Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hamit Taka: Këngët e mallit

| E hene, 29.05.2017, 10:14 AM |


Hamit Taka

KËNGËT E MALLIT

-cikël-

* * * * *

Më ike, o bir, herët në kurbet

Dhe kokën s’e ktheve më prapa!

Me tinguj malli ende trokasin

Në zemrën time ata hapa!

 

Si e harrove, o xhan, ti shtëpinë!

Si s’të dhimbset më ky vendi yt!

Edhe nusja, që e le pa sqimë,

Këndon çdo ditë një këngë të trishtë!

 

Ajo tani është me atë tjetrin,

E gjora s’na shikon dot në sy,

Po të madh e ka ende respektin

Për babanë, që e sheh me zili!

 

Në breg të lumit shkon ai i shkreti,

Qan atje si foshnjë me lot,

Kujton “anijet” që nisje drejt detit

Ngarkuar me ëndërra e dëshira plot…

 

* * * * *

Nga shtëpizë e vjetër

Ç’më ngroh ky zjarr i nënës,

Mbi çatinë me rrasa

Përthyhet dritë e hënës,

 

Vjen e zbetë tek unë

Rezja në dritare

“Si, më thotë e prekur,

E harrove nënën fare?”

 

Pranë vatrës nëna

Kruset e mërdhinë…

I nis mallin e thekur

Gëzof t'ia vesh shtëpinë

 

Oh, puthmë, moj nëna ime,

Në ëndërr dhe në gjumë,

Në gushë e faqe puthja-

Dallgë e bardhë shkumë;

 

Ke parë, ti, luzma bletësh

Mbledhur degës në pyll,

Ashtu i ndjej unë netësh

Kur gjumi sytë m’i mbyll;

 

Ah, moj nënë, nënë!

Do të mbrij një dit’atje

Do të ngrej në krahë

Si era grurin ngre!

 

* * * * *

Po ti na e bëj një zile, o bir,

Të mbushet shtëpia me mallë

Si atëherë kur luga kërciste

Në tasin e mbushur me dhallë!

 

Çoi dhe nuses të fala, shëndet,

I thuaj një gënjeshtër së largu

Falje i kërko për ato vjet

Kur gjëmonte dashuria te pragu!

 

Si pëllumbeshë hynte e dilte

Dhomat na i mbushte me gëzim,

Flet më fletë flladi frynte

Ilaç më bëhej për shërim!

 

Le të varte kokën babai

Kur e puthje prapa derës

“Sa i lumtur qe, thotë, qeratai

Sa mirë do ishim ne të tjerët!”

 

Do të mbanim ne nipçet në duar,

Me këngë do na mbushej jeta

Dhe hëna do të dilte e gëzuar

Si lodër do varej mbi plepa!

 

Po, nejse, të të ketë nëna mirë!

Ruaj shëndetin, bëj kujdes!

Në se një ditë ti vjen me dëshirë

Krahëhapur nëna do të presë!

 

Dhe gjumi atëherë s’do t’më zërë

Gjersa nusja të na kthehet prapë,

Atë tjetrin ajo do ta lërë

Në krahët e tu do hidhet me vrap;

 

Do të jemi, o bir, të lumtur

Familjarisht të gjithë së bashku,

Kur të kalosh me nusen e bukur

Do këndojë e gjëmojë sokaku!

 

Veç gaz më paç, o bir, shëndet!

I lumtur qofsh, gëzofsh rini!

Shokë e miq më paç përrreth!

Mos mbetsh qyqar në vetmi!

 

* * * * *

Ti thua se të lash, shan dhe mallkon?

Atje rreth teje zemra ruan, vigjëlon;

 

Mallin e merr era, përkund arat me grurë

Më sjell këtu aromën e bukëve në furrë;

 

Shpesh mbrëmjes këndoj nga halli jo nga malli

I butë si qerpiku yt rëndon gjumi te balli;

 

Si thëlëzë që fle lëndinës në trifil

Në ëndërr më del vajza mbi gjoksin tënd e shtrirë;

 

Çohem në mëngjes, ç’shikoj në pasqyrë?

Fllade krahët e tu drejt qafës sime mpirë;

 

Gruaja ime e bukur, moj e mira, moj,

Lermë të të themë ca fjalë të ëmbëla hojë;

 

Deti le të thahet, qielli le të ngrijë

Ti mua pritmë, pritmë se do të vij!