E premte, 29.03.2024, 01:50 PM (GMT)

Kulturë

Violeta Allmuça: Mbretëria e Bubullimës së Bukureshtit

E diele, 14.05.2017, 02:28 PM


MBRETËRIA E BUBULLIMËS SË BUKURESHTIT

(Baki Ymeri është një krijues vlerash të larta artistike dhe estetike që frymon e mbjell vargje të mrekullueshme në lirikën e sotme shqiptare dhe universale për dashurinë.)

Nga Violeta Allmuça

Për një krijues vargjet për dashurinë janë tingull, janë fjalë, janë poezi, janë vepër, janë jetë, janë erotikë, janë përjetësi. Ato mbeten frymë e ndjenjave ku koncepti i figurave lidh fuqinë me fjalën si lëvizje e vetë njerëzve në rrymën njerëzore. Përbashkimi i ndjenjës më të bukur dashurore nis qysh nga fillimi i librit më të ri me poezi “Mbretëria e fjalëve” të shkrimtarit tashmë të mirënjohur Baki Ymeri, i cili përveç mërgimit letrar dhe mërgimit shpirtëror mban të pashuar dashurinë ndaj atdheut të përjetshëm, kurse në anën tjetër i këndon aq bukur ndjenjës së thellë të dashurisë. Vargjet duken sikur përbëjnë një ansambël lirik të jashtëzakonshëm veshur me metafora, ku krijuesi shqiptar i angazhuar në një realitet universal, identitetin e tij e ruan nëpërmjet gjuhës shqipe me vetëdije artistike. Dimensioni shpirtëror dhe origjinaliteti i vargjeve për dashurinë e ngre peshën e fjalës në gjendje dhe në dhimbje.

Reflektimi i shpirtërores në një shpirt të dashur duket se e përçon zërin poetik të ndjenjës dhe metafizikës së krijuesit, pasi ka hyrë nëpër labirintet e jetës, hapësirës, përqëndrimit, deri në këndimin e poezisë. Ngjyrimi emocional i fjalëve lirike e bën poezinë e autorit më kuptimplote në kohë nëpërmjet evoluimit të ndjenjave dhe meditimit, duke bërë që vargjet të ecin nëpër jetën e ëndrrave të së bukurës. E madhërishmja e shtyn poetin që brumin shpirtëror, lëvizjen e tij etike dhe estetike ta pasurojë duke ndjekur vetveten me shkëlqimin real, bashkëkohor në motivin e dashurisë, ku heroi lirik është vetë autori. Zbulimi i botës shpirtërore arrihet nëpërmjet vargjeve të vërteta me mjeshtëri artistike të cilat zbulojnë, dëshirat. Si një krijesë artistike, Baki Ymeri pohon se mund të mbretërojë mbi të gjitha fjalët për dashurinë me frymën krijuese i ngazëllyer nga pesha e jetës në rrugën e dashurisë duke mbetur krejtësisht origjinal në njësimin e vetes me vargun.

Në poezinë “Hyjnesha e dashurisë” ballafaqohemi me vargje briliante: Siç ngrin fjala e papërkëdhelur/ Je një shpirt i zgjedhur/ Në magjinë e dritës je zjarri im/ Fusha e dredhëzave të ëmbla/. Ngjizja e ndjenjave në këto vargje ka në thellësi të imagjinatës forcën e vetë dashurisë me jetën intime. Kjo lirikë erotike depërtuese krijon lidhjen e poetit përveçse me bashkimin shpirtëror edhe me bashkimin fizik. Këtu ndodh gjithashtu përndezja e shpërthimi erotik i trupit të femrës edhe brenda botës shpirtërore. Bashkimi i përbashkët fizik, ndezja e zjarrit në botën sensuale përbashkojnë imagjinatën me erosin i cili njihet edhe si Perëndia e dashurisë dhe trupit duke e bërë poetin Baki Ymeri një krijues me vlera të larta artistike dhe estetike që frymon e mbjell vargje të mrekullueshme në lirikën e sotme shqiptare dhe universale për dashurinë.

Poezia e jetës është edhe vetë poezia e dashurisë. Le të shohim disa nga poezitë e tij! Garsonieria e metaforave: Karroca me fjalë/ Thasët me dritë/ Vagonët me flutura/ Ku përralla merr ngjyrën/ E kohës së harlisur/. Këtu shohim në veçanti përsosjen e metaforave dhe mjeshtërinë artistike ku poeti i këndon dashurisë. Pothuajse në të gjitha poezitë e këtij vëllimi metafora është frymëmarrja e forcës shprehëse të vargut. Rrallë kam lexuar poezi ku gdhendet kaq mrekullisht metafora në një vepër poetike, e cila i jep një vlerë kryesore vargjeve. Kjo do të thotë se forca e fjalës së figurshme e ka gjetur dashurinë për të qenë i dashuruar me poetin. Vargjet sjellin për lexuesin edhe meditimin për idhullin e zemrës njerëzore dhe shpirtin e trazuar lirik të poetit. Kush mund t`i këndojë me këto ndjenja të thella dashurisë, se sa një poet i vërtetë dhe i talentuar? Forca e dashurisë është më e madhe se forca e fjalës, prandaj poeti e ka barazuar fjalën me metaforën. Liria që të jep dashuria është krahasimi i dritës me errësirën, është një shpresë e brendshme e ndjenjave, një burim i të nesërmes njerëzore. Le të vazhdojmë me poezinë Historia e dashurisë: Dhe vinte dimri me varkat e erës/ Vera gërshetohej me vjeshtën/ Ti ishe si një sorkadhe që çapëlonte/ Nëpër lagjen e ëndrrave të mia/.

