E premte, 29.03.2024, 09:05 AM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Zemra që qan për Devollin

E marte, 16.05.2017, 05:20 PM


Kadri Kadiu

ZEMRA MË QAN PËR DEVOLLIN

(Marrë nga Libri "Dheu që dhemb").

Sa më shumë largohesh, aq më shumë zvogëlohen pamjet, aq më pak dëgjohen zhurmat dhe zërat, aq më zbehtë dallohen ngjyrat…Por nuk ndodh kështu me jetën e njeriut, me njerëzit e tij, me vendlindjen.

Unë jam një nga ata mijëra shqiptarë, që kanë lënë Shqipërinë, atdheun e dashur, në atë moshë ku vështirë mund “të zësh rrënjë” diku tjetër. Pas një fëmijërie në Mançurishtin e zemrës së Devollit, pas jetës studentore të mbushur me ngjarje mbresëlënëse plot ngjyra dhe hove djalërie, pas ecejakeve nëpër Shqipëri “si kuadër i devotshëm” dhe përsëri pas jetës në kryeqytet dhe punës si pedagog apo edhe drejtues ekonomie, pas zhgënjimit të këtej nëntëdhjetës, i flakur nga puna prej një regjimi pseudodemokratik e kriminal, kur ngrihesha pa zbardhur dita për të zënë tezgën ku shisja fruta dhe perime, dhe më pas përsëri e përsëri në detyra shtetërore, deri në Kontrollin e lartë të Shtetit, ku më zuri edhe pensioni. Dhe pikërisht në këtë moshë, unë duhet të filloja një jetë tjetër, krejt ndryshe nga e mëparshmja. Pikërisht në këtë moshë mu desh që bashkë me familjen të ikja larg, në Amerikë, pas fëmijëve.

E djeshmja mbeti larg në Devollin tim, në Shqipërinë time, mbeti “prapa diellit”, siç kisha dëgjuar të mallkohej dikur.

Por asgjë nuk u zvogëlua si pamjet, si zhurmat, si ngjyrat. Një thes i madh mbi kurizin tim, i mbushur me kujtime, më zgjonte dhe më zgjon çdo mëngjes deri në përlotje. Sa më shumë të largohesh, aq më shumë të rëndon në shpirt vatani yt, vendlindja jote, aq më shumë malli e dhimbja për njerëzit, për vatanin, për gurët e për drurët e Shqipërisë, të djeg e të përvëlon.

E në çaste të tilla më kujtohet Devolli dhe devollinjtë, mendja më fluturon në Shqipëri dhe marr penën e shkruaj. Shkruaj e shkruaj duke lotuar, malli e dhimbja të bëkan shkrimtar e të bëkan poet.

Devollinjtë gjithmonë e kanë merituar nderin e lartë duke i quajtur punëtorë duarartë dhe bujq të klasit të parë. Djersa e devolliut është derdhur lumë në të gjitha kohërat, jo vetëm në fshatrat e Devollit, por anekënd Shqipërisë, jo pak edhe në kurbet. E kjo djersë është mpiksur në të mira materiale, në begati e bereqet dhe i ka bërë devollinjtë të dallohen edhe për një nivel dhe mënyrë jetese relativisht të mirë.

Po si është gjendja sot?

Në ara punojnë e rropaten gjithë ditën, si milingonat, kryesisht gratë, fëmijët dhe pleqtë, kurse forcat kryesore, djemtë dhe burrat, punojnë në Greqi ose kanë marrë rrugët e Botës, në kurbet. Djersa e devollinjve këto kohë po derdhet për të “qëndisur’ arat e afendikonjve grekë dhe për të bërë punët më të rënda në Evropë e në Amerikë.

Jo vetëm fusha, por edhe zona kodrinore e Devollit është, ose më saktë ka qenë, nën ujë. Një rrjet i dendur kanalesh dhe veprash ujitëse, të ndërthurura si arteriet e gjakut, i përshkonin tokat e Devollit. Ujë nga Gramozi, ujë nga Morava, ujë nga Mali i Thatë, ujë nga Gjoli i Prespës, ujë nga rezervuarët. Me stacione elektropompash, me motopompa, me rrjedhje të lirë, me shihedhësa. Ky ishte një ansambël i vërtetë ujitës që ka funksionuar në Devoll dhe që edhe në vitet më të thatë, fushat dhe kodrat e tij i ka mbajtur si një qilim të gjelbër e të freskët dhe me prodhime të begata.

Por që nga viti 1993 e këtej, Devolli nuk është më i tillë. Politikat miope dhe antikombëtare, “ta fillojmë nga zero”,  "ne udhëheqim, Bota na ndihmon", ajo e "çekut të bardhë" etj, e nxorrën jashtë funksionit edhe sistemin e ujitjes. Vetëm në sipërfaqe të kufizuara si dhe në ngastra afër shtëpive, që përdoren si kopshte perimesh, fshatarët mezi mundin të mbajnë freskinë e bimëve.

Prodhimet janë në mëshirën e shiut. E megjithatë devollinjtë ngushëllohen se shirat e majit i shërbejnë grurit edhe kështu të paktën nuk mbeten pa bukën e gojës. Sa për prodhimet e tjera fshatarët i kanë larë duart. Patatet mbeten si kokrra lajthie, fasulet "digjen në hënë”, misri mbetet pa kalli ose “hutkë” si i thonë  devollinjtë. Panxhari i sheqerit dhe duhani, të cilat kanë qenë bimët industriale kryesore të Devollit, janë harruar fare, falë shkatërrimit të industrisë përpunuese dhe politikës së çmimeve. Në ndonjë cep ngastre sheh të mbjellë panxharsheqeri për ta përdorur si ushqim për kafshët, por pa ujë ai nuk është më i madh se një karotë. Devolli ka shumë pemë, sidomos mollë, kumbulla dhe rrush, por këto "të uruara” janë me naze, veç të tjerave, duan edhe ca pesticide të cilat, mirë që vijnë me çmime evropiane, por për mungesë kontrolli, shpesh janë edhe të skaduara e nuk japin efekt. E nuk mjaftojnë këto por shpesh mollët e Devollit, ashtu si dhe qepët e famshme të Bozhigradit, për mungesë tregu, përfundojnë në Lumin e Devollit, kurse shqiptarët hanë nga ato mollët maqedonase pa lëng e pa shije dhe përdorin qepët që vijnë nga Greqia.

E megjithatë, edhe me këtë gjendje të bujqësisë, pa ujitje, pa mekanizim, pa plehra kimike, pa pesticide e pa shumë të tjera, prodhimi modest i Devollit është konkurrues, mbi të gjitha është origjinal, është bio.

Për devollinjtë sot, një burim i madh të ardhurash është bërë puna në Greqi, pasi duke qenë në kufi me Shtetin Grek, mjaft familje kanë të punësuar përkohësisht, sidomos në muajt e verës, edhe nga më shumë se një pjesëtar të familjes.

Janë shtuar kështu veturat, frigoriferët, televizorët e magnetofonat me kaseta e këngë greke, por jeta nuk janë vetëm këto. Në të vërtetë Devolli ka shumë halle, ai është në ankth e pasiguri. Uniteti nuk është i mirë, janë shtuar sherret dhe mëritë për partitë. Dinjiteti i devolliut nuk po rritet, por po bjerret.

Djemtë e Devollit janë larg vatrave familjare, në vuajtje e në rrezik, janë pa zot e pa mbrojtje në dhe të huaj. Vijnë lecka dhe euro nga Greqia, por vijnë edhe djem të fyer, të poshtëruar, vijnë dhe mandate që japin mynxyrën. Kthehen bij nënash që nuk gjejnë gjallë prindërit, kthehen baballarët që nuk gjejnë fëmijën.

Devolliu është i njohur edhe për natyrën e gëzuar dhe optimizmin e tij, ai është me shpirt artisti, ndaj dhe ka krijuar edhe gjithë ato këngë e valle të bukura të quajtura “devolliçe”. Por një këngë e re, që s’është këngë, por vajtim, dëgjohet sot në odat e Devollit: “Më iku djali në Greqi/ Oh, për ca të shkreta dhrahmi,/ E kërkova në telefon/ S’më doli njeri…"

Dy veta këtë këngë e këndojnë, të tjerët qajnë dhe dëgjojnë.

Qava dhe unë kur e dëgjova, por sa ka Devolli dhimbje, derte e lot, pena ime nuk i shkruan dot. Po të isha Dritëro, do të kisha shkruar poemën elegjiake “Rënkimet e Devollit”.



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora