| E merkure, 03.05.2017, 05:16 PM |
Xhevahir Cirongu
Ç‘patën yjet e natës?
Të thash se do të vija,
dhe ti më prisje me krah hapur!
Sa dhe ngjyrat e ylberit në qiell
me fjalë e premtimet bashkë
nga përmballimi
u përqafuan atje në krua.
Ç ‘ patën yjet e natës?!
Të trebur zbritën nga kupa e qiellit,
sa dhe fjalët me ngjyra ylberi
ato të gjitha u dehën,
dhe etjen e dashurisë
tek ai krua e shuan.
Dhe yjet e dehur nën zë uruan
në vetminë e natës pa zhurmë,
në gotën e qelqtë me ujë
tek ne të dy ndriçuan
dhe fjalët e zjarrta
etjen aty e shuan.
Durrës, 2 maj 2017