E enjte, 25.04.2024, 05:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Korça, një shekull serenatash

E premte, 20.05.2005, 07:34 PM


“Kur vjen behari çel qershia, vajza të bukura faqka paputhura, andej këndej kërkojnë djemtë, duan të lozin -ë, të qeshin-ë! Kështu vjen pranvera në Korçë, me tinguj dhe vargje nëpër sokakë. Të dashuruarit këndojnë nën dritaret e vajzave të zemrës, përtej mesnatës, deri në mëngjes. Por ato nuk i shohin, sepse ata rrinë në errësirë, që të jenë të padukshëm. Koha e serenatave zgjat, derisa një ditë vajza pas perdes bëhet gruaja e djalit me kitarë. Ka një shekull që korçarët këndojnë dhe dashurohen kështu. Qyteti me rrugicat e kalldrëmta, ruan akoma shtëpitë me kangjella dhe oborret me trëndafila. Aty lindi serenata, të gjitha serenatat aty e patën fillimin dhe vajin: “U ndamë në errësirë, se jeta ndarje ka, por zemra zemrës lamtumirë, kurrë nuk i tha".

Qyteti i shpirtit të lirë

Shumë janë përpjekur të kërkojnë në kohë krijimin e serenatës dhe gjithnjë fillimet e saj shtyhen në kohë. Kërkues të ndryshëm thonë se zanafillat e saj janë diku rreth viteve 20'. Vasil Ballauri, në librin e tij “Një dritare në muzikën Korçare”, thotë se ajo është më e hershme, në fillimet e shekullit të 20' ndoshta dhe në fundin e shekullit të 19-të. Emigrantët e parë që ishin largur rreth viteve 1850, në fundshekull filluan të ktheheshin. Rumania, Argjentina, Egjypti etj., ishin vendet kryesore, ku ata kishin emigruar dhe shkollat që ata kishin ndjekur, kishin një program muzikor tepër të avancuar. Ndërkohë, edhe qyteti i Korçës ishte shndërruar në një qendër të rëndësishme artizanalo-trgëtare. Shumë prej tyre, banorë të fshatrave përreth si Drenova, Polena , Hoçishti, Ziçishti, Dardha, Voskopoja etj., u vendosën në Korçë. Banda e qytetit, e krijuar në periudhën otomane, si edhe instrumentistët e rinj që erdhën nga mërgimi, ishin pionerët e parë të asaj, që më vonë do të quhej Serenata Korçare. Terreni ishte i përshtatshëm dhe, ndoshta, korçarët prisnin vetëm momentin e duhur, për të shpalosur talentin, romantizmin dhe shpirtin e tyre artistik. Në fillimet e shekullit të 20-të shumë antarë të shoqërive patriotike në mërgim, të cilët ishin kthyer në atdhe, krahas këngëve patriotike, krijuan edhe ato me karakter lirik, të cilat i këndonin dashurisë së ndaluar. Shpeshherë organizoheshin koncerte të hapura, tek vendi i quajtur “ Bashta e Themistokliut”. Këngët e kënduara në muzgjet pranverore u përqafuan nga të gjithë. Kushdo kërkonte me çdo kusht, jo vetëm të kishite një vegël muzikore në shtëpinë e tij, por edhe të mësonte të luante. Fillimisht veglat frymore e më pas kitara, mandolina, buzuku, do të ishin veglat e këngës karakteristike korçare. Termi serenatë, sigurisht, është marrë nga italishtia apo edhe kantadha, por, në Korçë ato krijuan një origjinalitet të veçantë, sepse u huazua edhe muzka e lehtë qytetare dhe, jo rrallë herë, ajo folklorike ekzistuese. Ritmi i shtruar, por edhe i shpejtë shpesh herë, me përsëritje të shpejta të vargjeve, si edhe tonalitetet e ëmbla i dhanë një bukuri të veçantë serenatës dhe e bënë lehtësisht të këndueshme nga të gjithë, duke e shndërruar në muzikën e zanatçinjëve, njerzëve të thjeshtë dhe jo elitare, fakt që e ruajti dhe e përcolli brez pas brezi atë. Shumë patriotë të dëgjuar si Asdreni, Mihal Grameno, Hil Mosi etj., krahas këngëve patriotike, me tekstet e tyre lirike ushqyen edhe këngët e serenatës korçare. Loni Logori, Spiridon Ilo, Pandeli Kotoko janë disa nga pionerët e parë të saj. Korça dhe kënga një binom i pandashëm, ndërsa vetë serenata korçare të krijon bindjen se ka lindur në të njëjtën kohë me qytetin...

Epoka e artë

Vitet 20'- 30', ishin vitet e arta të serenatës së vërtetë korçare, ku më shumë, krahas të tjerëve, bie në sy kontributi i dardharit të shquar Thoma Nasi. Shkollat e muzikës, ekzistenca e Liceut Francez dhe “kurbetllinjtë“ që u kthyen në ato vite, i dhanë një impuls të paparë jetës kulturore të qytetit, fakt që do të detyronte Faik Konicën të shprehej se; "Pa dyshim, Korça është qyteti më i përparuar në jug të Shqipërisë". Fshatrat përreth jo vetëm që s'mund të rrinin larg serenatës, por Drenova, Boboshtica, Hoçishti, Dardha Polena u shquan për ballot e tyre të famshme. Grupi “Lira” i krijuar në vitet 30', i dha një tjetër shtysë, jo vetëm këngëve me karakter patriotik, por edhe serenatës. Tole Adhami, Vaskë Xherahu, Gaqo Jorganxhi, Gaqo Avrazi, Kosta Osmanlli, Ilo Morsko, Raqi Treska, Raqi Floriri, Niko Cavali, Llambi Ziko, Koli Kondakçi, Petro Dule, vëllezrit Bakllamaja e shumë të tjerë, do të mbeten të paharruar në historinë e serenatës korçare. Nuk ka “sokak” në Korçë që të mos jetë shkelur nga këmba e serenatistëve , që i këndonin dashurisë, dhimbjes, ndarjes. “Primi leshkat, leshkat primi, bëmi shkall' bëmi shkll' të ngjitem ë”. Fjalët më të ëmbla për dashurinë vijnë nga këgët e saj, fjalët më të trishtuara për dhimbjen e ndarjen kanë dalë po aty. Serenata ishte një përpjekje në vetvete për të ndryshuar, për të lënë mënjanë mentalitetet e vjetra, për të përqafuar të renë. “ O moj ti qe ri te porta, mos dëgjo se ç' thonë bota” ajo botë që i pengonte të jetonin rininë e tyre, dashurinë e tyre!

Këngët e ndaluara

Vitet e para pas çlirimit do të rindiznin sërish zjarrin e serenatës, të dashurisë së përjetëshme, sepse dashuria për këngën dhe vajzën e zemrës shkrihej në një. Gjenerata më e re, ku spikasin emrat e mirnjohur të artit korçar, si Pandi Rraidhi, Gaqo Çako, Pandi Peleshi por edhe të tjerë si Pirro Sulioti, Pandi Tasellari, Ridvan Shëllira, Ligoraq Qano etj., do të këndonin me pasion të paparë serenatën, që fillonte në muzg dhe mbaronte në orët e para të mëngjesit. Por as serenata nuk do t'i shpëtonte syrit “vigjilent” të diktaturës. Në fillim të viteve 70', me preteksin e thyerjes të qetësisë publike, serenata pothuajse u ndalua. Dhe s'kish si të ndodhte ndryshe! Zemra e lirë, romantizmi apo të shijuarit e jetës si dikur, veçse frikë mund t'i shkaktonin diktaturës. Egërsia e saj s'mund të pajtohej kurrë me "Rruku' rrukullisni kadet, bëni qefin tamam, se qefi është i ëmbël, jo s' blihet o me para", ose "O vemi, o s'vemi në mes të pyllit do vemi, aty ku dielli dhe bota nuk na sheh!". Ndoshta, ajo e largoi nga rruga serenatën, por jo nga zemra dhe goja e korçarëve. Grupi "Lira" i rikrijuar pas luftës u përpoq t'a ruante serenatën, por, tashmë, të disiplinuar e të çensuruar. Ajo, bashkë me kohën, pothuajse, e rrënuan serenatën. Ithtarët e serenatës u larguan një nga një dhe, të rinjtë nuk mundën t'a trashëgonin siç duhej shpirtin e saj.

Me piano nëpër rrugica

“Pas çlirimit, serenata u kthye bashkë me djemtë që zbritën nga malet, mund të përmëndim këtu Pandi Raidhin, një ndër serenatistët më të spikatur të asj kohe, Vangjush Mane, instrumentist virtuoz, Piro Naçi, Todi Katundi, Llazi Morsko, Ligor Koço, Maqo Papargjiri, Pandi Peleshi e plot e plot të tjerë. Tole Adhami me shokë vazhdonin, por unë flas për më të rinjtë, që dolën në këtë periudhë, pas të cilëve kënduam unë Kiçoja e shokë të tjerë", rrëfen Gjergji Peleshi. “Mbaj mend, njëherë, kur ansambli i ushtrisë ishte në Korçë për koncert, pas shfaqjes, Pandi (Peleshi), Osman Boga e shoqëria e tyre, ngarkuan pianon mbi një makinë dhe kanë bërë një serenatë të paharrueshme në rrugët e Korçës". Filluan të këndonin qysh të vegjël. Familjet ishin shkollat e para të muzikës për ta. “Kur isha i vogël, babai më merrte shpesh me vete. Ai ishte shofer dhe në kabinë mbante gjithjnë një mandoline dhe, sa herë që ndalonin diku, e gjithë pareja e shoferve ia merrte këngës. Kështu, edhe unë u lidha me këngën që në atë moshë, por ai që do të më drejtonte përfundimisht drejt këngës, ishte xhaxhai, Pavllo Sholla, pjestar edhe ky në Ansamblin e Ushtrisë, rreth viteve 51'-52'. Ai kur më dëgjoi të këndoja, i tha babait se, zërin e kisha të mirë, por duhet të punoja akoma, sot, mund të krahasohem për ankthin që ndjeva me fëmijët e Etheve", pohon Kiço Sholla.

Një natë me Alfons Balliçin

Ata ishin shumë! Kujtojnë Tomi Maçkon, një djalë inteligjent e shumë virtuoz në kitarë, të birin e Andon Maçkës, një tenor i përsosur, nga më të vjetrit në serenatën korçare. Mihallaq Zallëmin me zërin e tij brilant, Ligoraq Qanon, i cili edhe shkruante tekste, por edhe kompozonte, Gaqo Çakon, por që u largua shpejt në Tiranë, Panon, Ridvanin etj. “Një natë e paharruar ka qënë ajo me Alfons Balliçin. Ai kishte shumë qejf të këndonte këngë të serenatës. Atë natë, Alfonsi i binte kitarës, tek- tuk edhe këndonte; “Atë që e desha aq shumë, iku më la në gjumë, ah i mjeri un', pothuajse e gëdhimë jashtë", tregon Gjergji Peleshi.

Dilnin vetë, por shpesh i pasonin edhe më të vegjël dhe, aty ku ndjenin se kishin “sukses”, qëndronin më gjatë, pa u kujtuar për orën. Të nesërmen i përgëzonin dhe i ftonin të shkonin përsëri. Zakonisht qëndronin poshtë ndonjë strehe, në hije të plotë, që të mos njiheshin. Krijoheshin edhe keqkuptime. “E po ç' të bënim tjetër, se mos kishim disko atëhere", thotë me të qeshur Kiço Sholla. Të dy kujtojnë me nostalgji shihen në sy dhe fillojnë të këndojnë: "Kur më shkon sokakut, nallankat m'i troket, o m'i troket, o moj vajz' e vogël ç'më bëre lezet…". "Mbaj mend një natë të ftohtë dimri, Sifi Bicolli kitarist e këngëtar i përhershëm me ne, Naskë Kondili etj., kur na u këput teli i kitarës. Gishtat i kishim të ngrirë, e pavarësisht se na u gjakosën, nuk u ndalëm. Dëshira për të kënduar ishte më e madhe se dhimbja. Kur na këputeshin telat e kitarës, përdornim tela telefoni, që bënin edhe për re edhe për mi", shpjegon Gjergji Peleshi. Më pas, kur s' i linin rehat policët, futeshin në shtëpinë e Gjergjit dhe vazhdonin deri vonë, "derisa pthuajse në rrugë s'këndoi më njeri. Por, edhe ne u bëmë familjarë dhe s'mund të vazhdonim si më parë", pohon Kiço Sholla.

E nesërmja e një legjende

“Këto vitet e fundit po përpiqemi të bëjmë diçka për serenatën, kemi krijuar edhe një shoqatë për të vazhduar traditën. Mihallaq Andrea, është kryetar i saj, Tomi Kondakçi e djem të tjerë, po përpiqen shumë të vazhdojnë këtë traditë të mrekullueshme. Në gëzime familjare, dasma, në takime shoqërish është e pamundur të mos këndojmë këngë të serenatës, sepse është jeta jonë në këngë, është historia e Korçës në këngë", shtojnë Kiço Sholla e Gjergji Peleshi.

Kohët kalojnë dhe ndoshta serenata e ka kryer ciklin e saj, por vlerat e vërteta nuk mund të humbasin kurrë. Ndoshta një ditë, ajo do të kthehet përsëri si dikur, sepse dashuria, trdhëtia, dhimbja dhe ndarja jetojnë bashkë me njerëzit dhe po ashtu edhe serenata, e cila sikurse shprehet Spanja Pipa, “është e brishtë, si një vazo kristali, brenda së cilës rreh një zemër, një zemër që do të rrahë përjetësisht për të”.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora