Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fran Gjoka: Një jetë kushtuar edukimit të fëmijëve

| E shtune, 29.04.2017, 12:18 PM |


NJË JETË KUSHTUAR SHKOLLËS DHE EDUKIMIT TË FËMIJËVE

Nga Fran Gjoka, Lezhë

Janë sot me qindra e mijëra mësues veteranë, me flokët e tyre të thinjura, me supet e tyre të kërrusura nga vitet, që mbajnë peshën e rëndë të përhapjes së dijes, ndaj them me plot gojë se mësuesit e sotëm duhet të kenë të drejtën e inkurajimit shpirtëror dhe material.

Sa shumë sakrifica kaluan mësuesit tanë gjatë tranzicionit shqiptar. Është një përvojë që duhet qëmtuar dhe vlerësuar jo vetëm në ditët e festave, por të shoqërohet nderimi dhe respekti gjatë gjithë vitit, sepse ata ju përkushtuan tërësisht me mendje e me zemër detyrës së shenjtë të mësuesisë.

Kemi nevojë të dëgjojmë, të lexojmë për to në mediat e shkruara dhe televizive, sepse fatkeqësisht, arsimi sot ka edhe momente zbehjeje dhe rënie të dashurisë për profesionin e nderuar e fisnik të mësuesit.

Të shkruash për mësuesit e dalë në pension është jo vetëm obligim, por dhe një nder dhe refleksion ndaj asaj që ne kemi lënë jashtë vëmëndjes apo  kemi neglizhuar.

Kush ka patur fatin të punojë dhe të jetë nxënës në kopshtin “Beslidhja” të Lezhës, me siguri e kujton emrin e edukatores së talentuar, Liza Ramani. Punoi për 40 vjet me një përkushtim të paparë, ku rrezatoi vetëm dashuri e përkujdesje për fëmijët e që nuk kishte nevojë t’ua impononte respektin, ajo dinte t’i bënte për vete të gjithë fëmijët me zërin e saj të butë, të ëmbël, por mbi të gjitha me pasionin e saj si edukatore e mësimdhënëse e vërtetë. Si ish nxënës në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, ndjeva detyrimin moral e vendosa të shkruaj për këtë grua e mësuese me vlera të mëdha njerëzore, me një kulturë të gjerë dhe disponim të theksuar në shërbim të fëmijëve dhe të komunitetit prindëror.

Njohja dhe bisedat me Lizën për arsimin e shkollën ndër vite, të bën të  ndjehesh mirë, të zgjon ide dhe kujtime të bukura, mbresa dhe emocione, respekt për jetën dhe njerëzit. Impresionet janë të shumta, kur mendon se për 40 vjet kjo mësuese e edukatore punoi me intensitet dhe me dashuri, duke u dhënë brezave të rinj të mësuesisë  modelin e një edukatoreje të vërtetë, të një nëne të dashur dhe të një gruaje të emancipuar.

Kolegia dhe edukatorja e nderuar, Liza, u lind dhe u shkollua në fshatin Pllanë të Lezhës, fshat i njohur historikisht, një ndër të parët që hapen shkollën shqipe në vendin tonë. Me përkujdesjen e vazhdueshme të dy prindërve, sidomos të babait, dërgohet për të  vazhduar mësimet në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”, Shkodër.

Sapo përfundoi studimet për mësuesi, emërohet mësuesja e parë në fshatin e saj të lindjes dhe pas dy viteve shërbesë transferohet në qytetin e Vlorës, ku jetoi e punoi për afro 20 vjet dhe përsëri prej andej rikthehet në qytetin e Lezhës, në kopshtin “Beslidhja”, ku dhe doli në pension. Ish mësueset e saja dhe koleget e ndalojnë shpesh në rrugë, e takojnë dhe e përshëndesin me përzemërsi. Sa fëmijë ka kaluar nëpër duart e saj përgjatë 40 viteve të karrirës si mësimdhënëse dhe edukatore e vërtetë. Me qindra fëmijë të grupmoshave 3-6 vjeç.

Është kjo një karrierë e nisur në shtatorin e vitit 1971, duke e mbyllur me nder e duke përjetuar me emocion daljen në pension, e shoqëruar me nderim e respekt nga të gjithë: kolegë e drejtues, prindër e vogëlushët e dashur. Përkrah gjithmonë i ka qëndruar bashkëshorti i saj, Ded Ramani, oficer, që karrierën e kishte filluar si mësues, dalë nga shkolla e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku dhe u njohën së bashku, për të vazhduar suksesshëm jetën e tyre plot pasion dhe dashuri për profesionin e secilit.

Edukatore Liza festoi  65 vjetorin e lindjes e rrethuar nga dashuria e djemve dhe nipërve të saj, nga bashkëshorti i saj i shkëlqyer, që i qëndron gjithnjë pranë në ditët e mira, por dhe të vështira të jetës. Si për të vazhduar mendimin e saj, ajo vazhdon përsëri bisedën, gjithnjë me atë pasionin që kishte patur për mësuesinë.

-Profesioni i mësuesit dhe edukatorit,-thotë Liza, - nuk duhet të konsiderohet kurrsesi një zanat për të jetuar, një punë si çdo punë tjetër rutinë. Këtu bëhet fjalë për njeriun, për të ardhmen e tij, pasi kemi të bëjmë me brezin e ri, me shoqërinë e së nesërmes, tek e cila i kemi të gjithë shpresat dhe objektivat. Përgjigjia qëndron në faktin e të qënurit koshient që përpara teje qëndron dikush që t’i ke zgjedhur ta mësosh dhe ta edukosh dhe që ke ngarkesën dhe detyrimin ta çoni misionin deri në fund.

Siç kujton dhe vetë Liza, kualifikimi profesional i mësuesve ishte shumë serioz, me provime të një niveli të lartë dhe me vlerësime të merituara, ku pasqyroheshin edhe në dëshminë përkatëse. Nuk të falnin atëhere, të ishe mësues, ishte nder dhe privilegj, të cilin duhet ta meritoje. Dhe edukatore Liza sa punoi, e meritoi plotësisht, falë vullnetit, përgjegjësisë dhe sedrës së theksuar që e karakterizonte në punë. Ndaj dhe sot edukatoret e kopshtit duhet ta kenë të qartë se kopshti i fëmijëve nuk është bishti i shkollës, por themeli i saj. Kush njeh mirë programet e këtij sistemi bindet shpejt.

Edhe pse ka dalë në pension, erudicioni i saj bazë është libri, që nuk e shqet kurrë nga duart. Ajo sjell fakte të panumërta dhe shembuj të shumtë të përpjekjeve të saj dhe të kolegëve ndër vite dhe pengesat e shumta që sillte vetë koha dhe kujton se me ç’vështirësi janë përballur edukatoret e atyre viteve dhe ç’peripeci kanë kaluar gjatë sistemit totalitar.

Kam kënaqësi kur thotë se dhe pse kam dalë në pension, ndihem përsëri edukatore, sepse çdo ditë më nderojnë dhe më respektojnë kudo ish nxënësit, kolegët me të cilët punova.

Duke biseduar me mësuese Lizën  të duket se dëgjon zëra brezash në vite tek rrëfejnë se edukatorja e tyre ka bërë ç’është e mundur të kryejë për 40 vjet detyrën e edukatores së vërtetë. Pra, shërbeu pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i saj i madh e bujar gjithçka për fëmijët, rrezatoi kulturë komunikimi dhe me plot pasion u dha dije të qëndrushme brezave.

Vlonjatët dhe lezhjanët ruajnë respekt të veçantë për Lizën, jo vetëm si edukatore, por edhe si njeri i paqes, që me natyrën e saj të qeshur, nuk dinte kurrë të ofendonte, nuk krijoi kurrë probleme me kolegët e saj të punës.

Nuk mund të portretizohet një figurë e arsimit vetëm përmes disa rreshtave të shkruara. Kontributi i heshtur ndër vite dhe mirënjohja e njerëzve dhe kolegëve janë për Lizën sadisfaksioni më i madh i jetës dhe i punës së saj në arsim.

Mirënjohje e respekt pa fund për ty dhe mijëra të tjerë mësues pensionist. Jetë të gjatë e plot shëndet të urojnë të gjithë në këtë 65 vjetor!

I shkruajta këto fjalë për edukatoren e dalë në pension, Liza Ramani, sepse kam ndërmend gjithnjë thënien e Viktor Hygoit: “Dy janë shtyllat që mbajnë të ardhmen e një kombi, Nëna dhe Mësuesi”.