Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Mateli: Flamurmbajtësja e ngjarjeve të mëdha

| E enjte, 20.04.2017, 07:54 PM |


FLAMURMBAJTËSJA E NGJARJEVE TË MËDHA

Dëshnica në fillim të shekullit XX në dëshmitë dhe shtypin e kohës (1900-1911)

Nga Kujtim Mateli

Fillimi i shekullit të XX shënoi rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Poezia e Naimit dhe Pashko Vasës, Çajupit dhe Asdrenit, Samiu me kryeveprën e tij “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet” si dhe një numër i madh autorësh të tjerë, e kishin bërë të qartë rrugën e zgjidhjes tek shqiptarët. Shqipëria nuk i fitonte dot të drejtat e saj pa rrokur armët. Atmosfera për Çlirimin Kombëtar ishte e ndezur dhe në Dëshnicë. Gazetat e kohës e veçonin Dëshnicën midis krahinave të tjera duke i dhënë peshën dhe rëndësinë që meritonte në Çështjen e pazgjidhur shqiptare. Këtë rëndësi ia jepte edhe numri i madh i qendrave të banuara që e kalonte numrin 30, por edhe kompaktësia në marrjen e vendimeve.

1

Gjendja ekonomike u përkeqësua shumë, për shkak të taksave të shumta që aplikoi perandoria osmane për popujt që ishin nën sundimin e saj. Në redaksitë e gazetave të pakta të asaj kohe, shqiptarët, nga të gjitha krahinat, dërgonin të dhëna për gjendjen politike dhe ekonomike që ekzistonte në trojet shqiptare. Shkruhej për kundërshtitë që krahina të shumta u bënin autoriteteve perandorake, kundërshti që çuan në ndërgjegjësimin e shqiptarëve se duheshin të bashkoheshin dhe të mos i pranonin taksat e ndryshme që nuk kishin asnjë lidhje me ta. Një letër e tillë iu dërgua nga Janina më 28 dhjetor 1903 gazetës “Drita”.

Gazeta “ Drita” Sofie, 22 janar 1904.

Shkrimi ”Letër nga Shqipëria”.

Janinë 28 dhjetor (shëndre) 1903.

Sikundër që e dini, qeveri e Tartakutosur, nga gjërat e gjalla vetëm shpesët ka lënë që s`u merr pagesa, të tjerave të tëra. Tani zuri t`i marrë dhe njeriut.

Bota (njerëzia nën perandorinë osmane) është si mos më keq. Sivjet nga shkaku që u bënë grunjrat e të tjerat, pak më shumë nga vitet e tjera, kishin shpresë të rronin më mirë. Po këto pagesa të paudhëshme, nuk i lanë në prehje. Këtu e tre vjet më parë guverna turke i kish lënë udhëtë (taksën e udhës) nga shkaku që s`i paguanin bota (njerëzia nën perandorinë osmane) dhe më shumë ca ngatërresa të Dangëllisë, po tani zënë e kërkojnë të tre vitet një për një.

Dëshnica thanë të vinin të punonin, po guverna i donte të holla, të shohim se ç`do të bëhet” 1).

Këto mori taksash, disa dhe të pakuptimta siç ishte dhe taksa e udhës, kundërshtoheshin dhe nuk paguheshin. Vendimet merreshin bashkërisht. Këtë e shohim tek banorët e Dëshnicës të cilët i propozonin qeverisë që kjo taksë të mos paguhej në të holla, por të konvertohej me punë në rregullimin e këtyre rrugëve. Reagimin si krahinë të banorëve të Dëshnicës e shohim në shumë shkrime të kohës. Kjo protestë ekonomike e banorëve dëshnicarë, e cila merret si shembull në Vilajetin e Janinës, i ndërgjegjësoi ata, por dhe krahina të tjera, se fatkeqësitë dhe jeta e rënduar ekonomike, do të merrnin zgjidhje duke e bashkuar fuqinë me njëri-tjetrin.

2

Mihal Grameno, “Kryengritja shqiptare”, kreu II

Në vitin 1905 Bajo Topulli ishte nëndrejtor i gjimnazit turqisht në qytetin e Manastirit. Në këtë qytet u krijua Komiteti Shqiptar për fillimin e kryengritjes kundër perandorisë osmane.

Bajo Topulli më guximtar nga të tjerët, i çfaqet më përpara Feim be Zavalanit, pastaj së bashku u shfaqin mejtimin Gjorgji Qirjazit, Jashar Bidinekes, Nuçi Naçit, Riza be Velçishtit, Grigor Cilikës, Qani be Ypit, edhe kësisoj pasi e pritën me gëzim të madh që të gjithë, vendosnë dhe filluan të Parin Komitet Shqiptar, me program Kryengritës”.

Midis tetë anëtarëve që themeluan Komitetin Shqiptar për Çlirimin e Shqipërisë dhe që në histori njihet si “Komiteti i Manastirit”, ndodhej dhe Riza Velçishti. Dëshnica me përfaqësuesin e saj më në zë, u bë pjesë që në orët e para të kësaj Lëvizjeje të fuqishme antiosmane. Kjo tregon për përkushtimin atdhetar të dëshnicarit që kurdoherë është gjendur në ballë të lëvizjeve të fuqishme antiosmane.

Le të mundohemi ta japim atmosferën e kësaj periudhe nëpërmjet dëshmive të drejtpërdrejta, ashtu siç janë paraqitur ato në shtypin e atyre viteve apo nga vetë protagonistët e atyre ngjarjeve. Dëshnica u bë vatra e këtyre çetave patriotike. Dëshnicarët gjendeshin kudo ku kishte një lëvizje antiosmane. Madje kanë qenë pjesëmarrës të së parës çetë në Shqipërinë e Jugut që u formua nga patrioti dhe luftëtari i orëve të para Bajo Topulli.

Selim Pojani, Lufta për çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912.

Në librin “Lufta për çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912, Selim Pojani, ndër të tjera kujton se në Teqenë e Melçanit (Korçë) bashkë me Bajo Topullin ka gjetur dhe Riza Velçishtin, Mehmet Pavarin dhe Seferin nga Panariti. Mbledhjen e hapi Baba Hyseni, i cili foli plot zjarr e dashuri ndaj atdheut. Pastaj e mori fjalën Bajo Topulli i cili tha: ‘ …perandoria osmane ishte një gërmadhë dhe kur të binte do të na zinte, prandaj duhet të marrim masat për lirinë e mëmëdheut’. Çeta u formua me kapedan Bajo Topullin e cila në fillim ka patur 7 veta”.

Shohim kështu që në të parën çetë antiosmane e cila përbëhej prej 7 vetash, dy prej tyre krijuan pas pak kohësh çetat e tyre dhe këta ishin Riza Velçishti dhe Mehmet Pavari që i përksnin krahinës së Dëshnicës, të cilët kanë qenë kështu të parët jo vetëm në kuvende ku lidhej fjala për t`u bashkuar për lirinë e Shqipërisë, por e kanë konkretizuar atdhetarinë e tyre me armë në dorë.

3

Mihal Grameno, “Kryengritja shqiptare”, kreu II

Komiteti Shqiptar filloi menjëherë nga veprimi për dy arsye:

qeveria turke kishte rënë në gjurmët e Komitetit Shqiptar dhe kërkonte të zbulonte qendrën dhe programin e tij;

ishte kryer vrasja e atdhetarit të madh Papa Kristo Negovanit dhe e vëllait të tij Papa Theodhosit, nga andartët grekë. Për këto arsye:

Më 23 mars të vitit 1906 Bajua me Riza Velçishtin, me nxënësit e gjimnazit: Qamil Panariti, Pertef bej Rusi dhe Selim be Pojanin, lënë qytetin Manastir edhe shkuan në Kolonjë duke u bashkuar atje dhe Hysen be Dishnica”.

Riza Velçishti u pozicionua në një segment të rëndësishëm ku vepronte çeta e tij. Ai ishte në përballje jo vetëm ushtrinë otomane, por dhe me andartët grekë. Mihal Gramenoja i drejtohet shpesh figurës së tij, sepse ishte një nga shtyllat kryesore të asaj kryengritjeje.

Mihal Grameno, “Kryengritja shqiptare”, kreu II

“Riza Velçishti me pak shokë qëndron si burrat dhe vepron në Kolonjë dhe në Shqeri, midis Përmetit dhe Leskovikut”.

Po Çeta e Çerçiz Topullit filloi të shqetësohej, kur pa se po i ndërpriteshin lidhjet me Riza Velçishtin. Kaloi disa herë në territorin ku duhej të ishte ai, por pa rezultat. Pushka e tij kishte heshtur.

Stilian Adhami, jo vetëm studiues i trevës së Përmetit, por me fëmijëri në fillimet e shekullit XX, është njëkohësisht dhe një dëshmitar i atij fillim shekulli. Ai jep vlerësimin e tij sipas burimeve dokumentare, por njëkohësisht dhimbjen dhe vlerësimet e banorëve të Përmetit dhe Kolonjës ku luftoi, derisa e vranë patriotin e madh Riza Velçishti.

Stilian Adhami, Përmeti dhe përmetarët në faqet e historisë,Tiranë 2001.

“Dy nga këto çeta të formuara më 1906 me një interval kohe të shkurtër, janë të lidhura me trevën e Përmetit, çeta e Çerçiz Topullit dhe ajo e Riza Velçishtit, që përbëhej nga fshatarë përmetarë dhe veproi kryesisht në këtë zonë”.

Janë të njohura luftimet e Çetës së Riza Velçishtit me xhandarët turq dhe andartët grekë. I mbështetur kudo që shkonte nga populli, ai u bë shqetësim për pushtuesit e huaj, qoftë ata turq, qoftë dhe ata grek. Ndaj u kurdis ndaj tij një vrasje e pabesë”.

Populli i jugut të Shqipërisë dhe veçanërisht treva e Përmetit e përjetësoi veprën e tij me vargjet lapidare të këngës që ia kushtuan pas vdekjes së tij:

Ku do ta bësh dimrin sivjet,

Medet o Riza me det,

Anës Shqipërisë, o përmbi Përmet,

Medet o Riza me det,

Të kërkon Çerçizi, Riza, breg më breg,

Medet o Riza me det, etj.

4

Mihal Grameno, “Kryengritja shqiptare”, kreu I

Në prill të vitit 1907, një grup atdhetarësh shqiptarë që kërkonin të ngrinin shqiptarët në një kryengritje të përgjithshme u grumbulluan në Itali për të siguruar armatimin për çetat kryengritëse. Në Brindiz ata kishin grumbulluar një sasi armësh dhe municionesh të cilat do t`i transportonin në Shqipëri nëpërmjet anijes me pëlhura të Ahmetit nga Ulqini.

…Burrat që treguam më sipër, nuk ishin të tjerë, përveç të parët kryengritës (komita) shqiptarë, të cilët ishin mbledhur në Brindis që të hidheshin në Shqipëri dhe të përpiqeshin për lirinë. Këta burra ishin: Bajo dhe Çerçiz Topulli, Veli bej Klisura, Zeman Mashkullori, Idriz Jakova, Thanas Nasto, Naum Trebicka, Hasan Tolari dhe Mihal Grameno”.

Midis këtyre patriotëve të orëve të para kanë qenë Veli be Këlcyra dhe Hasan Tolari. Kuptohet që ndihma e Veli be Këlcyrës konsistoi në blerjen e armëve, sepse ai nuk u kthye në Shqipëri bashkë me kryengritësit e tjerë. Po të shikojmë statusin e tij, si pjesë e familjes së bejlerëve të Këlcyrës, veprimi i tij është një hap përpara nga familjet e tjera bejlere të shqiptarëve. Qoftë dhe shoqërimi deri në Bari dhe blerjen e armatimit për kryengritjen shqiptare, tregon se kjo familje kishte hedhur hapin e parë për t`u shkëputur prej strukturës perandorake, në një kohë kur familjet bejlere të Shqipërisë e ndienin veten akoma si pjesë të saj. Vetë fakti që Veli be Këlcyra është pjesë e firmëtarëve të Shpalljes së Pavarësisë, tregon se Dëshnica në tërësi, të pasur dhe të varfër, kanë kontribut të çmuar në lëvizjet kryengritëse shqiptare.

5

Me vrasjen e Riza Velçishtit në mënyrën më të pabesë, Lëvizja Kombëtare pësoi një humbje të rëndë, sepse Rizai ishte i lidhur ngushtësisht jo vetëm me banorët e Dëshnicës, por ajo shtrihej përtej trevës së Përmetit: në Leskovik, Skrapar e më gjerë. Mungesën e tij e ndjeu më shumë se kushdo tjetër Çerçiz Topulli, i cili duhej të vepronte tani me më tepër intensitet për të plotësuar boshllëkun e krijuar. Dëshnica nuk u gjunjëzua me vrasjen e Riza Velçishtit. Madje u shënua një gjallërim i lëvizjes antiosmane. U krijuan disa çeta. Njëra nga këto çeta që bashkëpunoi ngushtë me Çerçiz Topullin ishte ajo e Mehmet Pavarit. Mehmeti shkoi deri në Sofje për të siguruar mbështjetjen edhe nga shqiptarët që jetonin jashtë Shqipërisë, të cilët ishin bërë jo vetëm mbështetje e çështjes shqiptare, por koordinonin dhe veprimtaritë luftarake në të gjitha trojet tona.

Letër e Kasëm Hideshajt në arkivin personal të Hasan Bajos, në Tiranë.

Në dokumentin ‘mbi luftën kundër turqve të rinj’ flitet për organizimin e lëvizjes. Shoqëria shqiptare e Sofjes kishte dërguar patriotin Mehmet Pavari nga Dëshnica, në Dëshnicë e në Përmet e në shumë krahina të tjera për të vendosur Lidhje”.

Mehmet Pavari nuk ka qenë vetëm një luftëtar, por dhe një vizionar, që e kishte kuptuar mirë që kryengritja antiosmane duhej të shtrihej në të gjitha trojet shqiptare. Ndaj ai shkoi krahinë më krahinë ku bënte thirrje për të rrokur armët. Krijoi çeta të reja, jo vetëm në Dëshnicë, por kudo që ai shkoi. Me shembullin e tij, nën drejtimin e çetës që drejtonte, u tregoi shqiptarëve se liria nuk mund të vinte pa u përfshirë të gjithë shqiptarët në një kryengritje mbarë shqiptare.

Novruz Muhametaj, Mehmet Pavari…, fq. 30.

Një nga rrethimet e forta që iu bë Mehmetit dhe çetës së tij, ishte ajo e vitit 1908, në lagjen Vila, lagje e sipërme e fshatit Buhal të rrethit Përmet. Luftimet u ndezën të rrepta. Çeta ishte e rrethuar plotësisht. Komandanti i forcave turke i bëri thirrje Mehmetit të dorëzohej, por ai iu përgjigj: ‘ S`kam dalë këtu që t`u dorëzoj armët, por kam dalë t`ju luftoj’. Ndërkohë u bëri thirrje shokëve për të çarë rrethimin duke u sulur vetë i pari. Rrethimi u ça dhe çeta doli pa u dëmtuar me përjashtim të Mehmetit që kishte marrë një plagë në kofshë. Pas kësaj përpjekjeje populli i Dëshnicës, në atë kohë, për të përjetësuar ngjarjen i thuri këto vargje:

Në male përmbi Përmet,

Mehmet o deli Mehmet,

Koshadhja nga pas t`u qep,

Mehmet o deli Mehmet.(etj.)

Të kësaj kohe janë dhe vargjet e një kënge tjetër popullore, ku midis tyre veçojmë:

O Ju vajzat e Përmetit,

Preni gjysmën e gërshetit,

T`i lidhni plagën Mehmetit.”

6

Çeta e Cerçiz Topullit bashkëpunonte ngushtë me çetat dëshnicare. Në mbështetje të tij kanë qenë dhe banorët e fshatit Mazhan.

Stilian Adhami, Përmeti dhe përmetarët në faqet e historisë, Tiranë 2001.

Me çetën e Çerçizit bie në kontakt më 1907, në fshatin Mazhan dhe atdhetari Zaim Plugu nga Bubësi. Si rrjedhojë dhe në Bubës u krijua çeta me 7-8 veta me në krye Zaim Plugun.

Ishte koha kur çetat e Dëshnicës u shtuan si numër. Disa qindra luftëtarë dëshnicarë i shihje të bashkuar me armë në dorë. Jo vetëm në Dëshnicë, por kudo ku flitej dhe diskutohej për Çështjen Kombëtare. Ishin të pranishëm, bashkëvepronin e koordinonin veprimtaritë e tyre me çetat që vepronin në Kolonjë e në Skrapar. Po ishin të pranishëm dhe të kudondodhur edhe në qendrat e rëndësishme të Përmetit, atje ku gatuhej e përpunohej platforma për Çlirimin tonë Kombëtar.

E ilustrojmë me një shembull:

Mihal Grameno, Kryengritja shqiptare, kreu IV.

Në Frashër “Në konak të Sulejman Beut gjetëm edhe Nexhip Bënjën, trimin e Leskovikut që vrau Kollasin, i cili guxoi t`i shajë Shqipërinë. Nexhipi ishte një djalë i gjatë dhe ushqente ndjenja kombëtare, prandaj u bashkua me ne. Në Frashër ndejtëm 10 ditë nëpër atdhetarët dhe në teqe , ku shenjtëria e tij Baba Abedini na priti e na dha uratat”.

Në Dëshnicë, numri i çetave rritej vazhdimisht dhe dëshnicarët ishin ndërgjegjësuar për vazhdimin e kryengritjes së armatosur. Po në korrikun e vitit 1908, xhonturqit pretendonin se synimi i tyre ishte të shpallnin kushtetutën dhe me këtë akt “t’u siguronin gjithë popujve të perandorisë, pa dallim feje, lirinë, barazinë, vëllazërinë dhe drejtësinë”, ndërsa fshatarëve shqiptarë iu premtua se do t’i çlironin nga taksat dhe do t’i shpëtonin nga arbitrariteti i nëpunësve. Në dukje kërkesat e kryengritëse ishin realizuar. Çeta e Çerçiz Topullit u bë e pranishme në shumë takime duke kërkuar me forcë realizimin e programit të saj.

Mihal Grameno e mbyll librin e tij “Kryengritja shqiptare” me takimin e Selanikut, ku “ nga ana e Komitetit Xhon Turk foli Mustafa Qemali, duke treguar rëndësinë e lirisë, e cila do të bashkojë gjithë kombet e ndryshme në një punim për lumturinë e mbretërisë otomane”. Nga ana e shqiptarëve foli Bajo Topulli dhe Mihal Grameno. Folën dhe përfaqësues të tjerë të popujve që përbënin perandorinë. Pas një qëndrimi 10 ditor në Selanik, Bajua, Çerçizi dhe të tjerët u kthyen me vapor për të mbërritur në Gjirokastër, kurse Mihal Grameno mori udhën për në Korçë.

7

Po xhonturqit nuk i përmbushën premtimet e tyre. Lëvizja kryengritëse e viteve 1906-1908 nuk u shua. Ajo i vazhdoi përpjekjet e saj. Krerët e tyre njiheshin me personalitetet më të rëndësishme të kohës. I gjendeshin pranë njëri-tjetrin me fjalë e me veprime. Po japim një shembull që na vjen nga njëra prej gazetave, e cila drejtohej nga Mithat Frashëri, djali i patriotët të madh të Shqipërisë Abdyl Frashërit.

Gazeta “ Lirija” Selanik, 17 prill 1910.

Shkrimi: Ndihmë për fletënë “Lidhja Ortodokse”.

Mihal Gramenoja drejtor i gazetës “ Lidhja Ortodokse” u dënua nga gjykata me 5 lira gjobë, për shkak të disa shkrimeve kundër Perandorisë Osmane. Lidhja e Selanikut çel një radhua ndihmash për të mbledhur të hollat për të cilat u dënua z. Mihal Gramenoja, për të shlyer Gjobën. Në listën prej 9 vetash të dt. 17 prill 1910, figuron emri i patriotit Mehmet Pavari si pjesë e asaj liste”.

Kjo është Dëshnica e fillim shekullit XX dhe këta janë dëshnicarët: kudo të pranishëm, brenda rrethit të Përmetit, por dhe jashtë tij, me armë kundër pushtuesit, por dhe në krahë të njëri-tjetrit.

Kur Mehmet Pavarin e dënuan me një gjobë të rëndë, në krah të tij dolën disa nga figurat më të shquara të Kombit, me banim në Shqipëri dhe jashtë saj. Informacioni i mëposhtëm ka dhe një vlerë tjetër. Na njeh konkretisht me ata bij të Shqipërisë që, edhe pse vetë mund të ishin në vështirësi ekonomike, herë pas here nxirrnin nga të ardhurat e tyre familjare në ndihmë të këtyre bijve luftëtarë që jetën e tyre e kishin vënë në shërbim të atdheut dhe lirisë së tij.

Gazeta “ Shqiptari” Stamboll, 20 nëntor 1910.

Shkrimi: Ndihmë kombëtare.

“Besojmë që nuk ka një njeri që nuk e ka dëgjuar emrin e atdhetarit z. Mehmet Pavari, i cili në kohë despotike ka qenë kryetar i Çetës së Komitetit Shqiptar, nën emrin kapedan Emini. Meqë qeveria do që ta zërë këtë atdhetar (ta fut në burg) për një martinë që mori kur doli komit, ne për ta shpëtuar këtë atdhetar të ndershëm….., po çelim këtu një listë ndihmash për të paguar shumën 600 grosh që i kërkojnë për shpagim.

Deri më sot kanë ndihmuar zotërinjtë:

1- Hysen Pashë Dino 95 grosh.

2- Eqrem Bej Vlora  60

3- Gazeta “Shqiptari” 20

Shuma 175 grosh.

Një muaj më vonë po kjo gazetë do të publikonte një tjetër shkrim, me kontribues të tjerë, të cilët i erdhën në ndihmë komandantit të çetave dëshnicare, me të cilat u pagua shuma e kërkuar dhe qeveria turke e pushoi çështjen ndaj tij.

Gazeta “ Shqiptari” Stamboll, 21 dhjetor 1910

“Të mëparshmet   175

1- Hasan Tahsin Pasha 108 grosh.

2- Demir Pashë Peqini. 60

3- Aqif Pashë Elbasani 20.

4- Shefqet Be Elbasani 40.

5- Irfan Be Ohria    20.

6- Mazhar Be Libohova 20.

7- Myfit Be Libohova  10

8-Gani Be Frashëri   20.

9- Gazeta “Shqiptari”  20

10- Rahsi Be Dino   60.

Shuma gjithësej   553

Shënim. Këto të holla iu dhanë z. Mehmet Pavari, i cili na lutet t`i falemi nderjes (t`i falënderojmë) këta mëmëdhetarë”.

Kuptohet që pjesa e mbetur prej 47 grosh është mbledhur nga banorët e Dëshnicës. Ky shembull tregon gjendjen e vështirë ekonomike që kalonin luftëtarët e këtyre çetave, por më shumë tregon për solidaritetin për t`iu gjendur pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira.

Çetat patriotike dëshnicare e intesifikuan punën e tyre në shtimin e tyre me anëtarë të rinj. Anëtarët e këtyre çetave ishin bujq e blektorë. Në mëngjez i shihje tek shkonin staneve për të kullotur bagëtinë shpateve të Trebeshinës, Tendës së Qypit, Taroninës a Qarrishtës, në mbrëmje i shihje të bashkuar e me armë në dorë në pritje të marrjes së një vendimi për të sulmuar apo për t`u mbrojtur sa herë taksambledhësit ndërhynin brutalisht dhe u merrnin atë çfarë familjet mezi kishin siguruar si ushqim për vitin. Këto sulme, tërhiqnin vëmendjen e shtypit të kohës dhe bëheshin shkëndija edhe për krahina të tjera. Ka mbetur në histori sulmi që çetat dëshnicare kanë bërë mbi trupat pushtuese. Këtë ngjarje e përcolli dhe shtypi i kohës. Ja si shkruante njëra prej gazetave më të rëndësishme të asaj periudhe:

Liri e Shqipërisë, 21 gusht 1911

Në mes të Përmetit dhe Këlcyrës u bë një luftë midis ushtarëve dhe kryengritësve. Nga ushtarët u vranë 16 veta në vend dhe nga kryengritësit asnjë. Këto lajme vërtetohen dhe me telegramin zyrtar të qeverisë”. Liri e Shqipërisë, 21 gusht 1911.

Ky sulm u krye nga çetat dëshnicare, të cilat koordinonin veprimet me njëra-tjetrën. Shtypi i kohës e ka vlerësuar si një kryengritje të armatosur që përfundoi me fitoren e kryengritësve dëshnicarë. Në qoftë se në të gjitha trojet shqiptare do të kishte patur një koordinim më të mirë dhe sulme të tilla do të kishte patur njëkohësisht kudo ku kishte garnizone ushtarake turke, atëherë liria do të kishte ardhur më shpejt dhe Shpallja e Pavarësisë do t`i gjente trojet shqiptare kudo të lira. Atëherë dhe qeveria që do të dilte nga Shpallja e Pavarësisë do ta kishte juridiksionin e saj në të gjitha trojet shqiptare dhe do të kishte qenë e vështirë që fqinjët pushtues me përkrahjen e Fuqive të Mëdha do të mund të copëtonin trojet shqiptare.

Shembulli i Dëshnicës që mundi ta shkatërronte garnizonin turk që kishte në territorin e saj, tregon për shpirtin sakrifikues të dëshnicarit. Dëshnicari e ka lirinë gjënë më të çmuar dhe kjo vërtetohet përgjatë gjithë historisë. Dëshnica bëhet si pikë orientuese e lëvizjeve antiosmane.

Përfundime

Fillimi i shekullit XX është i rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar, sepse lëvizjet antiosmane përgatitën terrenin për Shpalljen e Pavarësisë. Dëshnicarët kanë qenë ndër të parët që u bënë mbështetësit më të fuqishëm të kësaj Lëvizjeje. Kontributi dëshnicar ka qenë i admirueshëm dhe ka shërbyer si pikënisje dhe për territore të tjera të vendit tonë. Lufta e çetave dëshnicare kundër garnizonit turk në Këlcyrë është e një rëndësie të veçantë, sepse shënon fillimin e Kryengritjes së Armatosur që do të shënonte Shpalljen e Pavarësisë.

Është një luftë që i shkaktoi garnizonit Osman 16 të vrarë, një numër i lartë, në qoftë se do të kemi parasysh që nga kryengritësit nuk u vra asnjë. Nëse dhe krahinat e tjera shqiptare, në jug të vendit, do të ishin mobilizuar në lartësinë e dëshnicarëve, do të kishte qenë e vështirë që vendimet e Kongresit të Berlinit dhe ato të Londrës të kishin patur sukses në zbatimin e tyre.

Historia rron në libra, por ajo rron dhe në këngë. Madje kënga është tregues, nëse një ngjarje do të hyjë në histori apo jo. Dëshnica e viteve para Shpalljes së Pavarësisë ka hyrë në këngët e mrekullueshme për Riza Velçishtin dhe Mehmet Pavarin apo dhe këngë të tjera, të cilat e përcollën atmosferën e atyre viteve deri në ditët tona.

Po sot çfarë bëjmë? Në ditët e sotme, kur pjesë e këngës janë bërë dhe veglat muzikore, këto këngë duhet të këndohen në gëzime familjare, por dhe në skenat e festivaleve folklorike në shkallë vendi. Krijimi i një grupi folklorik profesionist i këngës dëshnicare që duhet të ngrihet dhe të funksionojë nën drejtimin e institucioneve vendore, do të ishte me vlerë të veçantë për ta prezantuar heroikën dëshnicare. Këngët e mrekullueshme dëshnicare dhe në veçanti ato të periudhës së cilës i jemi drejtuar, e kanë sjellë Dëshnicën e viteve 1900-1911 në epiqendër të ngjarjeve më të rëndësishme të vendit tonë. Risjellja përsëri në epiqendër të vëmendjes së opinionit publik të kohës së sotme të vetë Dëshnicës që e mbart këtë vlerë historike, kërkon të bëhet me të gjitha mënyrat që shoqëria e sotme përdor në komunikim, midis të cilave: arti dhe letërsia, publicistika dhe historia.