Poeti Baki Ymeri nuk ka mëdyshje. Lumturia e të gjithave fenomeneve njerëzore është dashuria. Kjo duket se lidhet pikërisht edhe me pjekurinë e gjinisë së poezisë dhe përthithjes krijuese në veçanti të lirikës së dashurisë nga krijuesi. Le të vijojmë me poezinë Dialog me ëndrrat: Botën e stolisin lulet dhe femrat/ Imagjinata poetike dhe pritjet/ Ëndrrat dhe dëshirat që prehen/ Në prehërin e përjetësisë.../ Etja për jetë është etja për dritë/. Synimi i ëndrrës është të ngashënjehet nga dashuria pra është, liri, dritë, paqe. Konceptimi sintetik i poezive në këtë libër vjen duke e perceptuar ndjenjën e botës poetike me ndjenjën e dashurisë edhe në faqet e tjera të librit. Vërejmë se autori po e pasuron poezinë me motivet e dashurisë, meditime e përsiatje të reja duke i dhënë risi mjeteve shprehëse në lirikën e tij depërtuese, stilin e rrjedhshëm në brendësinë e formën e poezisë për të zbuluar të bukurën artistike. Le të ndjekim poezinë Familja e fjalëve: Fjalët e mia/ Trokasin në portën tënde/ Dhe në vend të bukës/ Kërkojnë vaj/ Për t`i lyer rrotat/ E karrocës së shpirtit/. Vetvetiu përpara dashurisë hapet zemra e çdo poeti. E veçanta e poetit Ymeri është se kur i këndon dashurisë atë nuk e ndalon askush edhe pse dashuria ndonjëherë ka edhe dhimbje. Ai ka armën më të fortë në përjetimet e tij. Di të këndojë për dashurinë duke pasur një këndshikim universal.

Pasioni për vargun e veshur me dashuri

Figurat letrare, metaforat, krahasimet, simboli, sintagma, kanë shoqëruar vargjet e një poeti që e njeh mirë edhe poezinë bashkëkohore, ku ndjehet pulsi i jetës, thjesht autori e njeh siç duhet poezinë e jetës, lirikën e ndier, pasionin për vargun e veshur me dashuri. Ai shkruan aq bukur edhe në gjuhën shqipe, e cila i ka hapur edhe rrugën krijuese poetit Baki Ymeri. Duke depërtuar në thellësi të ndjenjave ai sjell vargje të mrekullueshme. Le të shohim poezinë Mbreti i fjalëve: Poeti është mbret/ Në atdheun e vet/. Poeti ka një atdhe ndaj vargjet për vendlindjen i ka si thirrje të brendshme. Askush nuk mund të jetojë pa atdheun e vet, aq më shumë poeti. Ai frymëzohet nga kujtimet dhe me një gjuhë të zhdërvjellët poetike na sjell vetveten. Teksa mbyllte sytë Aleksandër Moisiu, aktori shqiptar me famë botërore lutej dhe sytë i kishte të mbushur me lot për atdheun e tij. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe as me poetin.

Atdheu mbetet dashuria më e madhe shpirtërore, pra dashuria e çdo njeriu. Nuk ka gjë më të admirueshme dhe mikluese për qenien njerëzore të marrë me vete kudo që shkon edhe atdheun e përjetshëm. Cili është mesazhi poetik që na sjell autori? Vargjet përpos i këndojnë vendlindjes, tokës së stërgjyshërve, njëkohësisht frymojnë edhe mallin, mungesën, shqiponjën, lëndinën, lumin që përbëjnë simbolet në disa poezi me reflekse epike ku zbulohet niveli i lartë artistik dhe estetik. Vargjet na mbushin me emocionet e krijimit, me kujtesën e kohës duke ruajtur një ekuilibër mes shpirtit e dashurisë për atdheun. Edhe pse në arrati të trupit poeti hijezon dhe mbart brenda vetes vargjet për atdheun. Prirjet poetike ndodh që të pësojnë ndryshime mes poetëve.

Por vargjet për dashurinë të poetit Baki Ymeri thuren për një krijesë të hijshme, femrës, siç thotë autori, i cili parapëlqen që dashuria të ulet në fronin më të fuqishëm të botës, duke e shndërruar njeriun në një qenie që ushqen dashurinë. Hyjnia e dashurisë, kjo lajmëtare e ndjenjave e meriton këndimin e poetit. Le ta mbyllim këtë parathënie me një poezi brilante, Hyjnesha e dashurisë: Në horizontin e shenjtë/ Ti je energjia ime e gjallë/ Perëndesha e dashurisë/ Shenjë e fshehur në dritë/ Kur je afër diellit digjesh/ Kur je larg meje ngrin/ Dhe je hyjnesha e dashurisë/ Që i shpie frymëzimet e poetit/ Në trojet e bekuara të përjetësisë... Të këndosh poezinë e poetit Baki Ymeri ke kënduar me gjuhën erotike, me gjuhën e shpirtit, me vargje të papërsëritshme në llojin e vet, të një poeti ku mbizotëron e jeton dashuria.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora