënd që pret,

Asnjë që troket.

Kuptove?

Mos qesh…

 

Circia e dinte që Odiseja kthehej nga lufta dhe për këtë i tregon luftën dhe puthjen... Edhe lexuesi i Dritës  është një lexues, punëtor dhe artist i kësaj kohe, që përveç të tjerash në jetë, është edhe i dashur i një gruaje për të cilën duhet ta çmoj. Dhe që të këtë puthje në buzë, i drejtohet ajo, Duhet më parë, së paku luftë”. Por, kjo luftë është grotesku, sepse lufta e saj është luftë karafilash. Kjo është poezia e saj” Kur grindemi” në faqen 33.

Në poezinë “edhe në...” poetesha e garanton edhe më tej të ardhurin e saj, lexuesin e saj, Odisenë, për ta joshur dhe dehur më tepër që ai të dashurohet me të dhe ishullin e saj, në rastin e Dritës, ishullin poetik dhe i thotë:

Edhe në paç gjithë botën kundër ti,|mua krah do më kesh gjithmonë.

Vazhdimi i këndshëm i teatrit të saj modest, është edhe kur ajo del prej  dhomës dhe merr yjet në vallëzim. Është gati të bëj gjithçka për të fituar zemrën e një burri që do. Këtë nuk e bën me opium, por me fjalë,  me zjarr dhe gjeste. Përpara saj rri gjithmonë një Odise që i duhet ta josh dhe jo ta mbaj peng. Kjo duket në poezinë “Kur jam e lumtur!”

Dhe sa herë jam kështu,

Ndihem edhe pak e çmendur, gjithashtu.

Vrapoj… dhe marr yjet një nga një në vallëzim.

Dhe Diellin provokoj…

Për shembull?

Këmbën i shkel me qëllim.

Mirëpo në një çast tjetër kthehet dhe thotë befas:

E unë, s’kam në plan të bie në dashuri;

sepse, s’mund...!

sepse, s’di...!

sepse, s’dua...!

Ja, pse është e rrezikshme

Ta bësh të qeshë një grua.

Por nëse kjo gjë nuk kuptohet nga ti, asgjë nuk do të ndodh, duket sikur thotë:

Dije se ke humbur një grua që të do.

Dhe më shumë se një emër,

Një Zemër.

Kur mos të të dua më…

Ka ende kohë…

Ende ka kohe…!

Dhe më pas nuk ndryshon qëllimi i saj, vetëm se ty, Odisesë, lexuesit i duket vetja në një djep që lëkundet dhe kujtohet që nuk është fëmijë, por burrë që duhet të përgjigjet. Nuk mund ta lësh pa përgjigje një grua që të do dhe do të mbrojë me një zemër të brishte. Sepse, nëse ajo të përkëdhelë si fëmijë, nuk kërkon të të lëndoj, për të të superuar:

Askush s’e di, që pas një burri të fortë si Ti,

Rrjedh një shpirt i butë,

Që unë e prek me fjalën time;

Askush s’e di, që pas një burri të fortë

Fshihet një zemër e brishtë

Që e ushqej me poezinë time…

KurrKush s’e di…

 

Në poezinë " dikush" poetja flet për dike që e bënë të lumtur, që shpesh ndez një fjalë apo dritë. Thotë "psenë" dhe me shaka përmend treqind vjet që, ky dikush e mban peng. Prandaj poezia e D. Lushit mbetet poezi rrëmbimi për atë që e lexon, ku të dyja palët, lexues-poet bëhen rrëmbyes dhe ajo madje vete denoncon se është e rrëmbyer. Në fakt poetesha është e rrëmbyer nga arti "Circe" i të shkruarit, ku më shumë se inganuese, ajo vetë është e inganuar.

Përballë,

ti gjerb kafenë në të rrallë

E tretesh në mendime,

Një botë - larg meje…

Në këtë poezi poetja nuk tregon se është një njeri që vetëm vrojton, por edhe të bën pyetje pa pyetur. Duket sikur kërkon të zhbiroj, të qëmtoj, të kritikoj, ti drejtoj e ti afroj njerëzit drejt ngrohjes.  Vetëm vargu i fundit: "Një botë - larg meje…" ka një filozofi " kaq të thellë, sa vërtetë nuk do ta gjente vetën një botë e terë. Poetesha duke përdorë antitezë e hiperbolë bashkë e quan njërin e sotshëm një botë të tërë për të... dhe një botë të ndarë për të. Mos poetesha e ka fjalën për botën që ajo e do ndryshe? Çfarë është kjo metaforë për te?  Kaq larg saj? Mos ka ardhur çasti që njeriu mos ti besoj dhe të mos dije se ku ka vetën?!Mos vallë  se Askush nuk do ta dijë për askush?|Në jemi apo s’jemi,|brenda mureve tona prej mishi e gjaku,|përderisa mërmërimat nuk arrijnë britmën e zemrës. |Ndërsa kemi humbur brenda mureve tona…  ose : “Dikur”

Një sobë me dru.

Dy divane,

Një tavolinë druri

që na mblidhte darkave...
.......................................
Sot

Tavolina është plot

Dhe kurrë s’mbaron;

Kolltukët shemben nga jastëkët;

dhe njerëzit, s’darkojnë me njerëzit

por me qentë.

Qentë grinden për një kockë... Poetesha nuk shpjegon dhe bën mirë, se pse qentë grinden për një kockë, ndërsa disa njerëz gjejnë vetën midis tyre. Poetesha është e bindur për progresin e të jetuarit, që nuk është vetëm burim i material-izmit, por edhe burim i ideal-izmit. Bota e luksit, në të pasur të njeriut duket sikur e ka bishtin prapa në thënien e “sokratiane të nginjem”. Ajo kërkon mirëqenien e njeriut në progresin material dhe shpirtëror dhe thotë hapur se dikur ishim më tepër njerëz dhe midis nesh më të afërt.

Shpesh me figurat letrare qe përdorën nga poetesha, të vjen rrufe përgjigja " ..se e dija edhe unë këtë gjë, por nuk e thashë. Mirëpo poezia është pasqyrë e së diturës estetike për të cilën ne shpesh harrojmë tija themi themi njëri-tjetrit dhe harrohemi tija themi edhe vetës. Kjo është modestia e poetes që nuk merret me tema të madha, por zhbiron të thjeshtat e së përditshmes, duke e bërë edhe poezinë e saj një instrument pasqyror, estetik dhe filozofik.

Imagjinata vetvetiu të pikturon me fjalë mendimin se fjalët që ndërtojnë pemën e poezisë së D. Lushit, nuk janë fjalë, por pëshpërima të mençura të një gruaje, që e kanë rrënjën në shprehjen që " e di që ti i di, ndaj unë po të ftoj që ti kujtojmë së bashku". Sepse konceptimi i saj në të shkruar është bashkëbisedimi dhe jo vetërrotullimi. Duke fole në vetën e parë, poezia rëndohet, sepse poezia është gjallesë  e shumë vetave dhe nuk ka "un". Kur tërheq “uni” forca poetike e poezisë lodhet dhe bie. Pesha bie e terë mbi lexuesin që edhe ai lodhet. Mirëpo D. Lushi, me talentin e saj “circe”, krejt  artistik, nuk kërkon ta lodh lexuesin, të dashurin e saj virtualë pa të cilin nuk ka kuptim poezia e saj.  Kjo duket në poezinë: “Brenda një ore ...” ku mendimi dhe fjalët kanë kaq harmoni, kaq filozofi, kaq kundërshti, kaq “urdhra” dhe kaq reminishencë, sa poezia i ngjanë një shilarësi

Brenda një ore

Mund, mos të të puth asnjëherë,

Por, të bëj të më duash pikërisht për këtë.

Brenda një ore,

mund të jetoj-më një jetë të tërë…

dhe e gjithë jeta të mbarojë pikërisht në  atë orë…

Oh, ju se dini se ç’mund të ndodhë në një orë!

Po cila është ajo orë për poeten dhe për lexuesin? Çfarë raporti ka koha me atë që bëjmë, tërë jetën apo brenda një ore,  kur vendosim për diçka, ose bëjmë diçka? Nuk më përket mua të zhbiroj deri në fund këtë poezi të bukur për kontekstin e saj që ka.

kur jemi---

mund të nënqeshësh,

Ose, thjesht të mos besosh.

Por,

Nëse do të dëgjosh duke të thënë, “të dua”, këtë duhet besosh

vërtetë.

Enumeracionet, paradokset, super metaforat, qe poetesha shpesh përdor janë krejt spontane, të krijojnë një fresk të lehtë e të natyrshëm, sa duket sikur ajo nuk shkon për ti peshkuar,ato mbijnë vetvetiu në rrjedhën e mendimit. Sepse burimi i mendimit për të thënë diçka fillon nga një mendje e dëlirë dhe e formuar. Ujërat e pastra të maleve e bëjnë vetë udhën, po kështu edhe mendimet e një gruaje si Lushi, kur thotë: “ Një shi i lehtë bëhet përrua në mua...”. Poezia e saj nuk kërkon luftë midis vetave, por një dialog pranverë e maji. Edhe pikërisht në këtë dialog miqësor, ngrihet prapë veta e saj, por me diçka tjetër më filozofike dhe pse gjithmonë duke buzëqeshur dhe dialogë me lexuesin. Duket sikur thotë që, një grua ka një limit fizik "dashurie", por që dashuria e saj është gjithkund, përtej kufijsh... ju s’e njihni të dashurin tim …( shumë herë ajo nuk flet në emër të saj, vetëm se përdor gjuhën artistike “ circe” me të cilën pozon mendimet e saj).

Unë e kam treguar Atë çdo herë, për ju;

Kur i kam shkruar dashurisë,

kur u kam shkruar (l)ojnave

(k)odeve të gëzimit dhe puthjeve

Dhe kur të them “Të urrej e kurrë s’do vij të të

shoh”…kurrë mos më beso.

Sepse s’besoj as veten kur e them këtë.

Dashuria intime në këtë poezi shprehur "circe", i largohet "egos" se gotës vetjake me ujë për dashurinë e pastër dhe shndërrohet, në një lumë, në një oqean. Pra, arti "cirece" në përdorimin metaforik i përdorë prej saj, do të thotë të të deh, për të qenë ti lirë. Sepse jo të gjitha dashuritë flasin. Shumë herë fjalët bëjnë mjaftë zhurmë dhe heshtja mjaftë muzikë. Poetesha D. Lushi do tija tregoj të gjitha lexuesit, pikërisht për ta bindur që është ai i dashuri i saj(!).

Dhe kur të them “Të urrej e kurrë s’do vij të të

shoh”…kurrë mos më beso.

Sepse s’besoj as veten kur e them këtë.

Këto?

vetëm nëse jam e pushtuar nga Dashuria.

Ndryshe?

Nuk ndodh asgjë, asnjë nga këto…!

Madje ajo orë, kurrë s’do të ekzistojë.

Në poezinë "rigjetje" poetesha është grua dhe nënë, një grua që beson dhe pëlqen mbrëmjet me yje, sepse midis tyre gjen zjarrin për të dashurin dhe nën yje behët nënë me lindjen e bijës ku prapë gjen ATË ne këdo yll që bije...Dhe nëse ky qiell, për njeriun mbaron, poetesha është e bindur se ai është në sytë e së bijës.

Ndonjëherë veten humb,

E tretem në çdo yll, që bie…

Dhe prapë ATË rigjej

në sytë e sime Bije.

Me se e shtron poetesha tryezën poetike të saj? Grama  ti ka dhe teoria “circe” nuk reshtin në ingamimet e mëtejshme edhe ne poezi të tjera. Kjo dukuri fillon qe në titull te poezisë që poetja prezanton dhe me tej, në shtjellimin e saj.

Sytë

Ah, sytë, sytë!

Kur janë larg, qielli ndahet përgjysmë

...................................

................................

Ah, sytë. . !

S’duhet ti lije peng tek unë

As unë tek ty, të mitë!

Titulli i poezisë : “ Po të kishe një vajzë”,  është një poezi kur autorja hidhet drejt për së drejti për ti dhënë “ thelën e madhe “ të të dashurit të saj. Ose jo. Të kesh ti si burrë një bijë, kthehet dhe i thotë ajo, se ndryshe...  Poetesha e shfrytëzon këtu mjaftë mirë forcën shprehëse të gjuhës shqipe që shpesh të vë para mendimesh abstrakte. Me fjalën “vajzë” poetesha krijon nëntekste të thjeshta, por me mjaftë mjaltë për filo zo fijen e jetës. Paradoksi për poeten është kaq i natyrshëm, sa pothuaj e përshkon terë librin. Nganjëherë të duket sikur është kaq e mefshtë sa duket sikur nuk orientohet dot dhe nuk e ka konceptimin e kohës dhe shtrirjen  e objekteve  në gjeografi. Dhe pikërisht, këtu, është pika më kulmore që ajo merr e shënon karafila në zemër të bashkëbiseduesit të saj, lexuesit që në tërë librin është i dashuri i saj pa emër, pa moshë dhe pa gjeografi. Dhe  surpriza,  inganimi vazhdojnë.  O  i dashuri im pa emër, më dëgjo deri në fund!

Unë do të doja që ti të kishe pasur një vajzë… Ndryshe?

po të kishe një vajzë?

Unë do të doja që ti të kishe pasur një vajzë…

Poezia dhe poezite vazhdon nga vetë autorja dhe unë nuk dua as të analizoj më tepër, vetëm se kur lexova emrova formën e shkelqyer të artit të saj të të shkruarit “circe”.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora