E shtune, 20.04.2024, 04:28 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Tridhjetë vjet ma parë prishja e bujshme me Kinën

E enjte, 28.08.2008, 03:29 PM


Tridhjetë vjet ma parë prishja e bujshme me Kinën

Nga Ardian Ndreca
 
Vetëm budallenjtë hedhin gurë përpjetë, që mandej u bien kokës” - Mao Ce Dun

Janë mbushë plot 30 vjet prej ditës kur republika e stërvogël socialiste e Shqipnisë e drejtueme prej nji histrioni psikopat prishi marrdhanjet me Republikën e stërmadhe popullore të Kinës.
Si të gjitha historitë e mëdha të dashunisë komuniste edhe kjo kishte nisë me shpresa e me ndjenja të flakta, asokohe nëpër skenat shqiptare këndohej kanga “Enver Hoxha e Mao Ce Duni janë si buka e nji brumi”, revistat, distinktivat, kalendarët, lojnat, veshjet, armët, makinat, kapelet, prodhimet bujqsore, fabrikat... të gjitha ishin kineze.
Shqiptare ishte vetëm marria, e cila çoi Enver Hoxhën dhe dordolecin e tij super-dhelpnak Ramiz Taip Aljen me vu në jetë revolucionin kulturor kinez tue sulmue kisha e xhamija, tue burgos priftnat e mbetun, tue i pre mjekrrat hoxhallarëve, tue dëbue baballarët e nderuem të teqeve bektashjane, tue mbyllë kishat ortodokse.
Ky ishte veprimi ma i naltë kulturor që lindi prej miqsisë shqiptaro-kineze.
Në ekonomi, Kina ishte faktori që mbante gjallë ekonominë e mbarueme shqiptare, e cila jo sihariqin e bukës, por me nji inflacion të skajshëm e me pllanet 5 vjeçare s’mund t’u siguronte as bar e jo ma bukë shqiptarëve.
E megjithatë, Tirana u ndejti besnike mësimeve të m-l.
Në fakt nuk kishte asnji besniki e asnji ideal, pse vetë E. Hoxha e kishte ndërrue 100 herë pllakën, por ishte vetëm etja për pushtet.
Strumbullari i gjithë kësaj pune ishte nji njeri që u tregue i gatshëm me vra e me burgosë këdo: edhe kunatin, edhe shokun e fëmijnisë edhe miqtë e vjetër vetëm për me ndejt në pushtet.
Ma shumë se sekretari i parë i nji partie komuniste ai ishte nji satrap, nji pashë, apo nji mbret i vogël aziatik, që s’njeh vlerë tjetër veç vedit.
Pikërisht këtë adhuroi nji pjesë e shqiptarëve, mendjet e ndryshkuna dhe forcat e të cilëve u bane bashkë-shkaktare të tragjedisë së madhe që vuejti kombi ynë.
Të gjitha dashunitë e mëdha të E. Hoxhës e të partisë së tij dolën hurq. Mund të themi se në dashuni ai ka qenë pafat, po të përjashtojmë periudhën e rinisë në Tiranë e mandej monotoninë leniniste me shoqen Nexhmije.
Qe historia e dashunive të pafatshme.
Në fillim Jugosllavia u himnizue si motër e madhe, mandej doli e pandershme, pse kishte dashtë me na gllabërue.
Mbas saj partia sovjetike na doli motër mbi motër e mbas pak vitesh edhe ajo doli e pandershme.
Të gjitha motrat e vogla: Rumania, Polonia, DDR-ja, Bullgaria - dolën pa përjashtim të pandershme.
Mbetën gjysëm të ndershme motrat si Angola, Burkina-Fasoja (i vetmi shtet që mbajti zi për vdekjen e E. Hoxhës) dhe Kongoja e Mugabes. Në kontinentet e tjera tepronte: Fidel Kastroja, Vietnami, Korea e Veriut e ndonji shtet tjetër pa randësi.
Të gjitha shpresat i patëm varë tek Kina, por edhe Kina në fund doli se na e kishte pasë me hile.
Sigurisht, nuk e ka pasë të lehtë shoku Enver dhe shoqja Nexhmije me drejtue luftën e kllasave tue i pasë tana motrat e pandershme, shyqyr që u rrinte pranë podgoriçani Ramiz T. Alja, e i bante gajret, pse përndryshe revolucioni do të kishte mbarue me kohë.
Pse u prishëm me Kinën?
A e din kush prej lexuesve të thjeshtë me thanë se ku kishte gabue Kina (e cila edhe sot asht komuniste) për me e nxjerrë të keqe asokohe?
U tha se Kina kishte teorizue tri botët – e kjo teori asht ende sot në kambë.
U tha se Kina ishte afrue me SHBA-në, që kishte shfry luftën e klasave, kishte tradhtue m-l... të gjitha këto gjana i thonte Enver Hoxha, i vetëshpallun papë e kalif i komunizmit botnor, e mos të harrojmë se për kah teoria marksiste nuk asht se kuptonte shumë, por kishte vetinë me e dredh Marksin simbas qejfit me ndihmën e ndonji derdimeni të institutit të rrenave që drejtonte e shoqja.
U tha se revolucioni kulturor kishte qenë nji palaçollek, por ndërkaq ata që kishin përfundue në burgjet tona, vijuen me ndejt aty, me shpenzime të shtetit. Kurrgja nuk ndryshoi.
Vijoi në shkolla gjimnastika e neveritshme e mëngjesit, vijuen aksionet me goditje të përqëndrueme, vijuen marrinat e Radio Tiranës, e cila asokohe ndalohej me u ndie edhe në DDR-në e Erich Mielke-s pse transmetonte viruse marrijet në largësina të mëdha.
Kjo “arritje” e fundit ishte falë stacionit të radios në Cërrik, dhuratë kineze për «tunxet shqiptarë», e falë heroit të punës socialiste Çan Pao Y - i cili theu qafën në Dajt me i dhanë za në botë regjimit të Enver Hoxhës.
Vijuen fletërrufetë-daci bao. Vijoi doku kinez, stoqet e të cilit mbajtën gjallë dyqanet shqiptare për dhjetë vjetë. Vijuen talonat. Vijuen të njejtat fytyra. Vetëm historia e partisë u shtyp rishtas e u hoqën disa paragrafë e disa foto.
U tha se kinezët i kemi qitë jashtë rrezga-bjezga, se fabrikat na mbetën përgjysëm, se s’e japim veten.
Kishim ba nji gabim të madh me ja lëshue timonin e revolucionit në dorë timonierit të madh Mao, i cili s’paska dijtë not as për vete, edhe pse fotot në Yangtses flisnin qartë.
Si mund të gjykohet sot dashunia me Kinën dhe prishja e raporteve me të!
Nji fatalitet i madh!
S’do të kishim pasë kurrë nji prishje me Kinën, në qoftë se udhëheqja shqiptare mos të na kishte çue në prehnin e Kinës. Në atë prishje nuk kishte asnji meritë, pse pjesërisht, për me mbajt pushtetin, bahej nji hap mbrapa e asgja ma tepër. Poshtërsia e Tiranës mbeste e njejta, para dhe mbas prishjes me Kinës.
Ajo që do të bante me vuejt popullin shqiptar do të ishte kolektivizimi i dhunshëm i bujqësisë, që në ethet e marrisë nji ish-student shkollet bujqsore, nji ish-student shkollët ushtarake - Mehmet Shehu - me aprovimin e vetë E. Hoxhës, realizoi ma së mirit.
Mbas prishjes me Kinën, siç mund të vërehet edhe prej historikut të protokollit të shtetit, Tirana u afrue me vendet arabe. Enver Hoxha me ndihmën e ndonji pehlivani botoi në vitin 1984 “Shënime për Lindjen e Mesme” - gja që shenjoi afrimin me vendet arabe dhe me fondamentalizmin islamik që asokohe paraqitej me petkun revolucionar.
Pra, prishja me Kinën - simbas E. Hoxhës - do të na drejtonte nga vendet arabe. Ketë gja Ramiz Alja mundi me e ba në fillimin e vendeve ’90 kur kërkoi futjen e vendit tonë në Konferencën islamike.
Kështu, komunizmi militant, edhe tue cofë, ia la nji dhuratë mbi shpinë demokracisë që sapo lindte, e prej kësaj dhurate demokracia ende nuk asht lirue dhe s’po don me u lirue.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora