E premte, 29.03.2024, 02:09 AM (GMT)

Kulturë

Alban Voka: Skënder Blakaj dhe Albanica e famshme

E shtune, 29.04.2017, 11:51 AM


Skënder Blakaj dhe Albanica e famshme shqiptare

Nga Alban Voka (Bukuresht)

Rilindja Kombëtare ende është e gjallë, thekson Agim Gashi në një këngë të tij. Këtë e vërejmë duke e shfletuar koleksionin e një tribune të mrekullueshme shqiptare, me subjekte, fotografi e dokumente. Në këtë drejtim, „Albanica” konsiderohet si revista më e bukur, më luksoze dhe më e pasur në historinë e publicistikës shqiptare. Një tribunë briliante dhe fenomenale që të josh që në shikim të parë. Rëndësia e shtypit është e jashtëzakonshme. Ajo ndërlidhet me një formë të lirë të shprehjes së mendimit që kontribuon në formimin e opinionit publik. “Albanica” në këtë kontekst e ka kryer me nderë misionin e saj publicistik. Në faqet e saj ballafaqohemi me totalitetin e modaliteteve të komunikimit me karakter historik, politik, patriotik, social, sportiv dhe tursitik.

„Albanica” mund të krahasohet me revistat më të bukura e më të pasura gjermane dhe amerikane. Kryeredaktor i saj, me një eksperiencë e profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të veçantë, ishte kolegu im i studimeve, Skënder Blakaj. Një nga gazetarët më të mirë të Kosovës që trajton subjekte me përkushtim kombëtar, njeri me ide të qarta e të kapshme. Drejtor i përgjithshëm i revistës „Albanica” ishte Selim Pacolli, një biznismen i suksesshëm, njësoj si vëllau i tij, Presidenti Behgjet Pacolli. Të mos ishte "Mabetex" e Pacollëve, nuk do të dilnin afro njëqind numra të revistës "Ekskluzive" dhe të pasueses "Albanica". Dmth. mbi 12.000 faqe të këtyre dy revistave shumë luksoze. Për revistën ka pasur dhe ende vazhdojnë vlerësime të jashtëzakonshme.

Dija e bën njeriun të lirë, por jo edhe të lumtur, ka thënë Aristoteli në kohën e tij. Thonë se shokët e vërtetë u ngjajnë yjeve. Kur mbulon errësira, ata janë të parët që bëjnë dritë. Të këtillë janë edhe zotërinjtë Blakaj e Selim Pacolli me vëllezërit e tij. Një nga lexuesit e kësaj tribune historike të publicistikës shqiptare shkruante para ca vitesh: “Ju përshëndes të gjithëve! Para nesh kemi një revistë që ka një sukses të madh në të gjitha trojet shqiptare. Edhe çelsi i këtij suksesi është e vërteta e historisë shqiptare. Unë personalisht shumë herë e blej edhe lexoj online nga Interneti. “Albanica” na jep shumë gjëra interesante për historinë e shqiptarisë, që nga kohët antike të Ilirisë e deri në ditët e sotme të pavarësisë së Kosovës.” Fillimisht po citojmë titujt e njërit nga numrat e panumërt të saj (58-59, Korrik 2006):

U nis si “Ekskluzive”, po kthehet si “Albanica, Universiteti mbyll problemet e zgjedhjeve, Në Hagë urdhëruesit e krimit ndaj shqiptarëve, Ofertë e madhe për brucoshë, Kosova në finishin e statusit, Bojkot prodhimeve serbe, Shqipëria i afrohet NATO-s, Gjuha e perëndive, Tri ambiente mikrosociale, Shqipëria në kërkim të turizmit, Synohet turizmi masiv, Fillon ndërtimi i rrugës së premtuar, Qeveria e aleancave ideologjike (Maqedoni), Shqiptarët të diskriminuar në Luginën e Preshevës, Shqiptarët dhe gjuha shqipe presin kushtetutën, Kontrastet e Shqipërisë së sotme, Hija e monumentit për “Heroin e panjohur”, Ilirët janë bijtë e Herkulit, Pasardhësit ilirë të Lekës së Madh, Thesare arkeologjike të lashtësisë së Kosovës, Luftëtarët shqiptarë të dinastisë së Mehmet Ali Pashës, Kryengritja shqiptare e vitit 1912 dhe politika e Serbisë, Rikthimi në fushën e disfatës, Skënderbeu synonte formimin e shtetit shqiptar, Aneksimi i Çamërisë dhe strategjia për helenizimin e saj, etj.

„Albanica” dilte rregullisht rreth një dekadë. Të njëjtin fat kishte pësuar edhe gazeta e Shahin Kolonjës, që kishte dalë 8 vjet me rradhë. Naçua kur nuk kishte donacion për botimin e Shqiptarit, punonte me punëtorët e tij duke vënë kalldërma rrugëve të Bukureshtit që të fitojë ca leja rumune për mosvdekjen e gazetës. Edhe gazeta e tij pati të njëjtin fat (1888-1903), edhe ajo e Konicës që dilte herë në Londër e herë në Bruksel, dhe jo vetëm ato. Nga letërkëmbimi kuptojmë se Skënder Blakaj, mbas TvPrishtinës ku shfryhej kombëtarisht, derisa e burgosën (11 maj 1981) dhe e larguan krejt mbas izolimit tremuajsh në burgun e Prishtinës, dhe mbas disa angazhimesh, edhe në organizimin politik, mbas çlirimit revistat për të ishin një shans që t'i provojë forcat edhe një herë. Ia din për nder Behgjet Pacollit për financimin e revistës, dhe Selimit për përkrahjen dhe bashkëpunimin e sinqertë vëllazëror. Pa ta nuk do të kishte revistë të tillë. „Mua m'u bë qëllim i jetës të dilte sa më e mirë”, thekson zt. Blakaj. Mrekullia e revistës ishin bashkëpunëtorët krejt të jashtëzakonshëm, me materiale të rralla, shumë sosh të panjohura fare. Edhe në përbërjen e redaksisë ishin emra shumë të njohur të kulturës shqiptare, me një pjesë të saj edhe në Tiranë. Revista (Ekskluzive) ka startuar në fillim të vitit 2000. Shtatë numrat e parë janë redaktuar në Zvicër. Te i teti numër erdhën Pacollët në Prishtinë dhe ngulën këmbë:

"Nëse ti Skënder nuk e merr revistën, na po e mbyllim!". “U thashë që edhe në redaksi ka më të zotët se unë, kurse në Prishtinë posepo! E përsëritën prapë dhe unë pranova. Redaksia u vendos në Prishtinë dhe e vazhduam revistën deri te numri 38. Pastaj u bë një intrigë në Zvicër, shkaku i temave, dhe u ndal. Më duket në qershor 2003. Për tri vjet të tjera njëfarë redaksie i nxori nja 18 numra të transformuar krejtësisht. Me 2006 Selim Pacolli ma qiti rrethin shumë miqësisht dhe e mora kryeredaktimin. Konceptin "Albanica" e kisha gati. Ma kishte kërkuar Presidenti Rugova, i cili mendonte ta ndihmojë daljen e saj. Nr. 58/59, si vazhdim doli në verë, dhe i fundit, nr. 97, në dhjetor të 2010. Selimi është kujdesur ndaj meje si ndaj vëllaut. Behgjeti shpesh më ka thënë që mua më kanë si vëllaun e madh. Nuk i pata të qarta arsyet e ndaljes së revistës. Por e di se „Albanica” nuk mund të krijonte fitime që ta mbante veten. Mendoj se ajo ishte një investim i mrekullueshëm i Pacollëve për kulturën shqiptare. Këtë e kanë thënë shumë personalitete të shquara” – thot Skënder Blakaj.

Kush ishte kryeredaktori i revistës më të bukur shqiptare?

Skënder Blakaj u lind më 1945 në Llukac i Begut, komuna e Istogut. Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje dhe në Pejë. Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Universitetin e Kosovës në Prishtinë kurse studimet postdiplomike (Letërsi Botërore) në Universitetin e Zagrebit. Nga viti 1970 e tutje publikon në shumë revista e gazeta, shkrime, satira e polemika, nënshkruar me pseudonimet Mllef Madhi dhe Skënder Rrustemi. Gjatë periudhës janar 1974-mars 1981, ishte gazetar dhe redaktor i kulturës në Televizionin e Prishtinës. Realizoi shumë emisione. Jehonë të madhe pati seriali dokumentar shtatëpjesësh për arbëreshët e Italisë, „Rrembi i këputur thahet” (me A. Llunjin), pastaj seriali për Lidhjen e Prizrenit në 100 vjetorin e saj, etj. Me skenar të tij, më 1980 u realizua filmi „Tetë vetë kapërcejnë malin”, regjisor B. Sahatçiu. Mbas „izolimit” në burgun e Prishtinës më 1981 dhe cilësimeve ideologjike, e largojnë nga puna dhe i hiqet e drejta e botimit dhe të drejtat e tjera. Më 1990 merr pjesë në organizimin politik, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kurse gjatë viteve 1991/94 ishte sekretar i përgjithshëm. Për krijimet e tij janë të shumta prezantimet, vlerësimet, intervistat e shkrimet e ndryshme nëpër gazetat e atëhershme, por edhe dënimet për „devijime” ideologjike . Në ndërkohë bëri dramatizimet e suksesshme „Marathonomaku i Madh”, me tekste të Fan Nolit dhe „Qiriri i pashuar”, sipas veprës së Naim Frashërit, të dyja me regji të E. Kryeziut.

Nga viti 1999-2003, kryeredaktor i revistës mujore „ Ekskluzive”. Po më 2003 themelon Shtëpinë botuese „ARBI Ltd” dhe bën ribotimin fototipik të korpusit nëntëvëllimësh „Illyricum Sacrum”. Vepra është me rëndësi kolosale, kurse botimi i saj ishte ngjarje me bujë. Skënder Blakaj ka kryeredaktuar nja 70 numra të revistave „Ekskluzive” dhe „Albanica”, 120 faqe revistë e formatit të madh. Është autor i librit „Skënderbeu/Scanderbeg”, 2006, „Facts that won’t keep silent”, 2007 (me Z. Rrahmanin e A. Spahiun – dokumente për shqiptarët nga vitet 1877-1999). Për angazhimet e tij në TvPrishtina flet edhe libri i tij "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" (Arbi Ltd, Prishtinë 2013, 276 faqe). Aty janë fjalë për fjalë tekstet e tij të 12 dokumentarëve lexuar në Televizion më 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes. Skënderi është edhe koautor i librit „Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare" (Arbi Ltd, Prishtinë 2014, 703 faqe me një parafjalë nga Efthim Dodona), si dhe i librit me satira „Ndjekje” (Arbi Ltd, Prishtinë 2015, 326 faqe me një parathënie briliante nga Ali Aliu) .



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora