E shtune, 20.04.2024, 02:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Kurrize të ngarkuara malesh

E merkure, 24.05.2017, 05:03 PM


KURRIZE TË NGARKUARA MALESH…

 

QAZIM D. SHEHU

 

Në klithjen e një zogu shpaloset

Vijë e horizontit,

Mbi kurriz malesh soset,

Vetëtimë e ndrojtur.

 

Sa herë më duhej ta mendoja

Shkop kërcënues fati,

Po ku ishin duart që e mbanin

Së gjeri e së gjati.

 

Tufa  fjalësh nisja,

M`i kthente  zogj të hutuar,

Përzhiste kurrizë malesh,

Kjo vijë zjarrduruar.

 

Agimi e mbante ndezur,

Mbrëmja e shuante me mundim,

Këtë vijë: trafik ëndrrash

Plot përdëllim…

 

 

KAFAZ

 

Për Ezra Paund a ishte e drejtë,

Për një vajzë përse duhet,

Pse për bilbilin e të madhit Mjedë,

Kafazi thuret?

 

Shfryj zemërimin si në shi përrenjtë,

Dhe s`e gjej që s`e gjej

Pse

Në kafaz të mbyllen

Të dobëtit dhe të mëdhenjtë?

 

Liri  marrin maskarenjtë…

 

 

KËPUCA E NJË VAJZE

 

Me shpatulla në  qiell e vështrim thellë

Në gurët e zallit  si luspa gjigandi

Ndryrë nën male,

Rrija mbi breg.

 

Nën pemë, ku një sheleg reje

Qe varur kot,të therejej prej vetmisë.

Dhe mendoja ç`janë këto luspa

Mos në to një vajze iu ngurtësua këpuca

Dhe këta gurë ku janë gjendur

Ndoshta bregu prandaj u bë rrudha rrudha

Edhe pse në zall lagu këmbët?…

 

Si ecën koha,si ikin njerëzit

Dhe gurët ngurtësohen edhe më,

Herë vjen zalli me rrëmbim përrenjsh

Që hidhen pjerrësive të malit

Gurët shndrit, dhëmbë Ajkune,

Dhe ata mbeten aty dhe s`e çlirojnë që s`e çlirojnë

Nga ngurtësimi imazhin e asaj këpuce…

 

 

LOJË E PAKUPTUAR

 

Duhej të mbanim shumë emblema

Madje edhe skeptër dhe kurora,

Po të gjitha na i vodhën mbretërit

Duartrokitje na lanë tek dora.

 

Në vend që duart  të na hanin për punë

Na hanin për përplasje,

Madje, madje, edhe për dhunë

E s`na vinte tjetër qasje…

 

Tani s`dimë ç`të bëjmë me emrin tonë,

E ngremë me një vështrim të qorruar,

Po edhe mbretërit që  hipën në fron,

U harruan...

 

 

GËNJIM

 

Ditët rrotullohen,

Vihen në radhë,

Midis tyre një pikë rri:

Pulbardhë.

 

Mbi det të halleve lëviz,

Gjer zhduket krejt,

Ditët sërë sërë mund të radhis,

Pika midis u rrëshqet.

 

Të jetë pulëbardhë apo mos jetë,

Kjo pak ka rëndësi,

Po për pulëbardhë e marrim vërtetë,

Pikën që sipër na rri..

 

 

I LIGU

 

Brenda fjalës së mirë punon i ligu,

E ëmbëlson atë si karamele.

Në sytë e tij gjysmë të fikur,

Merr stuhi një dredhëz ere…

 

 

GJURMA

 

Mbi gjurmë të vjetra, gjurmë të reja,

Rruga, libri mban.

Mbi një re të tretur shtrohet reja,

Për të parën sikur qan.

 

Mbi një shtresë vihet një shtresë,

Fryn era, të vjetrën zbulon.

Mendtë prej kokës të ikin për besë,

Kur për të vjetrën gjurmë e re firon…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora