Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shehu: Bibë Lleshaj, 1 ndër themeluesit e arsimit

| E diele, 05.03.2017, 10:39 AM |


BIBË GJET LLESHAJ, NJË NDËR THEMELUESIT E ARSIMIT NË MIRDITË

Me rastin e 7 Marsit

Nga Qazim Shehu

Ndërsa po lexoja disa vargje të Gjovalin Filopatit:”Dielli rrezet mbi tokë lëshon/male , fusha i ndriçon/Lind Bibë Gjet Lleshaj në Prosek/një jetë duke u përpjek/punëtor e mendjehollë/gjithë fëmijëve u dha shkollë…”Janë vargje të thjeshta të një rapsodi i cili përjetëson me fjalë zemre portretin e një njeriu të mirë që nuk është më, të një njeriu, arsimtar, punëtori të dijes dhe që ka lënë mbresa të pashlyeshme tek ish nxënësit e tij, tek bashkëfshatarët dhe të gjithë njerëzit që e njohën. Sot shkolla e Prosekut mban emrin e tij, një meritë që vjen prej asaj pune kolosale  në kushte të vështira,  po me një optimizëm dhe dinamizëm të madh.

Ndrec Ndue Gjoka është një emër të cilin e njohim të gjithë , por të mos harrojmë se si ai ishin me dhjetra ata arsimtarë që luftuan me fanatizmin e kohës, që çanë në stuhi e borë për t`iu gjendur pranë vogëlushëve, që detyrën e arsimtarit nuk e quajtën thjesht një çështje profesionale e profesion,  por më së shumti një ideal fisnik në luftë kundër prapambetjes dhe errësirës së kohës. Një ndër ta , padyshim është edhe Bibë Gjet Lleshaj, një dijedashës i nderuar dhe për të cilin ia vlen të ndalet e mund të thuhen fjalë miradije në një kohëhapësirë të caktuar,  po edhe në kontekstin e sotëm, kur na duhet të vlerësojmë pishtarët e fjalës,  ata që me devocion dhe dashuri dhanë maksimumin dhe përgatitën gjenerata të tëra në luftë të përhershme me mungesaat që sillte koha si rezultat i kushteve të caktuara socialhistorike dhe që , sot mund të duken si përrallë.

Po kush ishte Bibë Gjet LLeshaj;shumë janë shprehur dhe sjellin kujtime për të, ai ishte një ndër të aktivizuarit në fushën e arsimit prej Ndrec Ndue Gjokës, i cili jo vetëm justifikoi besimin ndaj tij,  po këtë besim e madhëroi përmes një pune titanike me përkushtim prometean gjithnjë në kushte objektive të caktuara. Mbasi mbaron shkolën fillore në Prelat  vazhdon Internatin e Burrelit, sot kjo shkollë barazohet me arsimin e mesëm. Përfytyrojmë një ambient shkolle të asaj kohe. Një shtëpi me dërrasa, pa banka, ku nxënësit uleshin përtokë, dërrasa e zezë lyhej me gëlqere të bardhë,  ndërsa shkruhej mbi të me thëngjill. Fletorja pritej dy apo tre pjesë. Libra nuk kishte, një në dy tre nxënës, po atëhere libri ishte I shenjtë,  sepse etja e dijes ishte e madhe, dhe për mësuesin e fjalën e tij kishte një respekt fetar. Ndrec Ndue Gjoka organizon në Shënpal një seminar duke dhënë udhëzimet për mësuesit e rinj;ndërsa Biba hap shkollën e parë në Prosek duke grumbulluar 12-13 fëmijë si fillim. Ishte viti 1945. Gjithkush që ka lexuar , apo ka kuriozitetin e nevojshëm për ta njohur atë kohë, larg çdo interpretimi dashakeq, mëson  dhe nuk ka sesi të mos ndjejë respektin e nevojshëm për këta idhujtarë të heshtur të dijes që u mësonin nxënësve germat e para , aritmetikë, histori,  duke u folur mbi Gjergj Kastriotin, Ismail qemalin e heronjtë e kombit;gjeografi; e plot njohuri të tjera të cilat mbillnin në mendjet e bvogëlushëve një shpresë për ta parë botën më ndryshe , më të bukur. Bibë Gjet LLeshaj ishte njëri nga këta misionarë dhe idhulltar i dijes I cili me kohën kishte një raport të caktuar që ndërtohej dhe përshpejtohej nga vullneti  për të ecur përpara dhe për të dhënë kontributin e caktuar,  të nevojshëm për gjithë ato që thamë më lart. I biri i tij,  Anton LLeshaj, avokat i shquar,  një nga kanditatët potencialë pëqr Avokatin e Popullit, ai rrëfen fare mirë për atë kohë duke sjellë edhe dëshmi autentike të saj,  të cilat mund të përmblidhen në një krenari të ligjshme të fëmijës për prindin e tij që  nocionin e arsimimit tek fëmijët nuk e pa deri në një stad të caktuar,  po për të ecur dhe për të shkuar më tej, sepse dija nuk ka fund. Naimi thoshte:”Dhe dritë e dtiurisë përpara do na shpjerë/përpara drjet lirisë…”Nëse në atë kohë flittej dhe propagandohej një liri që herë herë jetësohej në fantazinë e një demagogjie false, do të shohim se liria për të ditur nuk mund të kalonte në gjykimin dhe trajtesat e ndryshme të bisedave për sistemin shoqëror apo gjërat që nuk shkonin.

Bibë Gjet LLeshaj u martua me Bardhe Ndue Prengën nga sojniku i Gjomarkajve Orosh. Ndue Prenga pushkatohet nga sistemi diktatorial. Ndërsa xhaxhai i Bardhës dhe motra  janë dëshmore të atdheut. Një çështje e koklavitur kjo, një thikë me dy presa që mund ta marrësh si të duash, mjafton këndvështrimi apo syri dashamirës a dashakeq. Lufta e klasave , sidomos në një zonë nacionaliste konservatore, siç ishte Mirdita e cila ruajti në shekuj fenë dhe genin e paprekur shqiptar, këtu duhej të ishte më e fortë, njerëzit ishin njerëz donin të shkolloheshin, të arsimonin dhe të gjenin mundësitë për të jetuar apo për të përmirësuar sadopak kushtet e jetesës. Bibë Gjet lleshaj, i zgjuar, si çdo mirditor, arriti që të vendoste një drejtpeshore në vetvete, ai kuptoi se përballë përbindshit të luftës së klasave duhej të rrinte syçelët dhe të përgjonte çdo lëvizje të tij , në mënyrë që t`i ruhej instikteit të hakmarrjes primitive që zotëronte ky përbindësh i gatuar nga një ideologji vrastare dhe selektive. Nëse vetë ai mund të shkonte viktimë, të paktën duheshin ruajtur fëmijtë, të cilët ishin të shkëlqyer mnë mësime , ndërsa nuk ka dhimbje më të madhe për një prind që nuk mundet që fëmijëve t`u japë udhë. Mbi të gjitha,  u kishte dhënë edukatën e punës,  po a mjaftonte vetëm kjo?Kështu,  në përpjekjet e vazhdueshme për t`i shpëtuar Ciklopit të Luftës së klasave, ashtu si Odiseu që futet poshteë dashit, ai nuk gjen ndonjë modifikim zgjuarsie , po së paku nuk duhet të përzihet. Dhe kështu fëmijtë e tij mbaruan shkollën për juristë, ekonomi mjekësi etj.

Mbasi kreu shërbimmin ushtarak ai kthehet të vazhdojë punën , po nuk mund të punojë dhe kjo nuk është pak. Arsyet dihen,  ai ishte dhëndërr tejk një familje “reaksionare”, e cila kështu etiketohej në atë kohë edhe pse kontributi patriotik i saj ishte i pamohueshëm. Biba punon në punë të ndryshme: në SMT,  llogaritar brigade, furnitor në ndërmarrje të ndryshme të rrethit duke punuar me përkushtim,  devocion dhe korrektesë maksimale,  sepse ishte në survejim.

Gjithë ky kuadrat plotësues në jetën e tij nuk mund të ndahet nga një brengë që ai e ka pasur në ato vite për detyrën dhe profesionin e asrimtarit, brengë që e ka natyrshëm çdo profesionist i zoti dhe me talent, po duhet kuptuar nëse zbresim në kohë, se rrethanat social -historike nuk mund të vijnë siç i do, as mund t`i tjetërsosh, kamuflosh dhe t`u japësh kahun e një vullneti të drejtuar në dobinë tënde. Rrethanat atëhere ishin tejmase objektive dhe nuk e pranonin asnjë ndërhyrje subjektive. Ky ishte realitet i  ashpër i atyre viteve, po një realitet domethënës dhe dramatik. Megjithatë kontributi i tij në arsimin e Mirditës dhe Prosekut nuk u harrua, ai është kontribut që vjen në këtë 7 Mars me një simbolikë të caktuar dhe  në idenevojën se sa herë vjen kjo festë e madhe , gjithnjë krahas arritjeve apo mosarritjeve na duhet të nderojmë gjithë ata njerëz të thjeshtë, figura që shkrinë jetën e tyre për arsimin shqiptar. Shumë bashkëkohës si :Ndue Dodbiba, Bibë Filopati, Pjetër Brozi, Vokërr Valteri,  flasin dhe shprehin konsideracionet përmes fjalës së zemrës për këtë njeri të mirë, mësues të zotin  i cili hapi shkollën e parë në Prosek. Të gjithë kujtimet e tyre konvergojnë në një pikë:se  e flamosura lufta e klasave dhe përpjekjet e njeriut për t`i shpëtuar asaj , për të ruajtur ekzistencën dhe jo vetëm atë, po edhe hijen e tyre dhe personalitetin njerëzor në ato rrethana të zgripit ekzistencial rrinte si Shpata e Damokleut mbi krye,  dhe sillte një ankth pa fund.

Ky ishte Bibë Gjet LLeshaj i cili u nda nga jeta herët, në vitin 1983. Por vlerësimet për të nuk kanë munguar, as respekti nga komuniteti mirditas dhe intelegjencia e kësaj zone të nderuar, nga organe të caktuara të pushtetit lokal , të cilat i kanë dhënë shkollës së Prosekut emrin e tij;e ai,  Biba,  ka marrë edhe medalje të tjera dhe Urdhra shumë të lavdërueshëm duke dëshmuar vlerësimin për punën e tij. Nga gjithë marrëdhëniet në këtë jetë,  së pari janë ato:marrëdhëniet njerëzore, pastaj vijnë të tjerat;vjen koha që ato vihen të parat në një shoqëri emancipuese dhe me kulturë e cila dehumanizmin e një periudhe të caktuar në raporte ideologjike e kompeson dukle u dhënë vlerave rendin e duhur të kujdesit dhe vlerësimit.

Për mësues Bibën është aktivizuar edhe folklori i zonës, thuren vargje rasodike nga ish nxënës, shokë, poetë të Mirditës. Janë fjalë të thjeshta, të sinqerta dhe me plot kuptim. Poetë si Jak Tuci, Gjovalin Filopati, mësuesi Gjin Leka, kanë thurur vargje prekëse. Mis shumë vargjeve mund të shkëpusim:”Ty Prosek të kemi vendlindje/Të duam fort si dritën e syve. . ”Njeriu me vendlindjen  është vazhdimisht në një simbiozë të padukshme, vendlindja është poli magnetik që e tërheq atë drejt saj edhe kur ai kujton se është mirë në tjetërvend. Kjo është e provuar. Bibë Gjet Lleshaj ishte një nga ata pishtarë të arsimit i cili për vendlindjen e tij dha çka mundi e ndoshta më tepër në fushë të arsimit, kulturës, po edhe duke rritur e forcuar më tepër traditat, zakonet, besën e virtytet e burrit mirditor. Ai jo vetëm diti t`i ruajë ato, po edhe t`i pasurojë me ngjyra të reja. Kështu,  duke ecur me kohën, duke i dhënë asaj,  ai u fut natyrshëm në kohë për të  zënë vendin e vet të merituar si një përmendore kujtese, prandaj edhe shkolla e sotme e Prosekut mban emrin e tij, jo vetëm si themelues i saj, po edhe si punëtor i palodhur që e ngriti dhe i dha emër në një kohë të vështirë dhe me sakrifica të mëdha.