Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Precedenti i kockës

| E diele, 12.03.2017, 11:04 AM |


Precedenti i kockës

Këtu kemi qenë dhe i kemi parë (të dyja palët) se si kanë abuzuar…

Nga Vangjush Saro

Veting. Peticion. Dorëheqje. Votë. Vlerë. Fjalë të mëdha! Por në fakt, çështja vërtitet rreth një kocke. Për një të tillë, dikush, në Shqipëri e përqark saj, bën si i marrë. Ka bërë dhe bën si i marrë. Ndërron partinë, shkon e vjen nëpër vija politike si lolo, këlthet e buçet gjoja në emër të “demokracisë”. Në të vërtetë, siç e thashë, i gjithë mundimi shkon për një kockë. Kocka është puna, prona, abuzimi, afërsia, pushteti, dekorata, besimi. Pasi që i ke pasur njëherë këto, apo fundja sot nuk ke asgjë dhe do të kesh diçka, atëherë shikon përqark; për ndonjë kockë.

Kjo është një provë e vështirë. Ka që e kalojnë duke përtypur ndër dhëmbë problemet ekonomike dhe vështirësitë e jetës, jo pa e ngritur zërin, absolutisht jo, përkundrazi. Kush fle, humbet jetën. Por jo zhurmë e tallava në emër të kockës. Ka shumë që nuk e përballojnë dot presionin e saj dhe vrapojnë pas berihajt, të dalë ku të dalë. (Shpresoj, lexuesi e dallon shumë mirë çfarë do të thotë të kërkosh të drejtën tënde për punë dhe jetë normale e çfarë është të shikosh ëndrra me kocka.)

E vërteta është që politikanë, profesorë, gazetarë, por edhe njerëz pa kurrfarë emri, kohë e pa kohë, turren atje ku është kocka. Dhe ndërkaq, zhurmën e bëjnë të madhe e kumbuese, por në një tjetër adresë, ideal, qëllim… Ku ku(!) për ne! Mirë është t’i ulin ca veshët dhe të mos ulërijnë vend e pa vend për demokraci e votë, “të përvëluar” për votë; e dimë shumë mirë që prapë te kocka e kanë mendjen. Këtu kemi qenë dhe i kemi parë (të dyja palët) se si kanë abuzuar me pushtetin, duke mashtruar, duke djegur gazeta, duke rrahur qytetarë, duke vjedhur e duke vrarë. Ka shumë pakënaqësi sot, është e dukshme. “Përndjekja! E gjithë historia e botës është e mbushur me të...” (Xh. Xhojs) Por edhe bërtitësit e sotëm, duke mbajtur si flamur fjalën reformë, hiqnin nga puna edhe pastrueset e shkollave. Dhe i mbushnin, institucionet dhe gjithë vendet e mundshme, me militantë. Për një copë kockë, nuk kursenin as të vetët. (Kështu, kujtoj, hoqën nga puna, edhe pse familja e tij votonte për PD-në, shoferin, te Dhomat e Tregtisë, ku unë punoja deri në vitin 2010, (përpara se për punë shkrimesh, të më hidhnin edhe mua në rrugë, ku jam ende, pas çdo pushteti; anipse më ndihmoi disi fati im vetiak, familjar)).

Është një temë e hidhur, e di. Për një kockë, domethënë për prona e tituj - kurse pjesa më e nënshtruar për shkak të frikës dhe mjerimit - shqiptarët ndërruan fenë ca shekuj më parë. Nuk e dimë si dhe pse popujt e tjerë (grekët, bullgarët, rumunët, etj.) nuk e bënë këtë ose e bënë pjesërisht. Kjo dukuri, më kujton një shkrim të I. Kadaresë për një kështjellë të mirëmbajtur diku në një vend skandinav, dhe ku pyetjes së autorit se si e kishin mbajtur aq mirë atë kështjellë, shoqëruesi i qe përgjigjur: “Me bisedime”. Nuk dua dhe nuk duhet të paragjykojmë një periudhë aq të vështirë për ne, ndoshta ndër më të rëndat gjatë gjithë historisë, por gjithsesi, nuk duhet të druhemi të nënvizojm në këtë “tekst të dhimbshëm” ndonjë gjë që mund të na ndihmojë të lexojmë më qartë.

Nuk mund ta përmendim precedentin e kockës për një sërë nacionalistë të dekadave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Është e vërtetë që bashkëpunuan me gjermanët, por në këtë rast nuk ishte fjala për një gjë dosido. E di, disa prej tyre u ngallosën, bënë edhe krime; por, në tërësinë e idealit dhe të mendjes, ishte bashkimi i Shqipërisë, çka u realizua vetëm për një kohë të shkurtër. (S’e kam fjalën për xhelatë, por për mendimtarë.) Më tej, nuk dua t’ju jap mend historianëve, ca më pak nuk dua t’u ndërroj mendjen fanatikëve dhe historianëve amatorë; thjesht mendoj që çfarë thashë më lart, është e drejtë. Dhe dikur, më në fund, duhet të mësohemi ta shikojmë historinë, letërsinë, gjuhën, pasurinë, vlerat, gjithçka që gjithsesi është e jona, në mënyrë të paanshme dhe pa paragjykime.

Për një kockë, u bë shumë zhurmë edhe gjatë dekadave të Socializmit. Nuk iu heq asgjë atyre që kam shkruar në lidhje me punën ndërtimtare të rinisë, të punonjësve, të të burgosurve dhe të përndjekurve, punë që e ndryshoi Shqipërinë, e bëri me hidrocentrale, rrugë dhe hekurudha (që tani kemi dëshirë t’i shkatërrojmë e të mos funksionojnë më). Po ashtu, nuk iu luaj asnjë presje fjalëve kundër përndjekjeve dhe izolimit të vendit, sikundër vlerësoj të ashtuquajturën luftë kundër zakoneve prapanike. Por kocka ishte një lojë e hapur në atë rregjim. Shumëkush madje, u mësua që atëherë me kockën dhe vazhdon ta lëpijë edhe sot e gjithë ditën. Ja pse ende jemi në zgrip e në prapambetje.

Konflikti i tanishëm, sipas meje, ka në themel jo vetëm moskuptime e kundështi sa i takon shtetit dhe jetës, demokracisë dhe zgjedhjeve, vetingut dhe termave të tjera gjithaq të vështira e për të cilat ka dhënë ndihmesën dhe ka përgjegjësinë e vet edhe opozita. Por më së pari, në këtë konflikt, shfaqet sërish precedenti i kockës; pra lufta për pushtet, sigurimi i mirëqenies dhe pasurive të grabitura, mbrojtja nga çdo e papritur civile, etj. Mirëpo ky konflikt zhvillohet në një sfond aspak mbështetës. Ne kemi ekperienca të hidhura nga konflikte të tilla, pas të cilave politikanët dhe fëmijët e tyre s’i gjeti gjë; por shkuan qindra e mijëra të tjerë të pafajshëm.

Nuk mund ta mohojmë, të gjithë jemi përpara një sërë hallesh; sepse, siç thoshte R. Kipling, “në xhungël gjithkush vuan”... Për më tepër, ka një ftohje të disa komuniteteve ndaj BE-së. Ka edhe një erë konfrontimesh në Ballkan. Mendoj se ne shqiptarët kemi qenë gjithnjë viktima të këtyre konflikteve, ftohjeve e nxehjeve, sa edhe përplasjeve të brendshme dhe, si ta themi ndryshe, jemi “të djegurit” e këtyre episodeve. Sot, na duhet një mirëkuptim, një konsensus. Ne nuk duam një paqe me zor. Ne nuk duam gjithashtu një pajtim të përciptë dhe që të kullojë vazhdimisht vrer; sidomos vrerin e së shkuarës. Por ne sot i kemi të gjitha mundësitë t’u tregojmë “kufirin te thana” ekstremistëve dhe kockaxhinjve. Pra, duhet ndërtuar një model tjetër, ai ku askush nuk shpreson për kocka…

Më duket se kërkova shumë. Megjithatë, çdo gjë e ka një fillim…