E shtune, 20.04.2024, 09:02 AM (GMT+1)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Si të lindjes apo perëndimit?

E shtune, 06.05.2017, 10:35 AM


Si të veprojmë, si ata të lindjes  apo të perëndimit ?

Përfundimisht duhet të bindemi në ato fjalë sa t`ëmbla aq edhe shpirtbardha , këshilluese dhe dashamirëse kombëtare të Naimit ,se për shqiptarët dielli lindë në perëndim . Jemi dëshmitarë , sidomos ne të Kosovës dhe viseve tjera  shqiptare të ish -Jugosllavisë se e kishim një periudhë të shkurtë kohore 1968-1981 kur filluam lirshëm të sillemi me bindje perëndimore ;në kuptimin e shkollimit , në ngritjen e kulturës e sidomos të formimit tonë intelektual.

Një nga intelektualet e mëdhenj të kohës kur neve na duhej një predikim shpirtëror që të dimë se nga të drejtohemi ishte edhe Krist Maloki nga Prizreni.

(Lindi në Prizren më 8 prill. Mësimet fillore i mbaroi në vendlindje, pranë shkollës katolike të Prizrenit. Si nxënës i dalluar që ishte, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë në Prizren e dërguan në Austri për t’i vijuar mësimet në shkollën e mesme. Studimet i ndoqi në Salzburg, në Vjenë dhe në Graz. Në moshën 12- vjeçare dërgohet me bursë për studime në Austri. Aty kreu shkollën e mesme dhe mori dy doktorata, të parën me 1929 në Filozofi-Pedagogjike me temën "Die Grundprobleme der Kunsterziehungsbewegung"; dhe të dytën në Jurisprudencë më 1934. Në Graz i përfundoi studimet për filozofi, histori të arteve dhe pedagogji. Qe profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Gracit dhe profesor pranë këtij Universitet për letërsinë shqipe e ballkanike. Më 1966 qeveria austriake i akordon titullin Kryekëshilltar arsimor. Vdiq në nëntor 1972 në Grac të Austrisë. )

Kristë Malokit vetëm  vitet e fundit është botuar vëllimi "Refleksione" dhe “Oriental apo Oksidental” . Mund të pyesim ,pse jo më herët;por më mirë jo sepse përgjigjen e dimë .

Ku mbetem; të drejtohemi nga Lindja apo Perëndimi ?  Kur një miku ia dërgova të shkruar planin e Çubriloviqit   (në gjermanisht ) për zhbërjen e shqiptarëve (1937 ), ai më shkroi  se gjermanët e moshuar  (që ai njeh ) e dinë shumë mirë ,por po ata gjerman e pyesin ; si e harruan shqiptarët otomanizmin 500 vjeçar që e patën mbi supet e veta?

Krist Maloki në Revistën “Përpjekja Shqiptare”, 1937  (Oriental apo oksidental ) shkruante: “ Lindorizma shqiptare është një sistem mendimesh, ndjenjash dhe instinktesh, si çdo sistem tjetër jetese, me një botëkuptim të tijën. Si më të parën karakteristikë të lindorit shqiptar marrim proverbin e çdo qelepirxhiu të pashpirt: “Haja qenit, pija qenit”. Lindori shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete – qelepir – nga të tjerët; bota për të është një burim i pashterun mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilët ai i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyetur se ku nget e ku vret. Detyrë të ndershme apo sakrifica vetmohuese ndaj botës pranë nuk njeh kurrë lindori shqiptar. Përkundrazi, ushujza lindore, e pangijshme, i ngjitet trupit të përbashkët dhe shoqëror dhe ia thith gjakun pa asnjë droje e kujdesje. Dhe në vend që të turpërohet për veprën shkatërrimtare të vetën, lindori shqiptar bëhet edhe ma kryenalt, ma kapadai, ma qejfli.” Shumë e qëlluar .

Shikoni , miq të nderuar kur të lexoni copëzen e shkrimit në vijim do të shihni se edhe sot ne shqiptarët mendojmë në mënyrë orientale (lindore) :” Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nanë, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e përvetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira, ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është Lindori kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët si ato ujqt që vejnë së bashku në pre, por që e shqyjnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe maje Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do , por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesje.” (po aty )

Edhe sot në mbarë shtrimin shoqëror e politik, d.m.th. ndër marrëdhënjet e shqiptarit me shqiptarin dhe ndër marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin e tij është futur dhe përhapur shpirti i të menduarit lindor si një epidemi rrënimtare dhe e cila  e ka deformuar karakterin e drejtë të shqiptarit në një bollë amorfe. Apo jo ?

Edhe unë që kam jetuar dhe punuar në perëndim ,por edhe ju të gjithë që jeni atje e keni kuptuar mirë se:  “Perëndimorja e vërtetë tregohet pikësëpari në kryerjen e një detyre të ndershme, fund e maje për hatër të asaj detyre dhe pa qenë i shtyrë nga zori, nga ndonjë dëshirë e sjellur apo nga shkëlqimi i ndonjë fitimi material. Heroizëm s’kërkohet prej askujt, porse lartësia morale e një perëndimori matet me gradën e vetëmohimit dhe vetëflijimit rreth një ideje të lartë, rreth një ideje që s’ka punë me kolltuqe apo llokma.

Detyra e përditshme e një perëndimori është: “Vepro gjithmonë në një mënyrë të atillë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët, pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri pa qëllime dhe prapamendime lindore. Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri – i madh a i vogël, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo friksime fetare, por vetëm e përvetëm në emër të një njerëzimi të lartëm, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shumë normal. “ (  nga Kristë  Maloki )

Dhe shpirti fisnik i një perëndimori është pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijeplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik.

Larg jemi e edhe më larg do retro- shkojmë nëse e vazhdojmë mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të sotëm në të dy shtetet shqiptare.

Fahri Xharra, 05.05.17

Gjakovë



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora