E shtune, 20.04.2024, 04:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zjarri i atdhedashurisë

E diele, 23.04.2017, 12:11 PM


Zjarri i atdhedashurisë

(Faridin Tafallari, Fat Lumbardhi dhe Struzha e tij, Tiranë 2008)

Nga Baki Ymeri

Kombi shqiptar është një monument i botës së lashtë, theksonte Jeronim De Rada në kohën e tij. Zjarri i prejardhjes gërshetohet me zjarrin e atdhedashurisë. Një zjarr i gjallë që nuk të djeg, nuk të zhurrit dhe nuk shuhet kurrë. Dashuria ndaj vendlindjes dhe atdheut, po qe se ndërlidhet me dëshmi dhe vepra konkrete, të fisnikëron dhe të bën të pavdekshëm. Aq shumë e ka dashur atdheun autori, sa që më duket se e ka harruar vetveten! Nga të gjitha shekujt që i ka përjetuar Shqiptarizmi, neve na duket se shekujt më të paharruar mbeten: mesjeta e Skënderbeut, periudha e Rilindjes, dhe kjo e betejave përfundimtare për çrobërimin e trojeve shqiptare nga agresioni pansllavist.

Faridin Tafallari është një kosovar i bekuar që e mban gjallë flakën e pashuar të atdhetarizmit shqiptar. Ai vjen në këtë botë nga Struzha e zjarrtë e Prizrenit historik. Albania është një vend autokton ndërsa shqiptarët janë banorë të lashtë evropianë, ka thënë J. G. Von Hahn në kohën e De Radës (1863). Po shkojmë më tej. Fat lumbardhi rrugëton në Kujtime, Struzha, Në vendlindje, dhe Mëngjesi në Prizren, janë katër kapitujt e veprës si cituar më lart. 118 faqet e saj t’i përkujtojnë konkluzionet e Lëvizjes Shqiptare: „Shqipëria është një tokë me Zot dhe Sulltani nuk mund të nxjerrë në pazar asnjë pëllëmbë toke prej saj pa pyetur për dëshirën e trashëgimtarëve që janë shqiptarët vetë...”.

Autori u lind në Struzhë të Prizrenit më 1 Shkurt 1951. Në vitin 1973 emigroi në Gjermani ku jeton edhe sot. Ka qenë aktivist dhe veprimtar i dalluar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe ka kontribuar mjaft për çlirimin e saj. Deri në vitin 2008 ka botuar katër vepra të denja për pasurimin e fondit patriotik të bibliotekave tona: Terror, dhimbje qëndresë (1997), Dhimbje Krenare (1998), Zot të kësaj toke jemi ne (2003), Fat Lumbardhi dhe Struzha e tij (2008). Në ndërkohë erdhi para publikut edhe me disa libra tjerë me të njëjtin subjekt: zjarri i atdhedashurisë.

Veprës respektive i paraprin një parathënie briliante e Fatmira Shalarit, e cila këtë libër e krahason me dallëndyshen e parë që sjell pranverën për Struzhën dhe struzhianët. „Një dhuratë për të shkuarën që ju kujton të sotmen dhe ju lë detyrë brezave që do të vinë, të mos e braktisin, të shkruajnë më tej për Struzhën, sepse ai mendon se ekzistojnë ende fakte apo dokumente, më tepër historike e ndoshta edhe arkeologjike, por dhe kujtime nga fshatarët e moshuar...”.  Autorit i digjet shpirti për vendlindjen e tij: "Ecte ngadalë si i përhumbur dhe fliste me vete, duke thënë: Eu, më duket sikur i kalova kot gjithë këto vite, sikur jetova ashtu kot. Kot e si ndryshe! Koha ikën dhe ikin dhe vitet. A thua se t’i vjedh kush!” Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij Fat Lumbardhi, dhe në faqen e fundit thekson: „Me gjithë krenarinë që ndjej brenda vetes, më vjen keq që jam në këtë moshë, se po të kisha fuqi të ktheja vitet mbrapsht, nuk do të të "braktisja" kurrë o Struzha ime!".

Në korpusin e kësaj vepre përmendet lindja, këngët e djepit, rinia, martesa, punët e stinës në fshat, miqësia, pleqëria e vdekja. Gjakmarrja si plagë dëmprurëse e së kaluarës, dasmat dhe besa shqiptare, zakonet dhe traditat, dashuria e zjarrtë dhe Zara që ia zbuste mallin për vendlindjen. Toponimet si Guri i Gat, Guri i Ukit, Guri i Mazës, Guri i Kulës, te Guri i Zi, në Vllatëk, në Qafë të Leshit, në Mbivekë, Shelgjet, Lisi i Quranit etj. Në brendi të librit ballafaqohem me sintagma nostalgjishë, përmallimesh e kujtimesh të paharruara dhe të shenjta, „të dhuruara nga shokët, shoqet, miqtë, nga njerëzit që i ke dashur e të kanë dashur!”

Autorja e parathënies thekson se fjala është për një vepër briliante „me një gjuhë letrare të thjeshtë e të kuptueshme, me një stil të kënaqshëm”, me një gamë impresionesh ku defilon vendlindja e tij e dashur. Në kuadrin e letërkëmbimit elektronik, autori na konsideron si mik dhe bashkëveprimtar i idealit për çështjen madhore kombëtare që nga  vitet më të hershme të rinisë, të kohës së angazhimeve tona për të bërë diçka, kur nuk ndejtëm duar lidhur. Dhe më tej: Koha dëshmon se ne jemi ende në lëvizje, sepse duhet vazhduar deri në realizimin e plotë të Bashkimit mbarëkombëtar, më të gjitha trojet etnike shqiptare! Pse? Sepse ende i duhemi popullit dhe atdheut!



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora