E shtune, 20.04.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Qarri: Bajram Daklani - Hero emblematik

E merkure, 15.03.2017, 08:39 PM


Bajram Daklani

1879-1923

Nga Gani Qarri, Cyrih

Hero emblematik i Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare, shndërruar në monument atdhetarie dhe përjetësuar në piedestalin e historisë, duke ngritur i pari, pas 500 vitesh robërie, më 12 gusht të vitit 1912, Flamurin Shqiptar të fitores, mbi Shkupin e çliruar.

Prijës i pa-harruar popullor dhe luftëtar besnik i Shqipërisë Natyrale me një kronik të trisht flijimi,të cilit iu thurën këngë, mite e legjenda, por u përmend rrallë e shkrua edhe më pak, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm në kontest të ngjarjeve e biografive të personaliteteve të tjera historike.

Kryengritësi më sublim i trojeve tona, patriot i denjë dhe rilindës përparimtar, që nuk pranoi ti nënshtrua asnjëherë robërisë, i vrarë tradhtisht në fshatin Rogovë të Hasit dhe zhdukur pa shenj as varr, nga shqiptarë të shitur e bashkëpunëtor të Serbisë.

Ky idhtar i flakët i Çështjes Shqiptare, me një të kaluar të bujshme atdhetarie, erdhi në jetë rreth vitit 1879,në një familje patriotike, zbritur kohë më parë nga Malësia në Gjakovë.

Ai qysh i ri, u dëshmua për guxim e trimëri dhe ndër të parët iu bashkua çetave luftarake të kohës.

Madje megjithëse atëbotë gati fëmijë, dhe siç i thonë fjalës popullore, ende pa i rënë "brisk fytyrës“,heroi që në atë moshë, u bë pjesëtarë i çetës së Sahit Mulës, e cila asokohe vepronte në Gjakovë e rrethinë.

Sahit Mula, thuhet se ishte kryengritës kombëtar dhe dashamirë e bashkëpunëtor i Bajram Currit, por që më 1902, edhe ai do të vritej me para, nga shqiptarët.

Sipas këngës së rapsodit, personi i cili porositi vrasjen e tij, ishte Murtez Aga nga Gjakova, kurse dorasi- Hazir Syla;

Murtez Aga duel në shkallë,

Hazir Sylës po i qon fjalë

****************************

Një hyzmet Hazir ta due

Sahit Mulën prema mue

(https://youtu.be/cVgE7fKV4Iw)

Pas vrasjes së Sahit Mulës, në krye të çetës, do të vinte luftëtari më i mirë që ajo pati, trimi Bajram Daklani.

Heroi që nga vendosja në krye të çetës, besimin e fituar nga bashkëluftëtarët, do ta kurorëzonte me sukses të pareshtura në përpjekjet e vazhdueshme për çlirim dhe pavarësi kombëtare të atdheut të cilin e donte më shumë se veten.

Bajram Daklani u dëshmua aq kryengritës i guximshëm dhe patriot i përkushtuar, sa që kur vihej në pyetje atdheu dhe çështja kombëtare, ai ishte në gjendje që të kundërshtonte me vendosmëri edhe vendimet e vet Sulltanit (mbretit) i cili sa herë bëhej gati ti sulmonte shqiptarët, aq herë kërkonte edhe dorëzimin e armëve nga kryengritësit kombëtar.

Madje, kur forcat turke sulmuan dhe rrëzuan me topa artilerie kullën e tij, në përpjekje që ta demoralizonin dhe kapnin të gjallë heroin, ai me bashkëluftëtar, nuk u dorëzuan as ligësuan, por rezistuan aq fort dhe bënë qëndresë të tillë trimërie, sa që ngjarja e lartcekur historike do të përjetësohej nga populli liridashës edhe në këngën si kjo:

Në Stamboll po thërret tellalli

********************************

Na u rrethu Bajram Daklani

Se ja theu mbretit fermanin

Trimat, të mllefosur nga sulmi dhe shkatërrimet e agresorëve otoman, do të  vërsuleshin rreptë, mu si reja në mejdan, kundër nizamëve turq.

Janë dal trimat për mejdan

Krisi reja për nizam

Në këtë ngjarje lavdie, heroi me bashkëluftëtar, qëndruan aq trimërisht, sa që jo vetëm përballuan me sukses sulmet me topa artilerie, por thyen keq edhe nizamët e çaushit turk dhe detyruan ata të tërhiqeshin me turp.

Ndërsa, me të kuptuar  Bajram Curri se miku dhe bashkëluftëtari i tij besnik, Bajram Daklani ishte rrethuar nga çaushi turk, pa vonuar edhe ai do të vihej në ndjekje të halldupëve otoman, të cilët siç thuhet edhe në rreshtat vijues të këngës, do ti binin mes për mes lumit, duke mos ditur më as nga të iknin.

Nis po ik asqeri lumit

I ndjek çeta e Bajram Currit

Madje Plaku i Maleve, ishte hidhëruar aq keq nga sulmi i papritur otoman, kundër heroit Bajram Daklani, sa që vetëm kënga di ti ri-prodhojë, në mënyrën më origjinale të gjitha porositë tmerruese, drejtuar çaushit anadollak;

Ndal çaush, kah po shkon

Këtu nuk je në Anadoll

Ta laj trupin krejt me gjak

Në gjoks nishanat ti kalli flak

Bajram Curri, i shpjegonte atij edhe një herë traditën e vendlindjes së përbashkët të të dy kryengritësve kombëtar, Bajram Currit dhe Bajram Daklanit, se:

Kështu Gjakova e ka adet

Nga një çaush me vra për vjet

(https://www.youtube.com/watch?v=YfahONXZmFI)

Përveç aksioneve dhe betejave të përbashkëta me Bajram Currin, Bajram Daklanin jo vetëm një herë, e gjejmë edhe në luftimet e udhëhequra nga Zeqir Halili, siç do të shkruante, Dr. Jusuf Bajraktarit, në librin historik: “Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912, Prishtinë, 1998”)

Kontributi i heroit në luftën e Malësisë

Bajram Daklani, që nga fillimi i veprimeve luftarake, mori pjesë aktive në të gjitha kryengritjet e mëdha dhe betejat vendimtare, kudo që ato ndodhën në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare, për liri dhe çlirim kombëtar.

Jehona e luftës së tij u dëgjua fort dhe shkoi deri në Stambollin otoman, edhe në kohën kur forcat e Perandorisë turke më 13 maj të vitit 1911, me rreth 40 mijë trupa dhe artileri të rëndë të udhëhequra nga Turgut Pasha, filluan një ofensivë të gjerë kundër Malësisë së Madhe dhe malësorëve kryengritës të cilët udhëhiqeshin nga Dede Gjon Luli e Isa Buletini.

Bajram Currit me trimat e vet, u vërsuleshin trupave turke nga Krasniqja, ndërsa Bajram Daklani i ndiqte ato që nga Dukagjini me çetën e tij.

Kështu, forcat e bashkuara kombëtare të lirisë u shkaktuan forcave pushtuese të Turgut Pashës humbje aq të mëdha, sa që përveç kapjes së shumë armëve e municioneve, thyen përfundimisht edhe trupat turke.

Porta e lartë (Perandoria turke) e dëshpëruar me dështimet në fushëbetejë , shkarkoi me urgjencë nga funksioni udhëheqës dhe largoi menjëherë nga Shqipëria Turgut Pashën.

Ndërsa, ndihmësi i tij Ethem Pasha, gjatë tërheqjes në drejtim të Gjakovës, u plagosë rëndë nga çeta e Bajram Daklanit dhe vdiq nga plagët, në spitalin e Shkupit.

"Fermani" i Adil Beut

Kryengritjet e pareshtura të viteve 1909,1910,1911 acaruan deri në atë masë  gjendjen politike në trojet shqiptare, sa që më 12 Janar të vitit 1912,kur shumë fshatra e qytete tanimë kryengritësit kishin çliruar, qeveria turke shpërndau parlamentin dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në trevat më kryengritëse, siç ishte Kosova.

Madje, në mars të vitit 1912, vet ministri i brendshëm turk Haxhi Adil beu, provoi të vizitonte qytetet kryesore të Kosovës në përpjekje për të bindur shqiptarët që edhe më tej,të pajtoheshin me robërinë dhe ti nënshtroheshin Perandorisë otomane.

Por luftëtarët kombëtar të udhëhequr nga patriotët si Bajram Daklani e ndoqën me armë në dorë ministrin turk, ngado që ai shkonte.

Kurse gjatë rrugëtimit të konvojit të tij, që me gjithë betejat e ashpra, kishte arrit në Gjakovë prej nga ai planifikonte të vijonte udhëtimin për në Prizren, tri ditë luftime u zhvilluan vetëm në trevën 7-8 kilometërshe hasjane, sa duhet të ketë përafërsisht gjatësi frontale, hapësira nga Raça e Moglica deri te Ura e Fshejtë.

Udhëheqës të këtyre aksioneve liridashëse, ishin Bajram Daklani dhe Zeqir Halili.

Haxhi Adil beu, nën mbrojtjen e trupave të shumta ushtarake turke, përpiqej të shpërthente rrethimin dhe ikte për në Prizren.

Por, Bajram Daklani dhe Zeqir Halili, i prenë atij rrugën, me të arritur te Ura e Fshejtë, dhe e detyruan(që aty) ministrin e brendshëm turk, të nënshkruante vendimin (fermanin) për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.....(,Dr. Masar Rizvanolli "Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918" gjakovapress 6 mars 2014

Ndërsa kur në muajt prill e maj të vitit 1912, të gjitha krahinat shqiptare, kishin filluar lidhjen e Besës ndërmjet veti, me qëllim të përgatitjes sa më efektive të Luftës së Përgjithshme Kombëtare për çlirim, Bajram Daklani në krye të kryengritësve nga Krasniqja, Hasi dhe Reka, në prill të vitit 1912, sulmoi Gjakovën.

Ky aksion detyroi organet okupuese turke, që përveç grumbullimit të trupave tjera nga rajoni edhe Korparmata e shtatë e ushtrisë otomane, nga Ferizaj, të nisej drejt Gjakovës.

Strategjia e tij, rezultoi e suksesshme dhe krijoi kushte të favorshme për mbajtjen e Kuvendit të Junikut, në të cilin u mor vendimi historik për fillimin e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare dhe çlirimin e Shqipërisë Etnike.

(https://kk.rks-gov.net/gjakove/City-guide/History.aspx

Të entuziazmuara nga vendimet e Kuvendit të Junikut, forcat kryengritëse nga muaji-Maj, deri në fillim-gushtin e vitit 1912,çliruan vendbanimet kryesore  shqiptare dhe qytetet më të mëdha të Kosovës.

Më 9 gusht të vitit 1912, Prijësit e Kryengritjes së Përgjithshme, i dorëzuan Memorandumin e fundit, komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum prej 48 orësh, për aprovimin e kërkesave të shqiptarëve për autonomi, para se ata, ta çlironin Shkupin.

Ngritja e Flamurit Kombëtar nga Bajram Daklani

Pasi që qeveria turke edhe pas kalimit të afatit të parashtruar, nuk mori mundimin tu kthente asnjë përgjigje kryengritësve shqiptar, me urdhër të Bajram Currit, si kryekomandant i forcave të Kryengritjes së Përgjithshme, më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj do të vinte Bajram Daklani me luftëtarët e tij.

Ai, përveç se ishte udhëheqës i shquar, bënte pjesë edhe në grupin e prijësve madhor të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare dhe ishte njeriu më i besueshëm i Bajram Currit.

Ndaj vet Plaku i Maleve, zgjodhi pikërisht Bajram Daklanin, pajisi atë me një Flamur të Madh Kombëtar dhe ngarkoi heroin me detyrën më të shenjtë patriotike, që në krye të 200 luftëtarëve pararojë të hynte i pari në Shkup dhe ngrinte Flamurin Kombëtar mbi ish kryeqytetin e lirë të Kosovës.

Dhe, siç do të shkruante edhe gazeta “Shkupi” e datës19 gusht të vitit 1912, më 12 gusht të atij viti, nga Ferizaj, Bajram Daklani do të futej triumfalisht në kryeqytet dhe pas 500 vjetësh sundimi turk, ai i pari do ta ngrinte lart dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores në Shkupin e çliruar.

Po-ashtu, gazeta ”Shkupi”e të njëjtës datë,19 shtator 1912, dëshmon se në radhitjen, e hyrjes së forcave kryengritëse shqiptare në Shkup, i pari ishte: ”Bajram Daklani me 200 pushkë, Bajram Curri me 5000 pushkë; Isa Boletini me 3000 pushkë; Ahmet beu nga Kumanova me 1000 pushkë, etj.

Megjithatë, gëzimi i shqiptarëve qe jetëshkurtër, ngase sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas valëvitjes së Flamurit Kombëtar, të ngritur nga ky hero në ish Kryeqytetin Dardan, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian me një ultimatum në dorë, me të cilin kërkonin demobilizimin e kryengritësve shqiptar dhe tërheqjen e menjëhershme të tyre nga Shkupi, me arsyetimin se nga Fuqitë e Mëdha nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë osmane me forcën e armëve.

Por, Kryengritësit Kombëtar me në krye Hasan Prishtinën,Bajram Currin, Bajram Daklanin etj., të dëshpëruar tej mase me qëndrimin e paprecedent të Fuqive të Mëdha dhe të zhgënjyer thellë nga tradhtitë e pareshtura të Perandorisë Osmane, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për 4 ditë me radhë mbi Shkup e rrethinë, dhe nuk u tërhoqën pa marrë përgjigjen mbi fatin e atdheut të tyre.

E vënë nën presion të madh nga kryengritësit, më 18 gusht të vitit 1912, do të arrinte një përgjigje thuajse gjysmake e qeverisë perandorake turke, e cila nuk pranonte kërkesën as për autonomi të shqiptarëve, por vetëm12 nga 14 pikat e parashtruara nga Hasan Prishtina

Sidoqoftë, kryengritësit shqiptar megjithëse të rrethuar me armiq nga të gjitha anët, nuk u dorëzuan as lanë luftën në gjysmë siç kërkohej prej tyre, nga Fuqitë e Mëdha.

Nën udhëheqjen e patriotëve Bajram Curri, Bajram Daklani, Isa Buletini etj., ata vazhduan rezistencën kombëtare, si ditën e mundën, deri në dëbimin përfundimtar të pushtuesve otoman nga trojet shqiptare dhe krijimin e mundësive që më 28 Nëntor 1912, të shpallej Pavarësia e Shqipërisë!

Pa kaluar as 4 muaj të plotë nga akti i Pavarësisë Kombëtare, do të mblidhej Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila më 22 mars të vitit 1913,do të shënonte kufijtë aktual, ndërsa më 29 korrik të atij viti, vendosi përfundimisht, vetëm për njohje të pjesshme të tokave kombëtare si Shtet të Pavarur, duke lënë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, mbi gjysmën e trojeve etnike shqiptare, përfshi edhe Kosovën e Çamërinë  të cilat u pushtuan, copëtuan dhe aneksuan me forcë nga shtetet hegjemoniste fqinje.

Heroizmi në mbrojtjen e Flamurit

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe tërheqjes së forcave Austro-Hungareze, nga trojet shqiptare, duke zënë shkas nga "Traktati i fshehtë i Londrës (26 prilli 1915), i cili parashihte copëtimin definiv edhe të asaj pak Shqipërie që kishte mbetur nga njohja ndërkombëtare e vitit 1913, në verën e vitit 1919, forcat pushtuese italiane okupuan Shqipërinë nga jugu deri në fshatrat e para të Kukësit dhe anën e poshtme të lumit Drin, kurse forcat pushtuese serbe përveç Kosovës okupuan edhe Shqipërinë Veriore deri në brigjet e epërme të këtij lumi.

Në këto kohë të vështira, edhe më tej, i pa pushtuar mbetej Vau i Spasit, i cili si pikë strategjike që lidh rajonin e Kukësit, Pukës dhe Mirditës, mbrohej me vendosmëri nga Bajram Daklani me 10 bashkëluftëtar të çetës së tij, ku kishte ngritur edhe Flamurin Kombëtar, dhe vetëm aty, ai ende valonte i lirë.

Por, sipas shkrimeve të gazetës “Populli” që asokohe botohej nga Salih Nivica në Shkodër,më 24 korrik të vitit 1919, forcat pushtuese italiane, qysh në orët e hershme të asaj dite, filluan një sulm të ashpër me të gjitha llojet e armëve, mbi luftëtarët dardan.

Megjithëse beteja zgjati gjatë gjithë ditës, "10 komitët”- trima të Kosovës së robëruar me në krye Bajram Daklanin, bënë qëndresë aq të fortë e vetëmohuese sa që nuk lejuan për asnjë moment, të pushtohej Vau i Spasit, as binte simboli i shqiptarizmës, para se ata të vdisnin të gjithë.

Kështu që, edhe pse i tejshpuar nga plumbat e armikut, Flamuri Shqiptar jo vetëm se vazhdonte të qëndronte lartë dhe valëvitej krenar e i pamposhtur, mbi kokat e luftëtarëve të paepur të kombit, por edhe ushtarët italianë u detyruan që të tërhiqeshin, tejet larg nga posta e Vaut të Spasit.

Vijimi i rezistencës në Kosovë

Fatkeqësisht e ashtuquajtura Konferencë e Paqes,(18-21 janar 1919), në Paris, la Kosovën përsëri edhe pas Luftës së Parë Botërore, nën pushtimin serb.

Ndaj menjëherë pas ri-okupimit të saj në vjeshtën e vitit 1918,Serbia filloi sërish terrorin e pafund shtetëror mbi shqiptarët.

Më 1919, në emër të "reformës agrare" regjimi pushtues serb, nisi tu merrte atyre tokat, nga 1920, fuqizoi kolonizimin masiv të Kosovës me ardhacak serbo-malazez, kurse paralel me këto, vazhdoi dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore.

Sidomos Krusha e vogël, por edhe ajo e madhe, përherë mbetën lakmi e pushtuesve serb, për faktin se që të dyja ishin të banuara plotësisht me shqiptar, zotërojnë tokë shumë prodhuese dhe ndodhen njëra pas tjetrës, në pozita tejet të lakmueshme strategjike, buzë rrugës Gjakovë Prizren.

Por përkundër prezencës së shtuar të xhandarmërisë dhe numrit të madh të forcave pushtuese serbe, falë patriotëve të shquar Bajram Daklani e Azem Bejta, luftëtarët e "Komitetit për Çlirim" të cilët atdheun e donin më shumë se veten, ishin të pranishëm kudo dhe vepronin në tërë Kosovën.

Ndaj, sa herë që banorët e pambrojtur shqiptar, binin pre e sulmeve të grupeve çetnike serbe, Bajram Daklani me bashkëluftëtar, i cili ato vite, të shumtën e kohës qëndronte në Has dhe Anadrini ,pa vonuar u vinte atyre në ndihmë.

Kurse në fund të korrikut të vitit 1920,kur trupat serbe sulmuan në drejtim të Shkodrës dhe pushtuan Kastratin, luftimeve kundër agresionit sllav, të cilat i udhëhiqte Bajram Curri, ju bashkuan edhe Bajram Daklani me kryengritës nga Kosova.

Fjalimi impresionues në Konferencën e Triestes

Sipas shënimeve të Eqrem bej Vlorës, në vëllimin e II-t, të kujtimeve të tij, botuar më 2001 në Tiranë, intelektuali dhe ushtaraku patriot italian, Gabriele D’Annunzio, në vitin 1920, do të organizonte në Trieste të Italisë edhe një tubim të madh të të gjitha organizatave kombëtare, me përfaqësuesit e popujve të rënë nën pushtimin jugosllav, të cilët ishin të gatshëm të luftonin për lirinë e vet dhe çlirimin e tokave të tyre nga ky shtet okupues.

Kështu që, me vendimin e "Komitetit të Kosovës" dhe pëlqimin e Bajram Currit, përfaqësues të shqiptarëve në konferencën e lartcekur, do të dërgoheshin pjesëtarët e zgjedhur të këtij komiteti, si nipi i Sylejman Vokshit të famshëm, Beqir Vokshi dhe Bajram Daklani, i cili do të mbante edhe një fjalim të zjarrtë para pjesëmarrësve të asaj konference, mbi shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve nga pushtuesit sllavo-grek, fjalim i cili e bindi edhe organizatorin e Konferencës, Gabriele D’Annunzio-n, që tu premtonte dhe dërgonte kryengritësve të Kosovës një anije me armatim në portin e Shëngjinit.

Zona Neutrale e Junikut

Pas kryengritjeve të pareshtura të shqiptarëve të Kosovës, me vendimin e Fuqive të Mëdha, nga 9 nëntori i vitit 1921,u krijua Zona Neutrale e Junikut.

Ajo, në territorin e saj të lirë, përfshinte një numër fshatrash përreth duke filluare nga Qafa e Morinës deri në grykën e Deçanit.

Kurse udhëheqës i saj, nga Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës, u emërua Beqir Vokshi.

Por fatkeqësisht, krijesa e sapoardhur në jetë, qe tejet jetëshkurtër dhe që në fund të janarit të vitit 1923, pas pak më tepër se dy vitesh ekzistence, forcat e Zogut nën udhëheqjen e Prend Jakut, do ta pushtonin këtë Zonë të Lirë, dëbonin me dhunë kryengritësit e Kosovës nga aty, dhe më 21 shkurt të vitit 1923, Qeveria e Ahmet Zogut, Zonën Neutrale të Junikut, do t`ia falte okupatorit serb.

Në përpjekje për mbrojtjen e kësaj zone, ishte plagosë edhe Hamdi Zajmi, njëri nga bashkëluftëtarët e ngushtë të Bajram Daklanit.

Ndaj edhe pse dimër e acar i madh, çeta e Bajram Daklanit me Hamdiun e plagosur, ishte detyruar të tërhiqej me shpejtësi në drejtim të Anadrinisë dhe pjesëtarët e saj do të vendoseshin përkohësisht tek familja Domi në fshatin Radostë të Anadrinisë, ku Hamdiu e kishte të motrën të martuar

Haraçi i Gani bej Kryeziut

Menjëherë pas okupimit të Zonës së Lirë të Junikut, Prefektura e pushtetit okupues serb në Kosovë, kishte shpallë me shpejtësi gjendjen e jashtëzakonshme, nisë aksionin për shuarjen e forcave kryengritëse dhe eliminimin e të gjithë udhëheqësve kombëtar, në brendi të Kosovës dhe jashtë saj.

Kështu që, jo vetëm mjekimi i Hamdiut por edhe strehimi i thjeshtë i pjesëtarëve të çetës së Bajram Daklanit, ishte vështirësuar aq shumë, sa që nuk dinin nga t`ia mbanin, nga përndjekja e okupatorit dhe spiunëve e bashkëpunëtorëve të tij, të cilët shpesh herë dinin të ishin edhe më të këqij se vet okupatori.

Derisa Cena beg Kryeziu me të vëllain Hasanin, përndiqte kryengritësit e Kosovës, në Shqipëri, vëllai i tyre, Gani bej Kryeziu, vazhdonte gjuetinë këmba këmbës, ndaj luftëtarëve të lirisë, në Kosovë.

Ndaj, si shumë familje kryengritësish, që asokohe, në gjendje të tilla të jashtëzakonshme, për të ruajtur bijtë e tyre nga duart e pushtuesit, detyroheshin që "begut-kryezi" ti paguanin haraç të rëndë, edhe Familja Zajmi nga Gjakova, u detyra që për të shpëtuar Hamdiun dhe pjesëtarët e çetës së  heroit Bajram Daklani, të lidhte një marrëveshje tejet të kushtueshme me Gani beg Kryeziun.

....qe te mos ngucet ky grup, Shaban Zajmi ben marreveshje me Gani Beun ti paguaj nga nje sheke drithe ne dite per te ruajtuar vellaun dhe grupin e shokeve te tij. Per 90 dite deri ne sherimin e Hamdiut, Shaban Zajmi i jep Gani Begut vleren e 72 napoleonave. (Pjesë nga shkrimi i profesor Agim Zajmit, dërguar nga Tirana).

Madje, “kryezinjtë” i kushtëzonin “klientët” edhe me pikat e “vendstrehimit” se ku ata nga momenti i pagesës duhej të qëndronin, duke i dërguar herë pas here tek “Jatakët” e vet, me të cilët kishin marrëveshje, që kryengritësit e thjeshtë të cilët ishin në gjendje të paguanin haraç, ti “strehonin” ndonjë ditë “dimri”, kurse për udhëheqësit më të dalluar, bashkë me të zotët e shtëpisë, në ato vende, përgatisnin fundin e tyre me tradhti.

