Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Avni Rustemi në këngët e popullit

| E marte, 02.05.2017, 10:27 AM |


Përmendorja e Avni Rustemit në Vlorë

AVNI RUSTEMI NË KËNGËT E POPULLIT

Nga MSc. Albert HABAZAJ

Dakortësohem me urtësinë popullore dhe me vizionet e emrave të përveçëm në fushën e Folkoristikës, siç janë visaret intelektuale të punës kërkimore-shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, se këngët e popullit, duke  futur në përmbajtje të tyre ngjarjet e realitetit bashkëkohor, bëhen një kronikë poetike e tij. Edhe Kadare thotë se kënga është autobiografia e popullit në vargje.  Dita e sotme, kombëtarisht, ndoshta meriton të ketë emërtimin dita e Avni Rustemit. Pse? E kemi përqëndruar kërkimin, grumbullimin, seleksionimin, përzgjedhjen dhe paraqitjen e këtij nderimi në Epikën Historike të Gurrës Popullore. Kemi në optikën e këtij kumtimi nderues për Heroin e Atdheut Avni Rustem Libohova dy botime të nivelit akademik dhe pikërisht vëllimin “Këngë popullore historike”, Tiranë, Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe  i Gjuhësisë, 1956 me 408 faqe (ende s’ishte hapur Universiteti i Tiranës) , si dhe “Epika Historike, 3”. Duke kërkuar akretipin e këngëve më të vjetra burimore për Heroin, në librin “Këngë popullore historike” kemi gjetur dy njësi folkorike të botuara. E para, me nr. 320: “O Avni Rustem Marina” ka këtë tekst: “Telegramet vin’ e venë/ Pjesin për Avni Rustemë: “Vrau Esat Pash’ Zadenë”/, O Avni Rustem Marina,/ Shkove burra, shkove trima,/ në Paris ç’e bëre prima:/ Qëllove si vetëtima!/ Që më gjasht’ e gjer më tetë,/ Në këmbë e bëre nobetë,/ Të mbaroje marifenë!/ Marifenë ç’e mbarove,/ Esat Pashën ç’e qëllove./ U ngren’ policët e ranë:/ “Kush e qëllovi pashanë?”/ “Un’ e vrava qerratanë,/ Se punonte prapagantë/ Me Serbin’ e me Junanë.”/ “Avni, vatan’ e nderove,/ Shqipërinë e gëzove!” [1]. Njësia folkorike nr. 321, “Avni Rustemn na e vrave”, ka këtë tekst: “Këjo Vlora këtë herë,/ Bir’ i nënës, o Avni![2]/ Të math e vuri veremnë,/ Që kur vranë deputenë,/ Trimn e math, Avni Rustemnë./ “Në hotel, te haje bukë,/ Të mori plumbi në kukë.”/ Zogu me ca tradhëtarë/ Avni Rustemn’ na e vranë./ S’do ja lëm’ hakën pa marrë!/Avniu e tha një fjalë: “Vlorë të ma bëni varrë,/ Të kem’ përkundrejt Sazanë,/ Karaborun’ e limanë![3]. Këto njësi folkorike janë mbledhur nga prof. Haxhihasani, e para në Libohovë, ndërsa e dyta në Dukat. Këngët janë të drejtpërdrejat, të çiltra, të thjeshta për t’u kapur, për t’u ndjerë dhe për t’u interpretuar. Janë paraqitur nga studiuesi duke respektuart parimin fonetik, që është një nga veçoritë specifike të folkorit, si dhe pajisur me shënimet e e duhura dhe fjalorthin përkatës: “Avni Rustemi lindi në Libohovë më 1895. Gjatë tërë jetës së tij, Avniu u shqua si patriot revolucionar; më 1920 vrau në Paris Esat Pashën, i cili formonte një rrezik të dorës së parë për interesat e Shqipërisë. Avni Rustemi u vra nga njerëz të vënë prej Zogut (12 prill 1924) [Shumë botime të besueshme shënojnë datën 20 prill për plagosjen e tij, 22 prillin ditën e vdekjes dhe 30 prillin ditëpërcjelljen e tij madhështore në Vlorë, AH]. Vrasja e Avniut u bë një thirrje kushtrimi për revolucionin demokratiko-borgjez të qershorit 1924”[4]. Teksti është kronologjikisht i vjetër, gjë që dallohet nga arkaizmat e përdorura në tekstin poetik të këngës. Nga fjalorthi kuptojmë se fjala “nobet-i[5]” vjen nga turqishja dhe ka kuptimin shërbim roje, rend a radhë. Ngjarjet e kohës, kur jetoi dhe veproi heroi i këngëve, që cituam dhe traditat luftarake të popullit shqiptar, u dhanë hov ideve përparimtare dhe demokratike  të popullit tonë. Këngët janë dëshmi e gjallë e kësaj furtune lirie në Shqipërinë e lënduar e të trazuar keq, deri në gjymtim, shqyerje e copëtim. Kënga për vrasjen e Esat Pashës nga patrioti dhe demokrati Avni Rustemi na tregon se motivi i mbrojtjes së Atdheut dhe i interesave të popullit janë në qendër të vëmendjes së këngës popullore. Avni Rustemi qëllon në mes të Parisit “si vetëtima” Esat Pashën, figurën më të urryer të kombit dhe e vret “qerratanë se punonte propagandë” kundër interesave të popullit dhe të Atdheut, se kërkonte “ta shitte Shqipërinë” tek i huaji, si një plaçkë tregu, duke harruar, që kjo Shqipërizë ishte, është e do të jetë për shqiptarët Dheu i Babës e Dheu i Mëmës, thesari material dhe shpirtëror më i çmuar yni, në jetë të jetëve. Gjesti i Avniut gëzon e krenaron tërë popullin. Figura e tij mishëron dashurinë për Atdheun dhe urrejtjen për tradhëtarët e vendit, njësoj e më shumë se për armikun pushtues. Në këngën e vrasjes së Avniut, ne shikojmë simpatinë e madhe që ushqen populli ynë kundrejt njerëzve që shkrijnë interest e tyre vetiake për kauzën e përgjithshme. Në këtë këngë, populli shprehet me një mënyrë të prerë: “Avni Rustemn’ na e vranë,/ S’do t’ja lëmë hakën pa marrë! në një kuptim të gjerë “nuk do heqim dorë nga kërkesat kundër shtypësve, me shpresë për realizimin e aspiratave demokratike”. Në botimin më të plotë të Epikës historike, që pasuron trashëgimin kulturor të popullit shqiptar, në kolanën folkori shqiptar seria III, vëllimi i tretë, duke u ngushtuar thellësisht në subjektin tonë, ndër të tjera, vërejmë se këngë e popullit përqëndrohen kryesisht në faktet konkrete, paraqesin rrjedhojat e luftës që zhvillohej në këtë kohë midis forcave demokratike përparimtare, që luftonin me vetëmohim e me krenari të plotë për interesa të mëdha e për Atdhe të përfaqësuara nga Avni Rustemi, Halim Xheloja, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Riza Cerova etj., kundër atyre reaksionare: Esat Toptanit, Ahmet Zogut, Shefqet Vërlacit, Gjon Markagjonit, Mufit bej Libohovës, që luftonin, me krenari të zbrazët,  pa skrupull për vete, për inters të vockla. Këngët e viteve 1918-1920 sjellin jehonën e prapaskenave dhe të kurtheve që ngriheshin prej Esatit brenda dhe jashtë vendit për të krijuar në Shqipëri të Mesme një shtet sado të vogël, mjafton që në krye të tij të vinte ai vetë. Këto ngjarje, me jehonë frymëzuese Luftën Termopiliane të Vlorës, arrijnë një pikë kulmore me atentatin që iu bë Esat Toptanit në Paris nga i riu revolucionar Avni Rustemi. Për këtë gjest të Avniut, ashtu si edhe më pas për vrasjen e tij, u ngritën këngë mjaft të fuqishme në shumë krahina: në vendlindjen e tij, në Libohovë, në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Korçë, Krujë, Pukë, Kukës e deri në Kosovë, ku Avniu ishte caktuar si deputet. Me këtë cikël dhe me ndonjë cikël tjetër të kësaj natyre fillon zgjerimi i gjeografisë së këngës popullore në këtë periudhë, krijimi i këngëve për figura të shquara të historisë në tërë krahinat e Atdheut. Në tekstin e mëparëcituar, janë botuar 20 njësi folkorike kushtuar Avniut, numerikisht më tepër se për çdo figurë tjetër historike të kohës, mbas Ismail Qemal Vlorës, që ka 21 njësi folkorike të botuara në këtë vëllim të Epikës historike. Këngët për Avniun që përfshihen në grupin “Ngjarje historike të viteve 1920-1924”[6] dhe klasifikohen në nënciklin e parë me 12 njësi folkorike, janë ato që pasqyrojnë aktin e tij heroik. Këngët e Avniut të nëncilkit të dytë përfshihen në grupin tjetër të këngëve kushtuar ngjarjeve të stuhishme nga Revolucioni demokratik i Qershorit deri në pushtimin e zi fashist të Atdheut. Ky nëncikël pasqyron përjetësimin e lavdishëm të heroit tonë. Do të përmendim vetëm tituj e këngëve, me vargje lakonike, ndërtuar në përgjithësi me varg tetërroksh, në trajtë monokolonë, me rimë të puthur AABB, si dhe vendin e vitin kur janë mbledhur: nr. 351: “O Avni, o lule prilli”, 18 vargje, mbledhur në Përparimaj - Korçë, më 1982; nr. 352: “Dëgjoni, shokë dy fjalë”, me 8 vargje, Mashkullorë - Gjirokastër, 1959; nr.353: “Avniu, 20 vjeç djalë” me 15 vargje, po në Mashkullorë, 1959; vijuesja me 9 vargje në Kashisht Tepelenë, 1952 (që ka dhe shumë variante të tjera në Kurvelesh, në Vlorë, në Lushnjë, Berat, Skrapar, Himarë e gjetkë); ajo me nr. 355 me titull “Libohova shum’ e mirë” me 18 vargje, Tomorricë- Skrapar, 1957 (me shumë variante nga Saranda deri në Nakolec- Maqedoni); tjetra “Që në Vlor’ e Tepelenë” me 17 vargje, Dushkarak, Vlorë, 1980; ajo me nr. 358, mbledhur në  Llukaj e Epërme - Gjakovë, ardhur në Rrashbull - Durrës, 1960 ka 38 vargje; pasardhësja me 44 vargje është mbledhur në Konaj-Kukës, regjistruar në bob. 12330, në vitin 1972; tjetra “Vatanë shumë e nderove” vjen nga vendlindja e heroit, në 22 vargje, mbledhur më 1950; ajo me nr. 360: “Një djalë nga Libohova” me 13 vargje, vjen nga Dhëmblani- Tepelenë, 1952; tjetra, “Në bodrume të Frëngjisë”, me 9 vargje vjen nga Leskaj-Përmet, 1957 dhe njësia me nr. 362, që mbyll nëngrupin e parë, vjen nga Skrapari, 1954 me këto katër vargje: “Kush e nje Avni Rustemnë?/ Shpirtdrago, revoleverdhë,/ Seç e vrau Esat qenë/ Që ju bë atdheut ferrë!” Nëncikli i dytë me 6 këngë përfshihet në grupin “Ngjarje historike të viteve 1924-1939”, ku jepet dhembja popullore për humbjen e trimit të Shqipërisë, por jo humbja e besimit në fitoren e lirisë. Njësia folkorike nr. 405: “Avni Rustemin na vranë”, vjen në 13 vargje nga Dukati- Vlorë, 1956 (njihen dhe disa variante, si dhe ekziston regjistrimi në bob. 398/11); vijuesja “Të mërkurë n’ iqindi, me 14 vargje e refren, vjen nga Leskaj, Përmet, 1957; tjetra me nr. 407: “Tiran’ e zeza Tiranë” në 14 vargje vjen nga Skrapari. Në shënimet e këtij botimi, shkruhet se mbi 15 000 veta ishin mbledhur në Vlorë për të marrë pjesë në varrimin e A. Rustemit, që u qëllua të dielën e 20 prillit, ora 16:00 apo 16:30’ (?) dhe e la frymën të martën e 22 prillit 1924, ora 14:20’ apo 14:30’ nga atentati i dorës kriminale të Isuf Reçit dhe Qani […?], vegla qorre të vënë nga qeveritarët e Zogollit dhe reaksioni vendas çifligar. “Plumbi feudal godit idealin shqiptar” - shkruante shtypi i kohës. Njësia folkorike nr. 408, me 8 vargje nën titullin “Telegramet ven’ e vinë” është mbledhur në Skrapar në vitin 1954. (Njihen dhe variante të tjera në hapësirat e hartës folkorike, ku kishte shkuar fama e heroit dhe vlerësohej). Njësia folkorike nr. 409: “Marin’ e zeza Marinë”, me 22 vargje vjen nga Mashkullora e Gjirokastrës, 1959. Marina është lagje në Libohovë, në të cilën Avniu kishte shtëpinë e lindjes. Kënga me nr. 410: “Malet-ë po oshëtijnë” me 14 vargje është mbledhur në vitin 1950 në vendlindjen e autorit. Këtu përfshihen dhe dy njësi të tjera folkorike, ajo me nr. 463, mbledhur në Rubik-Mirditë, 1950 me titullin: “Ni ket kang’ jam tuj fillue” me 37 vargje, ku u bëhet jehonë akteve trimërore të Bajram Currit, Gurakuqit, Avni Rustemit dhe Elez Isufit, dhe qëndrimit dinjitoz e heroik para vrasjeve paburrërore të këtyre burrave trima e atdhetarë nga burrecët faqezinj, që fatkeqësisht ishin dhe ata shqiptarë. Mbyllet ky nëncikël me një këngëz të mbledhur në Vlorë më 1980 me 4 vargje: “Djemtë babanë s’ e njihnë/ që kur mori arratinë./ E ndoq Zogu që ta zijë,/ ta vrit si vrau Avninë”. I kushtohet Halim Xhelos, që u largua nga Atdheu, pasi ndiqej dhe persekutohej nga regjimi i kalbur feudal i Zogut për idetë e guximshme përparimtyarer e revolucionare. Kemi patur mundësinë të dimë më tepër për këtë njësi folkorike, më saktë për këtë variant të një kënge labe. Ç’ka gjejmë në këtë botim, është një strofë e shkëputur nga kënga e krijuar nga poeti i njohur popullor Xhebro Gjika dhe që është kënduar nga grupi polifonik i Tërbaçit në vitin 1969. Ka disa ndryshime nga teksti origjinal që ne dimë, jo vetëm sepse kemi orgjinën andej nga ka lindur kjo këngë. Po ashtu, parimi fonetik nuk është respektuar si duhet, por, meqë duket se del nga objekti i kumtesës, nuk po i trajtojmë hollësi.

Në botimin e Akademisë së Shkencave, Instituti i Historisë: “Halim Xhelo, militant e ideolog i shquar revolucionar”, Tiranë, 1975, botohen dhe pjesë nga fjalimi i Halimit mbi varrin e Avniut. Halim Xhelo, shoku i ngushtë i Idealit, ka mbajtur vërtet një fjalim të zjarrtë në varrimin madhështor që iu bë Heroit të kombit, (jo fjalim, por betim kombëtar) që ngriti peshë zemrat e lirisë dhe ndjenjat atdhetare kundër regjimit feudal dhe klikës shtypëse antipopullore. Për lexuesin e sotëm, po publikojmë sipas origjinalit: “Pjesë nga fjalimi i H. Xhelos mbi varrin e Avni Rustemit. Ditën e Mërkurë 2.30 në 30.04., 10.000 vetë mbi varr të Avniut. Fjala e oratorit dhe redaktorit t’onë Z. Halim Xhelos. “Kombit Shqiptar për gjallërin dhe bashkimin e tij i duhesh një Profit dhe një Mekë dhe një Xherusalem. Ja, Profiti është Avniu dhe Meka e Xherusalemi për shqiptarin do të jetë varri i tij. Në këtë minutë më duket sikur shkojnë para syve të mi tërë shqiptarët, dhe shoh në syt e tyre lot, por këta lot e këto qarie do të jenë ipokrizi në qoftë se nuk do të dënojmë atë që shkaktoi këto. Në këtë minutë, që nevej qajmë Avninë, vrasësi i vërtetë i tij Ahmet Zogolli rri në pallat tue fërkuar duart me gjakun e Avniut dhe pregatit me të huaj plane të tjera për të çkatërruar Shqipërinë. Tërë këto veprime ja legalizon Kryeministri, vjehërri i tij Shefqet Vërlaci. Pra, Zogolli është gjykuar dhe dënuar prej ndërgjegjes kombëtare me vdekje, dhe si tradhëtar i duhet vënë litari.” (I tërë populli briti POSHTË ZOGOLLI!) “Politika”, nr.14, dt. 3.V.1924.[7]

Gjykojmë se, figurën e Avniut histora e ka vendosur në piedestalin e merituar dhe s’ka stuhi e zot ta luaj nga maja e lavdisë. Edhe  këngët historike për trimat e Atdheut  si Avni Rustemi, veç evidentimit të traditave tona kulturore, përbëjnë edhe një dëshmi të rëndësishme për njohjen dhe studimin e dinamikës së këtyre traditave. Një tjetër pikë kulmore që na sjellin këngët e popullit të kësaj periudhe, është kurorëzimi i përpjekjeve të forcave përparimtare me ngadhënjimin e Revolucionit demokratik-borgjez më 1924. Krijimet folkorike të kësaj kohe, kulmojnë veçanërisht me figurën qendrore të lëvizjes revolucionare përparimtare, Avni Rustemin, duke e lartësuar me elemente të madhërishme e që shërbejnë për ndërtimin e figurave stilistike si krahasimi, epiteti, metafora, etj., psh., nocionet vetëtimë, zemërluan, lule maji, zok palloi, dragua etj. Si rezultat i zhvillimit të ndërgjegjes ideoartistike të popullit, edhe për këngët e kësaj figure të shquar historike, gjejmë një mendim më përgjithësues që vë në dukje edhe cilësitë intelektuale të tij në dobi të kombit. Ndofta më qartë se përpara, përdoret drejtpërdrejt nocioni abstrakt i bukurisë nëpërmjet vetë emërtimit të saj: “Libohova shumë e mirë/ Vetë e kishte bukurinë,/ kish Avni Rustemnë trimnë”. Trima lirie si Avni Rustemi nuk duhen kujtuar vetëm ditën e vdekjes. Ata çdo ditë duhet të kujtohen me veprimet tona të mira, në dobi të dinjitetit dhe përparimit të Atdheut. Dy krisma në Paris Avniu ia dha në ballë tradhëtisë, që Atdheu i tij dhe yni të mos katandisej si trasta në degë apo si paçavure e Europës, por të udhëtonte në rrugën e lirisë e zhvillimit, me emrin e nderit, ballëlart e “lule në mes shoqeve”. Trima lirie si Avni Rustemi nuk vdesin, se, edhe sikur të grisen artikujt e monografitë shkruar për ta, heronjtë janë në këngë. E këngën nuk e gris dot askush. Ajo rron sa jeta. Dhe Avni Rustem Libohova, që si djalin e saj e mban Vlora, fluturon përjetësisht në krahët e këngës.


[1]) “KËNGË popullore historike”, Tiranë, Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1956, f. 315-316.

[2] ) REFRENI, përsëritet pas çdo vargu

[3] ) “KËNGË popullore historike”, vep. e cit., f. 316.

[4] ) PO aty, f. 316.

[5]) PO aty, f. 380.

[6]) “EPIKA Historike”, përgat. Qemal Haxhihasani, Miranda Dule, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë:  1990 [1989], vëll.3, f. 470-484 (nr. i këngëve: 351-362); f. 569 -574 (nr. 405-410); f. 658 (nr. 463); f. 691 (nr. 488).

[7]) Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë: “Halim Xhelo, militant e ideolog i shquar revolucionar”, Tiranë, 1975, f. 89.