Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Ku është kështjella e Lekës dhe çfarë perle paraqet Suka e Cermjanit?

| E shtune, 29.04.2017, 01:01 PM |


Ku është kështjella e Lekës dhe çfarë perle paraqet Suka e Cermjanit?

Suka e Cërmjanit është pika më atraktive jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit-  Rrënojat e kështjellës janë dëshmi e një qytetërimi antik e mesjetar.

Nga Gani MEHMETAJ

Kështjella e Lekës është atraksioni tjetër i paparë. Fortifikata malore e ndërtuar në një qafë malore, ku duhet të ecësh së paku një orë këmbë pas katundit të fundit, kontrollon hapësirën nga kufiri imagjinar shqiptaro-shqiptar deri thellë në Rrafshin e Dukagjinit. Sipas arkeologut Haxhi Mehmetaj, me të cilin ishim disa javë në hulumtime, kështjella e Lekës i takon periudhës së antikës së vonë, që dëshmohet me teknikën e murimit me gëlqere e botë të bluar, thotë ai. Askush nuk e di nga cili Lekë e mori emrin kështjella: nga Leka (Aleksandri i Madh), nga ndonjë princ ilir me këtë emër, apo nga Lekë Dukagjini? Arkeologu i Institutit Arkeologjik,  H. Mehmetaj e përjashton mundësinë që kështjella ta ketë marr emrin nga princi shqiptar, sepse muret e kësaj kështjelle malore janë së paku 1200 vjet para se të jetonte Lekë Dukagjini. Ndërkaq, emri Lekë, shkurtim i emrit Aleksandër ishte aq i shpeshtë ndër ilirë e arbëror, është i shpeshtë edhe ndër shqiptarë të sotëm, sepse Aleksandrin (Lekën) e Madh, e konsideronin të gjakut të tyre.

Kështjella e Lekës, e ndërtuar në një kodër në pllajën e malit me të njëjtin emër, sipas arkeologut Haxhi Mehmetaj, i takon antikës së vonë. Ka tri fortifikata që e vrojtojnë hapësirën për të ndjekur lëvizjet e armikut dhe për të ruajtur popullatën vendëse nga sulmet. Muret e kështjellës kanë trashësi 2 metra e 60 centimetra, deri në tri metra.

Por biografinë e princit të fortifikatës malore (Lekën) e mbuluan shekujt. Tek-tuk ndonjëri i thotë edhe Kështjella e Kaurit, sepse Leka, princi antik i kështjellës, sipas turqve domosdo kaur duhej të ishte.

Nga Kështjella e Lekës, njëra ndër kështjellat më të mëdha malore, në skajin perëndimor të Rrafshit të Dukagjinit, sipëri katundit Popoc kapet me lehtësi Suka e Cërmjanit, ku është kështjella më e madhe që shtrihet në thellësi të Luginës.

Një kështjellë tjetër e pa hulumtuar, për të cilën nuk dihet asgjë, është Kështjellën e  Mbretit, katër orë rrugë të pashkelur malore, tepër të vështira për një njeri të pastërvitur (askush nuk e di e cilit mbret ishte), sipëri  katundit Molliq.  Kështjella e Mbretit është  më e larta në këtë krahinë (970 metra lartësi mbidetare), e mbuluar me shkurre e lisa qindravjeçarë që të zhduket parasysh si në xhunglat e Amazonit. Edhe njohësit më të mirë të terrenit malor nuk mund ta gjejnë e ta identifikojnë, ndërsa pa ndihmën e vendësve është e pamundur.

Të gjitha kështjellat nga Hasi deri në Koshare, kur vrojton nga kullat e fortifikatës, komunikojnë me lehtësi edhe sot me Sukën e Cermjanit, pika më atraktive jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, mbase në tërë Gadishullin Ilirik. Nga Suka e Cermjanit e kanë kontrolluar hapësirën e rrjedhës së Drinit, por edhe të disa lumenjve të tjerë që derdhën në këtë pellg, ushtarët roje kanë paralajmëruar lëvizjet e armikut dhe janë mobilizuar për mbrojtje.

Arkeologu, Mehmetaj, udhëheqës i ekipit, thotë se pjesa më e madhe e këtyre kështjellave janë të antikës së vonë, të kohës së sundimit romak, disa prej të cilave kanë vazhdimësi edhe në mesjetë, por nuk e përjashton mundësinë që të kenë kryer funksione edhe në parahistori. Muret e tyre janë impozante. Nga kullat e kështjellave mund të ndjekësh edhe sot lëvizjet e njerëzve e të makinave dhjetëra kilometra thellë në horizont pa ndihmën e dylbive.

Nga Suka e Cermjanit vrojtohet në ditë të kthjellëta i tërë Rrafshi i Dukagjinit deri në Prishtinë. Me Kështjellën antike, me shtresimet e disa shekujve, me pamjet përrallore që të ofron visorja mahnitëse, me ujëmbledhësin e Radoniqit, (në ditë vere gjakovarët freskohen), në antikë e në mesjetë e ka kontrolluar një hapësirë të madhe. Rrënojat e kështjellës së Cërmjanit janë dëshmi e një qytetërimi antik e mesjetar. Nga ai qytetërim i braktisur, sot të vret syrin rezervuare të zbrazëta nafte, hekurishte të antenave gjigante, të braktisura, themele betoni të nxjerra nga dheu e të shpërndara gjithandej. Është një shëmti rrëqethëse

Suka e Cërmjanit, një thesar kombëtar, do të duhej të bëhej pika më atraktive. Me investime të konsiderueshme zbulohet perla që do të joshte vizitorë nga e gjithë bota. Aty ku duhej të ishte kështjella e konservuar, me guiden turistike që do të shënjonte kohën kur është ndërtuar, për se ka shërbyer dhe kush e ka sunduar, ta çrregullon imagjinatën xhamia e tyrbja e ngjyrosur, të ndërtuara pas luftës, në mënyrë klandestine, pa leje ndërtimi dhe pa  pëlqimin e askujt. Madje, në këtë xhami e tyrbe nuk vjen askush të falet, sepse katundi cermjan e ka xhaminë e vet.

Kështjella e Sukës së Cërmjanit nuk mund të jetë vetëm e Gjakovës, as vetëm e Dardanisë, është pasuri kombëtare shqiptare dhe pasuri e njerëzimit.

Suka e Cermjanit, ashtu si e ka fal natyra dhe ashtu si e ndërtuan ilirët e arbërorët, është bukuri e rrallë, atraksion turistike, me shtresimet arkeologjike, është orë historie që do t'u shërbente brezave kur ua shpjegon Ilirinë e Dardaninë antike, krahinë të Ilirisë. Ashtu si është nuk shfrytëzohet për asgjë dhe nuk i shërben askujt, pos një familje të ardhur nga katundet e Rahovecit pa pëlqimin e katundarëve, me një kope delesh e  me një tufë gjedhesh që të duket si ngulim nomadësh aziatik. Të mbërthen vaji kur e  sheh katandisen e një thesari kombëtar.

Nga maja e majës së Sukës dikur forcat serbe gjuanin me artileri pikat ushtarake të Parteshit e  Kosharës, për të goditur forcat çlirimtare. Në fushat e arat e Cërmjanit ka gjurmë të vendbanimeve ilire në një hapësirë të gjerë, madje është një ngulim i tërë qyteze. Legjenda për macen që ecte nëpër mure nga skaji i qytetit, në skajin tjetër flitet edhe këtu, sikurse në shumicën e katundeve që i vizituam gjatë prillit.

Katundi Cërmjan, sipas gjetjeve arkeologjike, kishte vendbanime parahistorike, por edhe të antikës në disa vende.

Nesër: Vorret e krushqive