Një përfundim të tillë makabër, begu kryezi, i kishte përgatitur në qetësi të trishtë edhe heroit Bajram Daklani

Vrasja me tradhti e heroit

Pas pranimit të parave (72 napolona) nga Shaban Zajmi, Bajram Daklani dhe Hamdi Zajmi, u “këshilluan” që të strehoheshin përkohësisht në familjen e Dan Dobroshit në Rogovë të Hasit.

Përveç marrëveshjes së arritur, heroi kishte forcuar bindjen edhe nga betimi mbi kanun i “dobroshëve” dhe premtimet me “Be e Rrëfe” (veresie),nga ata, për “siguri të plotë” të jetës së tij dhe bashkëluftëtarëve që do ta shoqëronin.

Ndaj, shtëpinë e familjes Dobroshi, sipas traditës shqiptare, kryengritësit tanimë e konsideronin të “garantuar” për qëndrim të përkohshëm, para se ata të merrnin rrugën drejt Pashtrikut, lartësi në të cilat vetëm shqipet lindin dhe trimat e lirisë ndërtonin foletë e qëndresës.

Ndaj, mbrëmjen e mallkuar të 3 shkurtit 1923,Bajram Daklani me Hamdiun e plagosur dhe ndonjërin nga pjesëtarët e çetës së tij, pa parandjenjë të keqe, i drejtohen shtëpisë së Dan Dobroshit në Rogovë, pa e ditur se pikërisht aty ishte ndalesa e fundit e patriotit Bajram Daklani dhe pika fatale ku ai do të shuhej tradhtisht dhe prej nga, për heroin më nuk kishte kthim prapa.

Rogova e prishi Hasin

Siç thuhet e dëshmohet edhe nga kronikat shekullore, kjo trevë që nga lashtësia, konsiderohej si hapësira më e qetë kombëtarisht, Besë-mbajtëse e përmbaruar, kulm i sigurt për hallexhinj dhe mikpritëse shembullore për kryengritës, nga të gjitha trojet.

Hasi,deri më atë ditë, tradicionalisht ishte dhe mbeti vatër e njëmendët sinqeriteti, sofër përherë e shtruar dhe bukëdhënëse e pakusht, për këdo e secilin, si dhe oaza më e preferuar, për qëndrimin e atdhetarëve më të shquar të kombit.

Trualli hasjan, njihej si kështjella më zemërgjerë, dëshmuar për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe ruajtjen e palëkundur të Besës shqiptare.

Krahina më e shenjtë në të cilën kurrë më parë nuk kishte ndodhur që të ngitej a keqtrajtohej dikush, qoftë ai edhe një bari i thjeshtë a udhëtar i largët e i panjohur i rastësisë, e lëre më të vriteshin e tradhtoheshin pas shpine luftëtarët e lirisë dhe patriotët më të shquar kombëtar.

Në Has edhe në vitet më të vështira të okupimeve të huaja, qëndruan, rrugëtuan, vepruan dhe mbajtën e u ruajtën në Besë, më mirë se në cilindo vend tjetër, personalitetet më të larta kryengritëse të kohës, që nga Bajram Curri e Azem Bejta, deri te Bajram Daklani e Sadik Rama dhe shumë të tjerë.

Deri me vrasjen e heroit Bajram Daklani, aty kurrë nuk kishte ndodhur, të pritej kush në besë, as edhe në një skaj të Hasit.

Për herë të parë në fshatin Rogov, organet okupuese të Serbisë dhe shërbëtorët e Gani bej Kryeziut, kishin mbërri të infiltronin spiunët e vet dhe krijonin bashkëpunëtorë të përbetuar, me të cilët, përgatitën edhe kurthin ogurzi, për eliminimin mizor të njërit nga prijësit më të shquar të kombit shqiptar,si Bajram Daklani.

Ata, siç kishin vendosur bashkërisht për vendin dhe mënyrën e vrasjes, kishin zgjedhë djallëzisht edhe shenjëtarët më të sprovuar për shuarjen mizore të heroit, të cilët jo vetëm se likuiduan Bajram Daklanin, pa plagosur as gërvishtur askënd tjetër, por edhe u zhdukën ashtu siç kishin ardhur të “pa-emër” e të pa shenjë, duke “humbur” pa asnjë gjurmë dhe mbetur të pa zbuluar kurrë.

Para tradhtisë së përgatitur nga renegatët,heroin nuk kishin si ta shpëtonin marrëveshjet, nuk mund ta mbronte kanuni as tradita kombëtare për mos-prerjen e mikut në Besë, si përbetime tradicionale për siguri ndër shqiptarët, ngase spiunët e Serbisë nuk njohin rregulla, Kanun as Besë.

 

Ndaj, kot fare ishin mbajtur të gjitha ato takime dhe zhvilluar aq shumë biseda të gjata me të zotin e shtëpisë Dan Dobroshin dhe meshkujt e familjes së tij,

ngase siç u dëshmua edhe natën kritike, çdo gjë kishte qenë e inskenuar dhe kurth i ngritur për tradhti.

Sipas versionit i cili edhe sot tregohet, nga pasardhësit e Hamdi dhe Shaban Zajmit, “dobroshët” e njihnin mirë Bajram Daklanin, kurse marrëveshja ishte që kryengritësit në shtëpinë e “Jatakut” të lidhur këmbë e krye me Kryezinjtë e Gjakovës, të shkonin pasi që të binte terri.

Madje, kinse që të mos binin në sy të njerëzve të "dyshimtë“, kryengritësit kishin marrë porosi nga vet i zoti i shtëpisë,se nuk guxonin të futeshin përmes dyerve kryesore në anën e përparme të oborrit, por duhej të kalonin kopshtit dhe përmes derës së prapme e cila kishte dalje në kopsht, të hynin në oborrin e shtëpisë së familjes Dobroshi.

Për aq më keq, me arsyetimin se heroin e njihnin më mirë se të tjerët, mik-prerësit-(dobroshët) kishin kërkuar dhe insistuar me këmbëngulje që personi i cili duhej të hynte i pari në derën e tyre, medoemos duhej të ishte Bajram Daklani.

Meqenëse Hamdi Zajmi i plagosur nuk mund të ecte, atë e bartnin mbi një vig dhe siç ishin marrë vesh, heroi printe duke mbajtur pjesën e përparme të vigut.

Ndaj, me të mbërritur para derës së prapme që lidhte oborrin me kopsht, e cila ishte e ngushtë dhe përmes saj nuk mund të kalonte më tepër se një njeri, ai lëshoi vigun për të hapë ngadalë derën.

Por, me tu futur vetëm me gjysmën e trupit të vet brenda oborrit, që në përpjekjet e para për ta vendosur derën si duhet, pa i dhënë kohë as të ulej e kapte vigun, nga kulla e Dobroshëve, fare papritur-flakërojnë si rrufeja, krismat kobzeza të pushkës së tradhtisë.

Dhe, si të porositura enkas për të, ato qëllojnë vetëm mbi trupin shtatlartë të heroit, duke shpuar tej për tej, gjoksin e tij prej luani dhe lënë në vend të vdekur udhëheqësin e sa e sa kryengritjeve kombëtare, Bajram Daklanin.

Lajmi i kobshëm goditi si vetëtima, mbi mbarë kombin shqiptar.

Për herë të parë në këtë vend, u shkelën parimet shekullore të Besës shqiptare, u përdhos çdo premtim i dhënë, zhgënjyen marrëveshjet hileqare dhe kthyen në tradhti, krejt garancitë e dyshimta për siguri, të kamufluara rrejshëm me “Be e Rrëfe” mashtruese nga “dobroshët”.

Pa-prit e pa kujtua, ndodhi edhe në një skaj të Hasit, ajo që nuk do duhej dhe që nuk kishte ndodhur kurrë deri atëherë në këto troje.

Në Rogovë, nga njerëz të pa soj, u pre në Besë një Hero dhe shua me tradhti edhe një pushkë e lirisë dhe shpresës së shqiptarëve nën robëri.

Nga ajo ditë, jo vetëm u zhgënjyen, por dhe dëshpëruan “për të hy të gjallë në dhe” të gjithë banorët hasjan.

Aty u thye tradita qindravjeçare e mikpritjes hasjane, lartësuar kudo e ngado që flitet e jetohet shqip dhe vra prapa shpine nga Besë-prerësit e pështirë njëri nga heronjtë më të shquar shqiptar.

Njerëz të shitur të këtij fshati futën metodën më të urryer të likuidimit të patriotëve të dëshmuar edhe në këto troje dhe thyen Besën, e cila për shekuj me radhë, mbeti e veçantë, u ruajt me nostalgji dhe përcoll me fanatizëm brez pas brezi, si përbetim i paprekshëm kombëtar në Has.

Ndaj, precedenti i vrasjes me tradhti të heroit Bajram Daklani, si luftëtari më besnik i Shqipërisë Etnike, Flamur-ngritësi i Luftës së Përgjithshme për çlirim si dhe njëri nga patriotët më të shquar të rajonit dhe kombit tonë, bëri që në të gjithë fshatrat e kësaj treve, të përhapej fjala, se me atë ditë- Rogova e prishi Hasin!.

Madje, mbetet tejet karakteristik fakti se, qëkur u pre në Besë Bajram Daklani nga “Dobroshët”, shprehja “Rogova e ka prish Hasin” u bë damka më dëshpëruese popullore në këto anë.

Është mjaft enigmatike vrasja e Bajram Daklanit dhe tentim vrasja e grupit të Hamdi Zajmit, thotë nipi i Hamdiut Naim Zajmi në një koment të tij. Pse Dobroshi gjuan pa paralajmërim kur e dinte se atë nate do të vinin mysafirët me Bajram Daklanin, citon komentin e kushëririt të tij-Naimit, profesori i historisë, z. Agim Zajmi, nga Tirana

Kurse për vrasjen pa paralajmërim të Bajram Daklanit nga familja Dobroshi ,dr. Shkëlzen Zajmi, specialist i rëntgenologjisë në Gjakovë, shton se paraardhësit e tij dhe gjithë familjes Zajmi, nuk e falën gjakun e heroit, madje vrasjen e tij, e konsideruan si prerje në Besë, dhe për këtë shkak, me familjen Dobroshi do të ngelnin, për dhjetëra vite të gjakësuara ndërmjet veti.

Sipas tij, vetëm në vitin 1939, Hysni Zajmi, në emër të pajtimit kombëtar, me rastin e agresionit të fashizmit italian mbi Shqipërinë, fali kokë më vete dhe pa konsultim me familjen e vet, gjakun e këtij Flamurtari gjithëkombëtar.

Zhdukja e eshtrave të heroit

Pas vrasjes së Bajram Daklanit, nga hidhërimi edhe pse natë e dimër i ftohtë, askush nga pjesëtarët e çetës së tij, nuk do të hynte më në shtëpinë e “dobroshëve”.

Bashkëluftëtarët e mbetur të Bajram Daklanit, Hamdiun e plagosur do ta dërgonin në Kullën e familjes Zajmi në fshatin Fshej,ku ata kishin edhe tokat e veta, kurse kufomën e Bajram Daklanit, në drejtim të fshatrave të Hasit, afër kufirit shqiptaro-shqiptar.

Sado që sot, me saktësi të plotë, nuk mund të thuhet, pasi që tash e atëherë, siç dihet edhe eshtrat e heroit janë zhdukur, sipas asaj që pasardhësit e familjes Zajmi kanë mund të marrin vesh, dhe fjalëve të dëgjuara nga njerëzit e vjetër të këtyre anëve, Bajram Daklani, do të varrosej rreth një kilometër larg rrugës kryesore që lidh fshatrat e Hasit, dhe pikës prej ku ndanë rruga transite e njohur si “Rruga e Demjanit”, besohet në anën e majtë të saj, të mbuluar me drunjë të vegjël, vend në afërsi të të cilit edhe sot ka varreza.

Megjithëse varrimi i heroit u krye në fshehtësi të madhe dhe nën errësirën e thellë të natës, në mënyrë që vendi ku ai prehej në amshim, të mos binte në sy të armikut, të vetëdijshëm se pushtuesi dhe shërbëtorët e tij,as për së vdekuri nuk do ta linin të pushonte i qetë, siç duket pa kaluar shumë kohë, mercenarët e Gani beg Kryeziut, do ta hetonin vendin e varrimit të tij,dhe për ta vrarë edhe një herë për së vdekuri, ata vepruan njëjtë me heroin, siç veproi edhe Serbia me të rënët për liri dhe çlirim të Kosovës, duke bërë edhe këta zhvarrosjen e kufomës dhe zhdukjen e përhershme të eshtrave të Bajram Daklanit.

Dimri i gjatë dhe rënia e herë pas hershme e borës, do tu ndihmonte tradhtarëve, ta zhvarrosnin trupin e pajetë të këtij udhëheqësi të shquar kombëtar dhe gati pa u hetuar, me dheun e shprishur dhe grumbullimin e borës, të ngrinin në atë vend, një si varr të improvizuar.

Me shkrirjen e borës dhe arritjen e Pranverës, edhe dheu i shprishur do të njëjtësohej me tokën përreth, kështu që përveç zhdukjes së eshtrave, do të shuheshin përgjithmonë edhe gjurmët e varrit të tij.

Nga atëherë, megjithëse kushedi sa bashkëluftëtar dhe dashamirë të heroit, më kot kanë kërkuar dhe provuar pareshtur ta gjenin vendin ku pushonin eshtrat e këtij trimi, por deri më tani, thuhet se nuk u gjet asnjë gjurmë e trupit të Bajram Daklanit.

Kështu dhe në këtë mënyrë, hapat e këtij burri, ndaluan përgjithmonë më 3 shkurt të vitit 1923,nga plumbat e tradhtisë, duke rënë për të mos vdekur kurrë, në kohën kur mosha e tij, nuk kishte arrit as në të 50-t, e jetës dhe pritej të bënte ende shumë për lirinë e atdheut dhe popullin e robëruar shqiptar.

Në Rogovë, ai do të vritej mizorisht, jo nga serbët as Serbia, por nga shqiptarët e shitur dhe tradhtarët e kombit, të cilët atëherë dhe sot, sikur ende janë me bollëk, aty dhe vendet tjera kudo.

Madje ata sikur vazhdojnë edhe më teje ta mbajnë çështjen e heroit si çështje “konfidenciale” të tyre, dhe, edhe pas kaq vitesh të kaluara, përkujdesen me fanatizëm që ende të mos gjenden as eshtrat e tij.

Renegatët, nuk u mjaftuan me shuarjen e këtij prijësi të shquar, që pati Kosova dhe Shqipëria etnike, por thyen të gjitha tabut, duke bërë të "pa-bërën" deri atëherë, dhe zhdukë përgjithmonë, pa shenj as gjurmë edhe trupin e këtij personaliteti -historikisht të dëshmuar dhe institucionalisht nga më meritorët, të vlerësuar me mirënjohjen më të lartë kombëtare edhe nga Shteti Shqiptar

Dekorimi i Bajram Daklanit

Hero, sikur ishte i lindur pikërisht për ngjarje të mëdha e mote të vështira dhe periudhat më të rëndësishme historike, nëpër të cilat, pothuajse e gjithë elita kombëtare u dashtë të kalonte, për sigurimin e mbijetesës së popullit tonë dhe ekzistencën mbarëkombëtare të shqiptarëve

Lufta dhe kontributi i gjithanshëm atdhetar i Bajram Daklanit në momentet më vendimtare për trojet tona etnike, bënë që ai si prijës i shquar kryengritjesh të pareshtura kombëtare, të nderohej me medaljen më të lart të Atdheut, si dhe emri i tij, të shkruhej me germa të arta në lartësitë kulmore të Historisë së Popullit Shqiptar.

Edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër,që përkundër shpalljes së Pavarësisë kombëtare, Kosovën, Çamërinë dhe viset e tjera etnike, pa të drejtë, i lanë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, falë burrave si Bajram Daklani, përpjekjet historike shqiptare të nisura, që nga Lidhja e Prizrenit, nuk u ndalën por vazhduan.

Ai dhe idealistët kombëtar të kohës, mbetën gjithmonë heronj dhe kryengritës të pa-nënshtruar, të cilët luftuan me vendosmëri, si për ruajtjen e tokave të shtetit të pavarur, ashtu edhe për çlirimin e Kosovës e trojeve tjera shqiptare nga pushtimet e huaja dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Për këto dhe shumë bëma të tjera heroike të tij, me rastin e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, më 23 nëntor të vitit 2012,me motivacion:"Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe Pavarësi Kombëtare" në periudhat më të vështira të historisë së fundshekullit XIX, dhe mbi dy dekada të fillimshekullit XX, heroi i kombit-Bajram Daklani, u dekorua në mënyrë të merituar me medaljen më të lartë që jep Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë.

Sado që heroi ynë, nuk kishte as fëmijë dhe rriti vetëm një vajzë, edhe atë të falur nga i vëllai Emini, sa për ta thirrur edhe atë dikush “baba”, Bajram Daklani megjithëse pa trashëgimtar, i cili do të mund ta vazhdonte rrugën e tij patriotike, si atdhetar i flakët dhe kryengritës stoik që ishte, dha gjithçka që pati dhe që nga vitet më të hershme të rinisë,luftoi me pushkë në dorë, duke sakrifikuar edhe jetën për liri e bashkim kombëtar, deri në momentin që u vra me tradhti.

Vepra e tij, madhëroi përpjekjet e të gjithë shqiptarëve dhe ngriti e lartësoi kudo, kryengritjet popullore për liri e çlirim si vlerën më të çmuar kombëtare.

Shkëlqimi i emrit të heroit Bajram Daklani, arriti piedestalin e rrezatimit dhe kthye në legjendë atdhetarizmi, që nga momenti historik i 12 gushtit të vitit 1912,kur ai i pari- ngriti me krenari, Flamurin Kombëtar, në Shkupin e çliruar.

Sakrificat e tij për Flamur dhe çështjen Kombëtare, nuk mbaruan këtu.

Atdhedashuria dhe respekti i pakufishëm i heroit ndaj Flamurit Kombëtar, u dëshmuan edhe më 24 korrik të vitit 1919, në betejën e njohur të Vaut të Spasit, kur ai me vetëm 10 bashkëluftëtar të çetës së tij, luftuan heroikisht me një ushtri të tërë pushtuese, duke mos e dorëzuar pikën që mbanin as hequr për asnjë çmim, Flamurit e ngritur Kombëtar, që për ta ishte më i shtrenjtë se vet jeta e tyre.

Këto dhe shumë vepra të tjera atdhetarie, të cilat është e pamundur të numërohen dhe përfshihen të gjitha, në vetëm një shkrim, bënë që vendimi i "Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, për dekorimin e Bajram Daklanit, të mbetet vërtet një ndër veprimet më të qëlluara që mund të jenë bërë kohët e fundit, në historinë më të re shqiptare.

Sot e atëherë, trojet tona etnike, sikur janë përmalluar shumë, të kenë në gjirin e tyre, të paktën edhe një herë burra të tillë dhe personalitete si ato të Rilindjes Kombëtare, atdhedashës si ata të periudhave të; para e pas Pavarësis së Shqipërisë, të cilët ishin figurat më të ndritshme patriotike, të merituara në shkallën sipërore për dekorimet më të çmuara, jo vetëm në 100 vjetorë-pavarësie.

Ata bënë që populli ynë nga një popull i shtypur dhe i nënshtruar për shumë shekuj, të cilit intenzivisht i refuzohej emri, vazhdonte ti mohohej identiteti etnik dhe kërcënoheshin me zhbërje hapësirat territoriale nga pushtuesit më të egër, të mbijetojë, ngritët e ndërgjegjësohet si komb i njëmendët, dhe rreshtohet mes kombeve të nderuara të Evropës.

Pa personalitetet legjendare si Bajram Daklani nuk mund të ishte e tillë e bujshme dhe heroike, as historia jonë kombëtare.

Emri dhe vepra e tij e përndritësuar, u kthyen përjetësisht në dëshminë më të ndritshme të heroizmit mbarëkombëtar.

Ndaj, është koha e fundit që edhe pasardhësit e atyre të cilët patën dorë në vrasjen dhe zhdukjen mizore të trupit të këtij heroi kaq sublim, ti kujtohen mallkimit të historisë e cila nuk harron dhe përfundimisht të reflektojnë, duke treguar anën e tyre njerëzore, dhe ndihmuar në gjetjen e eshtrave të këtij Burri të Kombit ,në mënyrë që ato të rivarrosen në vendin e merituar.

Të vendosen aty ku thuren legjendat për heroin, dhe pranë tyre të ngritët një lapidar lavdie, kushtuar Bajram Daklanit, para të cilit të gjithë dashamirët e luftës kombëtare dhe përpjekjeve për liri, do ti bënin nderimet më të mira dhe shprehnin mirënjohjen e pafund, për shqiptarizmin e çiltër dhe veprën e tij madhështore.

Këtij Burri i mbeti borxh shteti dhe shoqëria, patriotët, intelektualët, dashamirët e atdheut dhe pasardhësit, sado të largët qofshin ata, të cilët të "mbuluar" nga hija e bijve të atyre që vranë heroin dhe zhdukën gjurmët fizike të tij, formave të ndryshme të korruptimit, ndikimit të "akraballakut" apo edhe influencës direkte, heshtën të gjithë, edhe ata që nuk do duhej.

Heshtën edhe ata që nuk do duhej dhe heshtën pa të drejtë. Heshti edhe vet historia, pa arsye dhe sqarim.

Ndaj, për heroin u shkrua aq pak, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm në kontest ngjarjesh e personalitetesh të tjera historike, duke u përmendur aty-këtu kalimthi dhe vetëm me dy-tri fjalë apo ndonjë fjali të shkurtër, vendosur ndërmjet rreshtash, të cilat paraqesin pjesërisht, por nuk mund ta pasqyrojnë as për së afërmi gjithë kontributin e madh dhe veprën e tij të bujshme kombëtare.

Megjithëse historia e jetës dhe veprës së Bajram Daklanit, deri më tani nuk është studiuar e shtjelluar në mënyrë të mjaftueshme dhe fatkeqësisht e kaluara e bujshme e bëmave të mëdha të tij, ende shpjegohet vetëm sipërfaqësisht, cekët dhe si një kronikë e pa-sistemuar sa e si duhet, e cila vijon të paraqitet edhe më tej zbehtë, pjesërisht e me shkëputje të herëpashershme, deshi apo s`deshi dikush, që moti është e njohur botërisht, se ky ithtar i flakët i çështjes Shqiptare dhe luftëtar besnik i Shqipërisë Etnike, ishte dhe mbetet, njëri ndër personalitetet më të shquara të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.

Emri i tij, përkundër heshtjes së pashpjeguar dhe tendencave të pareshtura për hijezim, nga kushdo qoftë, pa përjashtuar ata që vijojnë të kenë frikë edhe sot, se mund të turpërohen publikisht ,për mizoritë që të parët e tyre i bënë jetës dhe trupit të heroit, duke zhdukur edhe eshtrat e tij dhe lënë atë edhe pa varr, Bajram Daklani me përpjekjet e dëshmuara mbinjerëzore, shpërtheu si feniksi mbi të gjitha barrierat dhe u ngrit lartë në piedestal të historisë, si njëri nga udhëheqësit më sublim të kohës dhe luftëtar i pazëvendësueshëm motesh e ëndrrash lirie për të gjithë shqiptarët.

Heroi-emblematik, i përjetësimit të Flamur-ngritjes Kombëtare, qysh atëherë, vijon me krenari, të shpalos para brezave argumentet e pashtershme të historisë dhe kryengritjeve të pareshtura gjithëshqiptare për çlirim, si dhe përçoj me kompetencë e besnikëri të plotë, para Botës liridashëse, kronikat e pafundme të atdhetarisë autentike, si shembull i patriotizmit më të ndritshëm për bashkëkombësit kudo, të cilat falë edhe veprës madhore të tij, përjetësisht ngritin popullin shqiptar, tash e përgjithmonë, në piedestalin e lavdisë.

P.S. Falënderojë përzemërsisht profesorin e historisë z. Agim Zajmi nga Tirana, si dhe dr. Shkëlzen Zajmin nga Gjakova, për fotografitë dhe të dëshmitë e ofruara.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora