E enjte, 28.03.2024, 01:35 PM (GMT)

Mendime

Arbën Xhaferi: Nacionalizmi ziliqar

E shtune, 30.08.2008, 11:06 AM


Arbën Xhaferi
Nacionalizmi ziliqar

Nga Arbën Xhaferi

Pas ndërhyrjes së ushtrisë ruse në Osetinë Jugore dhe Abkhazi,si dhe në disa pjesë të tjera të Gjeorgjisë që për rusët kanë rëndësi strategjike, vetvetiu u hap dilema lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, përngjashmëritë ndërmjet tyre. Natyrisht se rusët, deri diku edhe serbët e befasuar që me këtë ndërhyrje ruse e humbin argumentin për pretendimet e tyre ndaj Kosovës, e shfrytëzuan këtë rast që triumfalisht të deklarojnë se parashikimet e tyre për efektin domino, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, paskan qenë të sakta. Por, rusët nuk kuptojnë atë që të tjerët e shohin qartë se parashikimet e tyre janë të ngjashme me ato të fallxheshave që të kumtojnë se nesër do të vdesëshdhe pastaj të vrasin për ta fituar famën e magjistareve që dinë çdo gjë.

Të nxitur dhe të brengosur nga kjo logjikë e propagandës ruse, përfaqësuesit politik dhe analistë të shumtë shqiptarë dhe të huaj njëzëri konfirmonin se rasti i Kosovës është unik, pa precedent, që s’ka asgjë të përbashkët me Osetinë apo Abkhazinë. Këtë pohime kumtohen me automatizëm, me bindjen se vërtetësia e tyre është e vetëkuptueshme, pa hyrë në argumentime më të thella. Është shumë rëndë që të mbrohet se rasti i pavarësisë së Kosovës është unik dhe pa precedent, sidomos tani kur bota ballafaqohet me probleme me peshë globale, me terrorizmin, me ndotjen e ambientit, me zvogëlimine kapaciteteve ushqimore, shtrenjtimin e naftës etj.

Rasti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka një precedencë të pandalshme historike: shthurjen e perandorive dhe hapjen e çështjes së vetëvendosjes së popujve, ose të zbatimit të parimit të patjetërsueshëm, të paabrogueshëm për lirinë e popujve që ata vetë të vendosin për fatin e tyre. Pra, shpallja e pavarësisë së Kosovës ka precedencë të vazhdueshme historike, qoftë si dekolonizim, qoftë si zgjidhje racionale kur jeta e përbashkët është bërë pengesë për zhvillim si rasti mes Norvegjisë dhe Suedisë, ose në mes të Çekisë dhe Sllovakisë, apo nga mosdurimi etnik, racor, religjioz etj.

Siç dihet mosdurimi etnik dhe religjioz në Jugosllavi gjithmonë ka pasur një intensitet të rrezikshëm dhe gjithmonë ka pasur epilog tragjik. Ky mosdurim është pasojë e ambicieve joreale serbe për hegjemoni, apo e kundërvënies së natyrshme të popujve të tjerë që Jugosllavinë e shihnin se shtetin e tyre të përbashkët, ku ata shpresonin se lirshëm do t’ i kultivonin vlerat e tyre kulturore dhe mirëqenien sociale. Kur kjo formulë u rrezikua, Jugosllavia zuri të shpërbëhej dhe popujt, përkatësisht entitetet konstituive të federatës e zbatuan të drejtën për vetëvendosje, ngjashëm me procesin që u zhvillua në Bashkimin Sovjetik.

Pra, shpallja e pavarësisë së Kosovës ka precedencë me rastin e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi, të mos përmend edhe rastet e ish- republikave sovjetike, apo rastet e tjera në botë, bie fjala Timorin Lindor. Fundja, nuk duhet harruar se OKB-ja luajti një rol të jashtëzakonshëm në kontrollimin dhe zhvillimin e procesit të dekolonizimit, pra të zbatimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe liri.

Kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk mund të bëhen as vërejtje procedurale. Kjo ide ka një parahistori të gjatë. Është rrahur në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, që nga koha kur Kosova ushtarakisht u aneksua nga Serbia në Luftën e Parë Botërore, e deri te Konferenca e Rambujesë dhe në këtë të fundit, në Vjenë. Këtë vendim e sollën paraprakisht edhe emisarët e dërguar nga OKB-ja që përfundoi me misionin e të dërguarit special, z. M. Ahtisari. Me këtë rast shtrohet dilema: pse pranohet sugjerimi profesional i Komisionit të Badenterit për mënyrën se si duhet të shpërbëhet Jugosllavia, që kishte një mandat fakultativ dhe refuzohet plani i z. Ahtisari, me mandat të qartë nga OKB-ja, që ofron garanci për minoritetin serb që ata s’ kanë pasur as në kohën e Millosheviqit?

Nëse në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë janë bërë gabime procedurale, atëherë ato duhet të kërkohen te mënyrat se si Serbia e fitoi të drejtën për suksesin, për trashëgim të statusit të Jugosllavisë në organizmat e ndërkombëtare. Ajo madje nuk parashtroi as kërkesën përanëtarësim, por thjeshtë e zuri vendin e Jugosllavisë.

Pohimi i dytë që përhapet nga faktorët pro-kosovarë ka të bëjë me konstatimin se Kosova s’ka asgjë të përbashkët me Osetinë dhe Abkhazinë. Mendoj se ekziston një emërues i përbashkët: Rusia. Kosova, Osetia, Abkhazia, Gjeorgjia, NATO-ja, UE-ja, SHBA-ja, bota nuk kanë problem me Serbinë, me normat ndërkombëtare, me Kartën e Helsinkit, por meRusinë që në vazhdimësi është në dilemë lidhur me pozicionimin e saj kulturor, qytetërues, politik dhe strategjik.

Kjo dilemë ka të bëjë me ambicien që ajo të jetë oponente e denjë ndaj SHBA-ve, përkatësisht ndaj sistemit të vlerave perëndimore. Kjo ambicie është gjithsesi legjitime, po të mos ishte e mbështetur mbi premisat e një nacionalizmi të tipit të resantimanit(një ndjenjë e përzier e zilisë dhe hakmarrjes). Rusia nuk arrin të krijojë një sistem konkurrent, të ri të vlerave, prandaj ajo, nuk mund të jetë rivale me SHBA-të, se s’ka ofertë. Ajo ishte e tillë kur kishte ofertë, një doktrinë politike siç ishte komunizmi, që në vete ngërthente utopinë, internacionalizmin, kozmopolitizmin, solidaritetin njerëzor, pa dallime racore, etnike, gjinore dhe broçkulla të tjera. Rusia e Putinit u kthye në periudhën e Rasputinit, në një misticizëm religjioz-politik, me elemente të një erotizmi të shfrenuar, në doktrinën krejtësisht të kundërt me atë të internacionalizmit komunist, në një pansllavizëm racist. Politika e Putinit për rikthim të autoritetit të Rusisë në planin ndërkombëtar është e rrejshme ngaqë i mungon sistemi i ri i vlerave dhe mbështetet mbi traditën tipike ruse të despotizmit. Ideologjia e re e nacionalizmit ziliqar e Putinit nuk duron debate, ngaqë tradita politike ruse është autoritare, kështu që ajo gjithnjë e më shumë, pa pengesado të shtrihet derisa nuk do të bëhet pengesë për zhvillimin e vetë Rusisë.

Nacionalizmi ziliqar rus ka edhe një faktor që e nxit dhe ushqen atë: të qenit vazhdimisht në pozitë të surrogatit, të kopjuesit të dobët të shpikjeve perëndimore, duke filluar nga makinat e deri te mënyra e ndërtimit të shtetit. Perëndimi prodhon Mercedesin, Rolls-Rojsin, Fordin etj., ndërkaq Rusia, Vollgën, Zaporozhcin, Ladën; Perëndimi prej vitit 1215 krijon baza për shtetin ligjor që kufizon autoritetin e monarkut dhe që përfundon me konceptin e demokracisë liberale, Rusia në kuadër të një mendësie dhe trashëgimie despotike krijon surrogatin e demokracisë liberale, atë të demokracisë së shtirur, me opozitë luajale ndaj dhespotit. Ka shumë shembuj që manifestojnë, madje në mënyrë komike, këtë nacionalizëm ziliqar, këtë tendencë të kopjimit, të të qenit si “ata”, që përfundon me rolin e surrogatit.

Bie fjalë manifestimi “Këngae Euro-vizionit”(Eurosong) ka humbur peshën te vetë europianët, Italia madje një kohë të gjatë nuk merr pjesë në këtë manifestim muzikor, ndërkaq te popujt e ish-kampit socialistpjesëmarrja dhe fitorja ka peshë të jashtëzakonshme politike dhe shoqërore. Fitorja e sivjetme e këngëtarit rus, Dima Bilan u bë çështje me peshë shtetërore. Që atë natë ai merr urime nga kreu shtetëror, ndërkaq shtypi e shpall hero, pas Putinit. Shembuj të këtillë të një triumfalizmi fëmijëror është qesharak ngaqë zhvillohet në kuadër të shpikjeve, mënyrës së organizimit kulturor të shoqërive perëndimore.

Ky pozicionim mëdyshas, ambivalent, herë pro perëndimor, herë kundër, flet për një problem shumë më serioz, dilemat kulturore, qytetëruese, strategjike ruse që perëndimin, sistemin e tyre të vlerave e sheh si pikësynim, si diçka që adhurohet, por kur nuk arrihen rezultate, çdo gjë përmbyset dhe merr trajta neurotike. Kështu ka qenë gjithmonë, të paktën prej kohës së Pjetrit të Madh, kur lindin ambiciet perandorake ruse derisa ai ishte në strehim në Holandë, e deri në ditët e sotme kur tajkunët, pasanikët rishtarë rus, madje për qindra miliona euro, blejnë kështjella nëpër Europë,vila dhe jahtë super luksozë, statusin e tyre të ri social, të të qenit perëndimor.

Natyrisht se dhe popujt etjerë shfaqin shenja të nacionalizmit ziliqar, në mesin e tyre edhe shqiptarët, por kapacitet e tyre nuk janë kërcënuese si ideologjia pansllave, që synon jo vetëm ekspansionizmin, por edhe konkurrimin, ofrimin e alternacionit ndaj vlerave të qytetërimit perëndimor. Kjo tendencë vetvetiu mund të jetë fisnike dhe interesante, por problemi është serealisht nuk ekziston një ofertë e tillë, pos përbuzjes dhe përdhosjes. Shpeshherë manifestimet e këtyre bindjeve janë, sa komike aq edhe të pabesueshme.

Në një segment, shpesh dominues në kulturën serbe shprehet bindja se Europa dhe qytetërimi perëndimor janë në degjenerim e sipër, prandaj duhet të refuzohet, ose të varroset. Regjisori boshnjak, i konvertuar në serb, Emir Kusturica, sivjet, më saktë më 14 janar, në një fashat malor serb, Mokra Gorë, e hapi festivalin e filmit “Varreza e filmave të këqij” ku mori pjesë edhe kryeministri i atëhershëm serb, Koshtunica. Ideatori i këtij festivali kinematografik, Kusturica, ku bëhej fjalë për shumë tema nga bota e filmit, si bie fjala“Kosova dhe Metohija, shpirti pravosllav, kultura dhe arti, marrëdhëniet serbo-ruse...” organizoi, madje edhe varrimin e një filmi të botës së kontaminuar, atë të Xhon Mek Lejnit, “Die Hard, 4”(“Vdis si burrë”, pjesa 4) me Brus Uillisin në rolin kryesor.

Në këtë teatër përdhosës të teveqelëve, në procesionin e varrimit të kasetës së këtij filmi, hijerëndë, i ngrysur, serioz si një aktor fshati, mori pjesë edhe i pari i shtetit serb, Koshtunica. Si duket urrejtja kundër perëndimit paskësh qenë motiv më i fortë sesa dinjiteti i një drejtuesi të shtetit.

Një autor tjetër, tani serb, të cilin Tirana e priti si autorin më cilësor ballkanas të muzikës argëtuese, Goran Bregoviqi, po ashtu, në vijë të këtij maniri të përdhosjes së diçkaje që në fakt adhurohet, e ekzekutoi “Requiemin” me instrumente frymore prej tunxhi, duke mos hetuar se në këtë mënyrë e ironizoi kulturën e vet.

Këto shembuj, nga sfera e politikës dhe të kulturës flasin për një oponencë të dështuar, që fatkeqësisht shkakton pasoja tragjike. S’do mend se kultura dhe politika, si ruse ashtu edhe ajo serbe ka përfaqësues të tjerë që kanë dhënë dhe japin vepra që mahnitin, por hëpërhë pushtetin e kanë ziliqarët. Raporti politik, por edhe qytetërues ndërmjet politikës dhe qytetërimit perëndimor dhe Rusisë i ngjason atij mes Moxartit dhe Salierit, ku i pari krijon, i dyti e kopjon dhe e adhuron deri në urrejtje.

Politika e një populli është fryt, kuintesencë e gjithë faktorëve që veprojnë në një shoqëri, që krijojnë mendësinë identitare të një populli, qofshin ato psikologjik, shoqëror, religjioz, ekonomik, teknologjik. Shpeshherë ato ndikojnë që vendimmarrja politike të jetë shprehje e ceneve, të jenë irracionale, absurde, që befasojnë. Nuk ndihmon fare nëse bëhen përpjekje, në emër të seriozitetit që këto paradokse, shpeshherë banale të mistifikohen, të shpjegohen me teori të konspiracionit, apo strategjive sekrete afatgjatë.

Realiteti politik shpeshherë është shumë më banal sesa që mendohet. Unë nuk kam dilema se si kryeministri Putin, ashtu edhe presidenti Medvedev janë adhurues të vlerave perëndimore, që herë pas here, kur ato nuk arrihen tek ata shfaqet zilia që krijon rrëmujë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me ndërhyrjen e tyre në Gjeorgji, me njohjen e pavarësisë së Osetisë dhe të Abkhazisë, ata e mohuan parimet e politikës së tyre ndërkombëtare, ata bënë një salto-mortale, humbën logjikën, doktrinën politike duke e zëvendësuar atë me veprime jo parimore tekanjoze, që varen kryekëput nga disponimet momentale të një individi, të atij që ka fituar statusin e prijësit karizmatik. Tash e tutje, pasi e suspenduan doktrinën e tyre politike, ata logjikisht duhet ta njohin pavarësinë edhe të Kosovës.

E vetmja pasojë serioze nga kjo rrëmujë është instalimi i sistemit antiraketor i NATO-s në Poloni, që për shkak të zhvillimeve në Gjeorgji dhe për fatin e Putinit kaloi në heshtje. Opinioni publik rus ishte në kllapi për shkak të edhe një suksesi të prijësit të tyre të dashur që di se si të ruajë dinjitetin rus në Gjeorgji. Po serbët? Ata mbetën pa teorinë, doktrinën mbrojtëse ruse dhe sipas të gjitha gjasave pa ndërmarrjen shumë të leverdishme NIS-in( Industrinë e naftës së Serbisë)që shumë lirë ia shitën nënës Rusi...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora