Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Psikoza mohuese shqiptare - sipas Kadaresë

| E enjte, 30.03.2017, 09:00 PM |


Psikoza mohuese shqiptare - sipas Kadaresë

Kur flet Kadareja flet sinqeriteti i atdhedashurisë. Kur flet Kadareja flet  “Ringjallja shqiptare” e doemosdoshme. Kur flet Kadareja …. duhet dëgjuar Kadarenë , dritën e mendjes së kombit :

Rilindasit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimi i atdhedashurisë.

Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, këmbanat e tyre, thirrjet e zjarrta, shpeshherë të dëshpëruara, Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej atdheut të tyre….Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerët me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare.

Duhet thënë se kjo nuk ishte një dukuri e rrallë. Në shumicën e vendeve, ashtu siç ka një përqindje të popullsisë me prirje kriminale, ka edhe një përqindje me prirje të mbrapshtë (perverse) kundër atdheut të vet. Shqetësimi dhe ankthi i rilindasve lidhur me këtë hall të madh tregon se prirja kundërshqiptare e një pjese të shqiptarëve ka qenë një rrezik i ndjeshëm për Shqipërinë.

Dashuria për atdheun është një ndjenjë e shëndetshme e natyrale, e cila me pak përkujdesje kultivohet lehtë. Kurse prirja e kundërt, mosdashuria për popullin tënd, është rrjedhojë e disa faktorëve këmbëngulës. Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e institucioneve kulturore e, natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore e zbehu fort shqiptarizmin

Edhe një arsye që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda kundërshqiptare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallë herë ishte parë në fytyrë të dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë, rilindasit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm. Në vend që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur edhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare …Ky vizion optimalist i rilindasve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës, u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion rilindas që u sulmua në mënyrën më barbare. Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm, të bashkuar me turmat e vulgut shqiptar, u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë,

Në botën e egër ku jetojmë, në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë, kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar, në kushtet sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh, vizioni rilindas mbetet vizioni bazë për botën shqiptare. Kritika kundër veseve e ceneve tona, ashtu siç bën gjithë bota për vetveten, nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.

Mësimi, pra, është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj, mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.

E përgatiti : Fahri Xharra

Gjakovë.30.03.17