E merkure, 24.04.2024, 06:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Rrëfenjat duhen

E hene, 22.05.2017, 06:44 PM


RRËFENJAT DUHEN PËR ÇDO GJYSH E PRIND!

Bardhyl Xhama në librin: “Dora me baltë, buka me mjaltë”.

Nga Kadri Tarelli

Vetë titulli i librit “Dora me baltë, buka me mjaltë”, e autorit të shumnjohur në fushën e letrave për fëmijë, të fut në botën e këshillave dhe fjalëve të urta, aq të bukura e të dobishme për të gjithë njerëzit, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët rriten e përgatiten për jetën, me të priturat dhe të papriturat e saj. Autori është njohës i mirë i jetës, si nga çka mësuar nëpër libra nga të diturit e botës, ca më shumë nga mençuria e të moshuarve nëpër kuvende, madje edhe nga përvoja e gjatë vetjake. Ai, në vazhdim të disa botimeve të mëparëshme, është përpjekur të na japë një tufë me përmbledhje rrëfenjash të bukura me vlera të shumta edukative për jetën dhe punën, emrin dhe nderin, mjaltin dhe zeherrin, grindjen dhe sherrin, varfërinë dhe pasurinë, tokën dhe shtëpinë, forcën dhe trimërinë, fuqinë dhe zgjuarësinë, fjalën dhe besën, guximin dhe shpresën.

Ky libër i vogël, është një punim i shumëduhur, i shumëkërkuar dhe i mirëpritur nga gjyshërit, për t’i kënaqur nipërit dhe mbesat në netët e gjata të dimrit, më së shumti nga prindërit, kur u flasin dhe këshillojnë fëmijët, pa qënë nevoja të thërrasin e të bërtasin me zë të lartë, madje i kërkuar dhe i nevojshëm edhe nga mësuesit nëpër shkolla, për leximet dhe veprimtaritë brenda orëve të mësimit dhe pas tyre, për të mbushur atë pjesë që nuk e gjejnë nëpër tekstet mësimorë, duke e kursyer veten që të mos bëhet i bezdisshëm, por i besueshëm dhe i dashur.

Në ballinë të librit theksohet, se janë “34 rrëfenja për punën dhe fitimin”. Kjo vetëm si fillim për të menduar më gjatë dhe për të mësuar më shumë gjatë leximit të tregimeve aq të bukur, të cilët na shëtisin nëpër gjithë vendin nga jugu në veri, duke patur personazhe emra tërësisht shiptarësh, bujq, blegtorë, peshkatarë, poçarë, tregëtarë, djem mendjengritur e dorëshpuar, madje edhe udhëtarë e princa mbretëror. Të gjitha rrëfenjat nisin që në kryeshkrim me një fjalë të urtë, të qëmtuar me aq përkujdesje mjeshtërore. Po kaq bukur janë ujdisur e qëndisur shkrimet me mësime të vyera e fjalë të mençura, të jetuara, të provuara e të pësuara, të cilat lëvdojnë e nderojnë punën dhe njeriun e punës, durimin, guximin, trimërinë, mençurinë, besën dhe burërinë, përmbajtjen e mosnxitimin, duke luftuar e përbuzur përtacinë e dembelizmin, kopracinë e babëzinë, hilet e pabesinë, veset që prishin njeriun, shoqërinë, shtëpinë dhe pasurinë. Unë po përmend vetëm disa prej tyre, duke i lënë lexuesit të gjejë të tjera, më pas të shijojë bukurinë dhe dobinë e tyre:

Nuk lëvdohet lulja për mjaltin, por bleta.

Nxitimi i tepruar nuk të sjell dobi.

Mate punën jo me atë që mbjell, por me atë që korr.

Atë që të arrin dora mos kërko të ta japin.

Ai që bën një të mirë sot dhe e kërkon nesër, është njësoj si ai që mbjell një fidan sot dhe e shkul nesër.

Që të luash dhëmbët, më parë duhet të luash duart dhe këmbët.

Si çlodhej gjyshi im?! “Lodhet kur punon me kazmë, çlodhet kur merr shatin!”

Qetë lodhen, parmenda ankohet.

Zanati është dorë e florinjtë.

10. Kush kufizon deshirat e veta është gjithmonë i pasur. Volter

11. Dyqanxhiu duhet ta ketë një këmbë të thyerr.

12. S’e bën ara bujkun, por e bën bujku arën.

13. Njeriu punëtor mallin e shton vetë, ndërsa dembeli e humbet edhe mallin e babait.

14. Balta mund të përlyejë diamntet, por nuk ua humbet shkëlqimin.

15. Kur ke mbështetjen e lisit, ç’i do shkurret?! Kur bie lisi….,  ia presin edhe degët.

16. Punës gjeji zot, jo mikut punë.

17. Vazos me verë të gjithë i bëjnë nder.

18. Fli pa darkë e zgjohu pa borxh.

19. Sa më lart njeriu në  pemë të ngjitet, aq më shumë ndjen dhimbje kur bie e vritet!

Cilido lexues dhe përdorues i këtij libri, pa shumë mundim dhe vëmendje të tepruar, do të verë re se: Shumë fjalë të urta janë të njohura për të rriturit, mbase edhe mund t’i kenë përdorur nëpër biseda, por shumica e tyre nuk zenë vend, më saktë nuk ngjisin në kujtesën dhe veprimet e të vegjëlve apo të rinjëve, ndaj shumica prej nesh ndjejmë keqardhje e mosbesim te vetja, por më shumë te ata që na dëgjojnë e nuk veprojnë. Kështu këshillat me fjalë të bukura, mbeten vetëm parrulla moralizuese, pa përmbushur idenë dhe qëllimin e tyre dobiprurës. Pikërisht këtu qëndron edhe merita e autorit, që për secilën fjalë të urtë, ka gjetur apo ka krijuar një rrëfenjë, duke i dhënë fjalës jetë, gjallëri e vërtetësi.

Tergimet janë të shkurtër, shumica në vetëm një faqe, pa fjalë të tepërta e fjali të zgjatura, duke qënë të kollajshëm për t’u lexuar shpejt e me kënaqësi dhe për t’u treguar e mbajtur mend lehtë nga fëmijët.

Është për t’u përgëzuar autori, sepse ka përdorur një fjalor të pastër nga fjalët e huaja, huazimet e shtrembërimet e gjuhës, duke na treguar se sa e pasur është shqipja jonë, për të shprehur edhe ndjesitë më të holla artistike e shpirtërore. Është kënaqësi kur lexon një gjuhë kaq të krehur e të punuar, që e përdor dhe krijon me aq mjështëri edhe populli i thjeshtë dhe, që e shijon çdo njeri edhe pa qënë shumë i mësuar.

Nuk e teproj të them, se aparati pedagogjik përbën një pasuri më vete për librin, pasi ndihmon cilindo përdorues të ndërtojë e të zgjidhë një detyrë të thjeshtë, por të dobishme, sepse nxit të menduarit aktiv e formues. Autori nuk e ka harruar zanatin si mësimdhënës i përkushtuar, ndaj është kujdesur që libri ta ketë me vete “mësuesin” e dashur e të palodhur, që t’i ndihmojë për  t’u përgjigjur në pyetjet e dhëna. Më pastaj të njohë e të kuptojë fjalët dhe shprehjet që ndeshen në tekst, duke pasuruar më tej fjalorin aktiv të të folurit dhe të shkruarit. Më thoni, se po pyes sinqerisht: si mund të veprohet ndryshe për ta dashur e mbrojtur shqipen tonë, këtë pasuri të kombit?

Pasi e mbarova së lexuari këtë libërtë të vogël, përsëri nuk po e lëshoj nga dora. E shfletoj përsëri e përsëri me kënaqësi, pasi profesor Bardhyli na ka sjellë një libër me vlerë, ndaj po përpiqem të shpreh gjykimin tim, duke i lënë lexuesit të vendosë vetë për atë çka i pëlqen.

Si fillim, autori na dhuron:

. Një tufë me lule të bukura dhe erëmira. Është një figurë letrare e qëlluar bukur, por që nuk më plotëson, sepse lulet lulëzojnë pak dit të vitit, pastaj veniten, vyshken, thahen e rroniten.

. Një gjerdan me gurë të çmuar. Është një pasuri e madhe me vezullim që të tundon, por nuk të ngroh, sepse gjerdanin e shtrenjtë nuk e mban çdo njeri. Në  shumicën e herëve, ai zbukuron vetëm një qafë, atë të ndonjë zonje të bukur e lozonjare, që shfaqet pa pritur e zhduket si era. Veç kësaj, a duket shkëlqimi kur bëhet natë? Larg qoftë, po sikur të këputet gjerdani dhe gurët të bien e t’i mbulojë dheu. Ku shkon bukuria, kur nuk i vlejnë kujt. Kush ka nge të ngrihet, t’i gjejë e t’i vendosë përësri?

. Një shportë me fruta të pjekura e të shijshme. Kjo një gjetje më e plotë, por nuk më ngop, paçka se ka frutat më të mira të beharit dhe të vjeshtës, disa edhe të thata për stinën e dimrit, të gjitha shumë të dobishme për shëndetin. Por, them por, sepse mërzitem kur shikoj se si i përtypim pa e vrarë mendjen, se sa mundim duhet për t’i vjelur, mbledhur e vendosur në shportë.

Dikush do të thotë: Sa nazeli qënke zotërote, që nuk pëlqen këto gjetje të bukura e plot poezi. U them kini të drejtë. Frymëzimi poetik të ngjit lart në qiell, ndërsa unë dua të zbres në tokë, në fshatrat dhe qytete e vendit tim, ku autori gjeti e zgjodhi baltën që “gatoi mjaltën”. Kështu, pasi u lodha duke udhëtuar në të gjitha shtigjet ku ka ecur autori, më së fundi arrita në përfundim, se profesori ynë i nderuar na ka sjellë një libër të thjeshtë, që mbahet lehtë në çdo xhep të xhaketës të gjyshit të urtë e flokë bardhë, mbahet në çdo çantë shkollari, në çdo tavolinë prindi dhe, akoma më bukur në çdo bibliotekë familjeje, për ta lexuar më nge, për t’u çlodhur sa herë jemi të lodhur nga punët e shumta të ditës. E shtyj më tej mendimin, sepse Autori na solli një “kopësht të mbjellë me plot lule, perime e pemë frutore”, ku secili ka mundësi që sipas dëshirës, mençurisë dhe fuqisë, të kujdeset e të punojë, të ujitë e të plehrojë, të prashitë e të krastitë dhe në fund, prodhimet të gëzojë. Të gjitha për të rritur, mbajtur e begatuar jetën. Të gjitha për të forcuar trupin e ndriçuar mendjen, për të trimëruar zemrën e fisnikruar shpirtin. Për këtë kanë nevojë fëmijët dhe të rinjtë tanë, që të futen në udhët e jetës, të përgatitur që të kapërcejnë pengesat e vështirësitë e të bëhen qytetarë të mirë dhe të sukseshsëm.

Gjyshi rrëfen rrëfenjat, i gëlltit fjalët e këqia, duke përtypur vetëm të mirat! Eh! Të gjithë gjyshët tanë, të plakur më shumë nga hallet se nga vitet kështu bëjnë. Ata bashkë me fëmijët, tashmë të bërë prindër, duke mbajtur pranë niprat dhe mbesat, përpiqen të ngjallin shpresë e të përcjellin guxim e mirësi, prandaj flenë pak e merakosen shumë dhe, “Kur po lodhen nga puna me kazmë, çlodhen duke punuar me shatë”, siç po bën edhe profesori ynë.

“Libri i mirë nuk ka nevojë për reklamë, pasi ashtu si lumi, e gjen vetë udhën për te lexuesi”. Këto fjalë të fundit të thëna nga Viron Kona, i vendosa, sepse rrodhën vetiu, pasi e provova dhe ndjeva më mirë bukurinë dhe dobinë e rrëfenjave, pikërisht tani që po i lexoj së bashku me mbesat e mia, të dyja shkollare këtu në Itali, Angelina nxënëse në klasën e pestë dhe Anissa në klasën e dytë, të cilat po e pëlqejnë shumë, meqënse dinë të flasin e të lexojnë shqip.

Kadri Tarelli

Itali. Legnano, më: 02. Të Majit. 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora