E enjte, 25.04.2024, 10:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Kylie Minogue: Dhe unë do të këndoj… (pas 20 vitesh)

E diele, 31.08.2008, 02:12 PM


Kylie Minogue

Po feston 40-vjetorin dhe që tani po mendon kur të jetë 60 vjeç. Ndërkaq, (pothuajse) ka harruar sëmundjen dhe (pothuajse) ka arkivuar të fejuarin. Pa keqardhje që nuk ka pasur fëmijë

Është një mëngjes i bukur dhe i freskët pranveror në Parsons Green. Në këtë lagje të qetë në zonën perëndimore të Londrës, në brendësi të një vilëze të vjetër të rikonstruktuar dhe të transformuar në zyrë, duhet të takoj Kylie Minogue-un. As trafik e as zhurma, vetëm heshtja më pret te porta. Por ndërsa pres ardhjen e Minogue-ut, vëzhgoj më mirë përreth. Dy paparacë, që rrinë të mbërthyer pas motorëve të tyre me aparatin gati në dorë.
Dhe ja ku vjen ajo. Hedh një vështrim dhe i sheh menjëherë paparacët. Por prania e tyre nuk i shqetëson aspak. “E dinë se ku banoj, – shpjegohet. – Më kanë ndjekur nga shtëpia. Në fillim nuk e gjeja arsyen, pyesja veten se pse i kisha gjithmonë nga mbrapa. Tani jam mësuar, edhe pse vazhdojnë të më irritojnë; nuk ju duket as fytyra, gjithmonë vetëm objektivi i aparatit fotografik”.
Motive për të qenë pre e tyre Kylie ka disa. Sëmundja me të cilën i është dashur të përballet përpara tre vitesh, që në maj të vitit 2005 (“Tregoj publikisht se kam një tumor në gjoks dhe për këtë arsye të tërhiqem nga turneu!”). Më pas rikthimi në muzikë me “Showgirl: The Homecoming Tour”, shumë i ndjekur nga media, ku ajo bëri edhe duet me Bonon, dhe më vonë albumi i ri “X”, i dhjeti i dalë në fund të vitit të shkuar. Aktivitete të ndryshme ndërmarrëse, si koleksioni i ri për arredimin e shtëpive “Kylie at Home”, deri tani në shitje vetëm në Angli, dhe lançimi në shkurtin e kaluar të linjës së saj të parfumeve (Showtime). Gjithmonë në shkurt, fitorja e Brit Award si “artistja më e mirë femër”. Më në fund – pak ditë nga nisja e turit të ri “Kylie 2008” me 55 data në të gjithë Evropën – ditëlindja fatkeqe: më 28 maj Kylie bën 40 vjeç.
“Për mua është një datë si gjithë të tjerat, – të siguron ajo. – Në fakt, kam menduar për një festë të thjeshtë, intime, me një grup të vogël miqsh. Edhe pse të nesërmen kam një koncert në Monaco”.

Janë larg kohët e sëmundjes.

“Ma kishin thënë e rithënë edhe gjatë terapisë: Do të mbërrini në një pikë që pothuajse do të harroni se e gjithë kjo ka ndodhur ndonjëherë. Tani i them vetes: tani po, u riktheve, mund të jetosh sërish pa kufizime. Ndonjëherë kam vërtet ndjesinë se kanceri do të jetë gjithmonë në kurrizin tim. Është e pabesueshme se për çfarë qenka i aftë njeriu. Por gjithsesi kjo përvojë ka lënë gjurmë të rëndësishme. Influencon gjithçka që bëj, përveç historisë sime”.

Mendoni për të ardhmen? E imagjinoni veten pas 10 apo 20 vitesh?

“Mendoj që kur të jem 50 apo edhe 60 vjeç, do të jem ende në skenë. Ama nuk mendoj se do të vesh të shkurtra. Pak kohë më parë, në një transmetim televiziv anglez, kam prezantuar “Should Be So Lucky (që ka qenë hit më 1988-tën dhe pjesë e albumit të saj të parë, prej të cilit Kylie ka shitur 8 milionë kopje) në versionin akustik, si një këngë dashurie romantike, e përsosur për të përdorur çakmakët. Është një përvojë që më ka pëlqyer, madje më ka rezultuar edhe më e thjeshtë për t’u realizuar sesa një performancë pop. Për momentin, as që e shkoj nëpër mend, po herët a vonë mund të ribëj diçka të tillë. Në botën e popit, është e vështirë që të plakesh me dinjitet. Më pëlqen të mendoj se ia kam dalë mbanë deri më tani. Por kur flitet për dinjitet dhe moshë, duhet të mendosh më parë për hiret e Audrey Hepburn-it. Në muzikë, më e rëndësishme nga gjithçka është temperamenti, kuraja dhe vendosmëria për të rezistuar mbi skenë edhe kur plakesh”.

Nga ana private, e imagjinoni veten të martuar, me një familje?

“Ndonjëherë mendoj se ndoshta nuk është ajo rruga e duhur për mua. Asnjëherë nuk kam pasur mendimin se jam e prerë për një martesë tradicionale, në vilën e vogël me kopsht. Është e kuptueshme që mediat të interesohen për “supermamatë”, ato që arrijnë të shpërthejnë skenën, të rrisin edhe fëmijë. Por kam përshtypjen se disa prej tyre përfundojnë pa frymë. Sa më përket mua, nëse ndodhem në një dhomë ku gjenden fëmijë, jam e para për t’u shtrirë përtokë me ta. Kam një nip 22-muajsh – është fëmija i vëllait tim, Brendan, i pari që ka pasur fëmijë në familjen tonë – dhe kur ndodhem në Australi, i kushtoj shumë kohë të qenit hallë”.

Është thënë që me Oliver Martinez, aktorin francez që për katër vite ka qenë i fejuari juaj dhe që ju ka ndenjur pranë gjatë sëmundjes, të ketë një afrim sentimental?

“Është një mik i mirë. Kanë dalë fjalë për ne vetëm sepse kemi darkuar së bashku në Paris. E takoj shpesh me kënaqësi dhe jam e lumtur edhe që takoj Sheeba-n, qenushen e tij; ndonjëherë ka fjetur në shtëpinë time. E respektoj shumë Oliverin dhe nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit për të, për mua, apo për ne; askush nuk mund të na marrë gjithë atë çfarë ka qenë speciale kur kemi jetuar së bashku”.

Po ju jeni përherë kaq e qeshur dhe pozitive?

“E di që këtë përshtypje lë; më thonë Smiley Kylie (Kylie e qeshura). Fakti është që imazhi i perceptuar përkon në këtë rast me të vërtetën. Jam një njeri më shumë pozitiv sesa negativ. Patjetër që kam edhe unë momentet e mia të trishta. Por sforcohem që të mos i lë të duken. Mendoj që të gjithë artistët vuajnë nga pasiguri që përpiqen të kalojnë. Ekzaltohesh përpara një publiku prej 10 apo 20 mijë personash, por më pas, në fund të koncertit, kthehesh në shtëpi vetëm. Natyrisht, është një ekzistencë kontradiktore, por kontradiktat më pëlqejnë. Duhet t’i pranosh dhe të përpiqesh të krijosh një ekuilibër dhe harmoni. Ky është objektivi i jetës sime: të gjej harmoninë”.

Si arrin ta gjesh, me një jetë kaq të ngjeshur?

“Sapo kam kaluar një javë të tërë në Mauritius. Pushime të vërteta. Për herë të parë kam pasur përshtypjen e të mos qenit e detyruar të mbash gjithçka nën kontroll. Thjesht u çlodha dhe u ktheva e qetë dhe jo e lodhur. Gati për turneun”.

Në spektaklet e fundit, “Showgirl” dhe “Showgirl: The Home Coming”, kishit veshur kostume mondane. Duket sikur tani keni ndryshuar stil!

“Sot, ç’është e vërteta, preferoj veshje më të thjeshta. “Showgirl” dhe shpendët janë e shkuara ime, tani kam ndryshuar stil. Kostumet e reja janë dizajnuar nga Jean-Poul Gaultier. Ajo me të cilën paraqitem unë, është në kadife të zezë me një të hapur, që duket sikur thyen ligjet e gravitetit. Të kujton pak uniformat e vjetra të ushtarëve, edhe pse janë më shik dhe moderne. Gjithçka është punuar me dorë çdo qepje. Gualtier është shumë i kujdesshëm për detajet. Dhe mua më pëlqen shumë që të asistoj në punimin e veshjeve. Tek e fundit, isha fëmijë kur gjyshja më mësonte të qepja në makinë. Mund të isha bërë edhe stiliste. Kushedi, mbase në jetën tjetër”.

“Sot i them vetes: je rikthyer, mund të jetosh sërish. Kam përshtypjen se kanceri do të jetë përherë në shpatullat e mia’

“Oliveri? Kemi darkuar së bashku; thonë se jemi rilidhur. Le të flasin – askush nuk mund ta fshijë atë që ka pasur midis nesh”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora