E enjte, 28.03.2024, 09:31 PM (GMT)

Kulturë

Muça: Fantashkenca thith brenda vetes realitetin

E diele, 30.04.2017, 09:04 AM


Kur imagjinata e fantashkenca thith brenda vetes realitetin

( Vështrim kritik rreth romanit " Ata nuk duhet ta dinë " të Ben Shehut)

Nga Vladimir Muça

Kur miku e bashkëpuntori im, kritiku Fatmir Minguli më dha librin " Ata nuk duhet ta dinë", edhe pse nuk e kisha njohur autorin, u shtyva nga kurreshtja ta lexoja sa më parë, mbase edhe nga fakti që ishte një roman me temë krejt të veçantë.

Tek e lexoja me një frymë, mbasi me fantazinë e tij Beni me mjeshtri kish futur magjinë e të mikluarit leximor? mbi vete më sillej si një dron kujtimor një thënie brilante e aktorit të madh Al Paçino se: " Gjithmonë është gjendur një laps që të shkruaj për të ardhmen, por kurrë nuk është gjendur një gomë që të fshijë të kaluarën." Me këtë të kaluar si një botë aliene mpleksur me imagjinatat dhe fantazmagoritë brilante të autorit, ky roman na çon në atë të kaluar, në një botë sa fantaziste aq dhe realiste.

" Ata nuk duhet ta dinë " një thagmë që në kuptimin inteligjent, jo vetëm masa e gjërë e popullit, por edhe vetë personazhet kryesorë, në subkoshiencën e tyre nuk duhet ta dinë.

Gjithçka të intrigon që në pasazhet e para, të fut në fikshën, aq sa nuk e kupton se po shfleton një libër policesk, triller, që të ndjell panik e frikë si në tunelet e tmerrit të Luna Parkut, apo je në vendin tënd të përjetuar.

Romani të tërheq me magjinë e fabulës rrëfimtare nëpërmjet një përshkrimi konçiz, gjer në detaje. Të duket sikur nuk je ti që lexon, por ke përballë një njeri që rrëfen.

Nuk do të ndalem tek traumat psiko-analitike që vinë dukshëm në planin shoqëror e individual, si dhe aspektet e kodimit të tyre në arshivat e kundërspiunazhit, megjithëse ajo është gjetje sa profesionale aq dhe tunduese për lartimin inteligjent, derdhur  në dialogje e monologje nga autori. Imagjinoni Shqipërinë në vitet '60! Vetë libri vjen si një megametaforë e vetë shoqerisë në Shqipërinë aliene, me problemet që ka, sidomos me fqinjët përreth e me " synimet imperialiste".

Beni rrëfen këndshëm duke i vënë personazhet në aktrim si tek drama e Bashkim Hoxhës " Udhëtimi i një alieni" mes një fantashkence dhe një realiteti që prevalon mbi të.

Gjithçka me të vërtetat simbolike, dhe hipotetiko- analitike që tenton të reflektojë mbi idiotësitë, duke ngulmuar drejt një substance të re kohore, si një trashëgimi gjenetike, si një vazhdimësi.

Me bagazhin e përftuar, si të një shërbimi ekstrainteligjent, përftuar nga përjetimet por dhe nga përvojat e huazuara, autori ve në lëvizje imagjinatën e lexuesit duke e shtyrë atë të rendë para rrëfimtarisë në fikshionin e pritjeve nga imagjinata e eksituar gjatë leximit, sa që lexuesi është i detyruar të lexojë, aq sa nuk e shkëput librin nga dora.

Që në dukuritë e para narrative, romani është  ndërtuar mbi bazën e ngjarjeve të përjetuara dhe imagjinare. Nëpër psiko- analitikën e personazheve që flurojnë si një alien nga kapitulli në kapitull vijnë intertekstet, mbi të cilët është ndërthurur e gjithë fabula romaneske me mesazhet e saj.

Analizat kriminalistike dhe aluçinacionet fantazmagorike, falsitetet, vinë si një përbashkësi e një lumi psiqik që ka rrjedhur në çdo fenomen e ngjarje nga shpella alienase e dogmës  që villte jo vetëm  radioaktivitet shpirtëror por dhe mendore dhe fizik, si burimi i ëndrrave të këqija që e ndiqnin njeriun në çdo çast të jetës, atëhere kur handikapi  përçfaqej si një alien.

Romani ndonëse fantazist në intertekstet rrëfimtare ka aludimin, alegorinë, si komponent promotorr i mesazheve dhe ideve që promovon autori në tërësinë e filozofisë prozadorike.

Në këtë kontekst elementët realë biografikë me emra e toponime kanë valencat e veta  në protonizmin e ngjarjeve imagjinare, sa që ato herë herë e venë lexuesin para dilemave: " E kam dëgjuar dhe unë këtë histori por si nuk e kam besuar..?" Kjo është magjia e artit të vërtetë i cili bëhet "perandor" i mendjeve e subkoshiencës njerëzore.

Në kontraversa të tilla, mbarsur me shumë hamendje, vinë dhe ngjarjet e fenomenet e kohës por dhe personazhet që sipas meje janë Kadriu si Kadri Hazbiu, Thomai si gazetari Thoma Noti, Zeqo si Moikom Zeqo, ku autori me mjeshtri, jep shumi karakteresh, subkoshiencash, kultura komunikimi të kuadrove sa transparentë aq dhe të plotformuar, dhe jo si paraqiten në një këndvështrim tjetër nga dogma e regjimeve ku kulti i individit dilte e del si një kaktus gjembaç, gjithnjë i dypersonalizuar.

Ky personalitet, si një vizion shtetëror, një herë Shan, një herë Bagdat, ose "mos bëj çfarë mendon, por bëj çfarë të sugjeroj unë."

Njeriu robot ka pulsantin robotik, pulsant që e komandon pushteti. Në nëntekst, ku imagjinata e fantashkenca e thith brenda vetes realitetin, lexuesi jeton në një substancë kohore, përjetuese largon dypersonalitetin i cili grindet brenda qenies njeri si djalli me engjëllin, e jeton një botë shpirtërore të qetë.

Ajo që të nguros mbi këtë roman është dhe stili narrativ që autoi ka përdorur; zgjedhja e fjalëve, fjalive, ekstraktet gjuhësore, krahinore, vendosja e tyre në ballancë  si mballoma artistike gjatë rrëfimit në përputhje me konceptin stilistik që referon Umberto Eko.

Për mua si kritik, kjo është ana më pozitive e romanit. Prozadorizmi nis me një stil të mirfilltë fantazist veshur me një purpante të lehtë realizmi. Një realizëm që anon nga ekzistencializmi, i cili më shumë i përngjet gjeneratës të fundit realiste ku narrativja ndërthuret me elementë modernistë dhe kulmohet në kapitujt e fundit nga një dramaticitet  liriko- social me elementë të një dekadentizmi tangjent i cili na përcjell në tërësi nocionin e shoqërisë në të cilën zhvillohen ngjarjet.

Në këto këndvështrime spikat merita dhe mjeshtëria e autorit i cili ka treguar pjekurinë e një shkrimtari të mirëinformuar, duke realizuar ndërthurjen e elementave fantazisto- realistë, modernistë dhe absurdë në mënyrë të njëtrajtshme, në barazpeshë e të azhornuar. Lexuesi nuk e ndjen se ku fillon e ku mbaron një stil, dallueshmërinë  nga njeri tjetri, sepse autori duke qenë një shkrimtar i qëmtimit me rifinitura artistike nuk harron të bëjë kalimet me penelata mjeshtërore, me ato fonemat e ekstrakteve artistike të fondit krahinor.

Gjithçka vjen si një realitet i mirfilltë, ndonëse zanafillën e ka në një guackë fantazie, ku gjithçka në formatin filmik vjen nga gojëdhënat e popullit të thjeshtë, marrin pasaportën e tij dhe dhe bashkë me fenomenet  aliene, ardhur nga kozmogonia, legalizohet në zyrat e kundraspiunazhit strategjik.

Në këtë fantazmagori alienësh ajo që ndez kurreshtjen e pérflak këtë botë të pandjenjë është kapitulli 22, ku dramaciteti social dhe ai lirik binjakëzohen në një u ison. Një supermetaforë, simbolizëm inkandeshent përshkon rrëfimin si një ylberiadë. Fikshëni prozadorik në këtë kapitull e më pas, arrin pika vlimi dhe protonizmi ndez reaksionin zinxhir të një dramaciteti lirik e shoqëror si një shembull prevalonjës për gjithçka që do të antraksohet në amalgama liriko- sociale.

Por kreatura aliene, si metaforë e pushtetit që gllabëronte njerëzit e vet, mbasi realizonte misionin dhe qëllimet e veta. Një artificë artistike kjo, me një shumi intertekstesh, si një megametaforë që pjellin mesazhet kundraverse për gjithçka që do të ndodhte në atë ciklikë e cila niste nga zyrat e kundrazbulimit, shumohej e hante vetveten si amebë. Hante këta bijt e vet,  këta lypsa të cilët mbartin në veten e tyre, në atë Qiellin e syve e shpirtin e botës së Kenës, botën e shpirit tonë.

Pasi e mbarova së lexuari këtë roman, të një lloi të veçantë, me të drejtën time mund të them: se ky libër që kemi sot nëpër duar është nga ai lloi romani që pasi e lexon, të vjen keq që mbaroi aq shpejt. Kur ta vendosësh në bibliotekë, ai si një alien, do të rrezatojë në mendjen tënde tundim dhe kurreshtje për ta rilexuar, për të zbuluar detaje dhe mesazhe të tjera, që ndoshta gjatë leximit të parë i shtyrë nga imagjinata, kanë kaluar si kometa Halley duke na lenë pas bishtin fshesë të saj.

Lexojeni këtë roman fantazisto- realist miq, ju siguroj që në të do gjeni botën e dikurshme alieno- tokësorë, me misteret dhe handikapet e saj shoqërorë.

Prill 2017

Vladimir Muça

Shkrimtar, kritik



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora