Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Femi Cakolli: Gani Mehmetaj - Boritë e apokalipsit

| E marte, 28.03.2017, 07:58 PM |


KONFLIKTI PERMANENT MORAL I INDIVIDIT DHE I SHOQËRISË

Promovimi i veprës “Boritë e apokalipsit” të autorit z. Gani Mehmetajt

Nga Dr. Femi Cakolli

Njëra nga synimet e letërsisë së shkruar është që të kap lexues në përmasa sa më të pamatshme kudo në botë, dhe kështu edhe letërsia e krijon një mision të saj kerigmatik (gr. kerygma – shpallje). Letërsia është shumë e vjetër, por ajo që quhet letërsia e luftës, qoftë si zhanër letrar, ose qoftë edhe në kohën kur është shkruar, duke nisur me Homerin (Iliada), Tukididin (Lufta e Peliponezit), Virgjili (Eneida) dhe deri tek letërsia bashkëkohore me autorët Tosltoji (Lufta dhe paqja), Ana Franku (Ditari) Hemingueji (Lamtumirë armëve), Xhek London (Aventurat e Kapitenit Grif), Erih Maria Rimark (Pushim të gjithëve në frontin e perëndimit), Pet Berker (Regjenerimi) etj. kanë pasur jo vetëm lexueshmërinë më të madhe historike por edhe ndikimin më të madh kulturor dhe artistik pikërisht prej kësaj lloj letërsie me motive lufte. Meqë lufta prek gjitha poret e një shoqërie a civilizimi andaj edhe letërsia e luftës përherë ka audiencë dhe ndikim të hatashëm. Me këtë lloj letërsie nuk merren shumë vetëm lexuesit dhe historianët e letërsisë por edhe studiuesit e lamive të tjera. Ka ndodhur përherë që lexuesit edhe më të zakonshëm - më mirë e kanë mësuar historinë e një vendi, populli, periudhe, lufte a konflikti përmes letërsisë sesa historisë.

Në këtë rend e vazhdë e shoh veprën më të re të autorit Gani Mehmetajt “Boritë e Apokalipsit” që në fakt është  shumë më shumë një novelë dhe shumë më pak në roman. Kur them se ky tekst është një novelë kam parasysh se tërë përmbajtja bazohet në përvojë njerëzore e individuale mbi ngjarje a ndodhi komplekse personale e jo imagjinare, fiktive apo mitike. Novelimi tek kjo vepër letrare rri mbi luftën e Kosovës, më saktësisht prej 24 marsit-12 qershor 1999, të njohura ndryshe si 78 ditët e famshme të bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë dhe shtetit të Serbisë. Promovimi i librit “Boritë e Apokalipsit” po bëhet pikërisht me rastin e 18 vjetorit të fillimit të kësaj lufte nga aleatët e NATO-s. për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Në anën tjetër në tekstin e shkrimtarit Mehmetajt gati secilit kapitull i paraprinë një tekst biblik marrë nga libri i Apokalipsit dhe ky është elementi qendror letrar që këtë novelë e lëvizë kah zhanri i romanit.

Autori z. Gani Mehmetaj, brenda një kohe shumë të shkurtër, më pak se dy vite, në këtë Bibliotekë ka bërë prezantimin e katër veprave: A di Zoti shqip, Ëndrra e madhe, Zhvarrimi dhe sot Boritë e Apokalipsit.

Titulli i tekstit është tejet tërheqës, i huazuar nga libri profetik i Shën Gjonit Apostull i njohur si Apokalipsi nga kapitujt 8-10, njohur në tekstin sakral si “7 trumbetat e engjëjve).

Çfarë është libri i Apokalipsit? Është libri i fundit i Biblës, shkruar para dy mijë vitesh. Është libri profetik i cili paralajmëron ose zbulon ngjarjet e fundit që do të ndodhin në botë përmes një gjuhe shumë të kodifikuar me anë të simboleve, numrave, vegimeve, shenjave, personazheve e figurave. Në këtë libër gjuha e letërsisë, teologjisë dhe historisë janë mishëruar e ndërlidhur në kontekste të mëdha kaq shumë saqë teksti i këtij libri është jo i lehtë për interpretim dhe zbatim. Fjala “apokalipsi” d.m.th. zbulesë. Qëllimi i apokalipsit ishte për t’u dhënë shpresë të krishterëve gjatë mundimeve të mëdha që u bëheshin nga romakët, kurse zbulesa përqendrohet në konfliktin permanent moral në këtë jetë mes dritës dhe territ, mes të shenjtës e profanes, mes jetës dhe vdekjes, paqes dhe luftës.

Prologu i tekstit njëherit është edhe epilogu i tij, pra nuk ka asnjë dallim, por vetëm sa forcon idenë dhe temën letrare, dhe këto krijojnë një strukturë të mbyllura po qarkore të tekstit. Prologu dhe epilogu paraqesin edhe kujtesën e narratorit, pra autorit, vuajtjen, mungesën e paqes, afshin për kërkimin e drejtësisë, sensibilizimin e individit dhe të shoqërisë për veprim e cila menjëherë pas luftës ka harruar vuajtjet, plagët, denigrimin moral e ekzistencial që i ishte bërë jo shumë larg në kohë, prandaj tek të dy këto pjesë (prologu dhe epilogu) autori ka zgjedhur thënien e Eli Vizel: “ të harrosh të vdekurit është njësoj sikur t’i vrasësh ata për së dyti”.

Bazuar në standardin antik, sidomos në letërsinë greke e romake, tema prezantohej zakonisht në pjesën e prologut, pra të hyrjes, dhe këtë normë klasike e përmbush autori ynë. Pra ne tash po flasim se cila është tema e kësaj proze? Po të themi se tema është e luftës kjo gati sa është tejet përgjithësuese por në anën tjetër edhe huqim synimin tematik të autorit. Tema kryesore e “Boritë e Apokalipsit” është: gratë e dhunuara shqiptare gjatë luftës së fundit, ose siç shprehet shkrimtari “gratë e çnjerëzuara”, “femrat e çnjerëzuara”, “engjëjt e çnjerëzuar”. Kjo temë në dramën e popullit shqiptar të Kosovës, përjetuar para 18 vitesh, jo që nuk është zgjidhur e ndërmarrë ndonjë hap por madje as nuk i është paraqitur as si temë e problem të kësaj shoqërie.

Mënyrën se si është ndërtuar tema në këtë shkrim mendoj se është njëra nga veçantitë kryesore artistike të autorit. Ai ka zgjedhur një familje nga pallati ku narratori jetonte i strehuar, i strukur, i fshehur nën frikë e ankth e drithërima emocionale e shpirtërore, të themi, gjatë “netëve të Shën Bartolomeut”. Kjo familje ka katër anëtarë. Janë qytetarë të Prishtinës. Familje punëtore. Familje intelektuale. Familje që paraqet të ardhmen. Familje që prezanton emancipimin kulturor dhe modelin urban të shqiptarëve në Kosovë. Familja përbëhet nga burri arkitekt, gruaja mjeke dhe dy fëmijë të moshës së mitur.

Kjo familje do të përballet: “Do t’iu vrasim të gjithëve. Fëmijët do t’jua therim, gratë do t’jua ç’njerëzojmë, -  çirrej një i dehur skaj trotuarit, duke u kalamendur” (mbarim citimi fq. 14). Ky është zëri i akrepave dhe zhapinjve helmues me uniformë, ose i cerberëve që rrinë para portave të ferrit, siç i quan autori ushtarët dhe policët serbë.

Një ditë bishat marrin mjeken, Dritën, e dhunojnë tërë natën në njërën nga lagjet kryesore të Prishtinës, pastaj e vrasin duke e kryqëzuar në shtyllë elektrike ashtu e poshtëruar. Fëmijët e saj do e shohin këtë pamje dhe pastaj i vrasin edhe fëmijët. Kurse një ditë më vonë trupat e këtyre tre viktimave më nuk gjenden. Këtë fat e patën përplot gra të tjera. Ikja e burrit, vrasja e mjekes dhe vrasja e dy fëmijëve për autorin, përjetuesin e kësaj lufte përbën në thelb vrasjen dhe zhdukjen e familjes shqiptare nga dhunuesit serbë, planet e tyre për zhdukjen e të ardhmes si dhe të kujdesit shoqëror. Kryqëzimi dhe çnjerëzimi i mjekës shqiptare si dhe vrasja e dy fëmijëve, pra e një familjeje është plani ideor i autorit për të paraqitur fatin kolektiv të gjithë popullit. Por ky popull kur e shpëton vetën atëherë fillon që të jetojë sikurse nuk ka ndodhur gjë dhe ky është pezmi dhe kundërshtimi i autorit si plan. Citoj: “Nxitoja si në ethe, sepse ajo që më frikësonte ishte harresa. Njerëzit harrojnë, e hedhin prapa të kaluarën dhe nuk duan t’i kthehen me asnjë çmim. Por a thua na ndihmon kjo harresë apo na bën me makthe të vazhdueshme, na sëmurë e s’na le të qetë”. (mbarim citimi, fq. 8).

E kaluara duhet të shërohet! Ja se e evidentohet kjo: “Pamjet e ndryshme të kësaj gruaje më përsëriteshin shpesh. Nuk gjeja shpëtim. Nuk e shqitja assesi nga mendtë”, shprehet autori, fq. 7.

Gjitha vuajtjet, mundimet, dhunimet, masat çnjerëzore që i kanë ndodhur popullit tonë gjatë luftës autori i mat me tekstin biblik të apokalipsit. Secili engjëll me borinë, apo trumbetën e tij, paralajmëron vuajtjen e radhës. Mënyra semantike dhe ky hipertekstualitet se si është ndërtuar ka raport vetëm simbolik dhe indikativ me tekstin bazë, pasi mundimet e përshkruara në zbulesë që lidhen me vulat dhe engjëjt me rënien e borive u referohen kohëve të fundit, të mundimeve të mëdha e që janë të pakrahasueshme me ato që njihen si mundimet e lindjes. Meqë specializimi im është pikërisht hiperteksti biblik në letërsinë shqipe, mund të them se ky fenomen letrar përgjatë tërë letërsisë shqipe, i pranishëm në të gjitha fazat dhe zhvillimet e letërsinë sonë, në tekstin e Mehmetajt, pak korrespondon si subjekt interferimi, përpos shpalimit të idesë së madhe që mbretëron në këtë prozë artistike se “ne ndoshta ishim kaq të këqij sa ndëshkimi në të vërtetë vinte nga qielli” dhe prova e kësaj është se ne harrojmë, ne s’kemi kujtesë, andaj zëri i trumbetave vetëm se ndoshta kanë pushuar pak.

Përmbajtja më e madhe e veprës, sigurisht edhe më tërheqësja, merret me përjetimet personale të narratorit, apo Besmir Drinit, për 78 ditë që ndodhin brenda një hapësire të vogël të ngujuar nga frika, e që autori e quan “furrik” e që herë është bodrumi e herë çatia, i jep autorit mundësinë e vetme që të mbajë kontakt me botën e jashtme e që në fakt kap vetëm një kthesë ose bërryl të një rruge afër semaforëve ku gjendet edhe një shitore e vogël me policët e shfrenuar e të dehur sigurisht nga përjetimi i frikës. Dramën që e përjeton narratori është komplekse sepse qytetari, babai, burri, individi, veprimtari në rrethana të luftës jo vetëm që tjetërsohet në raport me të tjerët por ai tjetërsohet edhe në raport me vetveten kur është në pyetja egoizmi, kufizimin që e ushtron, me përballimin e ekzistencës në pah del denigrimi moral e qytetar si reagim që implanton lufta në vetëdijen dhe ndërgjegjen e njeriut, andaj autori na sjellë pyetjet e këtij mjedisi dhe të kësaj gjendjeje:

Ç’bëhet me shpirtin kur shkëputet nga trupi?

Ç’bëhet me trupin kur e braktis shpirti?

Në cilat kuadrate qiellore fshihet shpirti jolëndësor?

A e ndien vetminë dhe braktisjes së shpirti pasi ta ketë tradhëtuar trupin?

Pse vdekja na rrinë kaq pranë?

Sigurisht mbi këto përshkallëzime të vetëdiales për autorin qëndron edhe fakti se nuk ka bërë asnjë gjë për mjeken Dritë dhe dy engjëjt e saj, dhe trishtimi e hidhësia e përjetuar nga përdhunimi i saj dhe kryqëzimi, lemeria e përjetuar, pyetja se as unë dhe as një tjetër mashkull nuk doli ta mbronte, të ndërhynte për këtë grua, gruan apo nënën shqiptare, është kulmi apo pika e dramës që zërat dhe shpirtrat e këtyre tri viktimave nuk e lënë asnjëherë të qetë ndërgjegjen e autorit, përkatësisht të rrëfimtarit të ngjarjes. Këto tri viktima, si një familje, prezantojnë në të vërtetë çdo familje tjetër të vendit gjatë dhe pas luftës për secilin qytetar.

Një fakt tjetër interesant i shtruar shumë bukur dhe me rëndësi të madhe filozofike, kulturore e shpirtërore, pse jo edhe personale a individuale, në këtë tekst nga Gani Mehmetaj është çështja pse njeriu i kthehet ose i afrohet kryesisht mitit, pastaj përrallës e historisë, siç është modeluar këtu me këto shenja a simbolika: ulërimat e ujkut, hëna e plotë, hëna bojëgjake, hëna e përgjakur, engjëlli mbrojtës, gjyshja, Bjeshkët e Nemuna, Sodoma e Gomora, rrëfimet që janë ngritur në metanarracion – këtu të ngritura sipas skicës – “shkaut nuk i zihet besë se kështu ka bërë kur ka hy Serbia e parë, edhe Serbia e dytë”.

Pse njeriu kthehet tek miti, legjenda, rrëfimi, përralla e historia sidomos në këso përjetimesh e rastesh. Ndoshta, sepse ai ndjehet i kuptuar dhe i pranueshëm për çdo veprim të tij tek narracioni i sigurt, pra miti. Miti bëhet narracioni më i besueshëm. Sepse, narratori me gjuhën e tij nuk artikulon dot ndryshe të pabesueshmen, të papërjetueshmen, të patregueshmen dhe të pakapshmen qoftë imagjinare qoftë reale. Me fjalë të tjera ky është terreni i luftës, dhe kjo është proza e luftës që mund ta gjesh ndoshta edhe tek secili shkrimtar tjetër. Pra njeriu ose krijuesi postmodern po kthehet shumë fuqishëm tek biblizmi, specifikisht tek apokaliptika e Biblës sepse dëshiron ta njoh të ardhmen, dëshiron t’i nyjëtojë mundimet e mëdha, dhe të kuptojë pse ndodhin këto.

Një pjesë e mirë e kësaj proze merret me moralizimin dhe shenjtërimin si kategori kërkimi dhe zbatimi kur shoqëria haset para asgjësimit, vdekjes, ndëshkimit por edhe të regjenerimit të saj. Çështja niset shumë thjesht madje edhe prej njeriut më të zakonshëm dhe të papërvojë: pse Zoti lejon luftëra, shkatërrime, kataklizma, vdekje, sëmundje, mallkime? Pse ai e toleron të keqin ose të këqijtë? Pse nuk i mbron të mirët? Pse lejon që të vriten fëmijët ose njerëzit tjerë të pafajshëm? Kështu, autori ngrit sa çështje morale, etike, psikologjike po aq edhe teologjike, antropologjike, humane, sa individuale po kaq edhe kolektive. Përgjigje këtyre pyetjeve që shtrohen kudo në botë ku ndodh vuajtja e mundimi, duket se autori ofron edhe përgjigjen, së paku për qytetin e tij ku jeton, pra për Prishtinën:

“Fryma e Shenjtë kishte kohë që e braktisi këtë vend, zjarri qiellor do t’i ndreqte gjërat, do të krijonte baraspeshë, por karkalecat e apokalipsit që vërtiteshin në natën e errët, atëherë kur pushonte zjarri po e bënin kërdinë. A është tepër vonë t’i kthehesh shpirtërores, megjithëse barinjtë e shpirtit të thonë se kurrë nuk është vonë, ndërsa si të dukesh po nise të lutesh si një besimtar i devotshëm, "Ati ynë që je në qiell””.

Një tjetër çështje që nuk merr përgjigje në këtë tekst është kjo: a do të pranohemi për vuajtjet e përjetuara nga tjetri; a do të shpërblehem unë prej tjetrit ose shoqërisë për vuajtjet e mia? A i ka parë dikush vuajtjet e mia? Kush i ka parë vuajtjet e mia? Dhe meqë syri e dora njerëzore nuk i mjafton njeriut ai e ka ngritur shpesh syrin dhe dorën e tij lart tek qielli po ashtu.

“Boritë e apokalipsit”, pa përfshirë epilogun, ka një përfundim melodramatik, përkatësisht ndodh gazavaji –  siç thotë autori - ose katarsis i formatit jo ndoshta çlirim nga e keqja e brendshme që ne të gjithë e mbartim, por katarsis, pra çlirim nga e keqja e jashtme dhe çlirim nga frika, meqë pas pushtimit të Prishtinës nga ushtria ruse një ditë më vonë qyteti dhe tërë Kosova merret nga forcat e NATO-s.

Mesazhi përfundimtar i veprës së Mehmetajt “Boritë e apokalipsit” qëndron në këto pika:

E keqja mund të përsëritet nëse harrojmë!

Të gjenden gjithë të vrarët, pra të pagjeturit!

Kriminelët duhet të dënohen për secilin krim veç e veç, kushdo qofshin

Mos të harrohen të vdekurit

Mos festo si shoqëri, ose më mirë të themi, nuk mund të festosh si duhet pa u shëruar plotësisht dhe të gjithë si kolektiv

Pa shërim të plotë dhe të gjithëve nuk ka as falje, as pajtim, as festë, as kujtesë!

Por pse njeriu ynë harron edhe pas dhunimit, edhe pas ndryshimit të vlerave të tij, edhe pas cungimit të lirisë së tij, edhe pas cenimit ose ndryshimit të identitetit dhe civilizimit të tij? Pse ky njeriu ynë harron femrën tonë të dhunuar, historinë etj. Autori pak a shumë ka këto përgjigje:

Sepse ndoshta na del punë neve vetë për ta çuar drejtësinë në vend

Sepse ndoshta kemi turp, kemi frikë ose mbyllim sytë se “jo kjo nuk ka ndodhur”, pra fshehim

Ose, sepse ne harrojmë ose bëjmë sikur kemi harruar për shkak të pafuqisë dhe moralit se ne “e hajmë gjithqysh çdoherë dhe për çdo gjë” në cilindo variant ama ti vetëm hesht, ama ti vetëm mbylli sytë!

(Autori është studiues letrar dhe autor i disa veprave)