Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Vazhdimësia ilire-arbërore dhe livadhet e Gjon Gegs!

| E marte, 16.05.2017, 09:06 PM |


Vazhdimësia ilire-arbërore dhe livadhet e Gjon Gegs!

Nga Gani MEHMETAJ

"Edhe Kaliqani i ka pothuajse të gjitha toponimet katolike, duke filluar nga Dardha e Kishës (në arë të Tahir Ademit), që është pesëdhjetë metra larg nga dera e xhamisë, që e kanë rinovuar, duke i fshehur shkrimet e lashta në gurët e qemerit të derës hyrëse!", me shkruan Imer Ukaj, shoku im i fëmijërisë nga Gjermania- Shtutgardi.

Emërtimet në Kaliqan, sipas Ukajt: "fillojnë me Livadhet e Markajve, Kerrshi Pap-Leks, Gjon-Gegs, deri të Merleket e Lapushtrat e Hasa-Palsë!" Meqë Imeri ka prejardhje nga ai vend, ai sqaron se" "mbi katund n'gjysë t'rrugës për bjeshkë ( nër kerrsh t'Sokolit ashtë nji vend qe quhet Gjytet, që  ndërlidhet me gojëdhënën e tërhjekjes së Liqenit nga Dukagjini te Ura e Shenjtë... "

Rasti i fshehjes së mbishkrimit antik në qemerin e xhamisë së katundit Kaliqan, është i ngjashëm me stelën ( monumentin varrezorë) dardane me mbishkrim që u muros në xhaminë e katundit Botush të Gjakovës, ku po ashtu, sikurse na thanë vendësit, pasi është rinovuar xhamia, guri i gdhendur i periudhës antike është fshehur në cepin e djathtë të xhamisë dhe është lyer me ngjyrë.  Me një hulumtim mund të nxirret guri antik nga xhamia e Botushës, por edhe nga qemeri i xhamisë së Kaliqanit dhe të vendoset në Muzeun e Gjakovës, përkatësisht të Istogut.

Në librin "Trashëgimia arkeologjike e komunës së Istogut", Haxhi Mehmetaj shkruan se livadhi i familjes Zogaj, një tarracë rreth 200 metra në lindje të xhamisë së Kaliqanit mbanë toponimin "Te Kisha". Sipas kujtesës së popullatës toponimi emëron gërmadhat e një kishe, të cilës tashmë nuk i shihen gjurmët. Mehmetaj shkruan se me gurët e kishës thuhet të jetë ndërtuar xhamia e fshatit.

Kisha e Zojes së Bekume

"Kodra e kishës" gjendet edhe në katundin Orroberdë, jo shumë larg Banjës së Pejës. Aty afër është edhe vendbanimi antik ilir. Ndërkaq, në katundin fqinjë, Lubovë, është emërtimi "Lisi i Zojës", ndërsa në afërsi janë themelet e një kishe të vjetër, që sipas librit "Trashëgimia arkeologjike e Komunës së Istogut" ishte Kisha e Zojes së Bekuar.

Kisha dhe varrezat janë të mesjetës, mendon H. Mehmetaj nga Institutit Arkeologjik i Kosovës. Ai ka hasur në "Trollin e Kishës" edhe në katundin Veriq. Dhjetëra rrënoja kishash e varresh katolike të mesjetës i ka hasur nga Kaliqani deri  në Rakosh e Padalishtë, thekson  ai derisa e ka përgatitur librin "Trashëgimia arkeologjike e Komunës së Istogut".

Nga stela dardane: babai  e kujton të birin e vdekur në luftë!

Nga emërtimet e vendbanimeve, nga rrëfimet e vendësve, nga dëshmitë e gjetura dhe nga kujtesa e popullatës nuk është vështirë të rikonstruohet jeta e dikurshme në katundin Kaliqan dhe banorët e kohës antike apo arbërorë katolik të kësaj rreze mali në mesjetë. Dhjetëra shtëpi sipas arkitekturës ilire-dardane, një faltore kushtuar hyjneshës, një shesh katundi të rregulluar, varret në periferi me pllaka guri a mbishkrimet në stela nga mermeri. Ndërsa në mesjetë shtëpitë një apo dykatëshe, të tipit me gurë lumi a gurë gëlqeror, sheshi, kisha mbi një kodër të butë me varret afër.

Kaliqani me tërë arealin e katundeve deri në Shushicë e Rakosh ka monumente, vendbanime antike e gjetje të  ndryshme arkeologjike, që dëshmojnë vazhdimësinë nga parahistoria, antika ilire dhe mesjeta arbërore (përkrenare e armë ilire, kisha e vendbanime arbërore). Me gjetjet e bollshme nga terreni nuk është vështirë të krijohet pasqyra imagjinative e kulturës ilire- dardane nga periudha parahistorike, periudha antike karshi vazhdimësisë së kulturës mesjetare arbërore.

Ndër dëshmitë më të çmueshme, por njëkohësisht më emocionuese është stela dardane e gjetur po ashtu në katundin Kaliqan, e cila kur e lexon dhe kur e zbërthen përkushtimin të jep një përshtypje të veçantë.

Stela dardane e Kaliqanit është monument varri, që babai i pikëlluar, ia ka kushtuar djalit, i cili vdiq në moshë të re, tridhjetë vjeçare, ndërsa që nga mosha tetëmbëdhjetë vjeçare ishte në shërbim ushtarak. Kështu thuhet në stelën ilire - dardane në mbishkrimin e gjetur në vendin Gjyshkokë.

Mbishkrimi sipas arkeologut Mehmetaj i takon shekullit II-III  pas Krishtit, ndërsa Gjyshkoka, vend-zbulimi i stelës dhe i eksploatimit të xeherorëve shtrihet rrëzë bjeshkëve të Korenikut, pjesë e Alpeve Shqiptare, në periferinë verilindore të katundit, sqaron autori i librit.

Stela dardane-përkushtim e babait për të birin që nuk ia gëzoi as rininë dhe as pjekurinë, gjendet në Muzeun e Shtëpisë së Kulturës në Istog, është punuar nga mermeri i bardhë fisnik, ka zbukurime të veçanta, tipike të kohës. Stela ka mbishkrime në katër rreshta me korniza, të profilizuara, të dekoruara me hardhi rrushi, simbolikë e kultit të hyjit të verës, që aq shumë adhurohej nga dardanët.

Natyrisht stela është e dëmtuar, sepse nga ajo kohë kanë kaluar gati njëmijë e tetëqind vjet. Sipas kronikave e dëshmive të shumta janë bërë luftëra të përgjakshme, por vendësit kanë mbijetuar, kanë ndërtuar e punuar, duke lënë gjurmët e tyre prapa në emërtime, në ndërtime, në zbukurimin e enëve të përdorimit të përditshëm, në vegla të punës, por edhe në armët që i përdornin, sepse armët ilire ishin të njohura në tërë Gadishullin Ilirik dhe në Evropë në përgjithësi.