Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: I marri

| E diele, 26.03.2017, 01:53 PM |


I MARRI

Tregim nga Resmi Osmani

Bujarin, mjek i sapo diplomuar, ndryshe nga sa e priste, e emruan mjek në Bregas, fshat i lokalitetit me te njejtin emer. Ambulanca, një ngrehinë me dy dhoma, gjendej në qendrën administrative. Aty ishin zyrat e kooperativës bujqësore, vatra e kulturës, shkolla shtatvjeçare, menca dhe një dyqan shitblerje.Ngrehinat ishin vendosur në plan katror, në mes ishte hapsira bosh e sheshit dhe një rrap i vjetër, ku kishin vënë ca stola druri për pleqtë.

Bujarin që sefte e thirrën doktor dhe pati dyndje pacientësh. Qëlloi që  kartelën e parë mjekësore e hapi për Xhezmiun.

E quanin Xhezmiu i Vezikos,ngaqë i ati i vdekur e kishte lënë të vogël dhe e kishte rritur e ëma, Vezikua, që e lidhi jetën me të dhe s’u martua së dyti. Shtat mesatar, i hajthëm e i brishtë,fytyrë të hijshme, syzi,flokë të gjatë e të dallgëzuar, ngjyrë lajthie me buzagazin që si shqitej nga çereja, me vështrimin të haperdarë, hedhur diku në hapësirë, veshur me rrobe të vjetra por të pastra,ishte nga personat e zakonshëm që vinte te sheshi i fshatit. Mbante nën sqetull një libër dhe shpesh fliste me  vete, por edhe me zogjtë, fluturat e lulet,me retë, qiellin e diellin, me zë të ultë. Njerëzit i shmangeshin. Më së shumti u vinte keq për të dhe të shkretën Veziko. Njëzet e dy vjeç, në lule të moshës. E keqja  e kishte gjetur kur ishte në vitin e fundit të Normales në Elbasan. Ca thoshin nga të mësuarit e tepërt, ca nga një dashuri e pafat, por askush nuk dinte gjë të saktë. Për ta ai ishte një i  marrë,mëndjeçartur.

Nuk i bënte keq kujt. Qëllonte që kishte  çaste kthjelltësie dhe biseda e tij ishte e këndshme, dhe zëri melodioz, por më së shumti i hipte dallga e marrëzisë dhe ai bënte veprime të pakontrolluara: sillej rrotull si fugë, kërcente me një këmbë, hidhej pupthi, kalëronte mbi një shkop që e grahte me fshkull duke thirrur”Hyja kuqo” fliste me vete dhe thoshte broçkulla të pakuptueshme për të tjerët.Në shesh nuk mungonin sehirxhinjtë, djemuri, vajza e djem, nxënsit e shkollës ca pleq që loznin domino. Me të zbaviteshin. Ata e nxisnin, e duartrokisnin e vërshëllenin, e tallnin, por Xhezmiu s’donte të dinte për ta.

Ate paradite maji, në ambulancë nuk kishte pacientë se njerëzia ishin në punë. Xhezmiu përshkoi sheshin dhe kur pa nga dera e hapur se në ambulancë ishte vetëm Bujari me  ndihmës mjekun Ramadanin dhe infermiere Shegën, hyri Brenda pa droje si një i njohur i hershëm.

-Kam leje doktor?- dhe pa pritur miratim, u ul në karrike përball Bujarit.

-Ç’të reja na sjell Xhezo?

Sikur të priste atë pyetje, Xhezmiu ia nisi ligjëratës së tij:

- Lere,lere!E di doktor, që bota popullohet nga pese miliard budallenj dhe toka po humbet drejtpeshimin dhe ankohet se i rëndojnë. Unë i ndjej rënkimete saj! Botës po ivjen fundi!

-Si kështu? Të gjithë, edhe burrat edhe gratë, edhe drejtuesit, udhëheqësit, politikanët dhe burrat e shteteve?

-Të gjithë. E di se ç’lojë bëjnë: gratë fusin shejtanin në shishe, burrat e nxjerin.Pastaj ata deshtë përçorë që i prijnë kopesë, e kanë të varur në qafë zilen e budallait!

Bujari u step nga ajo që dëgjoi dhe hodhi një sy nga ndihmësit e tij, por ata ishin mësuar me të tilla broçkulla të Xhezos dhe vetëm sa buzëqeshën.

-Po unë?

-Aha.Ti bën pjesë në ata budallenj që i mbushin mendjen vetes se janë të mençur!

-Atëhere, pse vjen e vizitohesh te mua?

Xhezua u mendua pak,pastaj e dha përgjigjen.

-I mbyturi, për të shpëtuar kapet edhe pas fillit të kashtës.

-Po ti ku ben pjese?

-Për mua thonë që jam i marrë.- tha si të donte të shfajësohej.

-Ku është dallimi?

-Ti duhet ta dish se je doktor. Budalla lind, i marrë bëhesh.

-Po tjetër?

-Budallallëku është i trashëgushëm, nga prindi te fëmija, që nga Adami deri te ai që lind këtë cast. Po të mos ishte budalla, nuk e hante pemën e ndaluar që ta përzinin nga parajsa si langaraq. Marrëzia jo. Ajo është  sëmundje, por jo ngjitëse. Disa thonë se janë të shkarë, të rrjedhur, ca të tjerë se kanë ndonjë dërrasë mangët. Per mua thonë se i kam te trija!

-Budallenjtë flasin dhe bëjnë budallallëqe, të marrët marrëzira, a nuk është njësoj?

-Jo. Të parët e bëjnë me dashje, nga padituria dhe ligësia, dhe e keqja është që të tjerët i besojnë.Ata bëjnë dëm. Të dytët…. Si ta them? Nga çartallosja e mendjes, por pa dëm se ata si besojnë.

Bujari po zbulonte ca gjëra të reja te pacienti i tij dhe vazhdoi me pyetje:

- Po çmenduria?

-Është binjake me marrëzinë, por shperthyese, si dinamiti brënda granatës, rri e fjetur dhe plas kur i heq siguresën. Bum! Çmendurira bëjnë edhe budallenjtë. A s’janë çmenduri e lemerishme luftërat e sotme?I dëgjon bombat në Vietnam:Bum! I shikon flakët e zjarreve? E ndjen erën e tymit dhe të shkrumbit? Janë pjellë e çmendurisë.

-Të dy palët janë njësoj të rrezikshëm, apo jo?

-Më të rrezikshëm janë budallenjtë, sepse ata e dine veten për të mençur dhe duke qënë të gjithë të tillë, e  besojnë njëri-tjetrin. Me të marrët gaxhiten dhe si beson njeri, e posa ata bëjnë ndonjë proçkë i mbyllin në çmendinë.

-Më kanë thënë se ti s’punon.

-E vërtetë. Nuk bëj pjesë në skllevërit që ndërtojnë piramidën. Budallenjtë punojnë e ndërtojnë. I ke parë si nisen në mëngjes: vargan si delet, u prin si dash përçor brigadieri, që është më budalla se ata dhe ato që  i shkojnë pas.  Të çmendurit shkatrrojnë.

Pëlhura e Penelopës.

Kalaja e Rozafës.

-Shiko se nuk po flet mirë!

-Si një i marrë.Ç’prisje tjetër.

-Kij mendjen!

-Ku ta gjej?Kujt i hyn në punë mendja gënjen veten. Me mëndjen gjen belanë. Mëndja të merr në qafë, të le në baltë. Të shpije në shtigje të pashkelur, në botë ëndërrash, pastaj të përplas në humnerë. Mëndja është gjithmonë një çgënjim. Bën kala dhe bën hata! Po për dreq, çdo budallaj i pëlqen mendja e tij.Të marrit i flet gjuha para mendjes.

Ai heshti një valë herë, pastaj vijoi:

-Do një fjalë të mençur? E di ç’është një i marrë: ai që kërkon të dijë ndryshimin midis  asaj që ishte dhe asaj se kush  është. Kjo e dyta i duket më e mirë dhe ndjehet rehat!

Në derën e hapur të ambulancës me parë hyri hija pastaj personi që e pasonte. Ishte i plotfuqishmi i zonës, Zalua, i veshur ushtarak, por pa grada.

-Doktor, paske vizitorë. Të ka nderuar me praninë e tij Mbreti i të Marrëve. Si vizitor apo si pacient?-Ai i hodhi një vështrim asgjësues Xhezmiut , u ngërdhesh dhe i shkeli syrin doktorit.

-Kujdes se do të vëngërohet syri. Unë edhe po të dua, se fsheh kush jam: një i marrë e aq, por ti pse se pranon që je Mbreti i Peshkatarëve, që peshkon njerëz në ujrat e turbullta. Ka zënë gjë sot grepi?

Zalua u skërmit dhe kërceu vendit si t’ a kishte pickuar gjarpëri.

-Kafsho gjuhën kur flet me mua, se s’të shpëton as perëndia as marrëzia.

Ra heshtje. Doktori shkoi në kthinën pas per të parë sterilizatorin ku kish vënë ca instrumenta. Xhezmiu u ngurtësua dhe u kruspullos si kërmilli brenda guackës, nga fytyra i iku ajo buzëqeshja e pafajshme. E ndjente se rrezikun e kishte afër.

Folë o mur, folë o gur!

-Doktor, bëfsh ditën e mirë-tha Xhezmiu që u ngrit-të vazhdoi me qetsuesit që më ke dhënë dhe kamomilin në darkë? Pasi mori përgjigjen që priste, ai thumboi Zalon:-gjueti të mbarë o peshkatar-dhe iku.

Kur u kthye mjeku, Zalua u dystua,nxori paketën diamant dhe pa kërkuar lejë ndezi një cigare.

-Xhezmiu nuk është i marrë. Do dhe bën, hiqet si shejtan budalla që të mos punojë. Është një parazit. E ke vënë re, në ato që thotë, vetëm tallet e përqesh këdo e pa dallim. Vë në lojë edhe udhëheqjen e partisë e të shtetit. Pse nuk i shkojnë ndër mend gjëra të mira por vetëm prapësira. Ti si thua?

-Në kartelën e lëshuar nga komisjoni mjeko-ligjor thuhet se ai vuan nga shrregullime mendore kronike dhe kriza periodike. I besoj

profesionalizmit të tyre. Pastaj ai ka qëndruar gjatë për kurim në pavionin e psikiatrisë në Tiranë.

-Ç’farë të tha sot? I përmendi ata pesë milliard budallenjtë?

Bujari e nuhati se Zalua deshi të blinte gjësendi prej tij dhe i shkau pyetjes.

-Po merresha me punë dhe nuk pata kohë, por dëgjova se kishte biseduar me lulet, ishte zemëruar me një zog që kishte gëlltitur një flutur, i kishte gjuajtur me gurë një qeni që lehte e nuk pushonte, që kishte hequr për dore Bilal qorrin, pastaj recitoi një vjershë çapraze që e kishte bërë vetë.

-E mban  mend?

-E mbaj se mu duk pa kuptim: Arabi moj Arabi/piqet buka në sini/Arabia vend borgjez/këndon gjeli në qymez!

Zalo finoku e nuhati që mjeku po i thoshte broçkulla, por e ngau bisedën më tej.

-Xhezmiut të marrë po i mblidhet lëmshi, po i kopsitet dosja. Paçka se nuk është sherrxhi dhe agresiv. Ato që thotë lart e posht me dykuptimësinë dhe marrëzitë e tyre janë tërë helm e  armiqsore, trazojnë shpirtrat e njerëzve dhe e shpien ujin në mullirin e armikut. Bën mirë të mos e qasësh në ambulancë. E dimë që je nga familje e mirë dhe mos harro që partia të ka dhënë një barrë shkollë.

- Mos ma kërko këtë. Si pacient i sëmurë, s’kam si ia mohoj vizitat.

-Unë të dola borxhit- tha i plotfuqishmi duke u dhënë peshë e rëndesë fjalëve dhe doli përjashta.

Ai ishte i bindur se në mos një dita apo një tjetër, Xhezmiu do ta kafshonte grepin.

Kalonin ditët, muajt dhe Xhezmiu bënte ritualin e tij të zakonshëm. Dilte në sheshin e fshatit, kthehej në ambulancë, zbrazte thesin e marrëzive të tij dhe ikte i lehtësuar si të kishte hequr nga shpina një barrë të rëndë.

Zalua i bënte sytë katër dhe veshët ngrehur.Grepi ishte hedhur.

Një pasdite qershori, Vezikua, me të birin që i hiqte këmbët branë hyri në Ambulancë. Xhezmiu, e kishte fytyrën të përgjakur, buzën e sipërme dhe vetullën të çarë, një dhëmb të thyer dhe fytyrën me vurrata të murrëtyera. Këmishën ja kishin shqyer. Frymëmerrte duke dihatur.Bujarin e tronditi handakosja e tij dhe në gjoks ndjeu një dhimbje therëse. E shtriu në shtratin ambulator, i pastroi fytyrën me ujë të oksigjenuar, ja disinfektoi me jod dhe ia qepi të çarën e buzës dhe të vetullës, pastaj ja fashoi. I bëri një kontroll në brinjë, duke e prekur me majat e gishtave, posht të nxirave nga shkelmat, por nuk kishte thyerje.

Vezikua i rrinte mbi krye të birit dhe lotët i rridhnin çurk.

-Kush të katandisi kështu? I njeh?

-Xhindet e Zalos dhe zagarët e komisarit, Islam Kordhës.-Ai zëshuar, mezi fliste.

- Ah more doktor, që mos i zëntë e nesërmja! Me këtë  gjetën të trimërohen, po këtë e ka vrarë zoti!

-Kush ishte shkaku?

-Se gjasme me ato që thotë lart e poshtë merr nëpër gojë tallet,perqesh e poshtëron ata lart. Mezi ua nxorëm nga thonjtë se do t’a kishin bërë të vdekur!

Bujari plotësoi raportin mjeko-ligjor.

-Merre dhe shko në polici, denoncoi ata plehrat!

Vezikua fshiu lotët.

-Ti trashëgofsh të ritë e tu, që na u gjende, po si thoshin pleqtë tanë: po t’a bëri kadiu, ske kujt ti qahesh. Ai raporti s’na bën punë.Për ne bëftë emër Zoti. Hajde bir, të ikim.

Ikën duke hequr zvarrë këmbët dhe brengat e tyre.

U bënë kohë që Xhezmiu nuk ishte dukur. Kur u bë më mirë,ai u shfaq sërish bashkë me marrëzitë e tij të çartura,që ia thoshte kujtdo.

*       *        *

Bujarit i tërhoqi vëmendjen Gazi i degës që frenoi fort në mes të sheshit. Prej tij zbritën dy civilë dhe Zalua. Xhezmiu ishte ulur te shkallët e vatrës së kulturës. Civilët u afruan dhe pa i thënë asnjë fjalë i kapën duart, ia përdrodhën dhe i vunë prangat. Xhezmiu nuk i kundërshtoi, por i pyeti:

-Përse? Amani, jo në Elbasan!

-Neni 55. Agjitacion e propagandë kundër partisë dhe pushtetit popullor.S’je për Elbasan, por te shtatë penxheret, që ose tët të vinë mendtë, ose të të dalin edhe këto që ke!

Gazi ungëriu, la prapa një shtëllungë tymi të zi dhe ngau tutje për atje ku dergjeshin”armiqtë”, për të shtuar edhe një tjetër.

Tiranë, mars 2017.