E premte, 19.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Alban Voka: Zëri i Kosovës

E shtune, 11.03.2017, 01:28 PM


ZËRI I KOSOVËS DHE BRISHTËSIA E EKUILIBRIT

Nga Alban Voka

Poezia është një ndjeshmëri hyjnore e shpirtit, përjetimi dhe përjetësimi i një çasti të veçantë. Poezia është ligjërimii dhe deshifrimi i shpirtit, një strukturë aq komplekse dhe magjike. Çdo fjalë kërkon të drejtën e shprehjes, në funksion të emocionit që vjen si një rrugëpërçues në drejtim të pasurisë shpirtërore, të cilësisë dhe sasisë së lekturimeve të përvetësuara gjatë kohës. Leximi i vargjeve të autorëve tjerë është një domosdoshmëri permanente për konturimin e një universi poetik.

Pas vëllimeve «Lot varresh», «Luajmë së bashku» dhe «Tregime kohore», Ilir Çabrati vjen para opinionit me një vëllim të ri poetik, me një ndjeshmëri të veçantë, me vargje që e joshin lexuesin që nga takimi i parë. Universi i vdekjes ndërlidhet me universin e jetës. Shpirti fluturon nganjëherë lart dhe nuk e sheh, dhe kur kthehet ka kundërmim yjesh. Iliri ka shpirt të florinjtë që tenton ta pasurojë botën shqiptare me vlera të reja letrare, tashmë i përkthyer edhe në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet. Në vazhdim po japim vlerësimet e poetit dhe esistit rumun Daniel Marian:

„Nga vjen poeti, është pyetja e parë që e parashtron çdo kritik letrar pasi i shijon poezitë e këtij libri. Ilir Çabrati vjen nga një gjeografi fiziko-letrare me një motiv të ri të cilin e ngre në simbol. Një soditje e dyfishur për depërtim në implikimin e ekzistencës, nuk i anashkalon shtigjet për kuptimin e jetës. Rinia e hershme, pjekuria apo mosha, mund të jenë njësoj të mira për të depërtuar në kotarin e llogarisë grafike, një kotar tejet i komplikuar, që na fton për definimin e vetëvetes. Sado e çuditshme që mund të duket, për guximin e përjetimit efektiv, nuk ke nevojë veçse për një ndjeshmëri të dukshme. Me siguri, kultura e këtij përjetimi deri në caqet e një vlere optime, përfitohet nëpërmjet përmasave që marshojnë drejt thellësisë së mendimit.

Kështusoj mund të themi për Ilir Çabratin, i cili vjen nga Kosova në gjuhën rumune falë përkthimeve briliante të poetit Baki Ymerit, dhe mund të shtojmë se në lulen e rinisë së tij, poeti është i pregaditur për magjinë e përmbushjeve ideatike përmes kultivimit të një lirizmi të guximshëm. Magjepsjen e jetës, së bashku me finalitetin e saj, e përqafon në të gjitha mënyrat e turbullimeve që ia shoqërojnë zemrën.

Duke e përçuar emocionin në spektrin e homologimit, mund të theksojmë se sekuencat e rezonancave jnë të kapshme, duke u nisur nga konkretja që parakalon nëpërmjet përpjekjeve të suksesshme dhe të qenësishme për një mëndje të kthjelltë: „Kambanat e qiellit/ Fërkuan rëndë retë/ Shiu ra mbi ne,/ E unë gjysmë i lagur/ Të mbaja në gji/ Kur ecje si një princeshë/ Unë si një karrocer i lodhur/ Me sandallat me lustra/ Jam përvuajtur shumë në pyetje/ Ishte një puthje tinëzare/ I një kusari të verbuar/ Që gjëmon dashuri klasike/ Shiu binte pëshpërimat e mia/ Gjëmonin por ti heshtje/ Mjegulla fillonte ta përpinte heshtjen/ E unë u ktheva me puthjen tënde” (Edhe sonte më puthe).

Një shkallë e re e vetëdijësimit prodhohet në ndërkohë, dhe është e zgjedhur për këtë ekspresion të determinuar dhe justifikuar në kuadrin e një „Dimensioni tjetër”: „Ata po më thërrasin/ Janë bërë figura/ Që mezi  i njoh,/ Kur ngrihen nga funeralet/ E tyre të vjetër/ E kërkojnë gjak/ E vdekje të reja./ Ata po mblidhen mbi/ Sheshin e nëntokës/ Kjo festë po përngjan/ Porsi martesa/ E shoqes sime të vjetër”. Kemi këtu, në një lidhje të kuptueshme, keqardhjen, revoltën, njëfarë mahnitjeje magjike të plasuar mbi krejt botën, atje ku poeti është subjekti i një eksperimenti në kufirin ndërmjet kësaj bote dhe botës tjetër.

Guxojmë të konsiderojmë një apogje të revelacionit ideatik dhe stilistik, të pashmangshëm, të “Vdekjes” mistike, të pakuptueshme e të papërfshirë në universin e mendimeve tona: “Ulërima e emrit femër/

Brohoritet lartë njerëzit/ Përpiqen të ndajnë pikëllimin e vdekjes,/ Laraska gjëmon me zërin e saj mistik/ Njerëzit përulen pranë të vdekurit/ Shpirti i tij lëvron thesarin e Dashurisë/ Pranë trupit të tij thithin gjakun/ Krimbat e gjarpinjtë me zile/ Truri i tij pushoj në vegimin/ E gjahut të insekteve/ Tingujt e dheut të pamëshirshëm/ Që bien mbi fizikun e kalbur,/ E fëmijët vërdallen si jetimë,/ Qaforen e mbaj për hirë të delikatesës/ Ngase jam rezident i të vdekurve”.

Shpjegim i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një kapërcim të furtunshëm dhe të etapizuar, por të vendosur nga njëri në qoshin tjetër, të një konstrukcioni, mënjanë të zbehtë, e në anën tjetër të qartë: “Këta janë shpirtra të trazuar/ Vazhdimisht urrejnë/ Përse ne jetojmë./ Ata që janë ndarë nga turma/ Fërkojnë dhëmbët/ Tregojnë gjëra/ Që shpirti me mëkate/ Vazhdon t’i vuajë mjerisht/ Nën diktatin e një fryme/ Përvëluese, po vdes./ Struktura nxit qenien/ Në një realitet të dytë/ Duke harruar/ Disa njerëz të gjallë/ E me hije vdekje/ Tani kam miq atje/ Pavarësisht fytyrave/ Të kalbura,/ Ata kanë shpirt të pastër”. (Tani më thërrasin)

Ndonëse testamentar, edhepse para kohe duket i përngutur, në konkluzion, poeti arrin ta shprehë dëshirën e tij, siç pat vepruar edhe Eminescu dikurë: “Kur të vdes mos bëni mëkat të më qani/ Ju lus mbi mua të hidhet balta e mbi baltë/ Të mbizotërojnë shkrimet gjurmë-gjurmë/ Mos i  thuani askujt për vdekjen time/ Heshtja le të mbizotërojë gjithandej/ Gjurmët të fillojnë të bëjn ecjet e tyre/ Mbi pyllin pa zhurmë e të vijnë/ Kronika të vazhdushme mbi të andejshmen/ E të mos ndihen gjurmët nëpër pyll fare.../ Mbi gurin mbi varr të shënohet freskët/ Emri im që ta kujtojnë për shumë vjet/ Ndër hijet e lisave do flej i qetë/ Mbi vizitën tuaj do të pushoj rehat” (Dëshira ime)

Po, por kjo nuk don të thotë se i thamë të gjitha ato që meriton t’i themi për këtë shpirt të ri e të ndjeshëm që e ngre vdekjen në simbol. Ma merr mendja se do pasojnë edhe kronika tjera briliante, ngase zëri i shqiptarit të Kosovës është i veçantë, dhe i denjë për ta pranuar, për ta lexuar dhe rilexuar.”



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora