E premte, 29.03.2024, 05:51 AM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Në vend të ''EULEX'' Kosovës i duhet një ''KEKLEX''...

E diele, 31.08.2008, 06:32 PM


Adnan Abrashi
NË VEND TË “EULEX” KOSOVËS I  DUHET NJË “KEKLEX”...

Derisa, kudo kjo Evropë dhe botë e civilizuar, qirinjtë, simbolikisht i përdor për krijimin e atmosferës stimuluese për: SEX dhe darka romantike, për ritualet e kremtes së ditëlindjeve të fëmijëve të tyre dhe momenteve mortore,  fëmijët tanë në Kosovë, flakën “hyjnore” të qiriut e përdorin si dritë për mësimin e alfabetit.

Nga Adnan Abrashi

Si ithtar i ekzistimit të shumë teorive konspirative në Botë, shpeshherë kam pasur mjaftë dyshim se, në vitin 1999, bashkësia ndërkombëtare, nuk ka intervenuar ushtarakisht në Kosovë për shkaqe humanitare, por, në rend të parë, për interesat e veta strategjike-ushtarake dhe politike. Këtë dyshim ndoshta edhe jo aq të saktë e mbështes fuqimisht në realitetin e mosekzistimit të vullnetit të mirë të kësaj bashkësie, që dhjetë vite resht sa është këtu, ta zgjidhi me sukses problemin: më thelbësor dhe më humanitar të nevojës jetike të një njeriu bashkëkohor - atë të furnizimit të rregullt me rrymë elektrike.
Si duket,  nëse vazhdon kështu me rënien pandërprerë të blloqeve të termocentraleve tona: “A”, “B”,”C:.. edhe pak, do t’i humbim të gjitha germat e alfabetit tonë!?
Derisa, kudo kjo Evropë dhe botë e civilizuar, qirinjtë, simbolikisht i përdor për krijimin e atmosferës stimuluese për: SEX dhe darka romantike, për ritualet e kremtes së ditëlindjeve të fëmijëve të tyre dhe momenteve mortore, në anën tjetër, fëmijët tanë në Kosovën, flakën “hyjnore” të qiriut e përdorin si dritë për mësimin e alfabetit.
A nuk është vërtet kjo metaforë e një paradoksi më drastik kundërthënës: në mes të qëllimeve kinse tejet të sinqerta të atyre që kanë ardhur këtu të na ndihmojnë, mësojnë dhe ofrojnë kushte më të mira jetësore këtu, nga njëra anë, dhe realiteti tjetër faktik tejet banal krahasues, nga ana tjetër?!
UNMIK-u, dikur i plotfuqishëm me ndikimin politik në Kosovë, përmes caktimit të ekspertëve të saj menaxhues dhe firmave të ndryshme më eminente botërore të servisimit dhe mirëmbajtjes së kapaciteteve energjetike prodhuese të KEK-ut , padyshim, si më të suksesshëm në këtë drejtim u treguan në një segment: HAJNI dhe DALLAVERA; veprime këto, për të cilat nuk dihet se a i kanë sjell me vete si qëllime djallëzore, apo, mbrapshtitë në fjalë, i kanë mësuar nga vendorët tanë perfid, me të cilët, në kurrizin tonin, më se 9 vite kanë përfituar paligjshëm bashkërisht. Atëbotë, vetëm një rrogë e një menaxheri të huaj të KEK-ut, mund të jetë sot, sa niveli i shumës së përgjithshme të parave të rritjes së fundit të rrogave të të gjithë arsimtarëve të shkollave të mesme të qytetit tim.
Edhe pse po sfidohem pa ndërprerë në brendinë time, në këtë moment, nuk dua të merrem me iluzionet megalomane patriotike dhe nacional-ekonomike me të cilat ushqeheshim dikur të gjithë, kinse ne jemi qendra botërore e potencialit energjetik, dhe, pa probleme për të ardhmen, me dekada të tëra, mund ta furnizojmë me rrymë jo vetëm “një grusht Kosove” por edhe tërë Evropën. Po ashtu, nuk do merrem as me qëllimet strategjike të politikave globale për Kosovën që zbatohen sot në prapavijë si konspiracion strategjik nga ndërkombëtarët.
Përjetimi i realitetit objektiv është vetëm reflektim i gjendjes tonë të brendshme shpirtërore, andaj, më thoni ju lutemi, si do t’i gëzohem unë, pavarësisë, himnit, flamurit,  pasaportës dhe atributeve tjera simbolike që më damkosin si identitet në Evropë dhe botë, kur edhe pas 10 viteve pritje dhe durimi, mua ende nuk më është përmbushur kushti më elementar human dhe civilizues i njeriut normal të shekullit të 21-të: të kem rrymë pa ndërprerë? Për parakusht të një ekzistence minimale, unë sot si “homo alijeni juris” vetëm dua të kem rrymë pa ndërprerë, sepse, tek atëherë do ta perceptoja si duhet  rëndësinë e pavarësisë, demokracinë dhe vlerat tjera shoqërore universale që i kam pasur dhe i kam si dëshirë të kamotshme, por, që, si duket, janë edhe si synim strategjik të një imponimi nga kjo bashkësi ndërkombëtare.
Nuk ka dyshim! Bazat dhe kushtet materiale në një shoqëri, gjithmonë diktojnë superstrukturën shoqërore të saj.
Tanimë edhe vetë po bindem me atë vlerësim shumë të qëlluar të Albin Kurtit dhe lëvizjes “VETËVENDOSJE” se, bashkësia ndërkombëtare, përmes instalimit të misionit të EULEX-sit , po na dërgon si ndihmë mira policë dhe gjyqtarë, e jo mjek dhe ekspertë tjerë të lëmenjve të ndryshëm shoqëror dhe ekonomik që na nevojiten më së shumti!!
Kohën e fundit,  kam filluar edhe unë seriozisht të bindem se, Kosovës sot, në vend të misionit të EULEX-it që po instalohet, më tepër iu ishte dashur një mision ndërkombëtar në formë të “KEK-LEX-it”, “ECO-LEX-sit”, apo”MEDICO-LEX-it”. Bile-bile, nëse do të ishte realizuar ky propozim i imi thuaj i çmendur, në këtë drejtim, vendorëve tanë ua  kisha hequr të gjitha kompetencat...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora