E marte, 23.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Mendime

Fatos Lubonja: Rinia jonë dhe Olimpiada

E diele, 31.08.2008, 03:12 PM


Fatos Lubonja
Rinia jonë dhe Olimpiada

Nga Fatos Lubonja
  
Olimpiadat kanë qenë dhe mbeten ngjarje të mëdha botërore multidimensonale, jo vetëm sportive, por edhe politike edhe mediatike edhe komerciale… edhe gjeografike, sepse të bëjnë të njohësh, madje të prekësh me dorë tërë botën, të ndjehesh qytetar i saj.

Olimpiadat kanë qenë dhe mbeten ngjarje të mëdha botërore multidimensonale, jo vetëm sportive, por edhe politike edhe mediatike edhe komerciale… edhe gjeografike, sepse të bëjnë të njohësh, madje të prekësh me dorë tërë botën, të ndjehesh qytetar i saj. Me gjithë kontradiktat, e tillë ishte edhe kjo e Pekinit.

Mund të ulesh të shkruash për olimpiadën duke e parë në të gjithë këto fusha e të tjera. Por ajo që më uli të shkruaj për të ishte një ngacmim që më kthehej e rikthehej teksa ndiqja garat e ndryshme sportive. E tregon edhe titulli: rinia jonë dhe olimpiada.

Ajo që personalisht më godet gjithnjë e më shumë në olimpiadat, sa më shumë kalon mosha e shtohet numri  i olimpiadave që më jepet rasti të ndjek nëpërmjet ekranit televiziv apo të kinemasë (për mua kjo histori ka filluar me një film mbi olimpiadën e Romës të vitit 1960) nuk janë më kampionët e mëdhenj, as momentet e bukura të jashtëzakonshme agonistike, as shumësia e medaljeve që merr njëri vend apo tjetri. Sigurisht këto kanë vendin e tyre, por ajo që më ka mbresuar gjithnjë e më shumë në olimpiadat e fundit që kam ndjekur, ashtu sikurse edhe në këtë të Pekinit, është shumësia e sporteve që ushtron qënia njerëzore. Sepse vetëm në një olimpiadë sheh të mblidhen thuajse të gjitha sportet: futboll, basketboll, volejboll, waterpol, not, atletikë, gjimnastikë (kaq shumë disiplina në këto tre të fundit) hedhje nga trampolina, kanoe, kanotazh, vela dysh katërsh, mundje, boks, xhudo, tenis, pingpong, skermë, çiklizëm, hipizëm, gjuajtje me pushkë me rrathë, me pjatel … nuk i numëroj dot të gjitha dhe nuk i di të gjitha. Kam përshtypjen se edhe fjalët në shqip nuk i kemi për t'i shënjuar e diferencuar të gjitha.

Nuk mund të mos mbetesh gojëhapur duke parë se sa kreative është qenia njerëzore, edhe përsa i përket sportit; por edhe përpara faktit që nënkupton kjo shumëllojshmëri: se sa shumë pasion dhe energji njerëzore derdhen në këto sporte.

Në fakt, sportistët që shohim në ekran në Olimpiadë janë vetëm maja e piramidës, ata që kanë dalë nga një seleksionim i gjatë që edhe frymëzojnë shumë të tjerë. Por nën ta, në vendet prej nga vijnë, duhet të imagjinojmë një numër shumë, shumë herë më të madh sportistësh, pafundimisht më të madh. Pa ta nuk do të kishim as Olimpiadë. Dhe tek ata qëndron, për mua, mrekullia e vërtetë e sportit, ndoshta sporti i vërtetë. Sepse në thelbin e vet sporti nuk bëhet me synimin për të dalë në pedanat e medaljeve; ai bëhet sepse është një pasion, një kulturë, një mënyrë për t'i dhënë kuptim jetës, për të njohur veten, për ta forcuar atë si fizikisht edhe mendërisht, për t'u shoqërizuar, solidarizuar etj.

 "Çfarë bëjnë kafepirësit e bllokut? - më pyeste me chat nga SHBA një mik që po ndiqte edhe ai olimpiadën - është turp, gjithë rinia në botë merret me diçka pozitive, tenis, pingpong, çfarëdo sporti, janë aktivë për mjedisin dhe çështje të tjera. Ata tanët i ke gjithë ditën e mbarë nga një kafe-bar tek tjetri".

Ishin edhe fjalët e tij që më nxitën të shkruaj këto radhë. Nuk e vuaj aspak skarcitetin e rinisë sonë në olimpiadë nga këndvështrimi i një nacionalisti. Sigurisht do të ishte e bukur edhe emocionuese të shihje ndonjë kampion shqiptar në podium teksa ngrihej flamuri ynë. Por jam kundër manipulimit nacionalist të sportit ashtu sikundër jam kundër komercializimit të sportit, kur gjithçka shndërrohet në para. Këto janë një tjetërsim i tij. Ndoshta shembulli më sintetik i këtyre të dy aspekteve ishte organizatorja e Olimpiadës, Kina, ku pamë sportistë të prodhuar në laborator enkas për të afirmuar superfuqinë e re botërore dhe reklama gjigante me fytyrat e sportistëve milionerë kinezë, agjentët e të cilëve nuk bëjnë kontrata më pak se njëmilionëshe. Po ashtu nuk më shkon ndërmend se një vend i vogël si i yni mund të konkurrojë me vende me një popullsi të madhe sepse në ato vende ka më shumë mundësi të dalin talente. Por ngulmoj se këtu nuk është as çështje konkurrimi, tek e fundit, ndonëse nuk mund të mbetesh indiferent kur sheh se ka shumë vende më të vegjël se ne që garojnë me dinjitet, madje ngjiten edhe nëpër podiume medaljesh. Për mua çështja kryesore është ajo e kulturimit dhe edukimit sportiv, e zhvillimit të pasioneve për sportin, për të gjetur e shprehur veten nëpërmjet tij, për të derdhur energji në mënyre pozitive, për të krijuar shoqëri, solidaritet e me radhë. Sepse sporti është një nga mënyrat më të shëndetshme për të zhvilluar potencialitetet pozitive të njeriut, për të zhvilluar edhe shpirtin e garës, por edhe solidaritetin dhe sakrificën për grupin, disiplinën dhe autodisiplinën, por edhe forcën fizike e mendore për të pasur një jetë me shëndet me gjallëri me sociabilitet dhe më me kuptim gjatë gjithë jetës.

Pse tek rinia jonë mungojnë te gjitha këto, apo janë kaq të mangëta? Pse ne na duken  sikur vijnë nga një botë tjetër, si marsianë sportistët që shohim në olimpiada. Në fakt janë homo-sapiensë si ne, dykëmbësh dhe dyduarsh si ne. E gjithë diferenca qëndron në kulturën, edukimin sportiv që kanë. Nuk është kjo as çështje race e as çështje prirjesh, paçka se u tha se xhamajkanët i kanë fibrat muskulore superiore për garat e shpejtësisë. Po ku ishin deri dje xhmjaknët? Pse nuk fitonin?

Olimpiada e Pekinit vetëm sa m'i ngacmoi këto mendime. Në fakt nuk ishte skarciteti i tanëve në Pekin, por ajo që shoh përditë të ndodhë në Tiranë e gjithë vendin tonë me sportin dhe raportin e rinisë sonë me të, që më nxitën të shkruaj këto radhë. Sepse shoh me dhimbje për rininë dhe me revoltë ndaj atyre që duhet ta drejtojnë atë se ne, në vend të sportit kemi zhvilluar lojën e bixhozit me sportin; se kemi me qindra vende bastesh, por jo fusha sportive, me qindra kafe, por aq pak palestra; se në lajmet kryesore që lidhen me sportin tek ne nuk mbizotërojnë rezultatet e mira, por shitjet e ndeshjeve nga sportistët tanë, se pikat e referimit për rininë tonë nuk janë sportistë të shquar, por trafikantët e drogës dhe prostitutave që bredhin të patrazuar të kapardisur mbi BMW X5 në rrugët e Tiranës.

Ku janë Agim Fagët, Panajot Panot, Asllan Rusët e Zhani Bonatët, kampionët e çiklizmit si Agalliu, të notit të boksit, që edhe në terrin e diktaturës inspironin me pasione pozitive rininë? A duhet thënë se komunizmi investonte më shumë sepse e përdorte edhe sportin si imazh? Pjesërisht kjo është e vërtetë, por këtë e hedh poshtë fakti se në vendet tona fqinje ra komunizmi, por shohim përsëri serbët, sllovenët, kroatët të dalin nëpër podiume. Ndiqja para disa kohësh një intervistë të numrit një të botës në tenis serbes Ivanoviç që tregonte se, në mungesë fushash tenisi, gjatë dimrit ishte stërvitur në një pishinë bosh që nuk funksiononte për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë. E megjithatë një tjetër serb gati sa nuk i rrëmbeu në pishinat e Pekinit medaljen e arit njërit prej yjeve absolute të olimpiadës, amerikanit Phelps. "Kur ekziston një vullnet i madh - thotë Makiaveli - nuk ekzistojnë vështirësi të mëdha".  Jo, ky skarcitet i të rinjve tanë nuk është as çështje të hollash as çështje sistemi as çështje race; është çështje kulture e cila i jep jetë tek i riu pasionit që ushqen e forcon pastaj edhe vullnetin.

Ku janë politikat e Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sporteve? Ku janë politikat e Ministrisë së Arsimit. Kurrkund. Jo, u gabova: ata ua kanë lënë në dorë punën e sportit ashtu sikurse edhe shumë punë të tjera, bosëve tanë të biznesit. Janë ata që drejtojnë  sportin tonë dhe politikat tona lidhur me sportin. Por, nga sa më rezulton mua, këta nuk i ka çuar atje dashuria për sportin. I ka çuar biznesi, veshja e figurës së tyre dhe e bizneseve të tyre me një kostum të mire publike. Kryetari i delegacionit tonë të vogël olimpik është një ish-sportist vërtet, por biznesin e tij së bashku me ish-basketbollistin Rama, sot kryetar bashkie i Kryeqytetit, nuk ka sportin, por, përkundrazi, shndërrimin e fushave të sportit, por edhe të teatrove dhe të parqeve në ndërtime fitimprurëse. Kurse, për ironi, mesa di, fëmijët e tij nuk po rriten në Shqipëri, por jashtë shtetit, atje ku ka shumë fusha sporti dhe shumë parqe, gjelbërim, teatro e kinema. Ministri ynë i Kulturës dhe Sporteve Ylli Pango, ka qenë edhe ai sportist, notar i mirë si bregdetas që është, por në vend se me ruajtjen e plazheve të bregdetit ai merret me kthimin e tyre në fshatra  turistike, që në shqip do të thotë ndërtim vilash e hotelesh private për 1 përqindëshin e të pasurve shqiptarë, që do t’u pakësojnë edhe më fëmijëve tanë mundësinë për të pasur kontakt me detin e për t'u bërë notarë.

Varfëria e jetës sonë sportive, e pasioneve të rinisë sonë për sportin është një nga simptomat e krizës së vlerave të një shoqërie ku kultivohet vetëm një pasion: ai i lekut të fituar lehtë, pa punë, pa studim, pa mundim, pa sakrifica, pa solidaritet, pa ndershmëri. Rezultati duket në të gjitha fushat: një katastrofë kulturore dhe shpirtërore e pashembullt e njeriut shqiptar të cilit mburrja me pasurinë dhe dëfrimi me të i mbeten thuajse e vetmja ndjenjë. Dalja nga kjo krizë është punë e vështirë. Njohja e problemit nuk mjafton, por nëse ai ndjehet seriozisht atëherë ka më shumë mundësi të gjenden rrugët. Dhe rrugët, sipas meje, duhet të fillojnë me ndërtimin e një sistemi tjetër vlerash që njeriut njëdimensional shqiptar, të orientuar vetëm nga leku, t'i hapen horizonte vlerash të tjera. Dhe ushtrimi i sportit, pasioni e dashuria për të, janë një nga më të bukurat e këtyre vlerave. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora