E marte, 23.04.2024, 10:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Monografi e bukur për një Legjendë

E hene, 20.03.2017, 07:44 PM


Një monografi e bukur për një"Legjendë..."

LEGJENDA  MAJACI- nga NAMIK  SELMANI

Nga Përparim Hysi

Jam disi si me shpatulla për muri, kur marr të shkruaj për këtë monografi,kushtuar futbollistit të shquar fierak, KUJTIM MAJACIT. Unë jam vet fierak dhe e njoh ku e ku më mirë se Namiku,Kujtim Majacin. Por sado    e kam njohur unë apo dhjetra e dhjetra krijues të tjerë nga Fieri, paradoksalisht, këtë legjendë futbolli në apogje vjen dhe e ngre, shkrimtari nga Berati, Namik Selmani. Dhe nuk është se ne, fierakët, u futëm në garë kush e kush të shkruantte për të, por, si të thuash,  bëmë atë gjumin dimëror të ariut. Ne "fjetëm", por nuk fjeti Namiku që,sado që as e ka  njohur KUJTIM MAJACIN, u mbërthye si me kthetra pas gjurmëve që la ky futboliist jo vetëm me "Apoloninë", por dhe me KOMBËTAREN. U mbërthye dhe pasionant siç është me shkrime, shkroi një monografi të tërë për MAJACIN dhe ia arriti që ta promovonte më 14 mars të këtij viti, se më 14 mars, LEGJENDA ( ai e meriton dhe e ka fituar këtë atribut) mbushte plot 55-vjeç, nëse do ishte gjallë. Se,siç dihet, ka ndërruar jetë shumë i ri:14 korrik 2009. Të ndahesh nga jeta 47-vjeç, pa dyshim që është e dhimbshme. Kjo dhimbje fiton një amplitudë tjetër me përmasat e saj, kur flitet për SPORTIST si MAJACI që, në  vizionin tim, pa besuar  se e teproj: lind një herë në 100-vjet! Se i tillë ka qenë ai,KUJTIMI,që ishte jo vetëm futbollist i shquar, por, për çudi, qe aq i thjeshtë dhe aq i mirë sa nuk i gjendej shoku.

*    *   *

I kthehem dhe i stërkthehem punës aq këmbëngulëse dhe aq hulumtuese të NAMIK  SELMANIT për monografinë dhe zë i bëj vetes pyetje radhas:

Por ka një pyetje që i lë si në hije të tjerat dhe vjen e më shfaqet duke vënë domenin  e saj:- Pse, pikërisht, ky,NAMIK SELMANI nga Berati na la ne, shkrimtarët fierakë, jo me "provim në vjeshtë", por na la në klasë? Me"vrapin maratonomak" që ka bërë në kërkimin e gjurmëve që ka lënë KUJTIM MAJACI, më kujton jo pa shpoti, por atë figurën karizmatike të FELIAS FOGUT të Zhyl Vernit që i ra rreth e përqark botës për 80-ditë. E takova,kur ishte "duke vrapuar" dhe , t'ju them të drejtën, m'u dhimb. Fliste me mua dhe bisedën ose e"hante", ose e "përtypte". Me mend ishte diku tjetër: duke anketuar dhjetra e dhjetra njerëz  që e kishin njohur. Kafen e la të ftohej dhe iu bë "buzëgjysheje": e ftohtë-akull. Sa përmendja dikë, tak: ndalte "vrapin" dhe, mandej, fluturonte. Unë, në pozitat e atij që i ka"punët në terezi", e vështroja me një qetësi olimpike, qetësi që është tipar i atyre snobëve anglezë. Por, sado që shkruaj tani, ajo pyetja mezalla s'e lëshonte pe dhe nuk më ndahej:- Përse? Përse Namiku? A ka, në këtë mes, ndonjë "trastë me tagji" apo ndonjë sponsor extra që ia ka ngritur mendjen dhe ia ka bërë erë këtij,NAMIKUT alias FELIAS FOG? Apo kam përpara atë filmin butofarik gjerman ku "Muku i vogël"  ka një shpejtësi skëterre? Këtyre hamendësive të mia, besoj se u dhashë fund, kur u bëra racional: Namik Selmani nuk u nis nga interesa komerciale, kur i hyri kësaj pune të mundimshme, por, siç gjykoj unë (besoj se do kem qëlluar në shenjë), por atë "sikur e ka thirrur pak gjaku"? Namiku vet është çam. Kujtim Majaci është kosovar. Dhe kushdo e di që, në regjimin e së kaluarës, qoftë çamët dhe qoftë kosovarët, me pak përjashtime, sikur shiheshin pak si vëngër. Pra, e ndjenin veten si "muhaxhirë" apo jabanxhijë në vendin e tyre. Ja, pra, shtysa që e vuri NAMIK SELMANIN që të shkruajë këtë monografi. Kur flas për këtë"parje pak si vëngër", këtë e them (pra, nuk është thënia e Namikut),se e kam  parë me sytë e mi me të dy"komunitetet çam e kosovar" në Fier, por pa  e marrë si një hamendësi timen, në rastin konkret: MAJACI, një futbollist aq i mirë, një golasshënues i veçantë, pak u thirr me KOMBËTAREN dhe, kur u mor, u aktivizua vetëm me minuta. "Damka" kosovar sikur e kish privuar talentin  e tij dhe kjo"damkosje" qe jo vetëm për të: dhe në sport shikohej origjina klasore. Pak më tutje Fierit, në VLORË; a nuk e pësoi kështu Legjenda MEXHIT HAXHIU?

*    *   *

Unë jam fierak dhe jam i ndërgjegjshëm se futbolli në Fier as nuk lindi me MAJACIN dhe as nuk e solli MAJACI. Por ka një të vërtetë të paluajtshme: KUJTIM  MAJACI, së gjalli, u kthye në legjendë. Me lojën e tij; me golat e tij dhe ajo auereola më e bukur që ia zbukuron  ballin, është thjeshtësia dhe njjerzillëku i tij. Jo më kot e përmenda,MEXHIT HAXHINË? Më duket se MEXHITI është "vëllai më i madh siamez" i KUJTIMIT. Kur flas kështu, kam parasysh një fakt shumë domethënës: lavdia të prishë. Të bën mendjemadh dhe të ftohë me njerëzit. Këtë lavdi KUJTIM MAJACI e arriti për së gjalli, por mbeti po ai: KUJTIMI i dikurshëm dhe i papërsëritshëm në sjelljen e tij. Ai e dinte mirëfilli që pa shokët e tij të skuadrës, nuk mund të ishte ai që u bë. Dhe kurrë, në asnjë rast, nuk rrahu gjoksin e ta bënte vrimë si"më i veçanti apo më i lavdishmi i skuadrës". Me golat që shënonte, pa dyshim, që ngrinte peshë mijëra tifozë apo dashamirë të sportit. Ata e donin dhe e ndiqnin pas dhe jo vetëm kaq: provuan që të visheshin si ai. Këmisha me vija e  me katrore, u quajt "këmisha e Majacit" (po kur kam patur dhe unë një të tillë?!) dhe kjo" këmishë" kushedi sa të rinj çoi ose në gjyq o në privime nga puna. Të rinjtë:" Jo  vetëm donin MAJACIN (atë, kosovarin?!!!), por "linin punën" dhe fluturonin kudo që luante ai: në Kavajë,Peqin,Berat apo...

*    *    *

Këto që unë po i shkruaj në "vija të trasha" mund t'i gjeni fare kollaj tek monografia me autor NAMIK SELMANIN. Ai e shkroi atë në kohë rekord; ka anketuar dhjetra e dhjetra njerëz të profesioneve të ndryshme: që nga trainerët, bashkëshokët e futbollistit dhe, veç tyre, ka shkuar dhe më tutje: me intervista që nga KOSOVA, në Gjermani, Itali, Zvicërr dhe deri në Amerikë. Tek e shoh me një sy preçiz (them që nuk jam i gabuar), aq është lodhur në këtë monografi, sa lodhet, me të vërtetë, një i moshuar që futet në një korsi me vrapues të rinj. Kur them kështu, kini përpara një autor që bën një monografi për një Legjendë Futbolli, pa qenë fare fans futbolli.  Nuk flas me apriori, por nëpër faqe e sheh që autori ka vetëm një qëllim: të ekspozojë sa më të plotë personazhin dhe, tek vë në gojë të personazheve, pasazhe kujtimesh për të ndjerin, qëllon që të intervistuarit ose i vë një mbiemër pak"tjetër"ose një rol që me të vërtetë nuk e ka patur.

E kam fjalën në raste, mbiemrash,si: Selcët (duhen Selacët); ai punëtori i terreneve sportive,FERJATI aq i mirë dhe aq fans, mbiemrin e ka Çipllaku dhe jo Kaplaku; Fadil Vokrri,tanimë Kryetari I Federatës në Kosovë, nuk ka qenë portier, por sulmues që të skuqte. Apo nuk ka patur tek"Dinamo" një stoper mbrojtës si Stepa,por ndoshta është për të famshmin SEJDINI?

Megjithatë, këto janë"vogëlima" që nuk ia ulin vlerën punës aq këmbëngulëse të autorit i cili, siç vrapoi për ta nxjerrë të plotë këtë "LEGJENDË", ende është në "vrap e sipër" për ta promovuar atë,pas Fierit, në Kavajë (këtu zu fill ai "gjyqi anti-Majac); më tej do shkojë në Kosovë ( në PODUJEVË nga kanë origjinën MAJACËT) dhe,siç më tha, ka një ftesë nga ca bosnjakë dhe do të shkojë në Bosnje.

Sado që e nxori monografinë, "vrapin" nuk e ndalon. Hyni në fcb e tij apo ndiqni shtypin dhe nuk mbarojnë shkrimet e tij: në prozë e poezi. Është pak i veçantë:  nëse ka vënë këmbën diku, gati ka shkrimin. Jo veç shkrim, por një libër më vete. E ka bërë në Paris; në Amerikë; në Kosovë, po se po, por kudo. I papërtuar dhe ngulmues; vrapues dhe hulumtues dhe unë që e ndjek në këtë vrapim, ia ndala pak "vrapin" dhe e pyes:

- Ku e gjen kohën dhe sa orë punon?

- 15 orë,- tha. Gjakftohtë akull dhe "vrapues" si djalosh.

Kafja mbeti e ftohtë në filxhan dhe ai pyet:

- Do vish me mua tek... ? Po në Kavajë? Shiko, pa të marrë me vete kur të shkoj në Bosnjë, nuk  të lë.

Dhe unë:- Ore mik, po unë jam si ujë  i ndënjur. Pa më thuaj,- ia kthej pyetjen me pyetje:- A pi njeri ujë  në pellgun me ujë të ndënjur?

Por mos kujtoni se më dëgjoi? Ai "vrapon". Do të fitojë "kohën e humbur" për të shkruar: në prozë   e poezi. Deri tani ka shkruar e botuar plot njezet e pesë libra. Dhe nuk ndalon. Ikën. Rrëshket si të jetë zhivë. Ka planet e tij krijuese dhe unë, natyrisht, nuk e ndjek dot.

Sado që nuk e ndjek dot, nuk kam se si mos e uroj:-Bravo të qoftë për monografinë e LEGJENDËS MAJACI dhe,si në atë filmin e vjetër, bërtas: "  Vrapo,NAMIK,vrapo!"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora