E shtune, 20.04.2024, 07:01 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

3 korrik, dita e eleminimit të opozitës

E enjte, 16.10.2008, 03:03 AM


Nga Agim Musta

Si sot, 60 vjet më parë, më 3 korrik të 1946, drapëri komunist i merr jetën 9 nacionalistëve demokratë shqiptarë me vizion perëndimor. Ata u vranë për të vetmin faj se ngritën zërin që zgjedhjet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, që do të zhvilloheshin më 2 Dhjetor të vitit 1945, të ishin të lira dhe demokratike. Më 17 Qershor të vitit 1946, shtypi dhe radio komuniste e regjimit të Tiranës njoftonte për fillimin e gjyqit special ushtarak në sallën e kinemasë “Nacional” të Tiranës (që më vonë do të quhej “17 Nëntori”) kundër 37 armiqve të popullit dhe sabotatorëve të Pushtetit Popullor! Po kush ishin ata fajtorë pa faj dhe përse grushti i hekurt i shtetit komunist ra aq mizorisht mbi kryet e tyre?! Në vjeshtën e vitit 1945, pushteti komunist përgatitej për t’u legalizuar me anën e zgjedhjeve të 2 Dhjetorit për Asamblenë Kombëtare. Të gjitha të dhënat ishin se zgjedhjet për Kuvendin Popullor (në thonjëza) nuk do të ishin as të lira, as demokratike. Zgjedhjet do të ishin një farsë e regjimit komunist, të cilët erdhën në pushtet me grykën e pushkëve dhe e mbanin atë me dhunë dhe terror. Shumë intelektualë nacionalistë, demokratë dhe tregtarë të grabitur nga pushteti i terrorit, filluan të shqetësohen seriozisht për fatet e Atdheut dhe iu vunë punës për të mos u realizuar zgjedhjet e manipuluara të 2 Dhjetorit 1945. Po kush ishin ata atdhetarë, që pa përfillur rrezikun që iu kanosej, u bënë martirët e parë për zgjedhjet të lira dhe të ndershme në Shqipëri?? Ata ishin 37 veta që u grupuan për të penguar farsën e 2 Dhjetorit të vitit 1945, ku midis tyre kishte intelektualë të mirëfilltë të lauruar në Universitetet më të mira të Evropës dhe në shkollën amerikane të Harry Fultzit. Ata ishin juristë, oficerë, akademistë, diplomatë, biznesmenë që ndiqnin me shqetësim rrugën drejt humnerës ku po e çonte P. Komuniste Shqipërinë. Ata kishin bërë përpjekje për krijimin e një grupimi opozitar dhe i kishin dorëzuar shefit të misionit ushtarak britanik, kolonelit Plamer, një memorandum për ndërhyrjen e misioneve anglo-amerikane pranë diktatorit Hoxha, për zgjedhje të lira dhe demokratike. Të gjitha përpjekjet e tyre dështuan dhe s’patën përkrahje në arenën ndërkombëtare. Zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945 u shndërruan në një tragji-komedi dhe P.K.Shqiptare, e maskuar pas Frontit Demokratik pa asnjë farë opozite, fitoi (në thonjëza) mbi 90% të votave. Fill mbas mbarimit të votimeve, që u bënë me saçma llastiku, shpërtheu një terror i paparë me arrestime dhe internime kundër atyre që nuk morën pjesë në votime ose dyshohej, se kishin hedhur saçmet në kutitë e zeza. Në Tiranë u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave çnjerëzore 37 persona, midis të cilëve: Shaban Balla, mbaruar shkollën amerikane të Fultzit, Musine Kokalari, laureuar në universitetin “Sapienza” të Romës dhe themeluesja e P.S.D. shqiptare në tetor të vitit 1943, Gjergj Kokoshi, ish-ministër i parë i Arsimit pas luftës, laureuar për filozofi në Torino, Xhahit Koka, diplomat, laureuar në Bukuresht, Sami Çeribashi, jurist dhe biznesmen i suksesshëm, laureuar në Stamboll, Qenan Dibra, diplomuar në Paris për jurisprundencë, Suad Asllani, jurist dhe diplomat i shquar, Mehmet Beshiri, laureuar në Vjenë për tregti, Hivzi Golja kryen studime për administratë në Selanik dhe Stamboll, Ali Kavaja, mbaruar shkollën e Fultzit dhe mik i ngushtë i Shaban Ballës, Enver Hasa, oficer akademik, diplomuar në Modena të Italisë, Reiz Hasko, student universitar në Romë dhe një nga pasanikët më të mëdhenj të Shqipërisë, Profit Çoka, tregtar i suksesshëm tiranas dhe i tatuar padrejtësisht me shuma astronomike, Mahmut Mëniku, biznesmen tiranas me ide perëndimore, Lluka Biba, jurist, laureuar në Francë, Semiraz Vërlaci, ish-grua e kryeministrit Shefqet Vërlaci, 70-vjeçare me një sjellje të përsosur e të tjerë persona nga elita e shoqërisë shqiptare. Kryetar i gjyqit special, që do dënonte 37 fajtorët pa faj, ishte majori Frederik Nosi, që shpirtin dhe mendjen e tij ia kish shitur prej kohësh djallit të kuq, megjithëse ishte nip i patriotit të shquar elbasanas, Lef Nosit që u ekzekutua po atë vit nga regjimi mizor enverist. Prokurori i gjyqit ishte sadisti i mirënjohur Nevzat Haznedari, kryemjeshtër i torturave që shpesh i ekzekutonte viktimat jo me plumb, por iu thyente kafkat me leva të hekurta në oborret e burgjeve. Kryehetuesit e grupit ishin shefat e sigurimit mizor, Nesti Kerënxhi dhe Kadri Hazbiu që për zellin e treguar në kryerjen e krimeve monstruoze, brenda pak viteve, u graduan ministra dhe gjeneralë dhe arritën deri në anëtarë të Byrosë Politike. Është tronditëse, kur sot, në disa organe të shtypit dhe në TV private, mundohen t’i paraqesin si pëllumba paqeje skifterët e përgjakur të Sigurimit gjakatar komunist. Kështu p.sh, një gazetë e Tiranës kohët e fundit botoi një intervistë në shumë numra, të ish-krijuesit të Sigurimit shqiptar, Nesti Kërënxhit që e mbyllte intervistën me fjalët: “Po largohem nga kjo jetë i lodhur, por i qetë se nuk i kam bërë keq asnjë njeriu”. Po kush i ka bërë një mal me krime për gjysmë shekulli, kur shefat e Sigurimit e mohojnë një gjë të tillë? Kadri Hazbiu, ish-Ministër i Brendshëm, për një çerek shekulli, deklaron para gjyqit, se ai jo vetëm nuk i ka torturuar viktimat e tij, por s`i ka prekur as me një fije pupël. Pinjollë të ish-udhëheqësve të lartë të shtetit komunist dhe të kaporjonëve të Sigurimit që i kishin lyer duart me gjak të pafajshëm shqiptarësh deri në bërryla dhe gazetarë injorantë që e shesin veten për 5 aspra, që bëjnë çmos të shtrëmbërojnë të vërtetën historike, duke marrë turpin mbi vete për punët e pandershme që kanë marrë përsipër të kryejnë. Paçin faqen e zezë, se kujtesa e kombit nuk mund të deformohet nga kalemxhinj sharlatanë! Po le të kthehemi te gjyqi famëkeq në kinema “Nacional”, në ato ditë tragjike Qershori të vitit 1946. Aktakuza e prokurorit Haznedari ishte plot fraza steriotipike bolshevike duke i quajtur të akuzuarit “armiq të betuar të pushtetit popullor, sabotatorë, terroristë” e turli epitetesh djallëzore që vetëm mendja perverse e sadistit Haznedari, mund të krijonte për fajtorët pa faj. Kryetari i gjyqit, major Frederik Nosi, e fillon seancën gjyqësore me pyetjen e Shaban Ballës që konsiderohej nga aktakuza si nyja kryesore e komplotistëve (në thonjëza). Kryetari e pyet Shaban Ballën nëse ai pranon se ka bërë pjesë në një organizatë terroriste që kishte për synim përmbysjen e pushtetit popullor? Shabani, megjithëse i torturuar mizorisht gjatë një periudhe 6 mujore nga hetuesit shpirtkazmë, përgjigjet me dinjitet se ai pranon se ka bërë pjesë në një grup antipushtet, por në asnjë mënyrë, në një grup terrorist. Dhe pyetjet vazhdojnë sipas skenarëve të gjyqeve bolshevike të viteve tridhjetë. Herë pas here, bëhen ndërhyrje brutale të prokurorit, që shoqërohen me britma të turmës pa tru “Vdekje armiqve të popullit!”, “Tradhëtarët në litar!”. Musine Kokalari i thotë trupit gjykues se ajo s’është fajtore. Ajo dhe shokët e saj janë nxënës të Rilindasve kombëtarë dhe kanë vepruar sipas mësimeve të tyre. Dënimi i tyre do të thotë të dënohet Rilindja Shqiptare. Por komunistët nuk kanë as komb, as atdhe. Britmat e tyre në sallë ia kalojnë britmave të ujqërve dhe të çakejve të shkretëtirave. Duket açik se të pandehurit, të strukur në zbarën e të akuzuarve, janë torturuar mizorisht nga hienat e sigurimit. Ata mezi qëndrojnë në këmbë dhe shumë prej tyre kishin humbur dhe shqisën e dëgjimit. Nga deponimet e tyre kuptohej se ata shpejtoheshin që të vdisnin sa më parë për të shpëtuar nga gjëndja ku ndodheshin. Pikërisht, më 23 qershor, kur gjyqi po i afrohej mbarimit, Enver Hoxha shkon në Beograd për t’i raportuar padronit, Josif Broz Titos, se kishte goditur me grusht të hekurt një grup nacionalistësh demokratë që kishin dashur zgjedhje të lira! Për këtë shërbim, ustai Tito e dekoroi lakeun e tij me medaljen më të lartë “Hero i popujve të Jugosllavisë”. Vendimi i gjyqit ishte i paapelueshëm dhe i formës së prerë. Nëntë martirë të demokracisë u dënuan me vdekje. Ata ishin: Shaban Balla, Qenan Dibra, Xhahiut Koka, Mahmut Mëniku, Telat Drini, Sami Çeribashi, Ali Kavaja, Mehmet Beshiri dhe Hivzi Golja. U ekzekutuan 60 vjet përpara, më 3 korrik të vitit 1946, në poligonin e vdekjes, buzë lumit të Tërkuzës në një gropë të përbashkët. Diktatura komuniste kujdesej që t’i zhdukte pa lënë asnjë gjurmë kufomat e të ekzekutuarve. Skeletet e tyre i merrnin ujërat në vërshim të lumenjve, ose shkriheshin nga gëlqerja e pashuar, që iu hidheshin varreve pa emër. 28 pjesëtarë të tjerë të grupit u dënuan me burgime të rënda dhe me shumë prej tyre kam qenë bashkëvuajtës në burgun ferr të Burrelit si: Llukë Bibën, Reis Haskon, Profit Çokën, Enver Hasën e të tjerë. Asnjë prej tyre aktualisht nuk jeton më. Ata kanë vdekur me kohë, pas një kalvari plot vuajtje dhe sfilitje. Persekutimi ra edhe mbi familjet e tyre për gjysmë shekulli, derisa në vendin tonë u përmbys regjimi gjakatar komunist dhe agoi dita e lirisë dhe e demokracisë shqiptare. Përgëzoj familjen Balla dhe posaçërisht, Zonjën Bendis që mori iniciativën për të përkujtuar ditën e zezë të 3 korrikut 1946, për ta mbajtur gjallë kujtesën e kombit dhe për t’i bërë nderim gjithë atyre që luftuan dhe dhanë jetën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Lavdi të përjetëshme martirëve të demokracisë!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora