E enjte, 18.04.2024, 03:08 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Shkreli: Deri kur më kështu me shiptarët nën Mal të Zi

E enjte, 25.05.2017, 07:05 PM


DERI KUR MË KËSHTU ME SHQIPTARËT NËN MAL TË ZI

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën, me 25 maj në Bruksel, takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s.  Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg të mërkurën, thuhet se takimi i Brukselit do të jetë i shkurtër por i rëndësishëm, pasi do të mbledhë udhëheqësit e 28-vendeve aleate. Takimi i udhëheqësve të Aleancës, do të dërgojë një mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Në njoftimin e NATO-s për media, thuhet se Kryeministri Markoviq i Malit të Zi do tu bashkohet udhëheqësve aleatë të NATO-s, ndërkohë që parlamentet e të gjithë 28 vendeve anëtare të aleancës perëndimore e kanë miratuar tanimë antarësimin e Malit të Zi në NATO.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë. Presim me kënaqësi që me 29 qershor, Mali i Zi të bëhet zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës, NATO”, ka thënë për gazetarët, Jens Stoltenberg.

Nga kryeqendra e Aleancës Perëndimore në Bruksel, le të këthehemi tek realiteti politik në Balkan, pikërisht në Malin e Zi dhe gjëndjen e shqiptarëve atje, në një vend që muajin që vjen bëhet anëtari i 29-të e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO.

Ndërkaq, në këtë atmosferë euforizmi për antarësimin e Malit të Zi në NATO, është e pamundur që të mos na tërheqin vëmendjen disa zhvillime të kohëve të fundit në Mal të Zi, pikërisht, përsa u përket shqiptarëve autoktonë në trojet e veta shekullore, në atë shtet.  Portali Ulqinionline ka njoftuar ditët e fundit   reagime të medias malazeze në lidhje me disa veprimtari krejtsisht inocente nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në rrethin e Ulqinit: njëra ka të bëjë me një ndeshje sportive, ku është shpalos flamuri shqiptar dhe tjetra ka të bëjë me një ekskurzion që bëhet çdo vjetë në Malin e Rumisë. Janë këto dy ngjarje të kohëve të fundit që prekin të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, e të cilat  janë bërë temë shkrimesh e diskutimesh antishqiptare në median malazeze. Reagime të tilla,   nuk i kanë hije një medias të një vendi që së shpejti do bëhet zyrtarisht anëtar i NATOs dhe njëkohësisht nuk i sjellin nder as nuk e bëjnë krenare qeverinë dhe as shtetin malazias ,që në prak të antarësimit në NATO, mediat e saj deklarojnë se valvitja e flamurit shqiptar në një ndeshje futbolli dhe një ekskursion ose një piknik pranveror në maje të Rumisë, janë ngjarje që destabilizojnë vendin.  Sipas disa mediave malazeze, flamuri shqiptar pranë të cilit së shpejti do të valvitë edhe flamuri malazez në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, na qenka shenjë destabiliteti për Malin e Zi.

Sipas Ulqinionline dy të përditshmet malazeze, Dan edhe Vijesti, si kryelajm kanë vendosur aktivitetin e shqiptarëve në Rumi por duke i dhënë kahje krejtsisht tjetër nga realiteti.  Është e çuditshëme se si një piknik i shqiptarëve dhe i etnive tjera ze vend në faqet e para të gazetave më të mëdha në Podgoricë, duke paralajmëruar se një aktivitet i tillë “kamping”, që mbahet çdo vjetë -- pra nuk ka gjë ndryshe as sivjet -- kërcënon sigurinë e shtetit malazias.  Sipas portalit Ulqinionline, fotografi me thikë dhe sopatë në duar, të domosdoshme për kamping, kanë qenë të mjaftueshme që mediat serbe, konkretisht portali me emrin IN4S, të zbulojë “skandalin” e radhës. “Shqiptarë me uniforma dhe të armatosur, okupojnë Ruminë në Ditën e pavarësisë së Malit të Zi”, ishte titulli i këtij portali rreth daljes së përvitshme të qytetareve të viseve shqiptare e më gjërë, në maje të Rumisë.  Portali malazias ankohet se pse nuk kanë reagur autoritetet shtetërore ndaj këtij skandali të shqioptarëve dhe rrezikut që paraqet për stabilitetin e Malit të Zi.

Rasti tjetër për të cilin u dha alarmi ishte një ndeshje futbolli në Ulqin, ku tifozët vendas kishin shpalosur Flamurin Shqiptar. Për këtë “shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë në vend, njoftohet se, komisioni për gara pranë Federatës Malazeze të futbollit, para disa ditësh, ka filluar procedurat disiplinore kundër skuadrës së futbollit, “Otrant Olimpik” nga Ulqini për shkak të organizimit të dobët, sipas saj, të ndeshjes së javës së kaluar kundër ekipt të Ibrit nga Rozhaja.  Media ulqinake njofton se “organizimi i dobët”, sipas këtij Komisioni, kishte të bënte edhe “me shpalosjen e flamurit shqiptar në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes së skuadrave, Otrant – Ibër.  Klubi ulqinak madje është dënuar me qindra euro dhe masa të tjera disiplinore për “organizimin e dobët” të ndeshjes.  Njoftohet se personi që ka shpalosur flamurin shqiptar, Shpëtim Osmani të jetë ftuar nga Dega e Punëve të Mbrendshme në Ulqin për një “bisedë informative” sepse ky zotëria, duke shpalosur Flamurin Shqiptar në stadium, na paska shkelur rendin publik dhe paska prishur qetësinë.  E vetmja gjë pozitive nga gjithë ky mes është njoftimi se skuadra e Ulqinit ka shënuar, sipas medias vendase, fitoren më të mirë dhe më të rëndësishme të këtij viti.

Këto ngjarje kanë shkaktuar, me të drejtë, revoltim dhe shqetësim në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi.  Është e pabesueshme se shpalosja e një flamuri, cilitdo flamur dhe e cilitdo vend, në një ndeshje sportive, të konsiderohet si një akt armqisor që destabilizon situatën dhe prishë qetësinë në një vend, si Mali i Zi, në prak të antarësimit në NATO.  Për më tepër, kur flamuri që shpaloset në territorin e tij nga qytetarë të tij, në trojet e veta shekullore, i përket gjithashtu një vendi anëtar të NATO-s, Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo.

Komentet në portalet vendase dënojnë këto akte si të turpshme për shtetin malazias që toleron gjëra të tilla, por kritikave nuk u shpëton as klasa politike shqiptare në Mal të Zi, me përjashtim të subjektit politik Ura, raporton portali Ulqinionline. Sipas medias vendase përfaqsuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, nnuk ka reagur ndaj këtyre masave anti-shqiptare dhe as nuk ka kritikuar median malaleze e cila me shkrimet e saja acaron marrëdhëniet ndër-etnike në Mal të Zi.  Mungesa e reagimit të subjektit shqiptar në Mal të Zi, ndaj këtyre dukurive të fundit në rrethin e Ulqinit, përfshirë edhe aktivitetet e përfaqsuesve të Kishës Ortodokse serbe, kohët e fundit,  në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, është në vetvete një skandal. Skandal, mbi skandal!

Por duke reaguar ndaj këtyre dukurive, Asdren Çelaj, Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve – Guci, në një shkrim të kohëve të fundit u drejtohet subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi duke u bërë thirrje për reagim ndaj dukurive të fundit: “Folni burra nga një fjalë se nuk bâhet kijameti, mos u frikësoni, nëse asgjë më tepër nuk mund të bëni, të pakten folni sepse nuk keni arritë në ato pozita me votat e Cetinjes, por me votën e popullit shqiptar, me votën e popullit tuaj!  Shqiptarët nën Mal të Zi nuk kanë flamur tjetër, përveç shqiponjes dykrenëshe, nuk kanë vend tjetër pos tokave të tyre autoktone, e nuk mund të ikim e as do të ikim nga trojet tona, sado që ky shtet të përdor masa shtërngimi, të tilla si rastet i fundit!

Për derisa shqiptarët vazhdojnë të ndjehen si të huaj në shtëpinë vet, as Mali i Zi dhe as Ballkani nuk do të ketë paqë e stabilitet.  Nuk është shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive, që është diçka krejt normale në mbarë botën, ajo që destabilizon Malin e Zi.  Por janë masat ndëshkuese të Podgoricës zyrtare ndaj shqiptarëve autoktonë -- duke u mohuar të drejtat etnike dhe identitetin e tyre kombëtar – ato që destabilizojnë Malin e Zi dhe shkelja e të drejtave bazë të njeriut shqiptarëve të Ulqinit me rrethe, të drejta këto të njohura nga të gjitha konventat ndërkombëtare mbi të drejtat bazë të njeriut.  Sjelljet e Podgoricës nuk janë të denja për një vend anëtar të NATO-s.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora