E premte, 29.03.2024, 10:04 AM (GMT)

Shtesë » Historia

"Ja gratë e vajzat shqiptare që vuajtën në burgjet e Enverit"

E diele, 19.10.2008, 12:57 PM


Musine Kokalari
Dëshmia e Tanush Kasos: "Në qelitë e hetuesisë, ka pasur raste kur gra e vajza janë çnderuar e forcë nga ndonjë kryepolic ose hetues si Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, e Skënder Kosova.

Nga Dashnor Kaloçi

Kalvari i gjatë i Musine Kokalarit

Dikur thuhej: "Burgu për burrat është". Dhe me të vërtetë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sa u shfaq komunizmi, historia e vendit tonë nuk ka njohur asnjë grua të burgosur për motive politike. Fill pas vendosjes së pushtetit komunist, në burgjet shqiptare u dukën të dënuarat e para politike. Ndër ato, më e hershmja duhet të ketë qenë intelektualja e trimëresha gjirokastrite Musine Kokalari, e cila më 12 nëntor 1944 ende pa marrë fund lufta e pa u vendosur qeveria në Tiranë, u arrestua nga larot e Enver Hoxhës, vetëm për idealet kombëtare e demokratike që ajo ushqente, të cilat binin ndesh me doktrinën marksiste. U mbajt në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll brigadat e kuqe dhe mbasi ia vranë pa gjyq të dy vëllezërit e saj Vesimin dhe Muntazin, gjithashtu intelektualë dhe atdhetarë të shquar, e liruan, për ta burgosur përsëri në janar të vitit 1946, mbas një aktiviteti të shkurtër, që ajo ndërmori kundër regjimit gjakatar të porsa instaluar në Shqipëri. Musineja do të kalonte krenare dhe e papërkulur, për afër 40 vjet, nëpër kalvarin e burgjeve dhe të internimit, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i virtytit të femrës shqiptare. Kjo vajzë e talentuar, që ishte diplomuar në universitetin e Romës, autore e tre librave dhe e shumë shkrimeve publicistike, të cilat synonin emancipimin e femrës dhe përparimin e kombit, Musineja, që ishte një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, do t'i mbyllte sytë përgjithmonë e harruar dhe e vetmuar, në vënd-internimin e saj në Rrëshen të Mirditës, më 14 gusht 1983, pa mundur të shihte përmbytjen e tiranisë komuniste dhe agimin e lirisë e të demokracisë, për të cilat e shkriu jetën.

Gratë që u burgosën e internuan

Me qindra gra e vajza prej familjesh fisnike, me një edukatë e kulturë të shkëlqyer, por edhe plaka të moçme e fshatare të thjeshta, regjimi komunist i përplasi pa mëshirë nëpër burgje, ku vuanin e keqtrajtoheshin njëlloj si burrat; por edhe qëndronin njëlloj si burrat, si amazona të vërteta, prandaj i quanin edhe "burrnesha". Faji i vetëm i tyre ishte se nuk i përkisnin komunizmit, sepse donin një Shqipëri të lirë e demokratike. I akuzuan për "agjitacion e propagandë kundër pushtetit", për "pjesëmarrje në kryengritje të armatosur", për "strehim të arratisurish", për "mosdenoncim", për "mbajtje armësh pa leje", për "sabotim ekonomik", për "tentativë arratisjeje", për "tradhëti të lartë", etj etj. Disa gra e vajza të guximshme, i kishin konsumuar tërësisht ose pjesërisht këto nene, për të cilat akuzoheshin. Ato kishin qenë kurdoherë pranë burrave, në luftën e shenjtë për liri, për rrëzimin e diktaturës komuniste. Të tjera vetëm dyshoheshin si të tilla, por ishin arrestuar e dënuar pa kurrfarë provash. Shumë prej tyre ishin viktima të hakmarrjes politike të regjimit të Hoxhës, i cili nuk kishte ç't'u bënte burrave, vëllezërve e baballarëve të tyre, që luftonin maleve për liri ose që kishin shkuar jashtë shtetit, ku përpiqeshin e punonin për çështjen kombëtare. Nga torturat dhe vuajtjet pa fund, ato gra e vajza aq të brishta e të bukura, u thinjën e u plakën para kohe. Shumë nga ato nuk patën fatin të gëzoheshin me fëmijë. Ato u privuan nga e drejta natyrore për të qenë nëna. Puna e rëndë e krahut, varfëria dhe "biografia" nuk iu ndanë as mbas daljes nga burgu, gjer në vdekje. Kështu kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj.

Burgjet ku vuajtën gratë

Gratë e burgosura në vitet e para, mbaheshin në burgjet e burrave, të qyteteve të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër, etj por në dhoma të veçanta. Më 1957, gratë u grumbulluan në burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to. Më 1961, u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë, afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970, u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit. Kushtet e diferencuara higjenike, që janë të nevojshme për to, nuk mereshin aspak parasysh nga komanda e burgut. Papastërtia, era e rëndë dhe parazitët e kokës e të trupit, përbënin një torturë me vete për ato fatzeza. Ligji nuk përfillte as gratë shtatzana. Ato dënoheshin e mbaheshin njëlloj si të tjerat. Për tu përmendur është rasti i Liri Gegës, e cila duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të luftës nacional-çlirimtare. Kjo u bë e njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit. Por nuk është i vetmi rasti i pushkatimit të grave shtatzana. Të tilla kanë vdekur nga keqtrajtimi në hetuesi. Nuk lejohej asnjë mjek i familjes të bënte autopsinë e tyre. Njihen disa raste lindjesh në burg, të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzanisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore. Në burg, por sidomos në birucat e izolimit, disa hetues të autorizuar, përpiqeshin t'i nënshtronin gratë duke i përdhunuar. Në burgun e Burrelit, siç tregonin të burgosurit e vjetër, gratë qëndronin të bashkuara si një trup i vetëm. Musineja me shoqe, nuk lejonin t'i shkëpusnin policët prej tyre, vajzat e reja, gjoja për të fshirë e pastruar korridoret dhe oborrin. Ato dërgonin ndonjë plakë për të bërë pastrimin. Kështu e ruanin nderin dhe krenarinë e tyre. Por, gjatë paraburgimit, në qelitë e hetuesisë, ka pasur raste kur ndonjëra është çnderuar me forcë,nga ndonjë kryepolic ose hetues si Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova dhe ndonjë tjetër i pajisur me "carta bianca". Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare, kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndofta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar, ishte një "agjente e huaj", që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjesohej ose të largohej nga Shqipëria. Eshtë një listë e tërë e këtyre grave fatkeqë, të cilat dashuria njerëzore i solli në këtë vend "romantik" të Ballkanit dhe që pastaj kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste. Po përmendim disa prej tyre: Xhovana Simoneti, italiane; martuar me Haki Qatën, nga Tirana. Që të dy u burgosën dy herë: Bianka Balliçi austriake, e martuar me Nedin Balliçin, nga Elbasani. Bëri dhjetë vjet burg në gjendje çmendurie. Mbas lirimit vdiq në spitalin psiqiatrik. Barbara Orgocka, polake; burgosur si edhe i shoqi, inxhinier, Vasil Orgocka, nga Korça. Vanda Tiko, polake, martuar me mjekun Lefter Tiko nga Korça. Burgosur të dy. Elena Cami ruse, martuar me ing Minella Cami, nga Korça. Burgosur të dy. Dina Thaçi, ruse, e martuar me Ahmet Thaçin, nga Shijaku. Arrestuar që të dy. Barbara Haxhihasani, hungareze. I shoqi, Fatos Haxhihasani, vari vehten në hetuesi. Ajo u çmend në burg. Viola Beqiri, çifute ruse; me arsim të lartë. Akuzohej për spiunazh. Sigurimi e detyroi burrin dhe fëmijët që ta braktisnin. Si pasojë e burgosjes ose e pushkatimit të njerëzve të familjes së tyre dhe e luftës psiqike që bëhej mbi to, mjaft nëna, motra, gra e vajza me ndjenja të brishta, kanë humbur aftësinë mendore. Disa prej tyre kanë kaluar deri në vetëvrasje. Kështu përfundoi e shoqja e Teme Sejkos, që i vranë burrin dhe një djalë, ndërsa tjetrin ia burgosën. Bujana, vajza e urtë dhe e zgjuar e Tuk Jakovës, edhe sot endet e çmendur nëpër Tiranë. Nuk mund të mos çmendej edhe Mereme Gjuta, së cilës ia hodhën te pragu i derës fëmijët e saj, të bërë shoshë nga plumbat e komunistëve, teksa u orvatën të shpëtonin nga thonjtë e diktaturës dhe të dilnin në botën e lirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kriminelët e Sigurimit e burgosën atë nënë fatkeqe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora