Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Kur fryjnë erërat e mallit

| E hene, 27.03.2017, 06:56 PM |


Tahir Bezhani

 

KUR FRYJNË ERËRAT E MALLIT....

 

Shëtita rrugëve të qytetit

Kalova Çarshisë vjetër

Me mallin e  ruajtur gjatë

Të shoh katrorët e kalldrëmet

Ku patkoit krijonin ritëm,muzikalitet

Nuk ishin si më parë

I kishte  kafshuar koha...

Në heshtje,i vetmuar

Numërova  këndet,kthesat

Kalova Çarshisë së vogël,

Gjithë Gjakovën

Shikova katrorët e zhytur

Në balten e kohës

Ishin tjetërsuar në kohën e re

Kujtesa më sillte figura  njerëzish

Banorë të  ikur kujtime të gjata

Futur në thellësinë time

Shikoja gjatë,i kërrusur

Këndet e errëta ku trembej shpirti

Më kujtohen pranvera të shumta

Tërë natën dehesha

  bukurinë e shëmtuar

Më erë lulesh të buzëqeshura

Nuk dija as për shtëpinë e zbrazët

 

Ecja gropëzave të  kujtimeve të vrara

Nëpër prushin që më digjte

Gjurmët mbeteshin në pluhurin e syve

Një mall  flakë atëherë e sot

Më tërhoqi zemra zvarë rrugëve

Me sytë futur zgavrave të dhimbjeve

Eh! Sa njerëzit i shikova !

Veshur më rrobat e imagjinatës sime

Rrugëve të qytetit përshëndeta

Siluetat e tretura hijeve të territ

Ndala kafeneve të ndiej zhurmën e lodhur

Dikur më avullohej  mendja e shprishur

Thonjtë e mërdhirë si asht’ i gjetur

I grimcoja...

Si fryjnë erërat e mallit në sosje dite

Psherëtimat fluturojnë përmallshëm

Si shashka zjarri oxhaqeve dalin

Qiellin e përlotur e ndriçojnë

Me Ali Podrimën e Baclokun

Natën vonë

Gotat i cakërrojmë

Të etur u ndamë

I kallët  mbeta për  gjithmonë

Në prehrin e tokës nanë...

 

 

NUK VDES POETI

 

( Dritëro Agollit)

 

Kur vdes  poeti

Dhimbje, pikëllim pafund

Ndien shpirti

Dritëro nuk vdes kurrë

E shikojmë kudo rrugëve të qytetit tonë

Atë flokëbardhë me llullën në gojë

Tym vjellë nga  thellësia

E vargu  lartësive  jehonë

Meteorë  pamja e tij

Vargu kryengritës e  melankoli

Qan e qesh koha e tij

Kuq e zi lëngu i zemrës

Nëpër kohë flladiste shpirtin

Dridhje e varur në akrepat e orës

Kur ora maste jetën e tij

Flasim ëmbël me vargun që të dridh

Trishtimin  e djeg  nikotina

Mes gishtërinjve të zverdhur  lapsi

Shkruante me flakën e shpirtit

Skalitur me brumin  e zemrës

Me pendën e mendjes

 

E kush foli: “  vdiq  Dritëroi ?”

Jo! Ai jeton mes nesh

Me shekuj nuk e harrojmë

Në bronz  me vargun rreze

Gjakove,

19.mars,2017