E premte, 29.03.2024, 01:24 AM (GMT)

Kulturë

Milazim Kadriu: Poezi me shprehje të shpirtit krijues

E hene, 20.03.2017, 06:55 PM


POEZI ME SHPREHJE TË SHPIRTIT  KRIJUES

Bear Xh. Berisha “Ty që s’plakesh kurrë”,botoi SHB “Fidani” , Prizren 2016

Nga Milazim F. KADRIU

Poeti mërgimtar Bear Xh. Berisha  kohë më parë erdhi para lexuesve me  vëllimin e tij poetik “Ty që s’plakesh kurrë” ku janë 58 poezi të ndara në tri cikle  të cilat e plotësojnë një unitet poetik të autorit ( Kënga juaj simbol lirie”, Nënë,moj nënë” dhe “Lulja e Prizrenit”

Në këtë vëllim poetik të  Bear Xh. Berishës  magjia e poezisë  na del e veçantë dhe artikulohet në mënyrë origjinale. Poezitë e tij janë lirika të pasura dhe përmbajnë ritme elegjiake, ku simbolika dhe stili u japin vlera të veçanta.

Poezitë e këtij vëllimi  janë shprehje e shpirtit  krijues, të shkruara me një intensitet frymëzim të thellë, për luftën dhe dëshmorët që ranë  për ti kthyer nderin e nëpërkëmbur atdheut të vet, si dhe poezitë sociale, problemore të mërgimit  dhe poezitë  me motive nostalgjike dhe dashurie.

Poezia jonë më e re që trajton heroizmin dhe e adhuron të kaluarën edhe kur është e përgjakur, shfaqet përherë e veçantë duke dëshmuar bukurinë dhe vlerën e saj, në përshkrimin e tablove tragjike, të cilat janë pjesë e historisë sonë.

Sakrifica për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje, piktura e skulptura, këngë, melodi.  Në këtë frymë janë edhe poezitë e ciklit të parë të këtij vëllimi poetik   i cili hapet me vargjet :

“ ... Shqipërinë ta bashkojmë

Kjo ishte ëndrra jonë,

Dhamë gjakun për lirinë,

Për Atdhe e për komb ...”

Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i papërkulur i njerëzve  të Kosovës, qëndresa dhe rezistenca  e pathyeshme e tyre  ndaj dhunës së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori janë dominuese në frymën poetike të autorit.  Nga e kaluara tragjike, por edhe e lavdishme, nuk mund të shkëputemi lehtë. Ne, si popull, duhet të krenohemi me të. Rrebeshet e luftërave shkatërruan vendin tonë, por ideali i luftës për liri prore mbeti gjallë. Për atë ideal u flijuan shumë dëshmor  të cilët hynë në kujtesën historike dhe brezat mund të mësojnë shumë nga heroizmi i tyre.

Dëshmorët janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim poetik.  Ata bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore. Në përshkrimin e këtyre figurave, hyjnë ritmet e trimërisë, qëndresës dhe sakrificës, të cilat përshkohen me tone elegjiake, melankolike dhe krenare

Poezitë e këtij cikli kanë ngjyrën e gjakut, krenarinë e heronjve dhe gatishmërinë e tyre për flijim, vetëm e vetëm për ta fituar lirinë. Janë balada të përgjakura të cilat flasin se historia jonë nuk duhet të harrohet kurrë e as protagonistët që me gjakun e vet shkruan kapitullin më krenar të saj.

“Te ti gjetëm strehë të ngrohtë

Me ty e ndamë hidhërimin,

Ngritëm at’ gëzim të pakët

Shtove gjithnjë frymëzimin…”

Me këto vargje fillon cikli i dytë i poezive i titulluar “Nënë, moj nënë”, ku prezantohen poezi  sociale dhe problemore  të mërgimit  ku përmes poezive autori shpreh mallin për vendlindjen, të afërmit, miqtë, shokët ngase  ato i mungojnë atje ku aktualisht jeton, ku tash e shumë vite  ndodhet jashtë  atdheut  si shumë bashkatdhetarë tjerë. Ndonëse ai jeton atje nuk donë që njerëzit e vendit të tij të kërkojnë lumturinë jashtë atdheut të tyre edhe  nëse atje është një mirëqenie më e mirë. Po ashtu ai me poezitë e tij godet edhe disa dukuri sociale negative siç është korrupsioni, por ndjen dhembje për të varfëritë dhe vuajtjen së fëmijëve  dhe apelon për humanizëm ku shpreh solidaritetin për ndihmë kategorive nevojtare.

Ndërkaq ciklin e tretë “Lulja e Prizrenit”  e nisë me këto vargje :

“ ... S’ të thërrasin kot,moj

Lulja e Prizrenit,

Bukuri magjepse

I shton hije vendit ....”

Në këtë cikël kemi poezi me vargje të buta dhe të ndjeshme që janë me motive nostalgjike dhe të dashurisë. Ai i këndon bukurisë së vajzës ku te ajo sheh plotë dritë e jetë. Poezitë e këtij cikli janë me një nivel të lartë artistik ngase i përkushtohen  bukurisë shpirtërore dhe fizike të vajzës që ai e dashuron, ku me një veçanti i këndon vajzës prizrenase.

Në poezitë e librit  “Ty që s’plakesh kurrë” të Bear Xh. Berishës gërshetohen të gjitha segmentet karakteristike të poezisë së tij, të cilat dëshmojnë origjinalitetin dhe e formësojnë individualitetin e tij poetik: mendimet për jetën, heroizmi i pashembullt në histori i personazheve të tij, pastaj problemet sociale, mërgimi si dhe nostalgjia, dashuria …

Suksesin  në vargëzimin poetik, Berisha e dëshmon në këtë libër të cilit ia ka vënë edhe titullin shumë simbolik që asnjëherë nuk e harron  babin e tij  hero i kombit e që nuk do të plaket kurrë,por gjithnjë do të jetë i ri se dëshmorët janë të pavdekshëm.

Me poezitë e tij në këtë libër na sjell idealet e tij të larta kombëtare, sidomos në ciklin  e parë ku poezitë e tij ia kushton luftës së lavdishme të UÇK-së dhe atyre që u flijuan për lirinë tonë.

Në poezitë e tij Berisha   jep mesazhin me një  kuptim të plotë e të lirë i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.

Autori në poezitë  e këtij libri ka thënë  gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur. Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam dhe po kalojmë edhe tani.

Berisha  poezinë e ndjenë brenda tij dhe jeton me të në çdo moment në vendlindje, në mërgim, në gëzime, hidhërime, shqetësime dhe një ditë këto që i ndjeu  brenda i qiti në dritë që edhe të tjerët të ndjejnë poezinë e tij. Ndjesinë që ka ai  në poezi mund ta përfiton lexuesi posa ta lexoi poezinë e këtij autori mërgimtar. Poezia e Berishës  është modeste dhe krijon një komunikim të sinqertë me lexuesin duke ndarë me te ndjenjat e tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora