E premte, 19.04.2024, 01:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Isopolifonia, në udhëkryq mes traditës e modernes

E enjte, 13.04.2006, 07:17 PM


Ndikimet në trashëgiminë shpirtërore shqiptare

Si çdo vit, edhe këtë herë, në muajin mars u organizua nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në qytetin e Elbasanit Festivali i Këngës Popullore Qytetare.

Aktivitet që shpalosi vlerat e jashtëzakonshme të trashëgimisë së Këngës Popullore Qytetare të Shqipërisë, qytete me traditë të hershme si Shkodra, Berati, Elbasani, Tirana apo Korça etj… por edhe nga ato që e kanë krijuar rishtas këtë traditë si Mati apo Kukësi, por pa harruar edhe shqiptarët e Malit të Zi të përfaqësuar nga një grup tepër interesant nga Ulqini, por edhe ata të Kosovës të përfaqësuar nga qyteti i Gjakovës.
E gjitha sa thamë më sipër ishte thjesht në vend të hyrjes, sepse qëllimi i këtij shkrimi nuk është bërja e një analize profesionale të qyteteve dhe traditave që ato përfaqësuan, por për të pasqyruar një problem që ka vite që diskutohet dhe ende nuk ka marrë fund. Për të qenë sa më të qartë problemi ka të bëjë me futjen e mjeteve moderne elektronike në orkestrinat të cilat shoqërojnë këngën popullore qytetare. Ky është një debat, që ka vite që zhvillohet me të njëjtin zell, por që ka po kaq vite që nuk është gjetur asnjë zgjidhje dhe s’është arritur në asnjë përfundim. Por le ta sqarojmë më shumë problemin për lexuesin. Dihet se në vitet kur ka lindur kënga popullore qytetare nuk kanë ekzistuar mjetet moderne elektronike (në rastin tonë, kitara elektronike, organoja apo sitentizatori) dhe gjithçka është luajtur me instrumente tradicionale si kitara akustike, apo mandolina.

Çfarë ndodh sot?
Në festivalin e fundit, pa mohuar vlerat melodioze të këngëve apo të teksteve të qyteteve të tilla si Korça, duam të themi se ky qytet kishte dalë nga instrumentet tradicionale (dhe këtë ka disa vite që e bënë), pra ajo kishte në përbërjen e orkestrinës së saj kitarë elektrike por edhe organo, instrumente që siç e thamë nuk kanë qenë përdorur në gjenezën e këngës qytetare, gjë e cila bie ndesh me traditën. Dhe po të njëjtë gjë mund të themi edhe për Dibrën deri diku edhe për Tiranën. Kjo është dhe pika ku fillojnë debatet, ku fillojnë tezat dhe antitezat. Qytetet si Korça që e përdorin elektronikën e mbrojnë atë, duke nxjerrë argumentet e tyre të cilat i mbrojnë me fanatizëm, duke argumentuar se duhet të jemi të hapur para modernizimit dhe të resë. Një argument i fortë është përmendja e faktit se edhe në Shkodër është bërë një debat i madh kur ka hyrë për herë të parë klarineta në vitet 1870, e cila mendohej nga muzikantët e asaj kohe se e prishnin ahengun shkodran. Por ç’ndodh sot? Klarineta është një ndër instrumentet bazë të këtij ahengu. Po i njëjti debat është bërë edhe për violinën, e cila edhe ajo ka një rol shumë të rëndësishëm sot. Këto pra janë dhe argumentet bazë që mbrohet teza e përdorimit të këtyre mjeteve të teknologjisë moderne. E thënë ndryshe, duke bërë edhe një parashikim megjithëse sot ato nuk pranohen, nesër mund të jenë baza e kësaj kënge. Por nga ana tjetër është tradita ajo që e kundërshton këtë tezë.

Problemi dhe lajle-lujlet
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike e cila organizon edhe këtë festival ka si qëllim të saj kryesor ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të Shqipërisë ku hynë edhe Kënga Popullore Qytetare dhe për këtë ajo përcakton kritere të qarta shkencore për grupet pjesëmarrëse. Ndër këto kritere është edhe mos përdorimi i elektronikës si teknologji që e prish estetikën e tradicionales. Këto janë kritere të përcaktuara nga muzikologë të shquar si dhe punonjës shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore. Pra këto janë dy grupet e interesit të cilët janë në debat të hapur midis tyre për këtë çështje. Por më e keqja e kësaj pune nuk është pse diskutohet ky problem, por është se ka shumë vite rresht që diskutohet dhe asnjëherë nuk ka dalë në një përfundim qartë. Këtu dua të përmend një shprehje që më tha në një nga ditët e festivalit të këtij viti një nga specialistët e trashëgimisë shpirtërore pranë MTKRS, “në arshivën që kam unë ka rreth 30 vjet që mbizotëron i njëjti problem që ngrihet: Ta lejojmë hyrjen e elektronikës apo jo? Dhe nëse vazhdohet thjesht me këtë mënyrë si diskutohet ky problem dhe në vendet ku ky diskutohet jam i sigurt që dhe për nja 30 vite të tjera s’ka për t’u zgjidhur gjë”. Këtë çështje e kam ngritur personalisht në tryezën e rrumbullakët që u mblodh ditën e dytë të festivalit në Elbasan. Sa vite do rrime duke diskutuar thjesht në parim pa i dhënë një zgjidhje këtij problemi? Ajo që është e nevojshme sipas mendimit tim personal është mbledhja e një sesioni shkencor për këtë çështje, ku figurat më të shquara të muzikologjisë tonë, punonjës shkencorë por edhe muzikantë të cilët lëvrojnë këtë zhanër të diskutojnë me argumente bindës për secilën tezë, dhe në fund të dilet me një përfundim konkret bindës ku të përcaktohet qartë a duhet ta lejojmë elektronikën të hyjë në Këngën Popullore Qytetare apo jo. Kjo është e vetmja mënyrë që mund t’i japi një zgjidhje nga ana shkencore këtij problemi të hapur prej shumë vitesh, duke mos lejuar më që kjo të bëhet një çështje për diskutim nëpër tryeza të rrumbullakëta që në përfundim nuk nxjerrin asgjë në dritë përveç kënaqësisë së diskutimit për një problem që shqetëson muzikantët midis tyre. Për zbatimin në teren të përfundimeve që mund të nxjerri ky sesion është në ndërgjegjen e çdo muzikanti se cilën rrugë do të zgjedh, Modernen apo Tradicionalen.

Si duhet mbrojtur trashëgimia?
Si menaxher i një institucioni që ka për detyrë të ruajë këtë trashëgimi të pa prekur por edhe si një adhurues e studiues i saj kam një detyrim moral që të mbajë edhe unë një qëndrim në lidhje me këtë problem. Pra për mendimin tim mund të them se të gjithë grupet e interesit duhet të bëjnë të pamundurën që ta ruajnë këtë trashëgimi ashtu siç ajo ka lindur dhe jo ta deformojnë atë. Eshtë e vërtetë që brezat e rinj janë shumë të ekspozuar dhe të pirur ndaj teknologjisë moderne, dhe shumë mirë bëjnë, por kjo nuk duhet të mbizotërojë në çdo fushë. Nëse do jemi të pirur ndaj kësaj elektronike edhe në muzikë mund të vijë një ditë që do të humbim çdo instrument tradite apo edhe vetë traditën duke parë që mund të vijë një ditë që do të përdoret vetëm kompjuteri apo ndonjë derivat i tij për muzikën. Pra ngelet detyrë e shtetit si dhe detyrë fisnike e vetë shoqërisë për ta ruajtur këtë traditë të paprekur.
* Menaxher i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike. Kompozitor


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora