Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Mbi të gjitha njerëzorë

| E marte, 28.03.2017, 09:02 PM |


Të suksesshmëm, mbi të gjitha njerëzorë.

-esse, mbi një takim-

Nga Drita LUSHI

Gjithnjë kam qenë dhe jam e mendimit, që diplomën  çdo njeri  e ka për vete dijet dhe paratë i ka për vete, ndërsa komunikimin,thjeshtësinë, mirësjelljen ia kemi borxh çdokujt. Së pari jemi njerëz dhe në thelb jemi të gjithë të ngjashëm.

Ky mendim  m’u përforcua, kur ata nisën të vinin një nga një,të qetë dhe të qeshur.

Jemi diplomuar të gjithë në vitin1993.

Të gjithë janë të suksesshëm, kanë ecur përpara me punë,përkushtim dhe djersë.

*

Telefonata e një dite të zakonshme me Agronin u bë shkak për të ndodhur ky takim.

Ai, ishte inisiatori i këtij takimi të planifikuar vite më parë, por, që për arsye objektive nuk kish arritur të ndodhte.

Ishim vetëm gjysma(sepse të tjerët janë në emigrim,apo nuk ishin të pranishëm për shkak të angazhimeve të ndryshme) por ishin të pranishëm gjithsesi në bisedat dhe kujtimet tona.

Agroni ka një distributor farmaceutik “Ilma Farma” që është i suksesshëm në treg prej shume vitesh dhe ka mbetur po ai djalë i thjeshtë,i natyrshëm dhe njerëzor me batutat dhe humorin e tij me atë  dialektin kuksian, që se ka ndryshuar thuajse fare.

Zamira ka qenë dhe mbetet nga vajzat më të bukura të kursit tonë, shoqja e dhomës sime,me të cilën ruaj kujtime nga më të bukurat studentore. Nga Kruja ajo shkoi nuse në Fier, ku ka ndërtuar jetën dhe punën e saj. Ka një depo farmaceutike dhe biznesin  e saj në qytetin e Fierit dhe e bën jetën mes Amerikës dhe Shqipërisë.

Ndërsa Petriti, është shkodran dhe në batutat e tij nuk ka si të mos dallosh humorin që karakterizon atë qytet. Ai ka një kompani  mjaft të njohur në vend, “Intermedika’’, të suksesshme gjithashtu në tregun  farmaceutik shqiptar si dhe ndër më cilësoret për medikamentet, që importon dhe tregëton.

Nga Gjirokastra vjen Gramozi, ekspresiv dhe duke folur vazhdimisht për punën, jetën dhe profesionin të sjell në mendje po atë studentin e dikurshëm .

Biseda  zhvillohet me ndërprerje fjalë dhe të qeshura;  Jemi të gjithë protagonistë dhe aktorë.

Herë flitet për atë që jemi tani, ç’bëjmë si dhe ku jetomë dhe paritur gjendemi larg në vite… atëhere kur jepnim provime,mësonim  dhe argëtoheshim.

Nga Shkodra vjen Djana me atë dialektin e bukur me të cilën kam ndarë një dhomë(konvikti) së bashku me Zamirën për tri vite dhe ruaj kujtime të veçanta.

Ajo s’e ka tradhetuar Shkodrën e saj, ka krijuar familje dhe punon me sukses në qytetin e  lindjes!

Kur ulemi të tria së bashku e harrojme moshën, statusin, vendin dhe bisedat fluturojnë dhe shpërthejnë  të qeshurat.

Fatosi i qetë,i zgjuar,është nga Elbasani dhe pas një përvoje shumëvjeçare në Kanada, ka hapur një klinikë mjekësore “Egian”në Tirane duke mos u shkëputur gjithashtu nga edhe profesioni farmacistit

Eva nga Vlora eshte  gjithë humor, nuk ka punuar asnjeherë në banak dhe me pacientë si gjithë ne farmacistët e pas disa  viteve të kaluara në Itali në emigrim punon në Shqiperi (në institucione shtetërore në fillim)dhe tashmë në një kompani private.

Nga Lushnja, vjen Agimi fjalëpakët dhe i kujdesshmëm,me aktivitet farmaceutik po në këtë qytet, ndërsa nga Lezha, Gjergji është gjithnjë aktiv dhe bën pyetje nga më të ndryshmet duke ngacmuar bisedat. Pas një emigrimi në Itali prej disa vitesh,tashmë  jeton e punon në Lezhë!

Vjollca është pogradecare,martuar ne Librazhd  ku punon prej 24 vitesh në farmacinë e saj në ndihmë të shumë të sëmurëve të gjithë asaj zone.

Me Vjollcën kam gjithashtu lidhje të vçëantë sepse të dyja kemi shërbyer pacienteve të  qytetit te Librazhdit dhe ajo vazhdon po atje me përkushtim e një profesionisteje,ndërkohë, që unë jam shkëputur për të punuar diku tjetër.

Ata janë dy,por s’mund të shkruaj vetëm për sejcilin. U dashuruan dhe u martuan pas kater vitesh pasi  mbaruam fakultetin. Kanë tre fëmijë dhe punojnë me sukses në qytetin e Durrësit. Sadiku është nga Berati ndërsa Nurija nga Burreli dhe mjaft e bukur!Kjo është dashuria; nuk njeh krahinizma dhe as kohë.Te dy janë profesionistë te zotë,të qeshur, të komunikueshëm dhe nuk merziten me batutat tona.

Ina vjen nga Durrësi, e urtë fjalëpakët dhe e bukur dhe biznesin e saj farmaceutik e ka ndërtuar po në Durrës.

Përpos, që jemi diplomuar në të njëjtin vit,tashmë jemi kolegë familjarë dhe përtej tyre ndihet frymë shokësh  dhe miqsh të mirë!

Të jesh i suksesshëm dhe  njeri njëkohesisht, nuk është dhe aq e thjeshtë…!

Tiranë,mars 2017