E premte, 19.04.2024, 04:14 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

“Futbolli shqiptar... si futboll rruge”

E diele, 31.08.2008, 01:38 PM


Arie Haan
Arie Haan
Shkruan: Ben Andoni

Arie Haan duhet të vijë përgjysmë i kuptuar për publikun në Shqipëri. Kjo sepse përkthyesi i tij nga gjermanishtja, shpesh ia përshtat fjalët me një gjysmë dialekt kavajas. Në fakt, Haan flet katër gjuhë, dhe po me aq mund të flasë lirisht. Ky është fati, kur përpiqemi dhe i shkëpusim me shumë vështirësi një intervistë- jo vetëm për futbollin, por edhe për jetën e tij. Shqipërinë e ka njohur kur ka ardhur dikur në vitin 1972, por mbresat tashmë i janë zhytur thellë në kujtesë. I vogël. I varfër. Pa makina. Kaq kujton për vendin. Sot, 60 vjeçari, që drejton përfaqësuesen tonë e fokuson më shumë mendjen te ekipi i tij. Që është modest dhe nuk e fsheh. Si për dreq, ka shumë shpejt një ndeshje për eliminatoret e Botërorit 2010 dhe nuk ka mundur të kolaudojë si duhet ekipin. Por si verior i fsheh mirë emocionet. Nuk paragjykon. Bën me kokën e tij dhe është i prerë. Këtë herë në miqësoren kundër Lihtenshtejnit, Bogdanin e Serisë A e ka planifikuar jashtë. Nuk është në formë, u ka thënë thjesht gazetarëve. Ka gjithmonë një përgjigje për kureshtjet gjysmake të shqiptarëve, ndërsa për miqtë në darkë, që i shoqëron me verën e bardhë është shumë më miqësor. Si Kapelo në Angli ka vendosur një rregull drakonian në ekip. Të gjithë do ulen të ushqehen, do stërviten dhe do largohen bashkë. Askush veç. I lindur në një qytet të vogël të Holandës ai ka provuar vetëm me sportin në jetë dhe futbolli i ka shërbyer mjaft. Edhe pse edukimin e ka në psikologji dhe pedagogji. Nuk është se ka shënuar shumë (6 gola në 35 ndeshje ndërkombëtare) por goli nga 40 metra që i shënoi Xofit të famshëm dhe dy ditë më parë më 1978 Majerit nga 35 metra e kanë futur në librin e madh të historisë së futbollit. Është miqësor, por jo aq i hapur me shqiptarët me të cilët ka përballë një sfidë të vështirë kundër Suedisë. Nga fytyra e tij, kupton shumë pak, aq sa shkurajohesh edhe nga fjalët e tij. Ende Shqipërisë i duhen dhe shumë shkallë në spiralen e saj të progresit, sepse për të që thotë: ‘Ne Shqiptarët’- luajmë akoma... futboll rruge.

Si e keni pritur përzgjedhjen tuaj si trajner i përfaqësueses shqiptare...Sa e kishit njohur Shqipërinë më parë...

“Unë kam qenë në vitin 1972 për herë të parë në Tiranë. Në atë moment, nga kontakti i parë kisha përshtypjen e një vendi që në atë kohë nuk ishte gjithmonë i njëjti. Ndërsa tani është komplet ndryshe. Është e hapur me Evropën në krahasim me kohën më përpara. Në fakt, nuk është se mbaj mënd aq mirë. Kanë kaluar aq shumë vite. Por mbaj mënd që nuk kishte makina. Kishte aq shumë njerëz në rrugë dhe në plazh. Varfër. Mbaj mënd që ishte një tren i vogël dhe i vjetër në plazh. Këtë e mbaj mënd mirë... Nuk kishte shumë gjëra. Tani është një vend fare normal për mua për sa i përket zhvillimit. Dhe, përpiqet që të kapë nivele më të larta.
Në fakt, të them të drejtën, e përsëris që nuk e kujtoj aq shumë atë kohë. Për sa i përket sot populli shqiptar është natyrisht një popull miqësor. Por, nuk mund të them se e njihja Shqipërinë. Madje, kur i thosha njerëzve për emërimin si trajner i Përfaqësueses më thoshin- ‘Shqipëria! Çfarë do atje?’ Por të jemi të sinqertë: Kam punuar më shumë se dy vjet në Kinë dhe njerëzit po ashtu më thoshin: ‘Eh.. Po çdo në Kinë?’ Tash pas disa viteve, kur po i shikojnë Lojërat Olimpike mendojnë me një kuptim krejt të ri për Kinën. E njëjta gjë dhe për Shqipërinë. Për të nuk kishte ndonjë njohuri të madhe në Evropë dhe që njerëzit të kishin ndonjë përshtypje të specifikuar, ndërsa tani kanë ndryshuar shumë gjëra”.

Kush janë njerëzit e familjes suaj?

“Kam gruan dhe një vajzë, që është 15 vjeçe. Nga martesa e mëparshme kam dy fëmijë. Që janë tre. Gruaja merret me vajzën dhe me detyrimet ndaj saj kryesisht”.

Për çfarë jeni shkolluar?

“Jam shkolluar për Pedagogji dhe Psikologji në Holandë”.

Kush janë prindërit e Ari Han? Sa kanë ndikuar ata në karrierën tuaj?

“Mamaja jeton në Holandë dhe është mbi tetëdhjetë vjeçe. Ndërsa babai ka vdekur kohë më parë. Ai ka qenë një punëtor i zakonshëm në një Fabrikë shumë të madhe. Ajo që mbaj mend nga ai është se ka qenë një njeri me një horizont shumë të gjerë. Dhe e njihte si askush tjetër futbollin. E mbaj mend për shumë gjëra”.

Kur dhe ku jeni përfshirë me futbollin?

“Kemi pasur një klub shumë të mirë futbolli në qytetin e vogël ku unë kam lindur më Finsterwolde në veri të Holandës, në të njëjtin vend ku kanë qenë edhe disa lojtarë të tjerë me karrierë ndërkombëtare që kanë dalë prej aty. Nga ky klub kam filluar të luaj me klube të rëndësishme në Holandë si Ajax, R.S.C. Anderlecht, Standard Liège dhe PSV Eindhoven. Kulmi kuptohet se ka qenë me Ekipin përfaqësues të Holandës. Ka qenë një përvojë e mirë”.

Je një hero për qytetin tënd. Si e përjeton këtë ndjenjë?

“Po. Por të themi një lojtar i madh. Vetëm se të jem i sinqertë nuk kam qejf që të flas për heronjtë ose për çfarëdo qoftë tjetër. Por e pranoj që njerëzit më njohin dhe më respektojnë shumë”.

Si e përball këtë mirënjohje të njerëzve?

“Në përgjithësi nuk e kam shumë problem. Jam miqësor. Jam shumë i hapur në shoqëri dhe shumë i shoqërueshëm. Por, disa herë më bezdisin pak. Në fakt fluturoj shumë. Dhe, shkoj shpesh në Kinë. Atje jam shumë popullor ende. Normalisht jo në të gjithë hapësirat e saj të pafundme, por njerëzit më njohin nga fotot”.

Keni një karrierë shumë të lidhur me futbollin. Më thjesht, kush është sot jashtë futbollit Ari Han?

“I thjeshtë. Them sërish se jam shumë i hapur. Jam shumë miqësor dhe kam shumë miq dhe..më pëlqen jeta”.

Kush janë miqtë e tu më të afërt?

“Janë të njëjtët sërish. Kam akoma ata miq që kam pasur që para dyzetë e pesë viteve. Jam shumë besnik te miqtë dhe me këdo. Dhe kohë pas kohe bëhemi bashkë”.

A mban marrëdhënie me kolegët tuaj, që keni luajtur me Holandën?

“Jo nuk mbaj shumë kontakte. Ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira, kur kemi qenë në skuadër. Jemi ende shumë shokë me njëri-tjetrin. E vlerësojmë njëri-tjetrin si kolegë dhe nëse kemi pasur ndonjëherë probleme e kemi ndihmuar njëri-tjetrin”.

Keni bërë vetëm një test të parë me Shqipërinë. Për aq pak kohë sa kishit në dispozicion, si ju është dukur ekipi shqiptar?

“Unë e njoh Shqipërinë në futboll. Që të jemi të sinqertë, ne nuk jemi Anglia, Spanja ose Gjermania. Nga ana tjetër mua më pëlqen që të luaj me këta lloj lojtarësh të tillë, që kam në dispozicion, si p.sh. Lorik Canaj, që deri më tashmë me klubin e tij në Francë është në nivelet më të larta në kampionatin ‘e vendit’ të tij. Ai di shumë për lojën. Por ka dhe shumë lojtarë të tjerë që janë në Gjermani të cilët njësoj i vlerësoj, por që nuk janë si ai. Mua më pëlqen që të bashkëpunojnë dhe të funksionojnë si një ekip i vetëm. Dhe unë mendoj se Shqipëria ka lojtarë të mirë qoftë nga ana teknike dhe lojtarët tuaj kanë temperamentin tipik ballkanik. Ata nuk ndryshojnë shumë nga lojtarët rumunë, bullgarë etj”.

Çfarë keni mundur të evidentoni në shpirtin e ekipit shqiptar...Si ju duk grupi që përzgjodhët... Shikoni elementë që ju inkurajojnë...

“Unë kam parë disa lojtarë me aftësi të vërtetë, që mund të luajnë futboll. Po, ata vërtetë luajnë shumë mirë dhe mua më pëlqen që të shikoj futboll këtu në Shqipëri. Unë kam qenë vetë lojtar dhe i shijoj ndeshjet. Kam parë ndeshje në Shqipëri dhe më pëlqen të shikoj kampionatin e saj. Është shumë zbavitës. Varet nga mënyra, në fakt sesi veprohet. Por, i ngjan pak futbollit të rrugës. Nuk ka shumë organizim. Lojtarët herë pas here, me ato që shikojnë bëjnë gjëra shumë të mira, por në pjesën tjetër është e nivelit të dobët dhe më të dobët- nga ajo që kam parë. Në futbollin shqiptar, me atë që konstatoj është se nga e mira drejt jo të mirës ka një diferencë shumë të madhe. Dhe, në mënyrë që të rritet duhet që ajo të shkojë drejt këtij niveli të lartë dhe vetëm atëherë mund të flasin për një futboll të mirë. E theksoj se duhet që të harrohen gjërat e këqija”.

Çfarë i mungon ekipit shqiptar, sipas pikëpamjes suaj...?

“Organizimi dhe mënyra sesi duhet që të lëvizin në fushë. Lë shumë për të dëshiruar”.

A i keni dëgjuar fiksimet e rezultateve të ndeshjeve në kampionatin shqiptar dhe në ato të përfaqësueses. I njihni akuzat e paraardhësve tuaj në drejtimin e Bankinës shqiptare. A ju frikëson kjo?

“Po. Ne kemi folur për këtë shumë më përpara. Por të jem i sinqertë, ky është një problem tashmë në të gjitha vendet dhe jo vetëm në Shqipëri. Edhe në Kinë, ku kam qenë unë kanë ndodhur. Pra duhet me qenë i kujdesshëm. Është e vështirë që të mendosh gjithë kohën për të dhe të mundohesh ta ruash rezultatin. Në lojë, ti je duke menduar për rezultatin dhe kaq. Por ky fenomen ndodh jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjitha vendet e tjera...Jam i përgatitur se të ndodh një gjë që nuk e pret”.

Ju jeni shprehur i matur në lidhje me objektivat e ekipit shqiptar. Ka të bëjë kjo me filozofinë e punës suaj, apo thjesht me përpjekjen për t’i ingranuar normalisht lojtarët për ndeshjet e Botërorit?

“Mua më pëlqen që të punoj me futbollin. Veçanërisht më pëlqen që të punoj me atë që është lojtar dhe që mund të bëj më shumë, por jo vetëm nga ana teknike, por që mund të nxjerr diçka sa më të mirë prej tij. E përsëris jo thjesht mirë nga ana teknike sepse këtë ai e ka- por që të mendojë më shumë për futbollin dhe të ketë një pikëpamje tjetër për futbollin, që do të luhet. Dihet që shumë nga lojtarët dhe trajnerët e tyre janë një nga mundësitë- ndërsa më takon mua në fund që kam përgjegjësinë kryesore që t’iu gjej vendin e duhur në fushë. Besoj se në këtë rast jam i vetmi sepse kam luajtur në disa pozicione, kur kam qenë si futbollist: libero, mesfushor i qendrës, stoper, mbrojtës i majtë, mbrojtës i djathtë, mesfushor sulmues. Vetëm portier s’kam luajtur. Kur them që kam luajtur në të gjitha këto pozicione me disa nga ekipet më të mira të kohës dhe jo me ekipe çfarëdo, atëherë duhet të kenë besim. Kam luajtur në 1974- Libero (mbrojtës i lirë), më 1978 mesfushor sulmues dhe tek Ajaksi kam luajtur zakonisht mesfushor. E përsëris se kam përvojë nga të gjitha këto pozicione dhe kam mundësi që t’iu jap lojtarëve përvojën time nga të gjithë këto vende”.
 
A është problem që një trajner holandez të drejtojë një ekip ballkanas. Si i shikoni diferencat e ndryshme në mentalitetin tuaj kombëtar me atë të ekipit shqiptar?

“Dua që për këtë pyetje të rrëfej thjesht përvojën time personale. Unë kam udhëtuar në të gjithë botën. Kam lënë Holandën më 1976 dhe pastaj kam shkuar në Belgjikë. Pastaj në Greqi. Pastaj në Kinë etj. Të them të drejtën nuk e njoh filozofinë e futbollit ballkanik, por ajo që dua të them se di mirë atë që kërkoj dhe atë që bëj. Dhe kur i shikoj lojtarët e di se çfarë kërkoj nga ata. Kuptohet se do të doja që të kuptoja dhe filozofinë e tyre në mënyrë që të krijoja një mentalitet”.

Mendoni se keni vendosur ura bashkëpunimi me ekipin kur ju kanë mbetur jo shumë ditë nga ndeshja me Suedinë?

“Jo shumë. Kjo për shkak të kushteve. Ju e dini që jemi stopuar për shkak të mosmarrëveshjes së strukturave të shtetit tuaj me FSHF-në. Po ashtu, shumë nga lojtarët janë jashtë vendit dhe luajnë në kampionate të ndryshme. Ata ndryshojnë shumë për sa i përket lojtarëve që janë në Shqipëri. E them se është ndryshe që të luash jashtë në kampionate me prestigj, edhe pse unë e kam detyrim që të shikoj dhe të këqyr”.

Keni drejtuar shumë ekipe Antwerp, VfB Stuttgart, FC Nuremberg, Standard Liège, PAOK FC, Feyenoord, Austria e Vienës, përfaqësuesja e Kinës, përfaqësuesja e Kamerunit..etj...Çfarë e lidh përfaqësimin tuaj në gjithë këto pjesëmarrje...

“Unë kam idenë time për funksionimin e ekipit. Kuptohet se lojtarët e një vendi, ku unë drejtoj kanë idetë e tyre. Kur isha në Holandë dihet që ne e pëlqejmë aventurën; kur isha në Belgjikë dhe ishte futbolli profesionist e kuptoja mentalitetin shumë mbrojtës të tyre; në Itali po ashtu janë shumë të tërhequr; futbolli spanjoll i ngjan pak frymës së Toreros dhe më këtë identifikohet edhe shpirti i tyre. Çdo vend në futboll ka identitetin e tij. Ndërsa ndoshta ende Shqipëria nuk e ka mentalitetin e saj sepse futbollistët dhe njerëzit janë shumë të rinj ashtu si ligjshmëria që duhet të arrijnë në kanonet e saj”.

Sa gjuhë flisni?

“Holandisht, kuptohet. Pastaj gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht”.

Çfarë mund të na thoni për lidhjen e Han me kulturën? Në Shqipëri kultura juaj është e njohur dhe nga vendi juaj janë përkthyer disa autorë. P.sh. Henri Mulisch.

“Hëmm. Më thua për këtë autorin holandez. Po e njoh. Të jem i sinqertë nuk e kam lexuar. Në shkollë më duket se e kemi bërë me një libër të tijin. Ka qenë në program. Nuk ka qenë shumë afër preferencave të mia, të jem i sinqertë. Unë kam lexuar më shumë dhe i preferuari im ka qenë Jan Hendrik Wolkers. Ka vdekur pak vjet më parë. E përsëris dhe dua të jem i sinqertë se Mulisch nuk është shumë i lehtë për tu lexuar”.

Në çfarë forme lidhesh me artin...

“Nuk kam shumë kohë për të lexuar por arti më pëlqen në përgjithësi. Kur jam në kohë pushimesh mundohem të shikoj shumë dhe të lexoj nga pak. Kam disa libra që më interesojnë, por më pëlqen shumë muzika. Për ta dëgjuar varet nga gjendja ime shpirtërore. Patjetër, që më pëlqen shumë klasike, por çdo lloj muzike. E dëgjoj në muzikë dhe në shtëpi. E dëgjoj në mëngjes, por edhe në drekë dhe në mbrëmje. E dëgjoj kudo”.

Kush është motoja juaj në jetë?

“Nuk e di. Por, më pëlqen që jeta ime të jetë optimiste dhe të jetë pozitive. E shikoj dhe e besoj shumë optimizmin, dhe e shikoj atë në anët më pozitive. Dua që ta bëj jetën time sa më të lehtë. Nuk jam pesimist dhe nuk jam njeri që shikoj me frikë anash, asnjëherë. Në përgjithësi jam njeri me shumë ekuilibër”.

Çfarë bën aktualisht familja juaj?

“Kam një familje për të cilën jam krenar dhe të pasur dhe me shumë specifike. Shpesh diskutojmë bashkë problemet. Kemi nivel të mirë dhe kjo na kënaq. Dhe në flasim shpesh me familjen që të jetojmë mirë dhe këtë përpiqemi që t’ua japim edhe fëmijëve, të gjitha gjërat pozitive që kam hasur në jetë...”.

A keni ndonjë mendim specifik për shqiptarët?

“Të them të drejtën nuk jam nga ai lloji i njerëzve, që kanë pasur një opinion më parë dhe e kanë korrigjuar. Më pëlqen që të shikoj një anë dhe më pëlqen që të flas dhe të flas vetëm për ekipin. Nëse dikush mundohet të më flas për të shkuarën, vetëm nëse më pëlqen unë e dëgjoj. Por, ajo që është kryesore është se dua që ta shikoj me sytë e mi gjithçka dhe duke e parë kam mundësi vetë të filloj që ta vlerësoj. Dua që të shikoj vetë gjërat dhe pastaj të jap një gjykim”.

Vini nga një vend ku filozofia sulmuese është gjithçka në futboll, a do mundeni ta përshtasni këtë për futbollistët shqiptarë?

“Në të ardhmen po. Por ajo që shikoj këtu dhe që duhet të bëhet është se ju duhet të punoni që të jeni të gatshëm. U kam thënë lojtarëve që gjëja më e mirë për ne është një mbrojtje shumë e fortë. Ndërsa ofensivë do të thotë një mbrojtje e hapur dhe kjo do të thotë që duhet të kuptohet kjo lojë- sesa mundesh ti realisht që të bësh. Më kuptoni që të luash në sulm duhet që të përgatitesh pak nga pak derisa sa të vi momenti që të jesh gati për t’u përballur. Që të luajë Shqipëria në sulm duhet kohë. Fillimisht duhet që të kuptosh se kur ekipi është i mundur që të luajë, ndërsa që të luhet në mbrojtje do sërish shumë kujdes. Nuk jemi më në futbollin e vitit ’60. Që të luash në mbrojtje vlen në rastin tonë sepse nuk të duhet që të pasurosh shumë cilësitë e lojtarëve, por thjesht të kujdesesh për to në përdorimin e mirë të tyre. Pastaj duhet që ti mësosh ngadalë sesi të përshtaten me stilin ofensiv dhe të përshtaten si duhet me gjërat. Nuk kam ende mundësi ti shpjegoj dhe të gjej gati momentin.
Dhe e theksoj se shumë nga ekipe nuk luajnë në sulm sepse është shumë e rrezikshme. Po ashtu unë e di- që për lojtarët është shumë e vështirë të luash në sulm dhe unë dua ti mësoj pak e nga pak sesi shqiptarët të dalin në lojën e tyre normalisht dhe të ndryshojnë gjërat e tyre normalisht”.

Si keni vendosur, që ta ndani kohën për përgatitjen e ekipit shqiptar...

“Kjo varet nga detyrimet. Dhe programi. Për fat, disa lojtarë luajnë bashkë dhe kjo më sjell siguri. Ndërsa, unë jam i interesuar dhe interesohem në Shqipëri thjesht për lojtarët e rinj që janë në vend, sepse ata duhen për të ardhmen. Këta duhen që të jenë mirë dhe të jenë si përgatitje për të ardhmen. Ndërsa, të tjerët unë i ndjek edhe në vendet e huaja”.

Në fund, si është opinioni juaj për Shqipërinë dhe zhvillimet e saj? Do e frekuentoni me familjen tuaj

“E ndjek pak dhe politikën, por nuk dua të flas. Ajo që e shikoj është se është rindërtuar bindshëm. Njerëzit janë shumë miqësor. Por, të them të drejtën nuk ka ende infrastrukturë të mirë. Nuk e di nëse dua të jem këtu me familjen, sepse nuk jam. Por një ditë mund të vi edhe familja. Momentalisht janë të zënë, sepse vajzën që kam në shkollë, më detyron edhe gruan. Por, nga ana tjetër shikoj shumë të huaj dhe ‘të huaj’ shqiptarë që vinë në vendin e tyre për turizëm dhe kam një ndjesi të mirë nga njerëzit që vinë. Kam përshtypje të mirë për vendet me popullsi të re sepse kanë identitetin e tyre”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora