E premte, 29.03.2024, 03:06 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Skënderbeu rifreskon porositë e tij në Vjenë

E hene, 17.04.2017, 01:42 PM


“Skënderbeu“  rifreskon porositë e tij në Vjenë

Xhevat Limani: “Një popull kur i vë vetës çmim, e ka vënë gishtin në qëllimin e tij, atëherë e ka rrugën e hapur”

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Teatri shqiptar nga Amerika në Vjenë shfaqi poemën dramatike “Skënderbeu”, në qytetin ku ruhen shekujve shpata dhe përkrenarja e kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Trupa e teatrit e udhëhequr nga aktori dhe regjisori i njohur Xhevat Limani nga Amerika, u pritën ngrohtësisht nga publiku  në mesin e të cilit ishte përfaqësuesi nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri z. Imer Lladrovci, konsull.

Vjenës, simbol  qyteti i klasikëve të mëdhenj, iu shtua dhe një realizim i shkëlqyer nga aktorët shqiptarë të cilën e ndihmuan regjisori i ri Safet Murati, aktivistja shqiptare në Vjenë, Drita Cacaj dhe Shpresa Kameraj. Loja e aktorëve u duartrokit ngrohtësisht nga publiku artdashës në fund të së cilës aktori Xhevat Limani ia dedikoi Naser Hanit, i cili e ndihmoi luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Gjithë të ardhurat nga shfaqja i dhuroj nismës për themelimin e teatrit shqiptar në Austri.

Poema dramatike sipas oratorikes së krye heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bazuar në strategjinë e tij diplomatike dhe ushtarake kundër Perandorisë Osmane si forcë kohe e cila synonte pushtimin e Gadishullit Ilirik dhe gjithë Europën, doli e fuqishme përmes aktrimi të shkëlqyer të krye personazhit Xhevat Limani i cili është dhe autor i dramës. Aktorja Era Hoxha në rolin e Donikës me zërin e saj në solo këndim dhe  lëvizjet në harmoni të mrekullonin në koloritin e fjalën e skenës duke  lanë mbresa të paharruara.

Përpos tekstit Xhevat Limani i cili e bëri edhe regjinë e dramës në bashkëpunim me Michael Tylo, ekipi realizues ishte: muzika e dramës nga Elvis Peçi, ndërsa pjesët e veçanta muzikore, arie enkas të kompozuara për rolin e Donikës dhe libreto për Skënderbeun e bëri Aleksandër Peçi. Skenografi e dramës nga Kristaq Kapedani, kostumet sipas idesë së regjisorit u përgatitën nga Fadil Sahiti, kurse përkrenaren dhe shpatën nga Lenny Tarrrantinos, elemente koreografike nga Altin Naska.

Drama e përgatitur me përkushtim për një kohë të gjatë, shpalosi me forcën e aktrimit madhështinë me gjithë lavdinë e një epoke historike e cila vuri rrënjët gjeneratave në pavdekësinë e etnisë së lashtë shqiptare.

Regjisori dhe aktori i madh Xhevat Limani rikujtoi porositë e Gjergj Kastriotit përmes lojës së tij të shkëlqyeshme. Një shfaqje të tillë me gjithë simbolikën e saj në shqip e për shqiptarë nuk është parë asnjëherë në Vjenë.

Salla e bukur në Vjenën e armeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu pasuroi historinë e jetës së saj me një dramë të shkëlqyeshme në aktrim, skenografi, muzikë dhe mbi të gjitha me emrin e madh Skënderbe i cili e madhëron kryeqytetin austriak me shpatën dhe përkrenaren e tij të flakëruar në arin e kujtesës së Kalorësit të Shenjtë, mbrojtës i kulturës evropiane nga hija e gjysmëhënës së verdhë përtej Bosforit për 25 vjet me radhë.

Aktori, Xhevat Limani :  “E falënderoj publikun shqiptarë në Vjenë, kam pasur gjithmonë dëshirë dhe ëndërr që të prezantoj në Vjenë dhe më gjerë, jo vetëm me teatër por konkretisht  SKËNDERBEUN për hir të atij borxhi të madh, të asaj Embleme, kur dihet se austriakët këtu mbajnë shpatën dhe përkrenaren e kryeheroit tonë kombëtar.”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora