E enjte, 25.04.2024, 02:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Ndërmjet kudhrës e çekanit

E shtune, 11.03.2017, 02:23 PM


NDËRMJET "KUDHRËS E ÇEKANIT"

Nga Ryzhdi Baloku

Pasi hymë në një rrugicë, u ndal e më tha:

- Po ma merr mendja se keni ikur nga katundi për shkak të luftës, a keni ndonjë akraba në Pejë.

- Jo vetëm që s'kam të afërm, por askënd se njoh në këtë qytet, - iu përgjigja pa ia sqaruar faktin se s'kemi ikur nga lufta, por nga masakrat që bënin forcat serbe ndaj civilëve të paarmatosur.

- Jetoj në pjesën e epërme të qytetit. Ngjitas me shtëpi, e kam një kuzhinë verore me banjë. Nëse ju konvenon, mund të banoni aty pa kompensim, derisa të qetësohet situata e të krijohen kushtet që të ktheheni në katund, - më tha ai.

***

Objektin përdhes në të cilin u vendosëm, i zoti i saj e kishte ngritur si aneks që përputhej natyrshëm anash shtëpisë së tij dykatëshe, arkitektura e të cilës ishte harmonizuar me kujdes në tërësinë e strukturës ndërtimore.

Pos simbiozës mes tyre dhe pamjes së bukur të kësaj tabloje, po ashtu bie në sy panorama mbresëlënëse e oborrit të rregulluar me rrugica kalldrëmi për veturë e këmbësorë, skaj të cilave shtrihen shtigjet e stolisura me lule të shumëllojshme, kurse buzë mureve rrethuese vargu i trëndafilave me aromë magjepse.

Pamjen e ballinës së këtij aneksi e zbukuron pjergulla e rrushit, nën të cilën qëndron veranda me karrige për pushim, ndërsa ngjitas përbri saj garazhi i veturës, dera e të cilit hapet e mbyllet nga largësia përmes pajisjeve digjitale.

Kjo kuzhinë verore, siç e quan i zoti i shtëpisë, është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për përgatitjen e ushqimit. Divanet qëndrojnë në të tri anët e saj, me përmasa të mjaftueshme për të fjetur në to e tërë familja ime. Ndërsa në banjë ka edhe makinë rrobalarëse, aq e nevojshme për një jetesë normale.

Kopshti që është mbrapa, ka një sipërfaqe prej rreth tre ari tokë të kultivuar me lloje të ndryshme pemësh, të cilin kur e sodis, ma përkujton pemishten time në katund.

Ndonëse deri tani nuk m'u dha rasti të shkeli në kopsht për të parë se çfarë ka matanë murit rrethues, megjithatë në mbrëmje kur qetësia e natës e pushton lagjen, nga oborri i shtëpisë arrij ta dëgjoj gurgullimën e lumit duke rrjedhur nëpër shtratin e vet, diku përtej në atë drejtim.

Gjatë ditës, nga dritarja e dhomës që e ka pamjen kah perëndimi, i shoh shkrepat e maleve në horizont sesi bashkohen me kuben e qiellit si një kompozim pikture e një bukurie të rrallë, të cilat sa herë i kundroj më sjellin nostalgji për vendlindjen time.

Përkundër peripecive të përjetuara deri më tash, falënderoj Zotin që në kohën e duhur na solli njeriun fisnik, për të na shpëtuar prej salvimeve të mëtejshme, që nuk dallojnë nga ato të kohës së kryqëzatave.

Që në ditën e parë gjatë bisedës me të, mora vesh se e kishte emrin Bamir, ndërsa lagjen e quanin Kapeshnicë, e cila shtrihet në anën perëndimore të lumit, që nga Ura e Zallit e deri në buzë të malit, ku ndoshta një e katërta apo e pesta e qytetarëve banojnë në këtë pjesë të qytetit.

Pas ardhjes këtu, kur fëmijët u shtrinë për të pushuar në divane, Bamiri na solli një tenxhere gjellë dhe bukë të grunjtë. Më vonë, kah mbrëmja, ende pa rënë terri, na kishte blerë edhe gjëra tjera ushqimore e higjienike. Pasi i rehatuam një nga një nëpër dollapë të gjithë artikujt me radhë, na tha:

- Tash e tutje, ushqimin duhet ta përgatisni vetë. Nesër kësmet, paradite do të shkojmë në selinë e Shoqatës Humanitare Bamirëse "Nënë Tereza", që të regjistroheni për të marrë ndihma.

Pas rreth një jave të qëndrimit këtu, i morëm ndihmat e para me artikuj të domosdoshëm ushqimorë dhe higjienikë.

Banorët e lagjes që i kemi përreth, na pranuan si të kishim jetuar prej vitesh me ta. Fqinjët filluan të na sjellin nga pak veshmbathje për fëmijë, e ndonjë send edhe për ne të tjerët. Gjërat që na i dhuruan i kishin përzgjedhur për të na plotësuar nevojat, ngase rrobat tona qenë dëmtuar gjatë arratisë.

Me kalimin e kohës, fillova t'i njihja njerëzit e këtij qyteti, sepse nganjëherë dilja në një kafene për t'u informuar për zhvillimet më të reja të lëvizjeve luftarake serbe, e po ashtu se mos po e takoja rrugës ndonjërin prej bashkëvendësve të mi, me të cilët kisha rrugëtuar nëpër tmerret e ferrit derisa arritëm këtu.

Ndonëse pushteti serb nuk e ka shpallur gjendjen e shtetrrethimit në formë zyrtare, çarshia dhe të gjithat dyqanet e lagjeve mbyllen në mesditë, ndërsa rrugët zbrazen tërësisht në çdo pasdite, si t'i kishte kapluar morti, nga frika e vrasjeve misterioze të cilat ndodhin herë pas here.

Edhe pse në qytet ende nuk ka luftime, atmosfera e tendosur ndjehet sikur të ishte para shpërthimit, me lëvizjet e shpeshta të njësive paramilitare serbe, të cilat zhurmojnë rrugëve përreth bulevardit, duke i dhënë bujë kthimit të tyre nga ekspeditat e krim-bërjes ndaj popullatës së paarmatosur shqiptare.

Zakonisht në mëngjeset e hershme fillojnë bastisjet e shtëpive të shqiptarëve nga policia serbe.

Derisa në këtë lagje shpeshherë kontrollohen shtëpitë me ndërhyrje të befasishme në kërkim të armëve dhe rrethohen rrugët e rrugicat, në anën tjetër pothuajse përnatë andej lumit, menjëherë pas muzgut të parë dëgjohen krismat e automatikëve, pushkëve, pistoletave, madje edhe të mitralozave, ngase e tërë popullata serbe e malazeze është armatosur me lloje të shumta armësh, nën pretekstin e mbrojtjes nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Krismat e këtyre armëve, në familjen time po i përjetojmë rëndë, e sidomos fëmijët, ngase vrasjet e civilëve të paarmatosur i kishim parë me sy, gjë që e dimë të gjithë se çfarë na pret, nëse ata na hyjnë në shtëpi.

Kafeneja ku shkoj nganjëherë, graviton në një rrugicë të shmangur për syrin e pushtetit. Paraditen e këtyre kohëve të zymta, por jo gjithmonë e kaloj aty, për ta takuar ndokënd. Më ka rastisur që në atë lokal t'i dëgjoj edhe bisedat e klientëve. Kryesisht në ato diskutime mbisundon mendimi se nuk e dëshirojnë konfliktin me serbë. Lufta "kushton shtrenjtë" për shqiptarët duarthatë, - thotë një pjesë e tyre. Disa nga ta e shprehin mendimin me fjalën e urtë "dy duar, për një krye". Të tjerët konsiderojnë se rezistencën për t'u mbrojtur duhet ta organizojnë me mençuri njerëzit e shkolluar që e njohin mirë doktrinën ushtarake, përndryshe do të pësojmë keq, - e potencojnë ata.

Përkundër gjendjes së tensionuar që po e krijon pushteti, në anën tjetër shqiptarët po gjejnë mënyra për ta organizuar jetën edhe në këto kushte okupimi.

Meqë në Kosovë, objektet e kulturës sikurse çdo gjë tjetër menaxhohen nga serbët, e që shfrytëzimi i tyre për shqiptarët është i ndaluar, veprimtarët tanë kanë gjetur forma alternative për mbarëvajtjen e frymës kombëtare.

Më ka rastisur të marr pjesë në shumë manifestime kulturore që po i organizojnë shoqatat e ndryshme të këtij qyteti.

Për promovimin e librave, zakonisht po shfrytëzohen kafenetë e padiktueshme nga pushteti. Deri me tash, në ambientin e kishës katolike janë shfaqur disa vepra të muzikës serioze e korale, ndërsa akademitë përkujtimore për dëshmorë e figura kombëtare, po mbahen në sallën e Bashkësisë Islame dhe nëpër disa xhami të qytetit.

Kam përshtypjen se krahas situatës së rëndë, jeta e banorëve në këtë qytet po ecën me zor, duke u kujdesur vazhdimisht që mos të jenë shkaktarë të ndonjë konflikti.

Kam pasur rast të shoh dasmë, kur nusja është marrë pa ceremoni gëzimi, e pa aheng. E kam parë skenën, kur polici i dehur serb ua shkelmonte bulmetin në pazar dhe i ndiqte njerëzit që tregtonin gjëra të imta në rrugë. Më ka rastisur t'i shoh djelmoshat serbë duke i provokuar vajzat shqiptare me fjalë të ulëta në prezencën e shokëve të tyre, e këta për t'iu shmangur konfliktit nuk ua kthenin asnjë fjalë. E çfarë tjetër s'kam parë nga këto provokime serbe, medet!

Sipas perceptimit tim lidhur me rrjedhat e ngjarjeve të cilat po i shoh nga prizmi i përvojës që kam, logjika ma thotë se pushteti serb është duke punuar njëkohësisht në dy kahe për t'i shtypur shqiptarët si hekurin ndërmjet "kudhrës e çekanit", e opinioni i jashtëm mos ta vërejë këtë qëllim. Në njërën anë, mjetet informimit i ka shndërruar në institucione qeveritare të propagandës për njollosjen e UÇK-ës si grupe terroristësh, të cilët kinse po e cenojnë qetësinë e vendit, e në anën tjetër policia sekrete e tyre ka filluar ta përgatisë terrenin psikologjik, që ta nxisë apo inskenojë ndonjë incident ndëretnik, si shkak për t'ia nisur vrasjeve në përmasa kolektive të shqiptarëve edhe nëpër qytete, me motivacion të mbrojtjes së popullatës serbe.

Që mos të pësojnë shqiptarët ashtu siç po e dëshiron regjimi i Millosheviçit, strukturat partiake po kujdesen që të ruhet kjo paqe e brishtë, por koha do ta dëshmojë se deri kur dhe në çfarë përmasash do të mund të arrihet ky qëllim?!

Fragment nga romani që është në proces, me titull:

SHËNIMET E NJË TË PANJOHURI



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora