E enjte, 28.03.2024, 11:06 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Kombi ka nevojë për filiza të ri

E premte, 26.05.2017, 08:35 PM


KOMBI KA NEVOJË PËR FILIZA TË RI NË TRUNGUN E VJETËR POLITIK

PARLAMENTI I PARË DHE PARLAMENTI I ARDHËSHËM SHQIPTAR

Nga Frank Shkreli

Ndërkohë që përzgjidhen kandidatët për deputetë në Shqipëri dhe në Kosovë, kujtojmë parlamentin e parë shqiptar. Pas marrëveshjes Rama-Basha, partitë politike shqiptare kanë filluar konsultimet me bazën për të përzgjedhur kandidatët e mundëshëm për në parlamentin e ardhëshëm që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.  Gjatë këtij procesi, merret me mend, se të pakën, sa për sy e faqe, partitë do të përpiqen të evidentojnë persona kandidatë, që përveç besnikërisë së tyre ndaj partisë dhe posedimit të aftësive bazë që kërkon detyra për të kryer punën e parlamentarit, kandidatët potencial për në parlamentin e ardhëshëm, të jenë edhe njerëz me integritet dhe të cilët gëzojnë njëfarë reputacioni si individ dhe si shqiptarë, në fushën e veprimtarisë së tyre, në rrethin ku jetojnë.

Kështu shpresohet, ndërsa partitë politike kanë deklaruar se do të zgjedhin njerëzit më të mirë, më me reputacion dhe pa konflikte interesi.  Thuhet se partitë e mëdha po përpiqen të zgjedhin edhe kandidatë në moshë të re, të cilët mund të jenë të aftë të mendojnë dhe të veprojnë, “outside the box”, jashtë përcaktimeve të politikës së partive, njerëz të cilët ndoshta nuk e ndjejnë veten edhe aq shumë të lidhur me partinë, por që mund të veprojnë edhe pavarsisht partisë. Por, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe.

Në këtë periudhë parazgjedhore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është një rast i mirë ndoshta për të provuar diçka krejt ndryshe nga e kaluara në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhëshëm për në kuvendet e dy shteteve shqiptare.  Që besnikëria ndaj partisë të mos jetë kualifikimi kryesor për një kandidat në parlament, por të jetë aftësia profesionale, mbi të gjitha, dashuria për Atdheun si dhe vullneti për tu shërbyer të gjithë shqiptarëve dhe të mirës së përbashkët, ndërtimit të shtetit të lirë e demokratik, ku të marrin pjesë të gjithë në sofrën e përbashkët, pa dallime politike dhe partiake. Fatkeqsisht, deri tani, devijimi nga vija politike e partisë nga individë memendime ndryshe, është ndëshkuar rëndë nga partitë.  Por, pa liri mendimi dhe veprimi nga antarët e parlamentit të ardhëshëm, qoftë mbrenda partive politike, qoftë pavarësisht tyre, vendi nuk do të ketë liri të plotë as në fusha të tjera në shoqërinë e gjërë shqiptare.  Me këtë mentalitet, Shqipëria dhe Kosova do vazhdojnë të jenë midis vendeve që konsiderohen si gjysëm të lira.

Megjithse shpresa vdes e fundit, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe. Kemi pasur të bëjmë me parlamente jo funksional, të njohur për mosmarrveshje, sharje, debate të denigruara, konflikte politike, që madje kanë përfunduar edhe konflikte fizike. Edhe më keq, vërejtësit shpesh u janë referuar si parlamente krimi.  Si përfundim, në këtë periudhë parazgjedhore parlamentare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ndoshta ia vlenë që nëqoftse jo partitë, atëherë votuesit shqiptarë -- ndërkohë që po vlerësohen kandidatët e ardhëshëm për parlament -- të pyesin veten: a duam një parlament ndryshe, në krahasim me parlamentet e periudhës post-komuniste të deritanishme, dhe cilët janë njerzit që duan t’i përfaqësojnë ata në tempullin e demokracisë.

A do të kërkojnë votuesit shqiptarë me këmbëngulje një parlamentarizëm të ri, që do të pasqyronte vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike?  Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se gjërat deri tani nuk kanë shkuar aspak mirë dhe njëkohsisht të pyesin veten:  Cilët duhet të jenë parlamentarët e ri që do të përfaqësojnë vërtetë interesat e kombit shqiptar dhe të cilët, me punën e tyre, mundësisht do të lindin pranvera të reja shqiptarizmi të vërtetë dhe tradicional, bazuar në vlerat historike të kombit, përfshirë edhe ato të trashëguara nga disa prej antarëve të parlamentit të parë shqiptar, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallime politike, fetare ose krahinore.

Gjenerata e re aktuale politike e shqiptarëve, mund të marrë shembull nga breznitë e vjetëra politike të kombit, përfshirë edhe anëtarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Mund të thotë dikush çfarë na duhet të shikojmë pas, duhet të shikojmë drejtë ardhëmërisë sonë.   E vërtetë, por po t’u hedhim një sy emrave të burrave që përbënin parlamentin e parë shqiptar, është e pamundur të mos vlerësojmë sot se ata ishin jo vetëm interpretuesit por edhe praktikuesit më të spikatur të atdhedashurisë dhe të shpirtit të fisit arbënor.  Ata ishin gjithashtu edhe promovuesit dhe realizuesit e fortë të shprehjes së vullnetit të popullit -- nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për politikanët e sotëm ose të ardhëm.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij gjithnjë aktuale në politikën shqiptare.  Parlamentarët e ri që do të zgjidhen muajin e ardhëshëm -- si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri -- kanë shembuj për të ndjekur, për mirë.  Janë shembuj, antarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Këta patriotë ishin kryesisht mbrojtës të vlerave shpirtërore dhe të trashëgimisë kombëtare.  Politika e shqiptarëve sot duhet të jetë tepër e kujdesshme që të ruhet nga influencat e huaja djallëzore antishqiptare– që me sjelljet e tyre, sidmos në marrëdhëniet politike me njëri tjetrin, të mos sjellin ujë në mullijtë e atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën kombit shqiptar.  Si Tirana ashtu edhe Prishtina duhet të kenë kujdes nga ata që trumbetojnë vëllazërim me popullin shqiptar në emër ideologjishë dhe interesash ekonomike. Ata mund të kenë ndryshuar për nga mënyra e veprimit, por jo qëllimet e tyre të influencës dhe të zotërimit.  Mesazhi i parlamentit të parë shqiptar është: “Merrni fatin e vendit në duartë tuaja”, duke krijuar një gjëndje politike, ekonomike, shpirtërore dhe shoqërore, që e bëjnë jetën të denjë për tu jetuar nga të gjithë shqiptarët në trojet e veta.

Parlamenti i parë shqiptar (27 mars 1920 - 20-dhjetor 1020), u krijua nga Kongresi i Lushnjes, si organ legjislativ, përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga delegatët e Kongresit, të cilët “në mënyrë të organizuar politike shprehën vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta”.  Ishte kjo një brezni plot dinjitet patriotësh shqiptarë që hapi rrugët e lirisë dhe e cila filloi -- nën kushte tepër të vështira -- ndërtimin e shtetit shqiptar.  Siç tregon edhe fotografia më poshtë, shumë prej tyre janë ndër kolosët e historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilët gjithnjë vazhdojnë të hedhin rreze ndriçimi patriotizmi dhe diturie për të gjithë brezat e shqiptarëve.

Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër – të cilët do të zgjidhen në parlamentin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës muajin që vjen si përfaqsues të popullit, të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e oligarkëve dhe interesat e tyre.  Që të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe njëkohsisht të ndjekin shembullin e antarëve të parlamentit të parë shqiptar për patriotizëm dhe atdhedashuri, duke hapur kështu udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave kombëtare që shumë prej këtyre burrave të dalluar të kombit të fillim shekullit të kaluar, u lanë pasë trashëgimi shqiptarëve për të gjitha kohërat.

PARLAMENTI I PARË SHQIPTAR:   Emrat sipas rreshtave, nga e djathta në të majtë: 1¬Llambi Goxhomani, Bahri Omari, Ali Koprenca, Milto Tutulani

2¬Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, Shefqet Vërlaci, Osman Haxhia, Ahmet Zogolli, Eshref Frashëri

3¬Shefqet Daiu, Ali Këlcyra, Kolë Thaçi, Halit Rroji, Banush Hamdi Bega, Qemal Vrioni, Ahmet Hastopalli, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati, Pandeli Cale, Anton Beça

4¬Spiro Koleka, Shuk Gurakuqi, Masar Këlliçi, Rexhep Mitrovica, Spiro Papa, Agatokli Xhitoni, Leonidha Frashëri, Syrja Pojani, Stavri Vinjau, Patuk Saraçi, Taqi Buda, Ibrahim Xhindi

5¬Leonidha Koja, Koço Tasi, Mustafa Kruja, Qazim Kokoshi, Loni Kristo, Bajram Fejziu, Mustafa Maksuti, Qemal Mullaj, Sejfi Vllamasi, Bektash Cakrani.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora