E merkure, 24.04.2024, 05:07 AM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Protestë kundër terrorizmit nga shqiptarët në Treviso të Italisë

E hene, 10.04.2017, 08:02 PM


Protestë kundër terrorizmit nga shqiptarët në Treviso të Italisë

“ Me këtë marsh paqësor, duam të rikonfirmojmë se vlerat tona të përbashkëta janë të pacenueshme, miqësia jonë është e paprekshme dhe mikpritja nga Republika e Italisë për shtetasit tanë është shembullore”. Fuqimisht e dënojmë  çdo tendencë që prish imazhin e vlerave të shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

Nga Hazir MEHMETI

Të denjuar thellë me tentim veprimet terroriste të katër qytetarëve nga Kosova, kundër vlerave civilizuese të shtetit italian i cili pranoi shqiptarët miqësisht dhe i trajton sikur qytetarët e vet, komuniteti shqiptar nga gjitha trevat shqiptare pa dallim besimi, partie manifestoi fuqishëm publikisht për të ritheksuar se vlerat e Italisë i pranojnë sikurse tonat dhe publikisht distancohemi nga ati i fundit terrorist.

Me organizim të shqiptarëve rreth shoqatës “Iliria” në Treviso, u mbajt manifestim paqësor kundër terrorizmit. Masa barti pllakate ku shprehej kundërshtimi i komunitetit shqiptar në Treviso kundër çdo akti terrorist dhe dënim të akteve terroriste të planifikuara nga bashkëkombësit e tyre. Ata mbanin pllakate falënderuese për Italinë e cila dha shumë për ta çliruar Kosovën nga barbaria serbe dhe njohjen e saj si shtet i ri.  Shqiptarët e vlerësojnë mikun dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me fanatizmin e fashizmin islam që predikojnë organizatat terroriste islame  kundër të cilave po lufton gjithë bota progresive.

Në televizionin lokal u paraqit tubimi dhe protestuesit me flamuj të Kosovës, kombëtar dhe flamurin italian.  Në fjalën e saj zj.Ermira Zhuri, kryetare e shoqatës mes tjerash tha.

“Sot, jemi mbledhur këtu, që me praninë tonë, në këtë shesh, me këtë marsh paqësor, të rikonfirmojmë kundërshtimin tonë të fuqishëm, kundër çdo akti individual, që mund të bie ndesh me ligjet e shtetit mikpritës, Republikës së Italisë, e cila ndër të parat e njohu pavarësinë e shtetit tonë Kosovës.Jemi mbledhur këtu, të kundërshtojmë çdo akt individual i cili është kundër vlerave të Italisë, vlera këto që i shohim si tonat, tolerancën, paqen dhe unitetin në ndryshme, vlera këto të Bashkimit Evropian, synim dhe aspiratë e Republikës së Kosovës.  Jemi duke ndërtuar shtetin e Kosovës ku garantohet e drejta e besimit, përkatësisë etnike, përkatësia politike, gjinia, prejardhja dhe të të drejtat tjera universale, pa asnjë dallim. Të drejtat e njeriut, minoriteteve dhe bashkësive fetare janë shembull për këtë pjesë të Evropës. Për këtë ne jemi krenar.

Në rrugën tonë kemi shumë sfida. Sfidat janë të lidhura me përkushtimin tonë për realizimin e procesit integrues euro-atlantik, që pa asnjë rezervë gjendemi në anën e vlerave perëndimore, në anën e vlerave evropiane që populli ynë u nda për shumë shekuj padrejtësisht.

Ju e dini se kemi qenë, jemi dhe përherë jemi pjesë e Evropës dhe kulturës evropiane. Besoj se jeni në dijeni se kryeministri i parë italian ishte një arbëresh, Francesco Crispi, shok dhe mbështetës i Giuseppe Mazzini dhe Giuseppe Garibaldi.

Ata që e njohin Venedikun, besoj kanë hasur në disa toponime, për shembull “Calo dei albanesi”, por edhe “Campello di albanesi”. Njihej prej të gjithë venecianëve edhe “Scuola dei albanesi”. Apo familja e lavdishme Albanezi që dha piktor, arkitekt, dijetar për treqind vjet me radhë. Anijen kryeministrore të Dozhëve venedikas, Buçintoron, barkën më të madhe e më të famshme të të gjithë Mesdheut, në kiç mbante me krenari imazhin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Nëse heq modestinë, mund ta përmendi se ne, iliro-arbëro-shqiptarët, në selinë apostolike të Romës kishim dhjetë papë. I fundit ishte Papa Klimenti i XI.  Vëllezërit Giovanni e Paolo Gazulli, poeti Michele Marulli, kronisti Marin Barleti, filozofi Leonik Tomeu, piktori Vitore Karpaçio, dhe shumë të tjerë, të cilët shkëlqyen me talentin dhe me veprat e tyre, lanë gjurmë në Venedik, vendin emigrues duke u njohur në të gjithë botën.

Me këtë marsh paqësor, duam të rikonfirmojmë se vlerat tona të përbashkëta janë të pacenueshme, miqësia jonë është e paprekshme dhe mikpritja nga Republika e Italisë për shtetasit tanë është shembullore. Ju falënderojmë për këtë. Kështu, besojmë fuqishëm se do të mbetet. Asnjë akt individual, kundër vlerave të Republikës së  Italisë nga bashkatdhetarët tanë, nuk mund të dëmtojë këto marrëdhënie tona. Ky marsh është edhe keqardhje për çdo akt jo tolerancë, keqkuptimi apo paragjykimi në mesin tonë, jo vetëm për shtetin mikpritës por edhe për vendin tonë nga vijmë. Shën Tereza thoshte, Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ne, me këtë marsh paqësor, duam të bëjmë një gjë të vogël, akt që kundërshton çdo tendencë që prish imazhin e vlerave të shtetit tonë, Republikës së Kosovës, të njohur e të dëshmuar për tolerancë fetare, si një nga vlerat fondamentale të popullit tonë”. Protestuesit u shpërndanë të qetë duke treguar kulturë e vlera qytetëruese europiane aty ku shqiptarët dhanë shumë gjatë historisë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora